Kabashi me Prishtinën fusin frikë te rivalët për titull!

Hendboll

Kabashi me Prishtinën fusin frikë te rivalët për titull!

Nga: Kemajl Goca Më: 16 nëntor 2018 Në ora: 16:01
Kabashi me Prishtinën fusin frikë te rivalët për titull!

Ka kohë që elita e hendbollit në Kosovë, në konkurrencën e meshkujve, nuk ka qenë më atraktive, ku tri skuadra janë me pikë të njëjta! Nuk ka më të pamposhtur, Besa FamGas nga Peja, kampion në fuqi, pësoi humbje në kryeqytet me rezultat 24:23 nga Prishtina.

Trajneri Taib Kabashi dëshmoi edhe një herë se është prej trajnerëve më të mirë në vendin tonë dhe me fitoren me skuadrën e tij, Prishtina, ka ashpërsuar edhe më shumë luftën për titullin e kampionit. Kastrioti prinë me 14 pikë (7 fitore e 1 humbje), pasojnë Prishtina 14 (7 fitore e 1 humbje) e Besa Famgas 14 (7 fitore e 1 humbje).

Kabashi është sikurse në qiellin e shtatë dhe mburret me gjeneratën që ka të Prishtinës, ku numri më i madh prej tyre janë të rinj. “Kemi punuar shumë, sepse në fillim të edicionit kishin probleme të mëdha me komponimin e ekipit, kur dihet se kanë shkuar pesë lojtarë, si Denis Terziqi, Ben Syla, Petrit Prekazi në KH Kastrioti, kurse Vlerson Zherka dhe portieri Arbër Berisha janë të lënduar. Prandaj pa pesë lojtarë kyq, ka qenë punë e madhe që të komponohet ekipi dhe me disa lojtarë të rinj ia kemi arritur.

Në radhët tona ka ardhur Yll Visoka, si talent i madh dhe me disa lojtarë U-18 dhe U-20 të Kombëtares së Kosovës, komponuam ekipin. Janë djem të rinj e me perspektiv, si Amir Agushi, pastaj portieri tjetër nga Kosova U 20 Flakërim Beqiraj,  pastaj Besian Abazi që ka ardhur nga Llapi, Atdhe Basholli nga Trepça, po ashtu edhe  kthimi i Oltion Beshirit nga Metallci i Zagrebit, bëmë një ekip të mirë.  Kam pasur probleme edhe me lojtarët si Kreshnik Krasniqin e Kushtrim Kastratin, të cilët vitin e kaluar nuk kanë pasur hapësirë sa ishte trajner Verim Zherka.

Por me ardhjen time, këta dy lojtarë janë kryesorë në ekip, të cilët u dashtë goxha me kaluar kohë dhe me iu kthyer vetëbesimi, pra me u përshtatur me stilin tim të lojës, me kundërsulme dhe me mbrojtje”, thotë për gazetën “Bota sot”, Kabashi. Trajneri i Prishtinës mburret me lojtarë që ka: “Është ekip e re dhe me pesë lojtarë të rinj, te ardhur nga U-18 dhe U-20, do të bëjë një ekip të fortë jo vetëm për Kosovë, por edhe për Evropë. Së pari për Kosovë, të jemi konkurrent për titull dhe për Kupë, mandej edhe të fortë për Evropë”.

Kabashi tregon edhe sekretin se si e ka mundur Besën. “Isha në ndeshjen Besa – Kastrioti dhe pash dobësitë e Besës në Pejë. Kështu që kemi punuar tanë javën dhe lojtarët e mi i kanë përmbushur të gjitha detyrat dhe janë angazhuar maksimalisht, andaj gjithmonë favoriti nuk fiton. Premtoj edhe befasi të radhës”, premton Kabashi. Prishtinës do t’i kthehet edhe një lojtar i rëndësishëm. “Presim kthimin e reprezentuesit të Kosovës, Lindrit Fetahu, që ka qenë i lënduar, kështu që do të jemi edhe më të fortë ndaj Dritës dhe Kastriotit, në këto ndeshje do të përcaktohet edhe titulli vjeshtor”, tha ai.

Çfarë i mungon Prishtinës? “Prishtinës i mungojnë edhe dy përforcime, sidomos në anën e djathtë, kemi mangësi me majtakë, nëse aty arrijmë të përforcohem apo gjejmë ndonjë alternativë, ku edhe jam adhurues i lojtarëve vendorë, në pranverë do të jemi kandidatë për Kupë dhe për titull”, përfundoi Kabashi. Me një fjalë, Kabashi me Prishtinën fusin frikë te rivalët për titull!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat