Gjenocidi grek kundër shqiptarëve të Çamërisë

Historia

Gjenocidi grek kundër shqiptarëve të Çamërisë

Nga: Prof. Agron F. Fico, H.C. Më: 17 qershor 2019 Në ora: 14:29
Gjenocidi grek kundër shqiptarëve të Çamërisë

Në vitin 1974 “Baca Ahmet”, siç e thërrisnin Ahmet Zherkën, aktivist i shquar i Diasporës shqiptare në Amerikë; krijoi shoqatën “Bashkësia Shqiptare”e cila synonte, krahas disa shoqatave të tjera, bashkimin e shqiptarëve dhe përkrahjen e luftës kundër sundimit kolonialist serb..

Revista e “Bashkësisë Shqiptare” doli gjithsej tri herë. Numri 3, i vitit të III-të 1976u botua në NYC (d.m.th. në qytetin e Nju Jorkut) dhe ka 23 faqe. Nga ana teknike materiali është i shaptilografuar.

Në faqet 15, 16, 17, 18, 19, 20, 21, të numrit 3 të kësaj reviste është botuar memorandumi me titull“Barbarizmat greke në Çamëri”. Materiali shoqërohet me një shënim të shkurtër, por mjaft kuptimplotë: “E pamë të rrugës ta botojmë këtë tekst, meqenëse ende është aktual dhe në brendësi mban ende të pashlyer të kaluarën e hidhur të popullit shqiptar-çam…”

Ky dokument i sjellë në Nju Jork dhe i botuar në këtë revistë modestedhe pak të njohur u ribotua nga ne i plotë tek gazeta kryesore e Diasporësshqiptare, “Illyria”:(Agron F. Fico: “ILLYRIA”, 30 gusht -1 shtator 2005, f. 27; dhe 2-5 shtator 2005, f. 30, 35.) Ky dokument është botuar edhe tek libri “Diaspora erilindur”, Agron F. Fico, Tiranë, 2006, f.46-61.

Pas botimit në librin “Diaspora e rilindur”prof. Peter Prifti e përktheu anglisht dhe nëpërmjet rrjetit të internetit në adresën “Frosina.org” u shpërnda dhe u bë i njohur gjerësisht në opinionin publik...

Sipas zotit Aurenc Bebja në një informacion në internet (12 maj 2019) thuhet se ky memorandum gjendet i arkivuar në faqen nr. 240 të dokumentit“SociétédesNations - JournalOfficiel”. Dossier “Shpërngulja, dhuna dhe vrasja e çamëve nga autoritetet greke, dëshmia në dokumentin zyrtar të Lidhjes së Kombeve.”

Ky memorandum ka një vlerë të veçantë historike, ai është njëherazi edhe një akuzë e fuqishme, një demaskim konkret, një provë e gjallë e terrorizmit shtetëror grek ndaj shqiptarëve çamë, është një thirrje dhe bori alarmi të përhershëm edhe në ditët e sotme, që populli shqiptar çam të fitojë të drejtat kombëtare dhe njerëzore.

Në këtë memorandum zbulohet lakuriq masakra greke ndaj popullsisë çame, sillen fakte, ngjarje konkrete tepër rrënqethëse të kryera nga bishat e xhunglës greke ndaj grave, fëmijëve, të moshuarve. Ndërgjegjia njerëzore revoltohet dhe kërkon drejtësi e ndëshkim të këtyre kriminelëve sadistë.

Së pari: Memorandumi është një histori sintetike, tepër e ngjeshur, e genocidit, pastrimit etnik nga ana e shtetit grek, qeverive të tij, e politikës dinake dhe vrastare të kishës ortodokse greke.

Së dyti: Dokumenti hedh poshtë demagogjinë, hipokrizinë dhe “spërdredhjet” e politikave greke ndaj zgjidhjes së problemit çam, që nga viti 1913.

Së treti: Shqiptarët, kudo që janë dhe veçanërisht vëllezërit tanë të një gjaku, çamët, kurrë nuk e kanë pranuar dhe as i janë nënshtruar aktit barbar të Traktatit të Londrës (më 1913) për ndarjen e Çamërisë dhe Kosovës nga trungu i Shqipërisë dhe dhënien Greqisë dhe Serbisë e Malit të Zi.

Së katërti: Shqiptarët e ndershëm, figura të ndritura të Çamërisë martire, kanë ngritur zërin dhe kanë bërë përpjekje deri në OKB, siç dëshmon edhe ky dokument.

Së pesti: Shteti shqiptar, veçanërisht shteti komunist-totalitar, në përgjithësi nuk bëri ndonjë gjë për çështjen çame. “Por, për hir të së vërtetës historike, - thotë zoti Peço Kagjini, veteran, disident dhe një nga figurat kryesore të kundërshtimit të vijës të Enver Hoxhës në Konferencën e Tiranës (prill 1956), i cili për gati 34 vjet është përplasur burgjeve dhe kampeve të internimit familjarisht, -në fund të Luftës Antifashiste, pati edhe ndonjë përpjekje për zgjidhjen e çështjes çame…” “Më kujtohet -shton ai- se aty nga fundi i vitit 1944, pas formimit të Qeverisë së Beratit, më thirri Koçi Xoxe, sekretar organizativ i PKSH dhe Ministër i Punëve të Brendshme dhe më ngarkoi të shkoja në Janinë, të takoja drejtuesit e ushtrisë partizane grek dhe të bisedoja për kthimin e çamëve në Çamëri. Mora edhe Aleks Jatron si përkthyes dhe shkuam në Janinë. Aty takuam drejtuesit kryesorë të partizanëve grekë për rajonin e Janinës dhe iu shtruam problemin për të cilin kishim shkuar. Në përfundim të bisedimeve ata na thanë se do të çlironin Epirin dhe çamët do të ktheheshin në Çamëri!”

Në vazhdim të këtij kumtimi gojor, zoti PeçoKagjini madje shton se më 1945 në Vlorë u mbajt edhe një Kongres antifashist çam. Mirëpo, pas vitit 1946 punët morën për keq. Çështja çame mori goditje më 1960, -e përfundoi bisedën veterani i nderuar Kagjini, - me arrestimin, dënimin dhe ekzekutimin e një pjese të të ashtuquajturit grup armiqësor i Teme Sejkos, që e ngriu përfundimisht problemin çam.

Ka rëndësi të theksohet se, si forcat e majta, ashtu edhe forcat e djathta të sistemit politik grek, kur është fjala për Shqipërinë dhe Çamërinë, bashkohen në qëndrimin dhe platformën armiqësore ndaj çështjes shqiptare. Fakt është sembahet ende në fuqi ligji famëkeq i gjendjes së luftës me Shqipërinë.

Marrëdhëniet e tensionuara shqiptaro-greke, gjatë pothuajse tërë viteve të shtetit totalitarist, u vërtetuan edhe me mungesën e vullnetit politik të qeverisë komuniste shqiptare për të ndërmarrë në planin ndërkombëtar trajtimin e problemit çam dhe kërkesën për zgjidhjen e tij në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, anëtare e së cilës ishte edhe Shqipëria.

Për fat të keq, gjat‰ë 29 viteve t‰ë pluralizmit politik n‰ë Shqip‰ëri, nuk mund të thuhet ndonjë gjë e mirë në këtë drejtim, as për qeveritë demokratike dhe as qeveritë socialiste. Në të kundërtën, gjatë këtyre jan‰ë vërtetuan qëndrime tepër negative si: pranimi i Janullatosit, traktati i miqësisë me shtetin grek, dhënia e tokave minoritarëve, hapja e dyerve ndaj bankave greke, mos denoncimi i akteve të shumta antishqiptare nga qeveria greke, lëshime dhe pranime të kontratave të shumta në thelb në dëm të ekonomisë dhe pavarësisë sonë kombëtare, mos denoncimi i trajtimit antinjerëzor të emigrantëve shqiptarë në Greqi etj.

Madje, do të shtoja se qeveritë greke, pavarësisht nga ngjyrat, kanë ndjekur dhe ndjekin një politikë hipokrite ndaj shtetit shqiptar. Sa herë që lind ose ka ndonjë çështje që kërkohet edhe vota e Greqisë, atëherë ata nxjerrin lidhësen kushtore:NË QOFTË SE... siç po ndodh lidhur mehapjen e bisedimeve me Brukselin, ku qeveria dhe presidenti grek shpalli publikisht se “Në qoftë se Shqipëria nuk njeh pavarësinë e minoritetit grek, ne do të votojmë kundra”. Ose dhe më hapur, se: rruga eTiranës për nëBruksel kalon nga Athina.

Ndërsa çështja çame nuk ka ekzistuar dhe nuk ekziston!?

Masmedia shqiptare që nuk lë pa denoncuar as edhe rastet me më pak rëndësi, si p.sh. shtimi i qenve nëpër rrugët e qyteteve tona, ose abuzimi i një të moshuari me një të mitur etj.etj., nuk u ka bërë dhe as po u bën ndonjë denoncim serioz qëndrimevetë padrejta të Greqisë ndaj shqiptarëve të Çamërisë ose politikës djallëzore ndaj vetë Shqipërisë.

Ky memorandum iu paraqit për herë të parë Komitetit për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork më 1945. Me dhimbje dhe indinjatë duhet të themi sehartuesit e tij, këta intelektualë dhe atdhetarë të ndritur çamë, shumica e tyre, u burgosën, u dënuan ose u ekzekutuan nga diktatura e egër e sigurimit të shtetit.

Me ndonjë redaktim të lehtë, po japim tekstin e plotë të këtij dokumenti me rëndësi historike:

BARBARIZMAT GREKE NË SHQIPËRI

Ne, Komiteti Antifashist i Emigrantëve Çamë në Shqipëri, me besim në parimet demokratike dhe humanitare të UN-it, në emër të emigrantëve çamë në Shqipëri, parashtrojmë para Komisionit hetimor të drejtat tona të humbura, shtypjen, persekutimet dhe masakrat që kryen fashistët grekë për të shfarosur minoritetin shqiptar në Greqi.

Në vazhdim të protestave dhe kërkesave tona drejtuar Aleatëve të Mëdhenj dhe Kombeve të Bashkuara, ne kërkojmë drejtësi për sa parashtrojmë:

Klikat shoviniste dhe reaksionare greke, prej 32 viteve me radhë, duke shkelur brutalisht çdo parim njerëzor dhe duke mos përfillur aspak traktatet ndërkombëtare, kanë përdorur kundrejt minoritetit shqiptar në Greqi, një politikë shfarosjeje.

Qysh me okupacionin grek të Çamërisë më 23 shkurt 1913 banda e Deli Janaqit eshtytur dhe e përkrahur nga autoritetet e vendit, masakroi pa më të voglën arsye 72 burra të krahinës së Paramithisë në përruan e Selanit.

Këto masakra qenë fillimi i shfarosjes së minoritetit shqiptar dhe zbulojnë orientimin që mori politika greke kundrejt popullatës sonë.

Ndjekjet, persekutimet, burgimet, internimet, torturat, plaçkitjet dhe grabitjet, nën pretekstin e çarmatimit gjatë viteve 1914-1921, veprimtaria terroriste e komitëve, provokacioni i 1921-it i Gjen Baires, të gjitha këto tregojnë realitetin e mjerimeve në të cilën u vu popullata jonë në kohën e pushtimit grek.

Koska, Lopsi, Varfanj, Karbunari, Kardhiqi, Paramithija, Margëllëçi, Arpica, Grykohori etj., janë një pjesë e fshatrave që ekanë paguar më shtrenjtë këtë terror.

Më 1922-1923 qeveritarët e Greqisë vendosën të impononin shpërnguljen e elementit mysliman të Çamërisë në shkëmbim me grekët e Azisë së Vogël, duke na konsideruar si turq. Ky akt i turpshëm i qeveritarëve të Athinës hasi në rezistencën tonë dhe në ndërhyrjen e Lidhjes së Kombeve, e cila duke konstatuar nacionalitetin shqiptar të popullatës sonë, hodhi poshtë vendimin e qeverisë greke.

Por me gjithë ndërhyrjen e Lidhjes së Kombeve dhe të angazhimeve solemne të marra nga qeveria greke në Lozane më 16 janar 1923, prapë njerëzit e Athinës vazhduan politikën e tyre të shfarosjes. Ata përdorën çdo mjet për të vështirësuar qëndrimin në Çamëri të elementit shqiptar, shpronësuan qindra familje në 6.000 ha tokë pa më të voglin shpërblim si, në Dushk, Gumenicë, Kardhiq, Karbunarë etj.

Qeveria e Athinës instaloi emigrantët e Azisë së Vogël në Çamëri me qëllim që ta popullojë me grekë dhe të krijojë mundësinë e emigrimit të popullatës autoktone shqiptare.

Familje të tëra detyroheshin të braktisnin vatanin për në Turqi, Shqipëri, Amerikë e gjetkë dhe fshatra siPetrovica, Shëndëllia, u braktisën krejt nga banorët shqiptarë.

Në këto rrethana ne nuk gëzuam asnjë të drejtë nacionale dhe na pengohej akoma edhe gjuha amtare; në vend të zhvillimit të kulturës nacionale dhe përparimit, përkrahej fanatizmi dhe injoranca, në vend të shkollave hapeshin dhe subvencionoheshin klubet fetare në gjuhën arabe. 95% e popullatës sonë qëndronte akoma analfabet. Krahina e Çamërisë, një vend i pasur dhe i begatshëm, kishte mbetur prapa, pa zhvillim ekonomik, pa komunikacion dhe në duart e fajdexhnjve akaparatorëve: Koçoni, Pitulejt, Kufalla, Zhulla, Ringa etj., që varfëruan dhe skllavëruan gjithë vendin.

Në luftë kundër fashizmit dhe tamam në përfundim të saj, forcat reaksionare monarko-fashiste të Llakës së Sulit, të krijuara nga reaksioni dhe në shërbim të okupatorit, nën komandën e gjeneral Napoleon Zervës, sulmuan dhe masakruan pabesisht banorët shqiptarë myslimanë të Çamërisë.

Në këtë kohë kur trupat e ELAS-it dhe tonat përfshiheshin në luftime kundër gjermanëve, komanda e EOEA-s, në kompromis me gjermanët, operonte për të fituar pozita për luftën vëlla-vrasëse; dhe kur forcat tona besnike të frymës dhe të vendimeve të marrëveshjes së Kasartës (Sarafis–Zerva) gusht 1944, zbatonin urdhërat e Komandës së përbashkët në ndjekjen e gjermanëve; gjeneral Napoleon Zerva, komandant i forcave të rezistencës në Epir (ELAS – EOEA) urdhëronte njëkohësisht operacionet dhe masakrat në kurriz të popullatës së pafajshme të Çamërisë.

Masakrat në Çamëri janë një shkelje flagrante e parimeve njerëzore dhe një mospërfillje e turpshme e parimeve dhe e karakterit të luftës antifashiste. Masakrat në Çamëri u kryen në sajë të bashkëpunimit dhe marrëveshjeve me gjermanët, të cilët në tërheqje ua lanë vendin forcave zerviste. Ja një fakt konkret i bashkëpunimit ndërmjet forcave zerviste dhe atyre gjermane. Komandanti zervist Theodhori Vito, i forcave të krahinës së Filatit, një ditë para hyrjes së forcave zerviste në Filat dhe pikërisht më 22 shtator 1944, në katundin Panaromen, 3 km larg Filatit, u takua me komandantin e forcave gjermane në tërheqje. Pas këtij takimi shohim që ende pa u larguar mirë forcat gjermane nga Filati, forcat e Theodhor Vitos hynë në Filat. Kështu një bashkëpunim i tillë u siguroi forcave zerviste krahët duke u dhënë mundësi për të filluar terrorin dhe masakrat në një stil të gjerë në të gjitha krahinat e Çamërisë.

Forcat e divizionit të X-të të EOEA-s, nën komandën e kolonel Vasil Kamaras dhe pikërisht ato të regjimentit të XVI-të të këtij divizioni, të udhëhequr nga Kranja, me ndihmës Lefter Strugarin, avokatin Stavropullos Ballumi Zotos, kriminelët me damkë Patazejtetj., më 27 qershor 1994 hynë në qytetin e Paramithisë. Në kundërshtim me premtimet e dhëna dhe marrëveshjes së bërë midis Myftiut Hasan Abdullaj nga njëra anë dhe Shapera me Dhespotin e Paramithisë nga ana tjetër si agjentë të Zervës, filluan masakrat më të poshtra. Burra, gra, dhe fëmijë të pambrojtur qenë objekt i i monarko-fashistëve grekë. Numri i të masakruarve në qytetin e Pramithisë dhe rrethe arriti në 600 veta.

Më 28 korrik 1944 forcat e regjimentit 40, nën komandën e Agores, hynë në Parg ku masakruan 52 burra, gra dhe fëmijë.

Forcat e EOEA-së nën komandën e TheodhorVitos, IlqjaKaqo, HristoMavrudhi, HristoKaqo, Hari Dhiamanti etj., mbasi rrethuan qytetin e Filatit, më 23 shtator 1944, ditën e shtunë në mëngjes, hynë në qytet. Po në këtë ditë hynë edhe në Spatër. Plaçkitën dhe grabitën të gjitha familjet dhe gjithçka gjetën. Në mbrëmjen e natës 23 duke u gdhirë 24 shtator 1944, hynë dhe forcat e komanduara nga Kranjaj, Strugari e të tjerë. Me arritjen e këtyre forcave filluan menjëherë masakrat. 47 burra, gra dhe fëmijë u masakruan në Filat dhe 157 numërohen të masakruarit, të vrarët dhe të humburit në Spasar, ku një pjesë e mirë e tyre ishte grumbulluar nga katundet e tjera. Të gjitha gratë e reja dhe vajzat u keqpërdorën dhe u çnderuan prej krimineleve të Zervës. Pak ditë më vonë monarko-fashistët grumbulluan të gjithë burrat që kishin mbetur dhe me vendimin e gjyqit fals: Koçinja-kryetar, Staropull-prokuror dhe katër anëtarë, 47 shqiptarë të pafajshëm, u masakruan. Në Granicë të Filatit janë mbuluar kufomat e 46-të vetave të vrarë dhe të therur me thika dhe 45 të tjerë në fushë tek ara e Xhelo Metos.

Familje të tjera janë zhdukur me prindër, fëmijë dhe foshnje në djep. Gratë dhe vajzat u çnderuan. Me qindra deklarata të atyre që shpëtuan përshkruajnë vrasjet dhe vuajtjet e pasosura. Nga ato del qartë kriminaliteti dhe qëllimi i veprimeve të[DX1] monarko-fashistëve në Çamëri.

Ja disa shembuj:

Sanie Bollati, në Paramithi, është djegur me benzinë mbasi iu prenë sisët dhe i nxorën sytë. Ymer Muratin e vranë dhe e bënë copa-copa në Paramithi.

Në shtëpinë e Sulo Tarit ishin grumbulluar më se 40 gra dhe Çili Popova nga Popova i veshur ushtarak me një grup ushtarësh hyri brenda, morën gratë dhe vajzat më të bukura dhe filluan t’i çnderonin në një dhomë tjetër. Ulërimat e vajzave, të grave arritën kulmin. Kjo poshtërsi vazhdoi gjithë natën. Seri Fejzo, Fizret Sulo Tare etj., ishin objekt i këtyre poshtërsive.

Hilmi Beqirin nga Filati, pasi e plagosën para familjes së tij, e lanë dhe ikën. Për ta siguruar, familja e strehon tek dentisti Mavrudhiu. Ai e mban për disa orë, por më vonë lajmëron ta marrin, dhe e çojnë tek Stavro Muhaxhiri, kurse vetë largohen për te Shuaip Metja, ku ishin mbledhur shumë familje. Andartët informohen, e marrin, më parë i nxjerrin dhëmbët e floririt me dana dhe mbasandaj e vrasin.

Malo Muho, plak 80 vjeçar, i sëmurë prej katër vjetësh, vritet me sëpatë para së shoqes. Trutë i kërcyen në prehër të së shoqes, e cila mbasi ia mblodhi, e mbuloi me jorgan dhe iku.

Në Spatar Abdyl Nurqe merret, çohet në Filat zbathur, zvarritet nëpër rrugë të qytetit dhe, më në fund, vritet para shtëpisë së Nidh Tafoqit.

Familja e Lile Rustemit nga Sullashi, e përbërë prej 16 vetash në shumicë fëmijë, zhduket krejtësisht pa shpëtuar as edhe një.

Xhelal Minitit nga Paramithija i presin kokën më bajonetë mbi trupin e Myfti Hasan Abdullahut.

Sali Muhedinit, Abedin Bakos, Muhamet Pronjës dhe Malo Sejdiut ju presin gishtrinjtë, hundët, gjuhën dhe këmbët dhe, kur këta ulërijnë nga dhimbja e madhe, andartët zervistë këndojnë këngën e komandantit të tyre dhe gëzoheshin kur shikojnë këto tmerre. Më në fund i varën në çengelat e kasapëve.

Eshref Himi, qytetar nga Paramithia, deklaron sa vijon për masakrat në Paramithi:

“Të martën më 27 qershor 1944, në orën 7 të mëngjesit, hyjnë në Paramithi monarko-fashistët grekë të komanduar nga kolonel Kamora, major Kranja, kapiten avokat Kristo Stavropulli, kapiten avokat Lefter Strugari, N-toger Nikolla Çenos etj. Porsa hynë në qytet, u dha urdhëri që kurrkush mos të lëvizte nga vendi, sepse nderi, liria dhe pasuria nuk do të prekeshin në asnjë mënyrë. Mbas dreke filluan menjëherë arrestimet ndër gra, burra dhe çiliminj, kurse nga ana tjetër filloi vjedhja. Të gjithë burrat deri të nesërmen u vranë.

“Pasi më mbajtën katër ditë në burg, më lanë të lirë për të varrosur të vrarët. Në vendin e quajtur “Kisha e Ajorgjit”, munda të njoh pesë nga personat e vrarë, të tjerët ishin bërë të panjohur për shkak të torturave të pësuara. Të pesë viktimat të njohura prej meje janë: Met Qere, Sami Asimi, Mahmut Kupi, Adem Beqiri, Haki Mile. Pas dy ditësh më shpunë pas “Golatajt”, në afërsi të shtëpisë së Dhimitër Nikollës, ku kishin vrarë 8 veta. Nuk munda t’i njoh se i kishin bërë copa-copa. Ngado shiheshin kufoma njerëzish. E quajtura Sanie Bollati pësoi tortura të frikshme, e dogjën të gjallë me benzinë. Kjo tragjedi pati vend të mërkurën dhe të premten në mëngjes trupi i saj u transportua i mbuluar me një batanie nga e ëma dhe dy bashkëqytetarë, të cilën e vendosën në një qilar me urdhër nga monarko-fashistët, që s’linin asnjë ta shikonte. Atje, ajo grua e mjerë, vdiq pas pesë ditësh dhe kufoma e saj ishte plot me krimba.

Gjithçka deklaroj, - i kam parë me sytë e mi. Në fillim u fsheha për pesë ditë rresht në një tavan, kur monarko-fashistët më arrestuan dhe më prezantuan para major Kranjajt, i cili pas pyetjesh të shkurtëra, urdhëroi burgimin tim. Në burg gjeta 380 persona, ndër të cilët gra dhe fëmijë. 120 nga këta vdiqën urie. Katër persona dhe unë qëndruam 15 ditë në burg dhe prej andej na përcollën për në Prevezë, prej kah shkuam në Janinë ku qëndruam 40 ditë. Atje pësuam tortura të pa përshkruara. Pastaj me ardhjen në këtë qytet të trupave të EAM-it ne u liruam.

Dervish Sulo nga katundi Spatar i Filatit i përshkruan në këtë mënyrë masakrat në Spatar:

“Në mëngjesin e një të shtune të shtatorit 1944 e gjithë popullata u grumbullua përpara xhamisë së fshatit (Spatar). Ushtarët filluan grabitjet dhe çnderimet ndër gra, vajza e deri në plaka. Paçe Çulani, 50 vjeçare, u çnderua, u grabit, iu prenë flokët mandej veshët dhe më në fund u vra në bahçen e saj në afërsi të Muços. Në shtëpinë tonë ishte instaluar familja e Sako Banushit nga Skropjona prej tetë vetash, gra, burra dhe fëmijë. Pasi u çnderuan gratë, të cilave iu shpuan gjiret me thika, të gjithë u masakruan…

Në shtëpinë e Damin Muhametit u vranë 5 gra dhe 3 fëmijë… Në shtëpi te Fetin Muhametit u torturua dhe mandej u çnderua Hane Isufi së bashku me një grua tjetër… Në shtëpinë e Dule Sherifit ju pre koka plakut 80-vjeçar Sulejman Dhimicës dhe të shoqes së tij. Në shtëpi të Meta Brahos u dogjën të gjallë 20 persona, gra, fëmijë dhe burra… Kije Nurçia, 76 vjeçar, u ther me thikë… Në vreshtin e Zules dhe në kopshtin e Avdyl Nurçes pashë 20 persona të masakruar… Në shtëpinë e Haxhi Latifit u çnderua vajza e Haxhi Gulanit, kurse në banesën e Mejdi Metos u çnderua Hava Ajshja dhe Nano Arapi, madje kjo e fundit u masakrua.”

Viktimat dhe humbjet, sipas statistikave të deritanishme, gjatë masakrave të viteve 1944-1945 në kurriz të minoritetit shqiptar në Greqi, arrin numrin 2.877, të ndarë si vijon:

Filati dhe rrethe 1286, Gumenicë dhe rrethe 192, Paramithi dhe rrethe 673 dhe Magellç e Parg 626. Ky qe fati i gjithë atyre që nuk mundën të largohen nga Çamëria me përjashtim të disa grave që janë sot dëshmitare të gjalla të kësaj masakre ngjethëse në Paramithi, në Parg, Spatar dhe Filat. Përmes gojës së tyre del qartë dhe lakuriq kriminaliteti i akteve barbare të organizuara nga reaksioni monarko-fashist grek në Çamëri.

Kjo kasaphanë e frymëzuar prej ndjenjave më të ulëta të urrejtjes shoviniste dhe fetare, përfundoi me shpërnguljen me forcë të afro 23,000 çamëve, që erdhën e u strehuan në Shqipëri në konditat më të vajtueshme.

68 katunde me më se 5800 shtëpi u grabitën, u shkatërruan dhe u dogjën.

Nga llogaritjet e dëmeve rezulton të kenë mbetur në Çamëri dhe grabitur nga forcat monarko-fashiste të Zervës 17.000 kokë bagëti të holla, 1200 të trasha, 21.000 kv bereqet dhe 80.000 kv vaj; gjithashtu edhe produkti i vitit 1944-1945 që arrin në 11.000.000 kg bereqet dhe 3.000.000 kg vaj. Gjatë emigracionit 110.000 bagëti të holla dhe 2.4000 bagëti e trasha ngordhën dhe humbën.

Nga kjo del e qartë katastrofa e madhe ekonomike që pësoi popullata e jonë duke mbetur nëpër rrugët e emigracionit vetëm me rrobat e trupit.

Kjo katastrofë ndodhi se populli i ynë u hodh në luftë së bashku me popullin grek, përkrah EAM-it dhe nuk u gjendën në prehërin e okupatorit në aleancë me kolaboracionistët.

Çamëria në luftën e madhe antifashiste kontribuoi materialisht dhe moralisht. Me qindra të rinj çamër u hodhën, në radhët e ELAS-it, kur EAM-i lëshoi kushtrimin për liri. Me zgjerimin e luftës antifashiste kundër okupatorit gjerman, popullata e Çamërisë u hodh pa rezerva në një luftë totale kundër okupatorit dhe formoi Batalionin e katërtë të Regjimentit XV-të të ELAS-it. Nga popullata e vogël e Çamërisë dolën më tepër se 500 luftëtarë që luftuan me vendosmëri kundër okupatorëve nazi-fashistë dhe tradhtarëve… zervistë.

Gjaku i Heroit kombëtar Ali Demi, dhe i dëshmorit Bido Sejko, gjaku i dëshmorëve Muharrem Myrtezaj, Ibrahim Hallumi, Hysen Vejseli etj., që u derdh së bashku me atë të partizanëve grekë në Qafën e Qeramicës, dëshmon konkretisht këtë fakt.

Në përfundim të luftës dhe në Çamërinë e okupuar, trupat e komanduara nga gjeneral Napoleon Zervas operonin në krahinat dhe fshatrat tona jo si çlirimtarë, por si xhelatë dhe armiq të betuar të elementit shqiptar në Çamëri.

Në marrëveshjen e Casertas (Sarafi-Zervas) gusht 1944, trupat e rezistencës viheshin në fronte të përbashkët kundra ushtrive naziste nën një komandë të përbashkët në zona të caktuara operative. Kjo marrëveshje u shkel në Çamëri. Trupat zerviste ranë në kompromis me gjermanët duke qëlluar forcat tona, penguan veprimtarinë e batalionit të IV-të të Regjimentit XV-të në zonën e caktuar të Filatit. Operacionet dhe masakrat në krahinën e Filatit lidhen direkt me këtë situatë dhe janë në kundërshtim të hapur me besimin dhe frymën e bashkëpunimit të vendosur në Caserta. Akoma dhe fshati i fundit i Çamërisë –Koska, një nga bazat e organizimit të forcave të rezistencës së Frontit Nacionalçlirimtar në Çamëri, u shkatërrua dhe u dogj si përfundim i aktit për shkatërrimin e Çamërisë.

Një komision i Këshillit Antifashist Çam u dërgua më 30-10-1944 në Athinë, pranë qeverisë greke të z. Papandreu me një votim proteste kundër masakrave në Çamëri duke kërkuar njëkohësisht dënimin e tyre. Qeveria e Papandreut nuk deshi të merrte asnjë masë dhe angazhim për sa iuparashtrua.

Mbas operacioneve të dhjetorit 1944, me çlirimin e Çamërisë nga okupacioni zervist, një pjesë e popullatës sonë u riatdhesua përsëri dhe u vendos në krahinën e Filatit. Më 12 mars 1945 forcat qeveritare të garnizonit të Korfuzit, duke shkelur marrëveshjen e Varkizës (shkurt 1945), organizuan dhe kryen pabesisht masakrat e shëmtuara të Vanres (Filat), të cilat nxorën në shesh edhe një herë lakuriq qëndrimin dhe politikën e autoriteteve përgjegjëse të qeverisë greke në lidhje me shfarosjen e popullatës shqiptare të Çamërisë.

'Me mërgimin tonë në Shqipëri, qeveria demokratike e Shqipërisë i dha masës sonë një ndihmë materiale dhe morale pakufi. Një fond prej 240.000 fr. në muaj që u caktua nga Qeveria shqiptare në favor të popullatës sonë, përkrahje të shumanshme kanëbërë përmirësimin e gjendjes sonë të keqe.

Në mbështetje të kësaj situate të konstatuar, Misioni i UNRRA-s në Shqipëri pati aprovimin nga qendra e Uashingtonit për akordimin në favor të emigrantëve të 1.450.000 dollarëve si ndihmë imediate ndaj gjendjes sonë të vështirë.

Edhe në këto kondita emigrantët çamë vazhduan të kontribuojnë gjithnjë e më tepër për frontin. Në Konferencën e Shalësit (Konispol) mbajtur në fund të shtatorit 1944 zëri i çamëve në emigrim u ngrit i fortë për bashkëpunimin kundër okupatorit dhe padrejtësive të monarko-fashistëve grekë.

Më 23 shtator 1945, në Kongresin e Vlorës, delegatët çamë që përfaqësonin të gjitha grupet e emigrantëve çamë në Shqipëri u shprehën kundër masakrave të monarko-fashistëve grekë të kryera mbi ta dhe kërkuan, me anë memorandumesh drejtuar Konferencës së Londrës, shqyrtimin e problemit të tyre dhe dënimin e shkaktarëve të gjakderdhjes së kotë në Çamëri dhe të vuajtjeve të pakufi. Kongresi përfundoi në një rezolutë ku përmblidhen gjithë punimet e tij.

Gjatë emigracionit për shumë herë i jemi drejtuar botës për të drejtat tona të mohuara dhe kemi kërkuar riatdhesim.

Më 30 tetor 1944 Këshilli Antifashist Çam i drejtonte një notë proteste qeverisë së Bashkimit Kombëtar Grek, Shtabit të përgjithshëm të Mesdheut, Qeverisë Aleate, Komitetit Qendror të EAM-it ku flitet për barbarizmat e fashistëve grek në Çamëri.

Më 9 maj 1945 Këshilli Antifashist Çam iu dërgon Misioneve Ushtarake kopjen e telegramit drejtuar Kryetarit të Konferencës së San Franciskos mbi të drejtat e çamëve në bazë të Kartës së Atlantikut.

Më 27 qershor 1945, telegrame proteste kundër masakrave në Çamëri, drejtuar nga Këshilli Antifashist Çam Qeverisë Demokratike të Shqipërisë, Misioneve Aleate Ushtarake Sovjetike, Angleze, Amerikane, Franceze, Çekosllovake, Legatës Jugosllave, Shqiptarëve të Amerikës, Italisë dhe Bullgarisë.

Promemorie drejtuar z. Hutchinson, deputet Laburist i Britanisë së Madhe më 26.11.1945.

Telegrame drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të UNRRA-s nga Komiteti Antifashist Çam (25-9-1945), ku kërkohen ndihma.

Memorandum drejtuar Kryesisë së Konferencës së Ministrave të Jashtëm Aleatë në Londër nga delegatët e Kongresit Çam, shtator 1945.

Memorandum drejtuar Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në Londër prej Komitetit Antifashist Çam më 11 janar 1946, ku ri-lëvrohen masakrat dhe kërkohen të drejtat.

Memorandum drejtuar Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork nga Komiteti Antifashist Çam më 25 tetor 1946 etj.

Ne jemi viktima të regjimit monarkist që sot sundon në Greqi. Së bashku me popullin vëlla grek ne vuajmë konseguencat e terrorit të zi të shpërthyer prej tyre në gjithë Greqinë.

Për dy vjet e gjysmë ne po vërvitemi Shqipërisë, në mizerje, larg Atdheut, ndërsa vendet tona të pasura shfrytëzohen pa të drejtë nga agjentët e monarko-fashistëve në Çamëri.

Vuajtjet tona gjatë emigracionit kanë qenë dhe janë të pa kufi. Me mijëra kanë vdekur nga kjo situatë e krijuar.

Me gjithë protestat e bëra dhe të drejtat që na përkasin, ne vazhdojmë të qëndrojmë në emigracion, ndërsa Qeveria Greke merr masa dhe vendos në Çamërinë tonë pa asnjë të drejtë banorë të huaj për të penguar kthimin tonë.

Në emër të popullatës sonë ne protestojmë edhe një herë për të gjitha këto dhe parashtrojmë para Komisionit hetimor të Këshillit të Sigurimit të UNO-së tragjedinë e luajtur në Çamëri dhe heqim vërejtjen për një akt barbar të kryer me qëllim çfarosjeje të popullatës çame.

Ne theksojmë nevojën e përfundimit të shpejtë të problemit Çam dhe kemi bindjen se do të gjejnë zgjidhje kërkesat tona që janë:

1. Marrjen e masave imediate për pengimin e vendosjes së elementëve të huaj në vatrat tona.

2. Riatdhesimin e të gjithë çamëve.

3. Kthimin e pasurisë dhe shpërblimin e dëmeve tona shkaktuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme.

4. Ndihmë për rindërtimin e vatrave dhe vendosjen tonë.

5. Sigurimin dhe garancinë që rrjedhin prej traktateve dhe mandateve ndërkombëtare, si sigurimin e të drejtave civile, politike, kulturore dhe sigurimin personal.

6. Gjykimin dhe dënimin e gjithë përgjegjësve të krimeve të kryera.

Duke ju shprehur konsideratat tona më të shquara:

Komiteti antifashist i emigrantëve çamë

Taho Sejko, Kasëm Demi, Rexhep Çami

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat