Dëshmia e rrallë/ Libri i autorit serb në vitin 1877: Si i dëbuam dhe vramë shqiptarët nga Nishi

Historia

Dëshmia e rrallë/ Libri i autorit serb në vitin 1877: Si i dëbuam dhe vramë shqiptarët nga Nishi

Më: 17 janar 2019 Në ora: 16:56
Libri i autorit serb në vitin 1877

Shkrimtari dhe përkthyesi nga Suedia, anëtar i Kreyesisë së  Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani”, Suedi dhe nënkryetar i saj, Hamit Gurguri, nga gjuha serbe në gjuhën shqipe ka përkthyer librin e autorit serb Dimitrije Mita Petroviq me titullin në origjinal “Borbe u Toplici 1877 – 1878” (shqip: Luftimet në Toplicë 1877 – 1878”).

Ky libër, i lënë në dorëshkrim, pra i pabotuar, dhe i botuar në vitin 1979 nga Arkivi i Serbisë, është interesant për secilin lexues, sepse në te autori në formë të një ditari të luftës paraqet momente e ngjarje të ndryshme e të shumta nga spastrimi etnik i trojeve të pastra shqiptare nga sot Serbia e Mesme dhe Jugore, veçanërisht nga krahina e Toplicës, pra, të pohuara nga një kronist serb – Dimitrije Mita Petroviq. Për këto ngjarje janë publikuar shumë e shumë studime nga historianët shqiptarë, turq, serbë e të tjerë dhe kështu janë ndriçuar të vërtetat historike. Sipas disa të dhënave arkivale serbe thuhet mes të tjerash se gjatë luftërave serbo-turke të viteve 1877-1878, ushtria serbe, duke zbatuar urdhërin e shtabit të përgjithshëm dhe qeverisë serbe, i shpërnguli me forcë nga Toplica, Leskovci, Nishi, Vranja më tepër se 300.000 shqiptarë. Por, e vërteta është se prej kësaj krahine shqiptare me dhunë ushtarako-policore mbretëria serbe e Obrenoviqve dëboi rreth 830 000 shqiptarë etnikë. Kjo u realizua duke bërë një gjenocid dhe spastrim etnik total, kur janë vrarë e masakruar reth 70 000 shqiptarë, të cilët banonin në afro 700 fshatra e qytete shqiptare vetëm në Krahinën e  Toplicës. Në këtë kohë janë zbrazur trojet me shumicë shqiptare të Jagodinës, Kosanicës, Pirotit, Quprisë, Pllanës, Krushevcit, Nishit, Leskovcit, Surdulicës, Vranjës, Përokupjes, Kurshumlisë, etj. Popullsia e shpërngulur shqiptare e cila arriti që t´i shpëtojë gjenocidit serb u vendos në jug të trojeve shqiptare në Kosovë dhe në Maqedoni. Këta shqiptarë sot e asaj dite janë të njohur dhe të quajtur muhaxhirë (refugjatë). Madje, shumë prej tyre sot e asaj dite si mbiemër e mbajnë emrin e fshatit ose trevës prej nga janë dëbuar.    Kronisti serb Dimitrije Mita Petroviq ishte edhe vetë pjesëtar i ngjarjeve të sipërme. Ai në këtë libër të lënë në dorëshkrim jep lloj-lloj skenash e detajesh për gjenocidin dhe zullumin e ushtuar ushtarakisht mbi burra, gra e fëmijë të arnautëve, siç i quan ai shqiptarët, vuajtjet arnautëve për shkak të gjenocidit të ushtruar mbi ta, vjell vrerë e urrejtje ndaj tyre, tregon për djegiet e shtëpive të arnautëve, për uzurpimin dhe plaçkitjet e pasurive të tyre, vrasjet, spastrimet etnike, prerje kokash, erkzekutime, uri, etj. Por, njëkohësisht pohon edhe për rezistencën e organizuar dhe individuale si dhe për shpirtin luftarak të arnautëve, trimërinë e tyre të treguar në fushat e betejave. Pra, në këtë libër rrëfehet edhe për rezistencën e fortë e arnautëve me shumë sakrifica, flijime dhe heroizma. Në vazhdim do t´i japim disa refrene të zgjedhura nga ky libër, të përkthyera nga Hamit Gurguri, ashtu si i ka shkruar ai vetë, pa asnjë intervenim redaktorial apo lektorim gjuhësor. Përkthyesi Hamit Gurguri në fillim të librit i jep disa sqarime në formë të Parathënies. Fjalët e tij janë:

Parathënje

Autori Dimitrije Mita Petroviqi ishte vetë pjesëmarrës i luftimeve në Javor gjatë vitit 1876. Libri i parë bënte fjalë për përgaditjet luftarake sërbe atë vit. Libri i tij i parë u botua nga Muzeu në Çaçak në vitin 1955, ku bënin pjesë edhe 37 skica, vizatime, fotografi, portrete dhe plane të cilat u zhdukën. Ky është libri i tij i dytë për luftimet nëpër Toplicë gjatë viteve 1877 e 1878. Në këtë kronikë luftarake D. Petroviqi iu kushton kujdes të veçantë tri ngjarjeve:

Kur ushtria sërbe e kaloi kufirin e hyri në Prokuple.

Luftime për marrjën (e quan çlirim) e Kushumlisë dhe

Beteja për Samakovë.

 Shenimet e Petroviqit japin një pasqyrë për armatosjën e ushtrisë sërbe, për organizimin e funksionimin e logjistikës. Vëzhgimit të tij nuk i shpëton as pamja e ushtrisë turke, të cilën e paraqet si ushtri të disciplinuar, të organizuar mirë, të armatosur mirë, të pajisur me veshëmbathje e të motivuar deri në fanatizëm. Ushtari turk i la përshtypje këtij kronisti.

Në shënimet luftarake shpesh i hasim edhe kundërshtarët e ushtrisë sërbe, arnautët, siç i quan ku autor dhe shton se: “Pasi Turqia u detyrua të luftonte në një front të gjërë, nga Plemja e Vogël deri në Velebit, për luftë në Toplicë i mobilizoi forcat lokale nga viset e afërme. Duke shfrytëzuar antagoni-zmat kombëtare, Turqia arriti t’i mobilizoi edhe arnautët, duke përhapur lajme për rrezikun vdekjeprues që u vinte nga sërbët, por u jepte dhurata e premtime parisë së tyre. Në ato kushte Hafiz Pasha mblodhi ordinë me të cilën erdhi në Toplicë.

Ishin të kota përpjekjet e komandës sërbe t’i tërhiqte apo t’i përfitoi arnautët në anën tonë, apo bile t’i neutralizonte!”

Shenimet, të cilat i ruajti autori, ua la amanet fëmijëve. Kështu e bija e tij, Lubica Llukoviqi – e lindur Petroviqi, në vitin 1977, e vetmja trashëguese e gjallë, atë vit 92 vjeqare ia dhuroi të gjitha shenimet e të jatit Arkivit të Sërbisë, me kusht që ato të botohëshin, gjë që ajo nuk e priti.

Vlerë të posaçme e këtyre shenimeve luftarake iu jep një përshkrim i detaleve të cilat mund t’i ofrojë vetëm vrojtuesi i drejtpërdrejtë i ngjajreve. Ato detale e epizoda, të cilat edhe mungojnë në shkrimet e historianëve, bile edhe në veprat e strategëve dhe të analistëve, sado subjektive na ofrojnë pamjën më reale të ngjarjeve në vorbullin e luftës që pamëshirshëm korrë jetëra e koka njerëzish, jo vetëm të shprehur në numër, por të ditura, të njohura dhe të afërme.

Dimitrije Mita Petroviqi deshi që të gjitha ngjarjet që ai i pa, t’ua lë pasardhësve në kujtesë të mos harroheshin. Ajo anë e përshkrimeve përbën bërthamën dhe vlerën e kësaj kronike.

Ky libër është një ndër shenimet e pakëta, të cilat flasin për spastrimin etnik të Krahinës së Toplicës, të Nishit dhe të Pirotit nga banorët shqiptarë, numri i saktë i të vrarëve dhe të shpërngulurve nuk u përcaktua as nuk u vërtetua kurrë.

Shpërngulje, shpronësim e shfarosje ishte moto e luftës për Toplicë, e cila për ironi ende sot në historinë sërbe e quajnë luftë çlirimtare, ani se ishte zaptuese dhe me pasoja shumë tragjike për disa breza muhaxhirësh shqiptarë të këtyre viseve, pasardhës i të cilëve është edhe përkthyesi i këtij libri.

 Disa Fragmente nga libri Borbe u Toplici 1877–1878

(shqip: Luftimet në Toplicë 1877-1878),

Autor: Dimitrije  Mita  Petroviq. (Vërejtje: Edhe fragmentet jepen pa asnjë intervenim redaktorial apo lektorim gjuhësor).

Faqe nr. 24 e përkthimit:

Afër mesditës erdhi bylykbashi i ynë, Glisha dhe aty solli arnautin e qartur, Alim – Agë Mehmetin, të cilin e përcillnin tre çifqinjë të tij – sërbë. Alimi kishte të veshur: pantallone të ngushta arnaute nga zhguni i shkalur, mbi bel një xhamadan me mëngë të ngushta, aty këtu i ishte shqyer, nën të cilin po dukej e varur palla dhe dy kobure (të quajtura pejane). Në dorë mbante pushkën e hollë “arnautkën”, kokën, sipas adetit të tyre e kishte të lidhur me mahramë të bardhë, në këmbë kishte opinga të lehta. Ishte thatuk, shtatëhollë, plak i shpejtë 60 vjeçar, por për luftë ushtarë më i mirë se dy 25 vjeçar. Kur hyri në karaullë, ia ofruan një karrigë mbi të cilën u ul duke e mbajtur pushkën në dorë. Në anën e majt e në të djathë të tij u ulën këmbëkryq, duke vu këmbët përfundi dy çifqinjtë e tij. I treti çifqi u ul pas shpinës së tij – kështu ruhej aga. Glisha po i rrinte anësh. Në pyetjet e komandantit të brigadës, Alimi po i përgjigjej lirshëm.

-Un jam Alim Agë Mehmeti nga Babotinci. Jam spahi në atë fshat. Këta janë çifqinjtë e mi. Unë gjithnjë i vi Glishës sim besnik në bisedë dhe kurdoherë kur kishte të keqe ndaj nesh, unë ia kam tregua. Dje i erdha para se të vinte ushtari i juaj dhe e pyeta se çka duan të juajt? Aty ia dhash fjalën dhe besën e fortë se sot do të vi që të përshëndetëm me të, sepse kush e di a do të shifëmi më. Pra, kështu në besë unë erdha, ky më mori në besë dhe më solli tek ti, o pashë. Por tani dua unë të pyeti: A do të na i leni rahat familjet tona, të rrijmë nëpër shtëpitë tona, çka nëse na lejoni dhe ma jepni besën e fortë, unë do t’i kthej të gjithë të ikurit përtej lumit të Toplicës, por të më jepni edhe letrën, kështu që për dy ditë të gjithë do të jemi të kthyer prapa. Arnauti ndjehej aq i lirë si të ishte në mesin e të vetëve.  Në pyetjën e tij, majori i premtoi se do t’ia jepte letrën, por duhej të pritte deri sa të arrinte Biniçki. Pastaj u ngrit dhe doli jashtë duke dërguar menjëherë kapitenin e artilerisë Aleksa Damjanoviqin, i cili dukej i tmerrshëm me trupin e tij të madh dhe mërrolat në ballë, që ai Alimit t’i kërkonte t’i dorëzonte armët. Të gjithë e dinin se ishte vështirë të  mirrën armët nga ai luan malësor, i cili më parë do të humbte kokën se sa të ndahej nga armët. Atë e kuptoi Aleksa i cili hyri brenda. Alimi e pyeti:

-Ku është pasha Biniq? Ah, bre Glishë – iu kthye atij, ti më tregove sa ai ishte këtu?

– Tani do të vijë, iu përgjegj Glisha, por Alim, tek ne është adet që para se të dalësh para udhëheqësit ushtarak, së pari duhet të dorëzohën armët, kështu që pa to dilet para tij.

Alimin e përshkoi zbehja në fytyrë, i hidhëruar e shiqoi Glishën, pastaj i foli me zë të dridhur:

– Bre Glishë, bre Glishë, a e tillë është tek ju besa? Çka do t’i bëjë unë Biniqit nëse e mbaj armën tek unë? Unë edhe më parë kam dalë para tij, por nuk ma morën pushkën. Unë erdha tek ju të ju lutëm: në ërz (moral) të  mos na prekni, në familje që të gjitha kanë ikur kur vërejtën ushtrin tuaj në Ravnagorë, dua t’i kthejë prapa. Nuk erdha të bëjë hajgare. Unë gjithnjë isha mik i sërbëve, ja le t’ua thonë çifqinjtë e mi si i strehova sërbët. Po, thuaj edhe ti, bre Glishë!

– Po, po! –thanë zëlartë çifqinjtë dhe shtuan: këtë Zoti e ruajtë, na ka ruajtur si fëmijtë e vet.

– Unë do t’ua them të vërtetën, vazhdoi Alimi, tek mbreti ynë nuk ka shumë ushtri, e tëra vajti në Moskov. Në Prokuple nuk ka më shumë se dy taborre ushtarësh turq me një top. Ushtria më shumë rrin në dy tabe të gropuara jashtë qytetit. Pra, unë ua thash tërë të vërtetën. Por, pasi nuk erdhi Biniqi ju lutëm të më lironi të shkoj të mos vonohem. Hajde Glishë e  më përcjell! U ngrit arnauti të shkoi, por tanët e kthyen dhe ai u ul por tashmë i frikësuar dridhej. Aleksa pastaj i foli:

– Ndryshe nuk mund të bëhet, Alim, pos dorzoi armët! Tani do të vijë Biniqki, por do të hidhërohet që nuk u krye. Ne e kemi urdhër, por ti mos u frikëso fare, do ti marrësh prapa.

Alimi e uli kokën dhe u mendua gjatë, duke luftuar gjatë me mendimet e tij, të ikte nuk mundej, ndonëse shpesh po e shiqonte derën. Më në fund foli duke dihatur:

– Do t’ia dorëzoj Biniqit kur të vijë ai.

– Pse po frigohesh, o Alim, i foli Glisha. Besa është e fortë dhe as qimja nuk do të dridhet në kokë. Dorzoi, çka do që të mungoj, le të kërcej koka ime!

– Eh, mirë pra, pranoi Alimi duke marrë frymë thellë. Do t’i dorëzoj por vetëm Glishës.

Ai ia dorëzoi pushkën, nxori thikën, por kur i nxori nga shoka koburet i shiqoi, pastaj ia zgjati Glishës e i tha zëultë:

– Ah, Glishë, u bë si u bë!

I ngushtuar, si luan i mundur ndejti gjatë afër zjarrit i heshtur dhe nuk foli asnjë fjalë. Më vonë majori urdhëroi që Alimi ta shalonte allgjin e tij dhe bashkë me çifqinjtë dhe disa kalorës të përcillej në Teshicë tek Biniqki. Posa ata u lëshuan afër karaullës sonë, arrijti komandanti i divizionit, i takoi e piskati:

-Çka është kjo? A doemos duhej sjellur te unë në Teshicë?

E solli Alimin në karaullën tonë, e mori në pyetje, pastaj iu urdhëroi t’ia kthenin armët, ia dha një copë letër dhe i foli:

– Shko lirisht. Iu thuaj të gjitha familjeve tuaja: lirisht le të kthehën nëpër shtëpia. Askujt nuk do t’i dhembë koka. Të betohem në Zotin e gjallë dhe në djalin tim të vetëm se do ta vras secilin ushtar timin i cili do të prekte apo lendonte ërzin tuaj. Tani shko dhe iu thuaj për këto që të premtova. Alimi kërceu si riqebull, vajti qitas fushës, i bindur se për dy ditë do t’i kthente. Pastaj komandanti i divizionit u kthye kah majori:

– Pse e çarmatosët njeriun? Vallë, a nuk mundët ta kryeni ju vetë këtë punë dhe ta kthenit prapa? Ne ata nuk guxojmë as t’i ngacmojmë, se ju nuk dini se çka është arnauti i hidhëruar. Herën tjetër duhet të dini si të veproni në raste të këtilla.

Komandanti i divizionit nuk mundi ta shifte fushën tutje as pozitat për shkak të mjegullës, për çka ai erdhi, por u kthye prapa duke lënë urdhër se veprimet të mos ndërmirrën pa lejën e tij, por edhe iu tha se Sundimtari do të vie të 5 të këtij muaji në mesin e ushtarëve.  Atë ditë kapiteni Stojanoviq me disa kalorës e këmbësorë ishte në vëzhgim deri tek fshati Petroc, tri orë larg. Atje patën takuar disa arnautë. Por, posa e kishin vërejtur, kishin ikur përtej lumit të Toplicës. Aty e kishte takuar kmetin sërb, të cilin e pati ftuar që të nesërmen të vinte në Grebc. Ai u kthye në mbrëmje duke sjellur djathë dhe disa pula. Të nesërmen në mëngjes, arriti kmeti Petër me dy sërbë. Ai solli një matare raki për majorin dhe shpjegoi për armikun:

“Turq nuk ka deri në Prokuple. Fshatrat janë të zbrazura. Të gjithë me familje kanë ikur përtej lumit të Toplicës e janë zhvendosur. Arnautët thonë se Sulltani ia fali Sërbisë tokën deri në Toplicë, për atë shkak ata ikën përtej saj. Në Prokuple janë vetëm 400 nizamë. Para disa ditësh ishin edhe aq, por ata vajtën në Kushumli, ku poashtu janë 400 dhe me dy topa. Në Prokuple ishte një top, por e tërhoqën për në Nish dhe tani nuk kanë më. I kanë dy pozicione të mihura, si tabe. Por, ju lutemi, që ta dërgoni një kompani ushtarësh përtej Petrocit, për t’i mbrojtur sërbët, sepse janë mjaft, pasi arnautët tani po ju kërcënohën se do t’i vrasin të gjithë”.

Majori i premtoi se ashtu do të vepronte dhe pastaj i liroi. Petri fliste pastër sërbisht si të ishte i mjedisit të Shumadisë. I bukur, burrë i zhvilluar, afro 50 vjeçar, i cili i rruante thinjat në zylyfe dhe mustaqe. Ushtarët e Tërrnavës duke zbritur në shtepitë e afërme të arnautëve dhe nëpër fshatra të tyre, prej aty kishin sjellur kripë, mazë, djathë dhe pula. Secili i bartte nga pesë gjashtë sosh pastaj pranë zjarreve i piqnin. Përgjegjësi i barnatorës, Stojishiqi dhe mjeku Gavriqi u zunë keq si krimbat e verdhë. Mjeku shkroi referat eprorit të brigadës: se ai nuk mund të mbetej më tutje me Stojishiqin. E referati i vajti komandantit të divizionit.

Faqe nr. 34 e përkthimit:

Turr e vrap hyri Milenko Jeçmenica dhe e njohtoi majorin: se i kishte sjellur dy turq nga Reçica e Epërme e i futi brenda. Majori iu ofroi të uleshin. Ata ishin të veshur mirë, ishin me tirqi, por fytyrat iu tregonin se ishin nga ata turq të ndershëm. Majori e pyeti të parin si quhej dhe çka kërkonte.

– Mua më quajnë Mako Haxhiu, por na dy erdhëm me këtë rojtarin tuaj të pyesim: a do të na pranoni të dorëzohemi dhe që ushtarët tuaj më vonë të mos na cenojnë ërzin, që ne të mos ikim nga shtëpitë tona. A, valla, çka të na kërkoni, ne do të ju japim. Nga Reçica e Epërme dhe e Poshtme asnjë njeri deri më tani nuk është shpërngulur.

– Jeni të lirë të rrini në shtëpitë tuaja. Këtë ua thoni edhe të tjerëve se asnjërit nuk do t’i mungojë asgjë, por as që guxon kush të ju ngas – ia ktheu majori, sepse sipas zakoneve tona e humbë kokën kush i cenon të dorëzuarit. Por ju duhet doemos t’i dorëzoni armët, pasi kështu është traditë dhe unë po ua japi besën.

– Ani, iu përgjigj ai turku, edhe ne këte e duam dhe vetëm duam të jemi të qetë. Ejani kur të doni, ne të gjithë duam që të ju dorëzohemi. Pastaj majori urdhëroi t’i përcillte tutje i njejti kalorës. Te kmeti u bë gazmend i vërtetë. Pogaqet e pulat i hanim me djathë. Kënga jehonte larg dhe u shpërndamë në ora 10. Në mesnatë u kthye kalorësi nga Prokupla me letrën se qyteti ishte marrë pa luftë. Majori menjëherë me telegram – e telegrafi ishte në majen e Lybetenit – e njoftoi komandantin e divizionit për marrjën e qytetit.

Në mëngjes majori dha urdhër për Grebc që tërë ushtria e mbetur të vinte në Petroc dhe aty të vendosej, ndërsa të tjerët i udhëzoi për në Prokuple: që në ardhjën e tij të pritej, pastaj në kishë të mbahej lutje për Zotin. Kmetit iu lejua që të vendosej në shtëpinë e saphiut. Pastaj u nisëm me ushtri për Prokuple. Në ora 10,30 hymë në qytet, kaluam rrugës në masën e tubuar të njerëzve të cilët duarhapur vraponin para nesh, i puthnin ushtarët dhe brohoritnin:

– Ju jeni vëllezërit tanë. Ju jeni shpetimtarët tanë. Rroftë mbreti Millan, ati i ynë. Rroftë ushtria e tij. (Flitej se pas luftës së suksesshme, Sërbia do të shpallej mbretëri).

Nëpër atë mori njerëzish u shtymë dhe arritëm deri tek shtëpia e Cakës, në të cilën u vendos shtabi. Para asaj shtëpie ishte mbledhur një grup njerëzish të rinjë të cilët piskatnin:

– Na jepni pushkë, që t’i ndjekim turqit e qakërdisur!

Nga shtëpitë gratë sillnin: mishëra të pjekura, djathëra, pogaqe, raki dhe ua ndanin ushtarëve. E tërë kjo ishte lirshëm dhe me hare.

E shiqoja një leckaman prej 11 – 12 vjetësh, i cili e kishte gjetur një shpatë turke, e kishte lidhur për beli dhe i shkonte zhagaz për toke duke e tërhequr, por klithte:

– Ku je bre çerkez, ku je bre arnaut, ta prej kokën, sepse më nuk do të ma marrësh motrën!

Faqe nr. 36 e përkthimit:

… Rrugët si nëpër të gjitha qytetet orientale janë të shtrembëta, me mure të larta, të ngushta dhe të papastërta. Në mes të qytetit është pyrgu, por e lartë sa një kullë në të cilën është treguesi i orës. Afër tij kalohet dhe zbritet tek ura mbi Toplicë. Nëpër qytet janë të shpërndara 4 xhamia me minare të larta, pranë të cilave janë edhe varrezat e turqëve. Në të dalur në anën veriore, shtrihet rruga e pistë nga banesat e çerkezëve, të dendura dhe të pa pastërta, në të cilat janë lukuni qejsh të uritur dhe të qartur, të lënë nga të zotët. Për ndryshe qyteti është i madh dhe i pasur, në të ka disa sërbë. Nga familjet turke nuk ka mbetur asnjë kokë. Të gjithë ata para disa ditësh janë zhvendosur, ikur dhe tërhequr tutje përtej lumit Toplicë.

Ushtarët kishin zënë përgjegjësin e barnatores turke, i cili ishte duke ikur për Nish. Atë ia sollën përpara komandantit të divizionit, të cilit i shpjegoi: me prejardhje ishte bullgar, por i lindur në Stamboll dhe nuk dinte gjuhë tjetër përpos turqisht, gjermanisht e frengjisht. Atë me përcjellje menjëherë e nisën për në Aleksinc.

Faqe nr. 38 e përkthimit:

Komandanti i divizionit dërgoi kalorësit dhe disa banorë që arnautët e ikur t’i kthenin nëpër shtëpia. Disa arritën edhe t’i kthejnë. Kërkoheshin ata që kishin djegur shtëpitë dhe ata që para ardhjës sonë kishin sulmuar dhe vrarë sërbë. U zu një rom turk të cilin do ta pushkatojnë.

Faqe nr. 38 e përkthimit:

Mësuesi ishte i madh me shtat, fytyrë e flokë bjonde, flet goxha shumë, duke mos u kujdesur për të folurit e vet, por kjo mund të jetë edhe shenjë hareje në të cilën njeriu nuk din as të kufizohet. Kur u njoftuam ai piskati, duke më puthur:

– A edhe ti dhaskall, dhaskall, o dhaskall bre, tani jemi të lirë, e Zoti dhashtë të na jetojë Sërbia dhe Knjazi!

Sot është thirrë ushtria jonë nga Petroci dhe arriti shpejt. Batalioni i Tërrnavës u dërgua në Potok, në xhaminë e lagjës Kërrnje me detyrë që t’i ftonte arnautet e fshatit Topanicë, që të dorëzohën dhe t’i ulin armët, ku janë më se 500 shtëpi. Kolona e jonë e cila banonte aty, marshoi përpara në hanin e Bacës dhe në Tullar, ku hasën në arnautë, të cilët pas pak luftimeve ikën përtej lumit Toplicë. Prej aty deri në Kushumli rruga zgjatë dy orë.

Faqe nr. 40 e përkthimit:

Arnautët nga ky fshat nuk i dorëzuan armët. Ata më parë ishin tërhequr në male, pos disa rojeve. Prijësi i tyre, Feka, ia kishte dhënë fjalën komandantit të Tërrnavës, Lishaninit, që erdhi në atë fshat një ditë më parë me kompaninë e tij, ku pati takuar të gjithë arnautët, se armët do t’i dorëzonin ditën e nesërme, pasi t’i kthenin familjet na malet.

Majori, posa arriti te xhamia e Kërrnjës, e dërgoi me disa kalorës Leshaninin në Toplicë t’i thirrte nja dy apo tre krerë të fshatit të vijnë tek ai në bisedime, ndërsa Fekën, i cili ishte dorëzua, të përcaktonin: se të gjitha armët të mblidhën nga ata njerëzit e vet dhe të dorëzoheshin. Pas tri orësh Leshanini u kthye i vetëm me kalorësit dhe i raportoi majorit:

– Në fshat hasa vetëm plakun Fekë, askush tjetër nuk ishte më aty. Ata më dhanë mua besën e fortë se deri nesër në mengjes të gjithë do të kthehën nga malet, armët t’i sillnin me veti me disa vetë tek ju për bisedime ku do t’ua dorëzojnë.

Majori ishte i kënaqur me përgjigje. Më tutje nuk mund të vazhdonin deri sa tërë atë masë e mardhe arnautësh të mos e përfitonin, pasi ua rrezikonin shpinën. Atë ditë erdhën disa nga arnautët që kthehëshin prej maleve, duke kërkuar “lejen” (teskeren) – për t’u kthyer nëpër shtëpia. Pasi ata i dorëzonin armët e merrnin “teskeren” prej majorit.

Në mbrëmje erdhi kalorësi nga Gryka e Jankos dhe ia solli letrën me të cilën e lajmëronte se dy kompani të Krushevcit u dërguan drejt Tullarit për të rënë në lidhje me ushtrinë tonë, por masa kryesore kishin marrë drejtimin: Simincë, Rashicë dhe Muzaq. Në këtë majori përmes atij kalorësi u përgjigj se: Tanët kanë shkuar për Tullar dhe do të urdhërojë që shpejt të vëhej lidhja me ta. Në atë kohë nga Tullari ishte kthyer edhe agjutanti Llaza, i cili i tha majorit: se ai i kishte dërguar dy kalorës në Grykën e Jankos me raportin se ushtria e Çaçakut po përpiqet që të vendoset lidhja, por kalorësit ende nuk ishin kthyer prapa.

Atë natë ishte shumë ftohtë; veriu i ashpër fishkëllonte e acari bëhëj edhe më i fortë. Ne u ngushtuam pranë e pranë dhe e kaluam natën në vendrojën e madhe dykatëshe të ushtrisë turke, ku në oxhak ndizej zjarri i madh, por dritaret të cilat po mungonin i mbyllëm me kashtë vetëm të ishte më nxehtë. Njësia e sanitetëve, me sanitetin, mjekun dhe oficerët tjerë, u futën në xhami. Në llogor ushtarët ndezën zjarre të mëdha. Kuajt ngriheshin tërë natën, duke i rënë me këmbë tokës nga të ftohtit.

Të nesërmen majori urdhëroi qe ushtria të nisej drejt kah Hani i Bacës, batalioni i Studenicës vajti në Belan, para hanit të Bacës, ndërsa ne mbetëm në Tërrnavc, deri sa nga Toplica të kthehej Leshanini i derguar me krerët e dorëzuar arnautë dhe me armët. Por ai u kthye para drekës dhe njohtoi:

– Arnautët nuk janë kthyer prej maleve. Feka i kishte lutur e përbe duke qajtur, por ata nuk deshën ta dëgjonin. Për këtë arsye edhe ai ishte i detyruar të ikte e fshati është tërë i boshatisur.

Majori e njohtoi komandantin e divizionit se Topanicasit nuk u dorëzuan, për çka aty për çdo rast do ta lente një kompa-ni të Tërrnavës. Komandanti i divizionit iu përgjigj që të ishte një batalion i tërë, ta zaptoi hapësirën nga xhamia e Kërrnjës e deri në tërë Topanicën dhe të qitnin në secilin arnaut i cili nuk do të dorëzohej. Kështu batalioni që u nis, u kthye prapa. Pas dite ne u nisëm vetëm me topa që të arrinin në hanin e Bacës para muzgut. Gjatë rrugës na gjuanin arnautët nga malet, nga anët përtej Toplicës, por plumbat nuk arrinin teke ne. Me këtë ata donin të na njohtonin se ishin shumë të armatosur, duke e penguar depërtimin tonë kundër Kushumlisë.

Faqe nr. 43 e përkthimit:

Kah ora 08 ushtria ishte e gatshme, e renditur dhe u nis në betejë. Erdhi lajmi se: dy kompani të Krushevcit zbritën deri në Plloqnik dhe e vunë lidhjën. Kah ora 09,30 u dëgjuan të shtëna pushkësh dhe lufta artilerike në maje të Bardhovës, ku ushtarët tanë kishin hasur në arnautë të cilët i gjuanin nga shtëpitë e fshatit Bardhovë, afër rrugës, ku i pritën me pushkë. E vranë një kalorës të Dragaçevës.

Faqe nr. 43 e përkthimit:

Komandanti i divizionit, i përcjellë nga agjutanti, togeri Aleksandër Mashin dhe ordonansi i kalorësisë me njësitin e tij, arritën nga Prokupla në hanin e Bacës mu në kohën kur plasi lufta në maje, por duke mos u hamendur me vrap vajti atje. Kur arrijti në vendin e luftimeve, doli para rreshtit luftarak, duke iu piskatur arnautëve:

LEXO EDHE: Autori serb me librin e tij, tronditi Serbinë: Ja si i vramë shqiptarët në Nish

Vazhdon nesër pjesa e dytët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat