Liderët takohen për të kujtuar fundin e Luftës së Dytë Botërore

Historia

Liderët takohen për të kujtuar fundin e Luftës së Dytë Botërore

Më: 5 qershor 2019 Në ora: 16:59

Udhëheqësit botërorë do të mblidhen sot në brigjet e Anglisë jugore për të përkujtuar 75 vjetorin e Ditës “D” – pushtimi më i madh detar në histori që shënoi fillimin e fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Të pranishëm do të jenë Mbretëresha Elizabeth, Kryeministrja britanike Theresa May, Presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri kanadez Justin Trudeau, kryeministri australian Scott Morrison, kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidentin amerikan Donald Trump i cili është në ditën e fundit të vizitës shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar.

Më 6 qershor 1944, ushtarët amerikanë, britanikë dhe kanadezë arritën në pesë brigje deti në Francën e pushtuar nga nazistët, dhe u shtrinë në 80 kilometra të bregdetit të Normandisë.

“Ne sot bashkohemi për të nderuar guximin dhe sakrificën e atyre që shënuan një pikë kthese në Luftën e Dytë Botërore, dhe premtojmë që kurrë të mos harrojmë borxhin që ua kemi, tha kryeministrja britanike Theresa May në një deklaratë përpara ngjarjeve.

“Solidariteti dhe vendosmëria e tyre në mbrojtjen e lirisë sonë mbetet një mësim për të gjithë ne.”

“Shtatëdhjetë e pesë vjet më parë, patriotët britanikë dhe amerikanë dolën nga ky ishull drejt betejës më të rëndësishme të historisë”, tha Trump në një konferencë shtypi në Londër.

“Ata rrezikuan gjithçka për të mbrojtur popullin tonë dhe për të siguruar që Shtetet e Bashkuara dhe Britania përgjithmonë do të mbeten sovrane dhe përgjithmonë do të mbeten të lira”.

Përkujtimi përfshin një performancë njëorëshe që tregon historinë e “Ditës D” apo “D-Day” siç njihet ndryshe në histori.

Më vonë gjatë ditës, veteranët që vepruan në këtë ngjarje – tani të gjithë më të vjetër se 90 vjeç – do të lundrojnë nga Portsmouth në një anije të posaçërisht të porositur për ta. Ata do të shoqërohen nga anijet e Marinës Mbretërore dhe avioni luftarak i Spitfire.

Në anën tjetër të kanalit, trupat britanike të sulmeve ajrore, parashutistët e ushtrisë franceze dhe veteranët e D-Day do të rikrijojnë uljet ajrore që ndryshuan rrjedhën e historisë së botës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat