Excelsior (1923)/Ahmet Zogu, kryeministri më i ri në moshë, një figurë e veçantë në politikën botërore

Historia

Excelsior (1923)/Ahmet Zogu, kryeministri më i ri në moshë, një figurë e veçantë në politikën botërore

Aurenc Bebja, Francë Nga Aurenc Bebja, Francë Më 3 maj 2019 Në ora: 08:51
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

“Excelsior” ka botuar, të martën e 11 shtatorit 1923, në faqen n*, një shkrim në lidhje me reagimin e qeverisë shqiptare dhe udhëheqësit të saj, Ahmet Zogut, pranë konferencës së ambasadorëve, mbi vrasjen e kolonel Tellinit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat-Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

27 vjeçar dhe President i Këshillit të Ministrave (Kryeministër)

Kjo është mosha e Ahmet Zogut, President i Këshillit të Ministrave (Kryeministër)të Shqipërisë, Ministër i Brendshëm dhe Ministër i Punëve të Jashtme të këtij vendi.

Një elitë e re burrash drejton Shtetin 

“Qeveria shqiptare sapo ka dorëzuar në konferencën e ambasadorëve, nëpërmjet të ngarkuarit të saj me punë në Paris, Xhemil Dino, një letër që siguron konferencën e ambasadorëve për të gjitha përpjekjet e qeverisë shqiptare për të lehtësuar punën e komisionit « hetues në territorin helen në lidhje me kërkimin dhe dënimin e fajtorëve të atentatit ndaj misionit Tellini. »

 Kjo letër është firmosur nga Ahmet Zogu, President i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, Ministër i Brendshëm dhe Minisitër i Punëve të Jashtme.

 Kreu i qeverisë shqiptare është një figurë e veçantë në politikën botërore. Është pa dyshim, presidenti më i ri i Këshillit të Ministrave në botë, pasi ai është vetëm njëzet e shtatë vjeç. Por që nga mosha gjashtëmbëdhjetë vjeçare dhe disa herë, ai ka luftuar për pavarësinë e vendit të tij, fatin e të cilit sot e ka në dorë.

 Shqipëria, ashtu si shumë vende të tjera, ka parë regjimin e saj politik të transformohet prej luftës. Kujt nuk i kujtohet Princi legjendar Vid, i cili pranoi kurorën e Shqipërisë në shkurt 1914, u kurorëzua në mars dhe u largua nga froni dhe populli i tij në shtator të të njëjtit vit, pikërisht në momentin e fitores së Marne-s ?

 Shqipëria nuk gjeti më shumë ekuilibër nën diktaturën ushtarake të Esat Pashë Toptanit. E pushtuar nga austriakët, pastaj nga italianët, « Epiri fatkeq »  e gjeti pavarësinë e plotë vetëm në 1922.

 Kufijtë e saktë të 28.000 kilometrave katrorë të territorit të saj kanë qenë të fiksuara, por çështjet e demarkacionit praktik të kufijve ende nuk janë zgjidhur dhe kjo është ajo që motivoi veprimin e komisionit të kolonelit Tellini.

 Natyrisht, shqiptarët po protestojnë sot, me vendosmëri, ndaj të gjitha gjërave që do t’i bënin ata përgjegjës të sulmit politik që kërkon hetimin e konferencës së ambasadorëve. 

Anëtarët e kolonisë shqiptare janë mjaft të shumtë në Paris. Ata madje themeluan një dhomë tregtie franko-shqiptare, president i së cilës është një francez, inxhinier Georges Vincent, ndërsa një nga nënkryetarët është Z. Stavri, doktor në drejtësi i Fakultetit të Parisit, dhe zëvendëspresidenti tjetër është Z. Husson, francez.

Image

 Në Shqipëri, Franca përfaqësohet nga i ngarkuar me punë, Z. Beguin-Billecocq; nga një konsull dhe një oficer konsullor. Liceu kombëtar, i cili funksionon në Korçë, drejtohet nga një francez dhe gjuha franceze mësohet aty zyrtarisht. Si çështje reciprociteti, u organizua në Francë një kurs i gjuhës shqipe në Shkollën e Gjuhëve Orientale. 

Shqipëria ka tentuar, që nga fitimi i pavarësisë së vërtetë, të krijojë institucione demokratike. Kështu që një Asamble Kombëtare, e cila u mblodh në vitin 1920, zgjodhi me votim, një Këshill Regjence (Këshill i Naltë i Regjencës) prej katër anëtarësh, që mbajnë funksionet e presidentëve të republikës. Ky Këshill Regjence, roje e Kushtetutës, zgjedh Kryetarin e Këshillit të ministrave, i cili zgjedh bashkëpunëtorët e tij. Një parlament prej shtatëdhjetë e pesë deputetësh kontrollon aktet e ekzekutivit. Kështu e organizuar, Shqipëria, e udhëhequr nga një elitë burrash të rinj e të grupuar pas presidentit të tyre të ri të Këshillit (Ahmet Zogu), po përpiqet të bëhet një shtet modern. Dhe kështu, ajo sapo i ka bërë thirrje një misioni teknikësh francezë për ta pajisur atë me rrjete hekurudhore që deri më tani i mungonin.” — Charles d’Avron.

Shkrimi i plotë: Excelsior (1923)/Ahmet Zogu, kryeministri më i ri në moshë, një figurë e veçantë në politikën botërore

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat