Historia e Kishës së "Shën Ndout" në Gllogjan të Pejës

Historia

Historia e Kishës së "Shën Ndout" në Gllogjan të Pejës

Nga: Lekë Mrijaj Më: 23 korrik 2019 Në ora: 15:10
Lekë Mrijaj

Kisha e "Shën Ndout" në Gllogjan të Lugut të Baranit-Pejës, është një famulli e cila përbëhet prej tri fshatrave: Gllogjan, Nepole dhe Llugaxhi, e cila vërtetë si famulli në vete ka një histori shekullore të sojit të dishepujve martirë.

Mbështetur në të thëna të përcjellura ndër breza thuhet se Gllogjani i Lugut të Baranit dhe disa pjesë të famullive të sotme të Dukagjinit (apo dekanatit të sotëm të Pejës), përfshirë edhe Zllakuqanin, në fillim ishin filiale të famullisë së Pejës, dhe se kohë pas kohë në famullinë e sotme të Gllogjanit të "Shna Nout", kanë shërbyer meshtarët, duke filluar prej At' Luigj Palaj, e më radhë deri sa françeskanët ia dorëzojnë (sipas marrveshjeve të tyre) ipeshkëvit këtë famulli.

Kisha e "Shën Ndout", filloi së ndërtuari në vitin 1917, fal sakrificës martirizuese, në shenjë nderimi për At' Luigj Palajn, të të cilin katër vite më parë apo në vitin 1913, për shkak të aktivitetit të tij fetar e kombëtar dhe të refuzimit për t'u konvertuar në besimin ortodoks, ushtria malazeze, së pari ndaj tij bënë torturë të paparë e masakër duke ia këptur të dy gishtat e dorës së djathtë në mënyrë që të konvertohet (populli i tij) në besimin sllavo-ortodokse dhe të kryqëzohen në stlin e tyre tregishtërinjësh. At' Luigji e kundërshton këtë veprim të kriminelit satanik, Savë Batarës, pra vetë frati u jep forcë shqiptarëve të mos e pranojnë një gjë të tillë(në mos konvertim), duke u shkri në plotni nën moton e "Lajmit të Mirë e Kombit'- Për Fe e Atme" , duke jetuar modelin e imzot Pjetër Bogdanit: "Fati i popullit tim është fati im".

Mirëpo siç thuhet nën presionin e Austro-Hungarisë, Mali i Zi, për shkak se kishte vrarë në mënyrë mizore At' Luigj Palaj, në Janosh të Gjakovës, u detyrua që brenda viteve 1917-1918, si kompenzim të ndërtojë tri Kisha në Dukagjin: Gllogjan të Lugut të Baranit, në dy fshatra të Gjakovës, Novo Sellë dhe Bec, të Gjakovës, bile bile supozohet, mbështetur në të thëna gojore se në saje të marrveshjes së Austro Hungarisë e Malit të zi si ndëshkim është ndërtuar edhe Kisha e Zllakuqanit, në Lugut të Drinit-Klinës. Dhe që në ato momente me presionin e nderkombëtarve, Austro-Hungarisë e Vatikanit, u lejua lirshëm besimi katolik në këto famulli dhe se u ndal krimi e presioni fizik e psiqik ndaj shqiptarëve të dyja komunitetëve katolikë e muslimanë.

Kisha e Shën Ndout në Gllogjan, filloi së ndërtuari tash e 102-vjet më parë apo në vitin 1917, atëherë kur ipeshkëv ishte imzot Lazër Mjeda.

Më 10 nëntor të vitit 2002, gjatë kremtimit të Meshës në Katedralen e Shkodrës, Prefekti i asaj kohe i Kongregatës së Vatikanit për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Sepe, mori verdikt dhe shpalli fillimin e procesit të kanonizimit për lumturimin e 40 martirëve të Kishës shqiptare, në nivelin e Kishës Shqiptare, shumica e të cilëve, 38-të, u martirizuan gjatë kohës së diktaturës komuniste njëkohësisht në këtë ombrellë lumturimi është tashmë edhe I Lumi, At' Luigj Palaj.

I Lumi, At' Luigj Palaj, u lind me 21 shkurt 1878 në Janjevë, në kryeipeshkvinë Shkup‐Prizren. Pas shkollës fillore në vendin e lindjes, u transferua në Kuvendin e Troshanit (Lezhë). Vazhdoi studimet filozofike në Itali gjatë viteve 1896‐ 1901. U shugurua meshtar më 21 shtator 1901. Pas shugurimit shërbeu në Kosovë, në famullinë e Pejës dhe të Gllogjanit, si edhe në shenjtëroren e Shën Ndout në Gjakovë. Pas shugurimit u ndal në Romë edhe për dy vite të tjera për studimi pasuniversitare. Gjatë viteve 1905-1907, ishte famullitar në kryeipeshkvinë e Shkodrës. Gjatë viteve 1907‐ 1912 u emërua rektor i shenjtërores së shën Antonit të Gjakovës (Kosovë). U martirizua në fshatin Janosh afër Gjakovës më 7 mars 1913.

Kisha e "Shën Ndout", është ndërtuar nga popullata e kësaj treve (në bazë të dhënave të nënës sime tashmë të ndjerë, Sofije Krasniqi-Mrijaj, janë përfshirë në ndërtim: Zef Smajl Krasniqi, Azem Rrustë Krasniqit, familja e Halil Brahimit- Krasniqit, Demush Shaban Krasniqi, Syl Mirash Krasniqi si dhe e mbarë Nepolja, Gllogjani, Llugagjija etj.), me gurët e bregu të lumit "Lumbardhi" afër Nepoljes.

Është me rëndësi të theksohet se Kisha në fjalë, fillimisht nuk i ngjante objektit Kishtar, thjesht më shumë ngjante një shtëpi banimi dykatëshe. Kati i parë apo përdhesë ka shërbyer si Kishë në shërbim të eukaristisë e kryerje të ritualëve të përgjithshme kishtare, ndërsa kati i dytë për përbanim të meshtarit, ku në atë kohë, i pari siç theksuam ka shërbyer: Pater Luigj Palaj, Pater Filip Paliq (dy herash), Pater Marjan Prela (1921), Dom Ded Ramaj , Dom Ciril Bajuk (1947-1970).

Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, kjo Kishë ka shërbyer si shkollë për nxënësit e kësaj ane pa dallim.

Me emërimin e don Anton Kçirës në (me 10 nëntor 1970 deri 10 shtator 1989) si famullitar në Gllogjan, Kisha në fjalë rrënjësisht ndërtohet, pikërisht merr një pamje krejt tjetër të një Kishe të themi tamam Apostolike, duke u vendosur edhe kumbonarja dhe pjesët tjera përcjellëse (i referohem të thënave të nënës sime të ndjerë: Sofije Krasniqi-Mrijaj).

Bëhët bekimi i saj në vitin 1973, njëkohësisht përnjiherë me Kishën shugurohen edhe gjakonët: Don Lush Gjergji, Don Nue Gjergji, Don Aleksandër Kola.

Vlenë të potencohet se prej të gjithëve që kanë shërbyer këtu, pos At' Luigj Palaj, i cili është "Lauruar I Lumë", në këtë famulli, edhe dom Anton Kçira, ka mbetur histori në vetë "... Pjetër Shkëmb", i cili në plotni si Bari i mirë e ka përtrirë Kishën, qoftë në pikpamje materiale e objekte tjera përcjellëse e në atë shpirtërore me priftërinj të ri si: Don Marjan Uka-Sheqeri, Don Nik Ukgjini, Don Kolë Thaqi, Don Jeton Thaqi. Ndërsa thirrjen për motra të nderit të "Shën Vinkut" e "Françeskane" e kanë pranuar këto motra të nderit: Motra Pashke-Diana Krasniqi, Motra Flore-Daniella Krasniqi, motra të Kongregatës franqeskane, Motra Mire Kabashi, Motra Vere Thaqi, Motra Gjyste Desku, Motra File Berisha, Motra Zoje-Prene Kabashi, Motra Lize Ceni (është rrit në Gllogjan), Motra Marije Berisha, Motra Drite Thaqi, Motra Lule Mirdita, Motra Leonita Thaqi, të gjitha të Gllogjanit, Motra Zoje Krasniqi, Motra Drite Krasniqi, Marte (Sadri) Krasniqi, Motra Marte (Gjon) Krasniqi, të gjitha këto nga Nepolja, Motra Bese Dedaj nga Zhabeli, të gjitha në Kongregaten e Bijave Dashurisë së Krishterë apo motrat Vinçenciane.

Nga koha e don Antonit, Gllaviçica është pavarësuar dhe është bërë famulli në vete si dhe filiala e Potërqit është bërë filialë në kuadër të famullisë së Gllaviçicës, që do të thotë se Kisha e Gllogjanit, lulëzonte në të gjitha sferat qoftë kombëtare, humane si dhe në katekizmin e fëmijëve e në segmentet tjera kulturore e sportive. Ky famullitar, gjatë misionit të tij në Gllogjan me përkushtim e ndoqi rrugën e etërve shqiptarë të atdhetarizmit, si: Buzuku, Bogdani, Budi, Matrenga, Fishta, Gjeçovi etj.

Bile bile unë gjatë një analize studimore (para dhjetë vjetësh) për kontributin e dhënë për "Fe e Atme" don Anton Kçirën e quajta: "Don Anton Kçira, At Gjergj Fishta i dytë i Kishës Apostolike e Shqiptarizmit" , për të cilin për vlerat e tija gjithëpërfshirëse kishin folur dhe shkruar shumë burrshtetas, intelektual, studiues me renome, prelat e klerik shqiptar e botëror. Në vitin 1989, don Antoni për shkak të kërcënimëve të tij me burgosje e likuidimi nga sigurimi sekret serbo jugosllav, pas afro 19-vjetësh misioni në Gllogjan, pa dashjen e tij në mënyrë fshehtë në shpejtësi, për ti shpëtuar së keqës, largohet për në Amerikë, duke e lënë për një muaj pasardhësin e tij shpirtëror, don Dodë Gjergji (tashmë Ipeshkëv i Ipeshkvisë së Dioçezës Prizren-Prishtinë).

Menjëherë pas dom Dodë Gjergjit, si famullitar, me dekret të imzot Nikë Prelës (Ipeshkëv Shkup-Prizren) si famullitar i Kishës së "Shën Ndout" emërohët, don Kelmend Spaqi, i cili veç sukseseve të tjera të shërbimit të tij si famullitar, ka ndërtuar e hapur ambulanca në Gllogjan e Nepole, si dhe ka ndërtuar shtëpinë e motrave të nderit në anën tjetër. Duke qenë gjithmonë edhe në kohë lufte edhe në krizë karshi grigjës së tij e vëllezërve mbarëshqiptar.

Gjatë kohës sa ishte don Kelmendi, famullitar, kishte arritur të shtonte edhe një filialë të re në Papiq të Deçanit, ku nga atëherë thuhet meshë në atë Kishë, dhe se nga viti 2002, edhe Bardhaniqi i bashkohet famullisë së Gllogjanit.Gjatë kohës së luftës siç shkruan edhe Sky-News, në Kishën e Gllogjanit ishin strehuar me dhjetëra mijëra vetë nga e mbarë Kosova të ndjekur nga regjimi i egër totalitar serbo-jugosllav. Don Klement Spaqi, kishte dalë para para tytave të automatikëve serb që i kishin drejtuar atij, e ai me plotë qëndresë e heroizëm, prerasi i'u tha policëve të armatosur:“Para me vritni mua, motrat e nderit pastaj ndonjërin nga shqiptarët që kam mbrapa”. Gjatë luftës ishte edhe një akt tjetër kombëtar e njerëzor i don Kelmendit i cili në kohë të agjërimit të ramazanit tha: "Nga sot këto kumona kanë më rrehë në mëngjes e në mbramje për me lajmërue vëllaznit tanë, ata që dojnë me agjërue".

Pas don Kelmend Spaqit, në vitin 2015 deri në vitin 2019, timonin e famullitarit të ri të Kishës së "Shën Ndout", e merr don Fran Kolaj, i cili duke e parë se Kisha në fjalë është në gjendje jo të mirë, merr përsipër të e menaxhoj një projekt në rrënim të Kishës së vjetër e në vënd të saj ndërtimin e Kishe së re të "Shën Ndout", me të gjitha objektet e saja përcjellëse. Ndërtimi në fjalë është bërë nê mbështetje të komuniteteve shqiptare (pa dallim), e cila do të shugurohët, me 27 korrik 2019, (ditën e shtune), nga Shkelqësija e Tij, imzot Dodë Gjergji, në bashkmeshim me don Pal Tunaj, (famullitar i tashëm i Kishës së " Shën Ndout" në Gllogjan), ipeshkvinjë e priftërinjë të tjerë të Kishave Apostolike në Trojët Shqiptare, Mergatë etj., ku pas shugurimit do të shtrohet një darkë madheshtore për të gjithë pjesmarrësit të këtij eventi madhor, ku pritët të marrin pjesë edhe shumë personalitete të kategorive të ndryshme, politike, fetare, kombëtare e kulturore. Mbështetur në burime të afërta në ndërtim të Kishës moderne të "Shën Ndout" në Gllogjan dhe rregullim të infrastrukturës së saj kanë kontribuar shumë e shumë vullnetmirë shqiptar (pa dallim feje), nga mbarë, famullija, vendi, rajoni, Kosova, Shqipëria (zona e mirditës me një shumë kapitale) e Mërgata Shqiptare, emra kontributdhënës, që do të do të shpallen pas shugurimit të Kishës nga famullitari i Gllogjanit, don Pal Tunaj.

Kësaj radhe falenderimi ecën për Zotin, si dhe për kontributin e dhënë të ish/famullitarit të kësaj Kishe, don Fran Kolaj, pa i perjashtuar në asnjëmënyrë edhe sponzorizuesit të cilët pa ta nuk do të ishte e munduar ndërtimi i Kishës së "Shën Ndout" në Gllogjan.

E gëzofshim Kishën e "Shën Ndout" me rritje të reja: Pagëzim, Kungim, Krezmim, Kunorëzim, vepra të mira e shugurime të tjera gjithëpërfshirëse e meshtarake në përhapje të "Lajmit të Gëzueshëm të të katër Ungjilltarëve" Zoti i bekoftë të gjithë ata që besojnë në Të! Gëzuar…!!!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat