Çfarë ka ndodhur më 20 maj?

Historia

Çfarë ka ndodhur më 20 maj?

Më: 20 maj 2019 Në ora: 06:45
Mblidhet Këshilli ikumenik i krishterë, në Nikea

325 – Mblidhet Këshilli ikumenik i krishterë, në Nikea (Azi e vogël). Historiani Eusebius, i pranishëm në këtë takim, e quajti atë ‘ikumenik’ që do të thotë ‘mbarë-botëror’ dhe në atë kohë nënkuptonte Perandorinë Romake. Takimi u zhvillua nën kujdesin e perandorit Konstandin. Sipas Eusebius, në librin ‘Historia e Kishës…”, Konstandini (me prejardhje ilire) u siguroi peshkopëve një sallë të madhe e dinjitoze për mbajtjen e kuvendit. Në Këshillin e Nikeas u diskutuan shumë gjëra, që nga natyra e Jezu Krishtit e deri tek njësimi i rregullave kishtare, përfshi caktimin e ditës së pashkëve, duke e shkëputur atë nga pashkët hebraike, si dhe vendimi që lutjet e së dielës që të bëheshin në këmbë dhe jo në gjunjë si deri atëherë. Në përfundim, Këshilli i Nikesë miratoi kanunoren e kishës. Disa peshkopë të lindjes nuk ranë dakord dhe Këshilli i përjashtoi, ndërsa perandori Konstandin i dëboi duke i dërguar në rajone të thella të Ilirisë.

1310 – Prodhohen këpucët e para për të dy këmbët, veças, të djathtë dhe të majtë. Deri atëherë, këpucët ishin njësoj dhe njerëzit i vishnin ato një ditë në këmbën e majtë e ditën tjetër në këmbën e djathte, që të konsumoheshin të dyja njëherësh. Mendohet se këpucët e para janë ato me lëkurë kafshe, që nga koha e akullnajave kur njerëzit thjesht mbështillnin këmbët për t’i mbrojtur nga të ftohtit. Sandalet e para mendohet të jenë përdorur në Lindjen e Mesme për mbrojtjen e tabanit të këmbëve nga rëra e nxehtë. Arkeologët kanë zbuluar këpucë që datojnë nga vitet 8000 pes, në atë që tani quhet shteti Mizuri (SHBA). Në Evropë, këpucë të ngjashme me këpucët e sotme ishin në modë nga shekulli XI deri XV. Në shekullin 17-të këpucët prodhoheshin vetëm me ngjyrë të kuqe dhe lartësia e takave ishte e ndryshme, shpesh në varësi të shkallës shoqërore. Atletet e para janë prodhuar për herë të parë në Amerikë në vitin 1916. Ndërsa çizmet e para për femra ishin ato të projektuara për mbretëreshën britanike Viktoria në vitin 1840.

1498 – Eksploreruesi portugez Vasko da Gama arrin në Kalkutë, Indi.

1506 – Në Spanjë vdiq Kristofor Kolombi, 55 vjeç, nismëtari i kolonizimit të Hemisferës Perëndimore, pa e ditur se kishte zbuluar një Botë të re.

1609 – Sonetet e Shekspirit botohen për herë të parë në Londër nga Thomas Thorpe. Sonetet hapen me një përkushtim për “WH”. Identiteti i këtij personi mbetet mister dhe, që nga shekulli i 19-të, ka nxitur shumë spekulime. Një gabim i thjeshtë për inicialet e Shekspirit, “WS” ose ‘WSH”, kjo është sugjeruar nga filozofi Bertrand Russell në kujtimet e tij.

1799 –Në Paris, lindi Honore de Balzak – romancier francez dhe dramaturg.

Opusi i tij letrar është sekuencë tregimesh e romanesh të njohur me titullin e përgjithshëm Komedia Njerëzore, panoramë e jetës franceze në vitet pas rënies së Napoleon Bonopartit, më 1815. Balzak ishte monarkist shumë konservator; në shumë mënyra, ai është antipod i republikanizmit demokratik të shkrimtarit Viktor Hugo. Megjithatë, trajtimi i mprehtë i realitetit dhe çështjeve të kohës fitoi respektin e shumë socialistëve dhe marksistëve. Engelsi thoshte se Balzaku ishte shkrimtari i tij e preferuar, ndërsa Marksi u referohej vazhdimisht romaneve të tij.

1835 – Otto shpallet mbreti i parë i Greqisë moderne. Pas vrasjes së Ioan Kapodistrias (presidenti i parë i Greqisë), tre Fuqitë Mbrojtëse; Britania, Franca dhe Rusia, zgjodhën 17-vjeçarin princ Otto, djalin e dytë të Mbretit Ludvig të Bavarisë, si mbret të Greqisë. Kjo ishte zgjedhja e tyre e dytë, i pari, Leopold i Sakse-Koburg, e kishte refuzuar fronin.

1867 – Parlamenti britanik hedh poshtë projekt-ligjin e John Stuart Mills mbi të drejtën e grave për të votuar. Mills njihet si filozofi më me ndikim i shekullin XIX. Ai krijoi konceptit se liria e individit është më e rëndësishme se liria shtetit për ta kufizuar atë.

1873 – Levi Strauss dhe Jacob Davis regjistrojnë patentën për pantallonat blu xhins.

1927 – Arabia Saudite shpallet e pavarur nga Britania e Madhe (Traktati i Jeddas).

1989 – Demonstrata për demokraci; Kina shpall gjendjen e jashtëzakonshme në Pekin.

2002 – Pavarësia e Timorit Lindor njihet nga Portugalia, duke i dhënë fund zyrtarisht 23 vjetëve të sundimit indonezian dhe 3 vjetëve të administratës së përkohshme të OKB-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat