Parduzi: Vushtrria ka probleme me palestër

Hendboll

Parduzi: Vushtrria ka probleme me palestër

Më: 23 nëntor 2018 Në ora: 18:51
KHF Vushtrria

Vushtrria si rivale të vetme në luftë për titullin e kampionit e vlerëson fituesen e Kupës së Kosovës, Istogu. Kampionet kanë pasur rezultate shumë të mira, shtatë fitore e një humbje, renditen në vend të dytë me 14 pikë, sa ka edhe Istogu në krye të tabelës. Vushtrria mëton ta mbrojë titullin e kampionit njëherësh të luftojë edhe për trofeun e Kupës së Kosovës. Trajneri i Vushtrrisë, Arben Parduzi, tha se humbja në Gjakovë me 31:30 nga Shqiponja, ka qenë si rrjedhojë e mungesës së lojtares më të mirë.

“Bota sot”: Në tetë ndeshje, 7 fitore e 1 humbje, a janë rezultate të pritura apo keni tejkaluar pritshmëritë?

Arben Parduzi: Pas fitores në javën e tretë në Gjakovë kundër Istogut  kemi pritur fitore në të takimet tjera, por me lëndimin e lojtares më të mirë të ekipit tonë Burneta Rama, e kemi ditur që do të kemi probleme edhe ashtu ndodhi të martën e kaluar në Gjakovë kundër Shqiponjës që pësuam humbje me rezultat 31:30.

“Bota sot”: A mendoni se është luftë e ashpër për titull të kampionit dhe a mund te ketë të papritura deri ne fund?

Arben Parduzi: Po, mendoj që lufta do të jetë mes Vushtrrisë dhe Istogut. Sa i përket Prishtinës, Shqiponjës dhe deri diku Kastriotit, mund të ketë befasi në garën e Kupës, por sa i përket titullit për kampion besoj qe nuk janë të nivelit për kampion.

“Bota sot”: Çfarë e veçon më shumë kampionatin?

Arben Parduzi: Nuk ka diçka për t’u veçuar përveç që ekipi i Kastriotit ka bërë një ekip më cilësore dhe ka bërë lojëra të mira, ku edhe ju ka shkaktuar humbje Shqiponjës dhe në Prishtinë barazoi dhe mendoj, tek ekipet tjera të pozitës së poshtme pothuajse njëjtë sikur vitet e fundit, ekipe me shumë vështirësi në çdo aspekt.

“Bota sot”: Çfarë i duhet më shumë Vushtrrisë për në pranverë?

Arben Parduzi: Ekipi të Vushtrrisë i duhet që të përforcohet me 1 ose 2 lojtare aty ku edhe kemi nevojë më shumë. Për sa i përket orarit të sezonit që vjen e kemi orarin shumë të mirë.

“Bota sot”: Sa jeni i kënaqur me kushtet apo ka vështirësi?

Arben Parduzi: Vështirësitë në sportet me dorë janë të shumta edhe në klubin e Vushtrrisë, ka probleme së pari me palestër me termine dhe me kushtet që janë në palestër, ku e dimë që sidomos në sezonin e dimrit kemi probleme.  Me kushtet financiare po ashtu kemi problem pasi që klubi ka harxhime të mëdha sidomos për klubin që lufton për trofe, por me ndihmën e kryetarit të klubit Fadil Maxhunit dhe të disa individëve sivjet që kanë ardhur në klub deri tash mirë jemi me kushte!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat