Mustafa Nano dhe gabimi me feudalet “Crnojevici”

Historia

Mustafa Nano dhe gabimi me feudalet “Crnojevici”

Nga: Genc Prelvukaj Më: 30 prill 2019 Në ora: 14:51
Foto ilustrim

Martesat e familjeve feudale mesjetare ballkanike nuk janë ndërtuar asnjëherë mbi përkatësinë etnike, shpesh as konfesionale. Emocioni nacional lind shumë më kohë më vonë. Dallimi gjuhësor në në këtë rast është trajtuar si inferior përballë interesit politik. Për këtë arsye shtëpitë e vecuara mbretërore - principatat, diku edhe bashkësitë e mëdha fisnore , kanë zgjedhur ndërthurjën familjare kryesisht në përputhje me interesin ushtarako-ekonomik. Janë të gjitha të vërtëta : Stefan Crnojevic ka qenë i martuar me Mara Kastriotin, Ivan Crnojevic me Gojsava Arianitin, Stefan Brankovic me Angelina Arianitin, Djurac Crnojevic me vajzën e Koja Zaharisë, Dhimitër Progoni me vajzën e Stefan Nemanja Prvovencani, Gjergj Balsha me vajzën e Lazar Hrebeljanovic, Stefan Uros me Jelenen nga Anzhuinet, Karl Topia me Voisava Balshen, Andrea Topia me vajzën e Robertit I të Napolit, Stefan Milutin me bizantinën Simonis Palaiologina, Stefan Decanski me Teodoren e Bullgarise, Olivera Lazarevic e martuar me Sultan Bayezidin, etj. Në këtë kontekst Kastriotët janë vetëm një prej familjeve feudale që kanë zgjedhur martesat mbi këtë parim dhe nuk kanë shpikur asgjë, kanë ndjekur rregullin. Megjithatë thelbi i gjithë kësaj nuk është këtu. Është tek familja Crnojevici e cila përcaktohet nga ju prerazi si familje sllave. Ky është gabimi.

Derën fisnike të familjës Crnojevici materialet historike e përcaktojnë në periudhën mesjetare si familje katolike për dallim nga bashkësitë popullore serbe ose boshnjakë që në kohën për të cilën flitet ishin të gjithë ortodoksë. Është shumë e vështirë që ndonjë studiues të provojë se në hapësirën territoriale të sotme malazeze (Lovcen e më pas Zabljak Crnojevica), ku është ngritur bashkësia fisnore Crnojevici, të ketë pasur ndonjë komunitet të rendësishëm serb të konfesionit katolik. Gjithnjë në një territor ku prezenca e fortë arbërore deri në grykat e Kotorit është e dëshmuar në të gjitha materialet historike mesjetare. Në tekstet raguzane qysh me 1285 flitet për përdorimin e “lingua albanesesca” në gjirin e Kotorit dhe krahinës fqinje të Gërbalit (Grbalj), ndersa përreth vitit 1400, thuhet që Luštica rrethohet nga popullsi sllave dhe shqiptare (de la banda albanexi)

Konstantin Jireçek në studimin e tij mbi historinë kulturore serbe, shkruan që prezenca e shqiptarëve hapësirën e Kotorit, në shekullin e XIV është e dukshme. Sipas tij, në rregullimin politik dhe administrativ janë trajtuar si grup i vecantë dhe të drejtë për gjykimin e tyre ka pasur vetëm autoriteti juridik “kurija” . Në një rast tjetër, sipas dokumentacionit të ruajtur, më 1351, ndër përfaqësuesit e qytetarët e Kotorit, shfaqën Mihaljo Buçia dhe Brut Bishti. Mbiemrat e tyre kanë kuptim të plotë në shqipën e sotme, përderisa në gjuhën sllave nuk kanë asnjë kuptim. Pak vite më vonë, më 1365 përmendet një shërbyese në detyrë tek “Ser Johannes de Tudisio”, e cila thuhet të ketë qenë vajza e “Progon Mataruzić” nga Kotori. Emri Progon,që mban ky i fundit, është një ndër emrat që i takon padyshim grupit kulturor dhe gjuhësor të shqipës. Në fillim të shekullit të pesëmbëdhjetë në listën e vëllazërive në vetë qytetin e Kotorit, vec tjerash figurojnë edhe familjet “Arsa” , “Gini”, “Bisti”, “Barte”, “Zaguri”, “Bucchia”,”Chiasta”, “Gischi”, që fare lehtë mund të afrohen me fjalët në shqip si “ Arrza, Gjini, Bishti, Bardhi, Zaguri, Buçja, Kashta dhe Gishti” . Sërish asnjë nga ,mbiemrat e lartëshënuar nuk ka kuptim në gjuhën sllavë. Kotori është shumë më në veri se sa territori në origjinë i bashkësisë Crnojevici z Nano. Meqenëse ju pëlqen të thirreni në studimet e Oliver Jens Schmitt atëherë këto të dhëna pikërisht i gjen në studimet e tij dhe në cdo regjistër tjetër.

Kam zgjedhur një formë të reagimit, duke mos marrë parasysh aspak shënimet e autorëve shqiptarë me gjithë respektin për ta. Për ti ikur dyshimeve mbi qasjën emocionale të kësaj që shkruaj, kam zgjedhur pikërisht literaturën e studiuesve sllavë për të vënë dyshimin mbi cështjën në fjalë. Kur flasim për autorët e tyre, Sava Nakicenovic me 1913 është shumë i qartë dhe numëron qindra familje në Lushticë e Kotor me origjinë arbërore. Sipas tij edhe veshja lokalë por edhe gjuha sllave sot aty është në një trajtë tjetër. Gjithnjë flitet për Kotorin, përderisa Crnojevicët ndeshën më në jug. Por të kthehemi tek vendi i shtrirjës së Crnojevicëve, në vijën Lovcen – Zabljak.

Hapësira territoriale ku themelohet dhe merr forme dinastia Crnojevici, sipas burimeve materiale konsiderohet si njësi tokësore e përzier etnikisht. Megjithatë elementi arbëror duket të jetë mbizotërues shkaku i toponimisë, regjistrave dhe kujtimeve popullore malazeze mbi prejardhjën. Shumica vendbanimeve të evidentuara nuk kanë kuptim në gjuhën sllave : Cetina, Ceklina, Barutana, Goljemade, Brezina, Arbanasi, Progonovici, Bridje(Brigje), Kornet, Kruse, Lekici, Kosijeri, Sinjdon (Shingjon), Vranina, Bobija, Lajkovici nuk kanë të bëjnë asgjë me gjuhën sllave, në asnjë dialekt, përderisa shumë lehtësisht vërëhet rrënja shqipë në të gjitha nga to. Dyshimet mbi rrënjën arbërore të fjalës, plotësohen edhe me vetë kujtimet malazeze të botuara në leksikonin historik nga Vijesti në Podgoricë me 2006, ku shkruhet se shumica e thellë e mbi 12 fshatrave të fisit Ceklin derivojnë nga Leka. Autori sllav Jovan Erdeljanović shkruan për Kosijerin që gjysma e popullsisë i takon nënfsit Djinovici (Gjinovici) . Është lehtë e dallueshme që në rrënjë të këtij nënfisi qëndron emri Gjin, emër i shperndarë vetëm ndër arbërit etnikë mesjetarë. Në studimet e tij Z.Erdeljanovic ndalet edhe në “Lubotinj”. Si emërtim padyshim që është në gjuhën sllave mirëpo vëllazëritë e shënura prej tij si “Dzonović”, “Šoći”, “Lubarda” dhe “Kambani” që në shqipën e sotme kanë kuptim të pastër psh : “Dzonovic “nga Gjonovic dhe Gjoni , “Lubard”a – nga Lumbardha, “Šoći” – nga Shoqi dhe "Kambani” nga Kambana, tregojnë një përbërje tjetër. Duhet thënë që në gadishullin ballkanik emri Gjon ndeshet vetëm tek shqiptarët pasi që trajta latine e po këtij emri eshte Giovanni , trajta gjermane Johannes, ndërsa në gjuhet sllave është Jovan ose Ivan. Fakti që nuk është Ivanovic ose Jovanovic shperfaq elementin abëror tek vellazëria në fjalë. Përvec emrave të vetë katundeve , toponimia rreshton në shqip, edhe tjera emërtime të vecanta. Në fisin Komani dhe Zagarac lehtë ndeshën lokalitete si : Cafa (Qafa), Djedjeza (Gjegjeza), Balloci (Balloçi), Kuk, Gruna, Sukeza, Shkalla, Gropa, Malenza, Qeret, Katunina, Gašova Pećina (Shpella e Gashit), Suka, Vajski Krs ( Shkembi i Vajzës)etj .

Mariano Bolizza në relacionin e tij të vitit 1614, kur regjistron fshatin “Arbanas” jep si shënim plotësues që vendbanimi komandohet nga “Niko Miljev”. Këtu nga njëra anë kemi një fshat që sipas emrit duhet të ketë qenë i banuar nga abër etnikë, por nga ana tjetër komandohet nga një individ me emer e mbiemër sllav. Në këtë kontekst, është e qartë që jo cdo emër sllav duhet të merret prerazi si antar i bashkësisë gjuhësore ose etnike sllave. Bolizza më pas regjistron një edhe një individ : Djuro Gegovic i cili udheheq fshatin Maini mbi Budvan. Emri Gege përvec shqipës nuk ka kuptim në gjuhën sllave.

Në rrafshin e kujtimeve te popullit të sotëm malazez, në atë hapësirë territoriale ndeshet edhe fisi Malonšić-i, të cilët, në burimet historike për herë të parë përmendën si shoqëri luftarake në vitin 1411. Enciklopedia e përgjithshme malazeze, i pranon si fis me origjinë shqiptare duke bërë ndërlidhjen e emrit “Malonšići” me fjalën Malonsi në shqip. Branko Babić është një nga autorët që në veprën e tij mbi Spuzhin dhe rrethinën e tij, mbështet një teori të tillë. Më tej Spiro Kulisic dhe Konstantin Jirećek, shkruajnë për fshatin Sindjon (Shingjon), “emërtimi është në shqip, por banorë që e flasin shqipën nuk ka më”, por kjo nuk do të thotë se në kohën e Crnojevicëve mesjetarë ata nuk janë karakterizuar si arbër etnikë, kur edhe vetë fshati i tyre është në shqip. Ndalemi edhe pak tek Spiro Kulisic, që pati shkaktuar valë reaksionesh në Jugosllavinë e dikurshme me librin e tij “ Mbi etnogjenezen malazeze” (O etnogenezi crnogoraca). Sipas tij, duke përpunuar regjistrat e shekullit XIV,

ai nënvizon se katundi Bostur në afërsi të Lovçenit, popullohet nga individë, të cilët bazuar në emrat e tyre, duket qartë se janë një përzierje e elementit të vjetër ballkanik me të ardhurit sllavë. Sipas tij, edhe në dy katunde të vogla, në afërsi të Lovçenit, të quajtura “Zanjev Do” dhe “Bogoje”, më 1326, janë regjistruar banorë me emra si Gjin apo Bardonje që janë emra të arbërve etnikë. Dhe është pikërisht rrethina e Lovcenit, si pika më veriore, ku një pjesë e studiuesve sllavë e lokalizojnë origjinën e parë të shoqërisë feudale Crnojevici. Pjesa tjetër nuk e vecon ndonjë venbanim por mjaftohet me konstatimin që rrjedhin nga Zeta mesjetare që sipas dokumenteve historike njihet si territor i përzier etnikisht por me një mbizotërim të theksuar të elementit arbëror.

Studiuesi serb Simeon Sima Cirkovic, historian serb dhe antar i akademisë së shkencave të Serbisë në studimet e tij është shumë i qartë. Lidhur me familjën Crnojevici ai shkruan se janë me origjinë shqiptaro vllehe dhe asnjë historian i rëndësishëm nuk i ka trajtuar si serbë, as ata dhe as familjën Balsha.

Është një bjeshkë e madhe me argumente z.Nano që thellojnë dyshimet mbi përkatësinë etnike të familjës Crnojevici që ju e mërrni si sllave të prerë. Nuk është zbulim dhe asgjë e jashtzakonshme rrëfimi mbi martesat e ndërsjella ballkanike. Nuk është gabim as pasqyrimi i fakteve të tilla. Gabimi qëndron mes rreshtave të tu. Aty ku prerazi Crnojevicët i trajton si sërbë. Ndryshe nga argumentet që nuk e lejojnë një gjë të tillë, sikurse ndryshe edhe nga një pjesë e madhe e vetë studimeve serbë që këtë punë e marrin me shumë rezervë. Zoti Nano, djali i Stefan Crnojevic-it, Andrea nga vetë familja e tij, populli i Zetës dhe të huajt është quajtur “Arbëri trim”. E ke te Fallmerayer-I me 1860. Sic thashë edhe më pare, është një bjeshkë me argumente z.Nano, të gjitha të shkruara nga të huajt, në shumë raste edhe nga vetë sllavët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat