Shala i përgjigjet spanjolleve: Askush nuk do të na qet neve rregulla

Hendboll

Shala i përgjigjet spanjolleve: Askush nuk do të na qet neve rregulla

Nga: Kemajl Goca Më: 29 nëntor 2018 Në ora: 15:51
Shala i përgjigjet spanjolleve: Askush nuk do të na qet neve rregulla

Trajneri i Istogut, Faruk Shala, nuk e ka ndërmend të lëshojë pe karshi lideres së kampionatit spanjoll, Rincon Fertility Malaga! Fituesja e Kupës së Kosovës do të përballet me Rincon Fertility Malaga, në kuadër të ndeshjes së të tetës së finales së Challenge Cup në hendboll (femrat).  Sipas kalendarit të Federatës së Hendbollit Evropian, ndeshja e parë luhet në Malaga me 2-3 shkurt, kurse ajo e kthimit në Kosovë me 9-10 shkurt të vitit të ardhshëm.

Megjithatë, Rincon Fertility Malaga ka kërkuar një marrëveshje me klubin e Istogut, që dy ndeshje të luhen në një vend, sepse me pasaporta të Kosovës,  është vështirë të futet në Spanjë, pasi kjo e fundit nuk e njeh shtetin e Kosovës.  Shala tha se është e papranueshme që dy ndeshjet të luhen në Malaga apo në ndonjë shtet tjetër përkatësisht në terren neutral. “Ne si klub, i kemi synimet tona.

Vërtet ata janë klubi kryesor në Spanjë dhe janë në vendin e parë në tabelë, por edhe ne jemi klubi kryesor në Kosovë. Ndihem shumë krenarë për këtë, ne i kemi objektivat tona, ne synojmë të përforcohemi me lojtare të reja për këtë garë dhe dëshirojmë të themi fjalën tonë në Kupat e Evropës.  Synojmë që Istogu të mbahet mend gjatë në këtë kompeticion, nuk na intereson a na njeh apo jo Spanja, ne jemi shtet i pavarur e i pranuar me të drejta të plota në EHF dhe IHF.

Në këto gara përfaqësojmë Kosovën, ne do të udhëtojmë në Spanjë si përfaqësues nga shteti i Kosovës dhe me Flamurin tonë shtetëror po ashtu do të udhëtojnë edhe spanjollet në Kosovë. Kështu që askush nuk do të na qet neve rregulla, ne përfaqësojmë Kosovën dhe pikë,  gjithçka që na duhet tani është përkrahja  shtetërore dhe e komunës tonë, për të tjerat mendojmë ne”, tha për gazetën kombëtare “Bota sot”, Shala.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat