Atmosferë madhështore në ndeshjen me Gjermaninë

Hendboll

Atmosferë madhështore në ndeshjen me Gjermaninë

Më: 29 tetor 2018 Në ora: 10:56
Atmosferë madhështore në ndeshjen me Gjermaninë

Me një ndeshje të luajtur në atmosferë madhështore është përmbyllur muaji i hendbollit. Të dielen në mbrëmje në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë janë përballur kombëtarja e Kosovës me Kombëtaren e Gjermanisë. Ashtu si pritej, Gjermania e ka fituar ndeshjen. Rezultati në fund ishte 30:14 në të mirë të Gjermanisë që vlerësohet i pranueshëm për kombëtaren tonë, duke ditur forcën e Gjermanisë që është superfuqi botërore e hendbollit. Djemoshat tanë kanë luftuar maksimalisht dhe kanë nderuar kështu rreth 2000 shikues që ishin në palestër.

Deniz Terziqi ishte më efikasi me pesë gola. Tre lojtarë tjerë i shënuan nga dy gola. Ndeshja ishte për fazën e dytë të kualifikimieve për “Euro 2020”.

Kombëtarja jonë është paraqitur shumë më mirë se që ishte paraqitur ndaj Polonisë disa ditë më parë. Humbja ndaj gjermanëve që kanë në përbërje disa prej lojtarëve më të mirë në botë, është më e ngushtë se ndaj Polonisë.

Me ndeshjen ndaj Gjermanisë përmbyllet muaji i hendbollit në Kosovë. Gjatë tetorit janë luajtur pesë ndeshje të skuadrave në kupa evropiane, janë luajtur dy miqësore të kombëtares së femrave, dy ndeshje zyrtare të kombëtares së meshkujve dhe poashtu është zhvilluar gara e rëndësishme IHF Trophy për Evropë për kombëtaret U20 dhe U18. Në të dy grupmoshat Kosova ka fituar titullin duke dëshmuar se e ardhmja e hendbollit është e ndritur. Muaji i hendbollit nuk ka mundur të përmbyllet më mirë se me një ndeshje ndaj Gjermanisë mike, ndaj superfuqisë së hendbollit. Tifozët në palestër kanë pasur rastin të shohin nga afër lojtarët prej më të mirëve në botë e poashtu lojtarët më të mirë tanë që nuk kanë kursyer asgjë për fanellën e Kosovës.

Kosova – Gjermania         14:30 (5:15)

Kosova: Terziqi 5, Ahmeti 2, Beshiri 2, Dri. Tahirukaj 2, Hoxha 1, Jupa 1, Krasniqi 1, Berisha, Cimili, Curri, Muqolli, Quni, Ramadani, Ramosaj, Syla, Dre. Tahirukaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat