Në Pejë luftohet për vend të parë

Hendboll

Në Pejë luftohet për vend të parë

Më: 9 nëntor 2018 Në ora: 16:38
Ilustrim

Të shtunën luhet derbi i stinorit në Superligën e Kosovës në hendboll (meshkujt). Në kuadër të javës së shtatë kampionale, nga ora 19:00 në palestrën “Karagaçi” në Pejë përballë do të jenë Besa Famgas e Kastrioti. Bëhet fjalë për dy skuadrat lidere, skuadrat e vetme që i kanë fituar të gjitha ndeshjet e deritashme. Për shkak të goldallimit më të mirë pas javës së gjashtë Kastrioti është në vend të parë ndërsa Besa Famgas është e dyta me 12 pikë. Trajneri i Besës, Arben Muqolli dhe ai i Kastriotit, Verim Zherka, luftojnë me ekipet e tyre për të parë.   Të dy skuadrat i kanë nga 12 pikë dhe pritet të luftojnë për trofe këtë edicion së bashku me ndonjë skuadër tjetër.

Te Besa e Kastrioti janë të grumbulluar shumë prej lojtarëve më të mirë të vendit dhe për këtë pritet një ndeshje shumë e fortë e po ashtu shumë cilësorë. Pritet që edhe interesimi të jetë në nivel dhe që në palestër të jenë prezent adhurues të hendbollit jo vetëm nga Peja e Ferizaj, por edhe nga qytete tjera të vendit.

Besa është kampion në fuqi, ndërsa ka kaluar edhe një kundërshtar evropian këtë edicion. Kastrioti po ashtu ka kaluar kundërshtar evropian dhe më vonë këtë muaj luan sërish ndeshje evropiane. Klubi me nam ferizajas është organizuar fuqishëm për këtë edicion dhe synon të ndërprejë dominimin e Besës. Por te Besa janë të vendosur që të fitojnë trofe dhe kështu pritet një ndeshje cilësore që besohet se do të jetë reklamë e mirë për hendbollin kosovar në përgjithësi.

Në hije të derbit të stinorit luhen edhe ndeshjet tjera të javës së shtatë. Të shtunën janë edhe ndeshjet e Zhegra – Samadrexha (18:00). Të dielën luhen takimet Vëllaznimi – Trepça (17:00), Vushtrria – Prishtina (17:00) e Drenica – Drita (14:00)

Në Ligën e Parë të meshkujve luhet java e pestë. Ndeshjet e javës së pestë janë: Lepenci – KEK-u (e diel, 15:00 në Obiliq), Ulpiana – Dukagjini ( e diele 15:00 )dhe Prizreni – Llapi (e shtunë, 19:00).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat