Mesnatë para pushkatimit/ Sokol Sejko, togës së pushkatimit: Afrohuni dhe shtini!

Historia

Mesnatë para pushkatimit/ Sokol Sejko, togës së pushkatimit: Afrohuni dhe shtini!

Më: 17 mars 2019 Në ora: 21:52

45 vjet nga pushkatimi i djaloshit 24 vjeçar Sokol Sejko/ Akti burrëror para togës së pushkatimit. Si ishin çastet e fundit të jetës së djalit të Teme Sejkos, një prej familjeve çame të masakruara nga komunizmi…

Mesnatën e 6 marsit 1974, në një vend sekret që nuk u mësua kurrë, diku në Berat, para një toge puashkatimi, kishin nxjerrë një djalë të ri 24-vjeçar për ta ekzekutuar. E kishin dënuar me vdekje. Të gjithë instancat më të larta, deri tek presidiumi i Kuvendit Popullor, e kishin miratuar dënimin e tij me vdekje. Ishte një prej gjyqeve të montuara të diktaturës. Duket se arsyeja e vërtetë e dënimit të tij me vdekje ishte hakmarrja që vijonte mbi familjen Sejko, që nga pushkatimi i dy vëllezërve çamë Teme dhe Taho Sejko e më tej, një varg tragjedish nuk do të reshtnin.

Por ky dokument i Ministrisë së Punëve të Brendshme, i siguruar nga familja Sejko, dëshmon se edhe pse në një valë të gjatë e të pambarimtë të masakrave të regjimit mbi këtë familje, Sokol Sejkonë çastet e fundit të jetës, dëshmoi se ishte një djalosh trim, krenar e i papërkulur. Ai kishte përjetuar vdekjen e të atit Teme Sejko, pa mundur ta takojë e t'i mësojë as varrin, më tej zhdukjen e xhaxhait Taho Sejko edhe ai pa varr, vdekjen e xhaxhait tjetër Sulo Sejko, po nën presionin e dhunës së diktaturës, apo edhe të gjyshes së tij zemërshkrumbuar me tre djem të sakrifikuar…
Atë mesnatë para pushkatimit, siç e dëshmon edhe ky procesverbal Sokol Sejko, pa iu dridhur qerpiku në fjalët e tij të fundit, do i drejtohej togës së pushkatimit në formë sfiduese: “Afrohuni edhe pak dhe shtini!”…

Detajet e këtij procesverbali janë të dhimbshme. I zbardhur i plotë sipas origjinalit, ai publikohet sot nga “Kujto.al”, për të sjellë në vëmendje aktin guximtar të këtij djaloshi që e pa vdekjen në sy e nuk ju tremb regjimit komunist.

Process-Verbal

Mbi ekzekutimin e Sokol Teme Sejko

Në qytetin Berat, sot në orën 24:00 të datës 6 mars 1974, unë Orhan  Frashëri, prokurori i rrethit Berat, në prezencë të zv/kryetarit të Degës P.Brendshme Berat, Refat  Nenaj dhe të mjekut ligjor Andon  Koka komunikova të dënuarit Sokol Teme Sejko se kërkesa e tij për faljen e jetës i është refuzuar dhe Presidiumi i Kuvendit Popullor të R.P.Sh. me vendim nr.166/1 datë 1 mars 1974 të Gjykatës rrethit Berat që është lënë në fuqi me vendim nr.176 datë 9 shkurt 1974 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për dënim me vdekje (pushkatim). Për këtë ju pyes juve Sokol Teme Sejko se cila është fjala juaj e fundit. I dënuari me vdekje Sokol Teme Sejko tha: “Nuk kam shumë gjëra për të thënë, ashtu siç nuk më takuat kur unë isha 9 vjeç me babain tim kur u ekzekutua, po ashtu nuk më takuat edhe mua me njerëzit e familjes time.”

Dhe i dënuari Sokol Teme Sejko duke ju drejtuar skuadrës së ekzekutimit tha: “Afrohuni dhe pak dhe shtini!”........

Më datë 6 mars 1974 në ora 24 në vendin e caktuar u bë ekzekutimi me pushkatim i Sokol Teme Sejkos dhe mjeku anatomo-patholog Andon Koka mbasi ekzaminoi kufomën e Sokol Teme Sejkosvërtetoi vdekjen……………
Zv.Kryetari i Punëve të Brendshme Berat
Refat  Nanaj
Firma

Prokurori i rrethit Berat
Orhan  Frashëri
firma

Mjeku ligjor
Andon  Koka
Firma

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat