Sevasti Qiriazi- Dako

Historia

Sevasti Qiriazi- Dako

Më: 27 korrik 2019 Në ora: 17:22
Sevasti Qiriazi- Dako

Në radhët e atyre familjeve shqiptare që janë shquar për shërbimet e larta ndaj atdheut, renditet nderueshëm familja e Qiriazëve, zulma e veprimtarisë patriotike të së cilës do të jehojë gjithnjë e më shumë në kalim të kohëve dhe do të ndikojë gjithnjë e më tepër në formim të breznive të ardhshme. Gjerasimi, Gjergji, Sevastia, Parashqevia. Cilin të kujtosh më parë dhe cilin të vlerësosh më tepër? Të gjithë ua lanë borxh emrin e tyre kujtesës kombëtare. Një borxh ende i papaguar.Qiriazët e kanë origjinën nga fshati Peras i Kolonjës. Stërgjyshi i Qiriazëve, Mëhilli, qe vrarë duke luftuar me turqit, në fillim të shek. XIX. Mbas kësaj drame, familja emigroi në Tërnovë, një fshat afër Manastirit. Gjyshi i tyre, Qiriazi, qe 11 vjeç, kur u larguan nga fshati i lindjes.
Lindën dhe u rritën në një mjedis familjar thjesht shqiptar; një djep vertetë i denjë për të përkundur bij e bija të përkushtuar ndaj idealeve më fisnike njerëzore e kombëtare. Në kujtimet e saj, Sevastia ka shkruar më vonë: “Babai na tregonte histori të mahnitshme rreth stërgjyshërve tanë, apo heronjve shqiptarë…Ndjenjat patriotike të tim eti na ushqyen me frymën e tij, e cila me kalimin e viteve u rrit e na bëri të gjithë ne fëmijët patriotë të mirë, që u përpoqëm me mish e me shpirt për çështjen e Shqipërisë”.
Prindërit, Dhimitri e Maria-edhe kjo një vajzë kolonjare, e bija e Kristo Vodenës-patën 10 fëmijë. Dhimitri zuri punë në Manastir, ku mori edhe familjen. Aty u lind Sevastia, në vitin 1871. Që në moshën 4-vjeçare, atë e dërguan në shkollën greke, prej nga, pak më vonë, kaloi në shkollën e Misionit Amerikan. Gjerasimi, vëllai më i madh, i mësoi asaj të shkruajë e të lexojë në gjuhën shqipe. Ai, gjithashtu, ndikoi shumë në edukimin e saj patriotik. Shtëpia e Qiriazëve, ndërkaq, qe shndërruar në një vatër të rëndësishme kombëtare, që priste e përcillte patriotët e shquar të Rilindjes si Kostantin Kristoforidhin, Koto Hoxhin, Pandeli Sotirin, Petro Nini Luarasin, Orhan Pojanin, Nuçi Naçin, etj.
E zgjuar nga natyra, me një botë shpirtërore të pasur, e ndezur që në fëmijëri me zjarrin e idealeve atdhetare, me një këmbëngulje e vullnet të paepur, Sevastia ndjeu që heret nxitjen e brendshme dhe nevojën e domosdoshme për dituri. Kështu, mbasi mbaroi shkollën e Misionit Amerikan, duke kapërcyer pengesa e vështirësi të patregueshme, ajo u rregjistrua në Kolegjin e Konstantinopolit, e para vajzë shqiptare që po merrte arsim të lartë. Mbasi kreu Kolegjin, diploma e saj u regjistrua në Byronë e Edukimit në Konstantinopol, gjë që i mundësoi asaj të merrte “iradën” d. m. th. lejen për të hapur një shkollë shqiptare për vajzat.
Për këtë qëllim, bashkë me Gjerasimin, shkuan në Korçë, ku kishte vetëm shkolla në gjuhën greke për fëmijët e krishterë dhe shkolla në gjuhët turke e arabe për fëmijët myslimanë. Me 23 tetor 1891, mbas një lufte të vendosur dhe përpjekjeve të pareshtura kundër Patrikanës së Stambollit dhe autoriteteve osmane, ata hapën Shkollën Shqipe të Vashave, të cilën Sevastia e drejtoi që nga dita e themelimit. Aty dhanë mësim mësueset shqiptare: Parashqevi Qiriazi, Fanka Efthimi, Polikseni Luarasi, Helidhona Falli, etj.
E mirëpritur dhe e dashur nga populli, shkolla u rrit shpejt dhe u shndërrua në një çerdhe të edukimit patriotik të vashave. Kur, në janar të vitit 1894, vdiq Gjerasimi, për të vazhduar punën e tij në shkollë erdhi nga Manastiri vëllai tjetër i Sevastisë, Gjergji. Në vitin 1904, mbas mbarimit të Kolegjit të Konstantinopolit, erdhi edhe motra më e vogël, Parashqevia, gjë që i krijoi mundësinë Sevastisë të shkonte në Amerikë për të plotësuar studimet e saj për një vit.
Mbasi vizitoi Bostonin, Sevastia shkoi në Chicago, ku ndoq leksionet në fakultetin e pedagogjisë në University of Chicago dhe Northern University. Njëkohësisht, ajo mbajti konferenca për t’ua bërë të njohur Shqipërinë miqve amerikanë.
Në vitin 1905, u kthye në Evropë. Gjatë udhëtimit, ajo u ndalua në Londër, Paris, Vjenë dhe në Bukuresht, ku u njoh me veprimtarin energjik të çështjes kombëtare, Kristo Dakon, që në atë kohë ishte sekretar i përgjithshëm i Shoqërisë patriotike “Drita” dhe një nga udhëheqësit kryesorë të studentëve shqiptarë të Universitetit të Bukureshtit. Me që ai ishte i specializuar në matematikë, Sevastia iu lut të përgatiste tekste mësimore për aritmetikën, gjeometrinë dhe algjebrën për Shkollën e Vashave, gjë që ai e bëri me dëshirë të madhe, dhe që qenë të parat tekste të këtyre disiplinave në gjuhën tonë. Kjo veprimtari e përbashkët, që vazhdoi nëpërmjet korrespondencës mbasi Sevastia u kthye në Korçë, dhe hullia e qëllimeve dhe idealeve të larta patriotike, i afruan ata me njeri-tjetrën dhe, në vitin 1910, duke e ndjerë veten të denjë për njëri-tjetrin dhe për t’i shërbyer së bashku atdheut, u martuan. Patën dy djem: Aleksandrin dhe Gjergjin, që vazhduan me devocion e dinjitet jetën dhe bëmat e prindërve.
Mbas luftave ballkanike, e kërcënuar herë mbas here për konfiskimin e librave, djegien e shkollës dhe internimin nga qeveria turke dhe e ndjekur nga veprimtaria kriminale e Patrikanës, Sevastia u tërhoq përkohësisht në Manastir. Ajo e rihapi shkollën në dy vitet e para të Pavarësisë, 1912- 1914; por për arsye të përndjekjeve të andartëve grekë, Qiriazët u larguan në Rumani dhe me fillimin e Luftës së Parë Botërore, shkuan në Amerikë, në Natick, Massachusetts. Të dy motrat filluan menjëherë nga puna për t’i mësuar shqiptarëve të rritur gjuhën amtare. Shkolla në Natick, e para shkollë në gjuhën tonë në Amerikë, qe hapur që në vitin 1908 nga Kristo Dako.
Ndërkaq, ndërsa Parashqevia boton revistën dyjavore “The Morning Star”, çifti Dako-Qiriazi themelojnë Partinë Kombëtare Shqiptare, me qendër në Worcester, kryetare e së cilës qe Sevastia. Qëllimi i kësaj partie politike qe mbrojtja e të drejtave të Shqipërisë në forumet ndërkombëtare. Kësaj propagande, ndër të tjera, i shërbeu edhe “Memorandumi mbi të drejtat, shpresat dhe aspiratat e shqiptarëve”, që e shkroi Sevastia dhe ua dërgoi Fuqive të Mëdha, me 12 tetor 1918, në prag të Konferencës së Paqes së Parisit. Në vitin 1922, Sevastia u kthye në Tiranë dhe së bashku me Parashqevinë, që kishte shkuar atje nga Parisi, mbas përfundimit të Konferencës së Paqes, ku kishte qenë delegate e shqiptarëve të Amerikës, rihapën Shkollën e Vashave, tashmë si Instituti Kyrias-një institut me karakter thellësisht kombëtar dhe me vlera të pakrahasueshme arsimore e edukative, ku mësonin vajzat shqiptare pa dallime krahine dhe besimi.
Me vendimin e qeverisë shqiptare për mbylljen e shkollave private e fetare, në vitin 1933, mbas 42 vjet shërbimi, u mbyll edhe Instituti Kyrias.
Me rënien e Shqipërisë në duart e komunistëve, si për gjithë popullin tonë dhe sidomos për familjet e nacionalistëve, filluan vitet e vështira të përndjekjeve, bastisjeve, burgosjeve, torturave, vrasjeve, pushkatimeve, varjeve, etj. Nuk mund të përshkruhen peripecitë dhe dhimbjet fizike e shpirtërore, që kaloi Sevastia dhe familja e saj në vitet e fundit të jetës së saj.
Ajo vdiq në vitin 1949, mbasi e patën nxjerrë nga shtëpia dhe pati përjetuar dhunimin e kufomës së të shoqit, patriotit të madh, Kristo Dakos, burgosjen e djemve të saj, inxhinierit të aftë, Aleksandrit dhe kirurgut të njohur, Gjergjit, i cili, duke mos mundur të durojë torturat e hetuesisë, vari veten në qelinë e burgut. Ajo vdiq e ngushtuar në shpirt që nuk ia dhanë kufomën e tij ta varroste me duart e veta dhe zemërplasur, duke parë gremisjen e atdheut të saj të dashur, për të cilin pati punuar gjithë jetën.
Arkivolin e saj, të vendosur mbi një karrocë, e përcollën vetëm njerëzit e familjes: dy nuset e djemve, mesa e vogël dhe guzhinierja e Institutit Kyrias.
Për oportunitet dhe hipokrizi politike të pushtetarëve, më vonë asaj i qe dhanë titulli “Mësuese e Popullit”. Siç duket, “ u përmendën” ata mjeranët e kuq në pushtet që ajo kishte qenë gjithë jetën dhe do të ishte përjetësisht mësuese e breznive shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat