Çfarë ka ndodhur më 27 gusht?

Historia

Çfarë ka ndodhur më 27 gusht?

Më: 27 gusht 2019 Në ora: 06:27
George Wilhelm Friedrich Hegel

1770 – Lindi George Wilhelm Friedrich Hegel, filozof gjerman.
“Bufi i Minervës i hap krahët vetëm kur bie muzgu”
Pikëpamja poetike e Hegelit thotë se filozofët nuk kanë fuqi. Vetëm pas përfundimin të një epoke mund të kuptojnë se çfarë ka ndodhur. Por atëherë do të jetë e vështirë që gjërat të ndryshojnë. Vetëm në epokën e Emanuel Kant (1724-1804) u kuptua natyra e Iluminimit dhe Kanti s’bëri asgjë për të ndryshuar iluminizmin, por e përjetoi me ndërgjegje. Marx (1818-1883)ka thënë se “filozofët e interpretojnë botën në mënyra të ndryshme, e rëndësishme është ta ndryshojnë”.

1900- Në Havanë të Kubës, mjeku i Ushtrisë Amerikane, James Carroll, lejoi një mushkonjë të infektuar të ushqehej me gjakun e tij, në përpjekje për të izoluar bartësin e transmetimit të etheve të verdha. Carroll u sëmur rëndë nga ethet e verdha, duke ndihmuar kështu kolegun e tij, patologun e ushtrisë Walter Reed, të provojë se janë mushkonjat ato që transmetojnë sëmundjen shpesh herë vdekjeprurëse të etheve të verdha. Para këtij zbulimi, epidemitë e etheve të verdha ishin diçka e zakonshme në Jugun Amerikan dhe rajone të tjera tropikale dhe subtropikale në gjithë botën. Teoria e transmetimit të sëmundjes nga mushkonjat, e zhvilluar nga Walter Reed dhe anëtarët e grupit të tij, James Carroll, mjeku kuban, C.J. Finlay dhe Sekretari amerikan i Shëndetësisë, W.C. Gorgas, u hapën rrugën përpjekjeve të para për zhdukjen e mushkonjave dhe masave higjeno-sanitare, për të kontrolluar sëmundjen në Kubë. Gjysmë shekulli më vonë, më 1951 mikrobiologu amerikan, Max Theiler, u nderua me Çmimin Nobel për Mjekësinë, për studimet e tij mbi ethet e verdha dhe më së fundi për zhvillimin e një vaksine kundër kësaj sëmundjeje tek njerëzit.

1908 – Lindi Lyndon B. Johnson, politikan amerikan. Ai ishte president i 36 SHBA-ve. Gjatë presidencës, Johnson dha një dorë në krijimin e Medicare për të moshuarit dhe Medicaid për të varfrit. Lufta kundër varfërisë solli dhjetëra programe të rinj. Pavarësisht gjithë arritjeve në fushën sociale, trashëgimia e Johnson është e lidhur me qorrsokakun e Vietnamit, i cili nxiti më pas lëvizjen anti-luftë. Lyndon Baines Johnson lindi më 27 gusht 1908 në Stonewall, Teksas. Ai vdiq më 22 janar 1973 në San Antonio. Johnson ishte i Presidenti i 36-ë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

1912- Në Shtetet e Bashkuara u botua romani me aventura, Tarzani i Majmunëve, i autorit Edgar Rice Burroughs. Siç shkruante autori amerikan, Tarzani ishte djali i një lordi anglez, i cili vdiq gjatë një ekspedite gjuetie në Afrikë dhe djali u rrit nga majmunët.

Libri mbi Tarzanin u bë një nga librat më të shitur dhe u pasua nga libra të tjerë rreth njeriut të xhunglës, që u quajt mbreti i majmunëve. Mbi 25 milionë kopje të librit mbi Tarzanin, të përkthyer në më shumë se 50 gjuhë, u shitën në gjithë botën. Lidhur me aventurat e Tarzanit janë shkruar libra komikë, janë ndërtuar programe radio-televizive dhe janë xhiruar një varg filmash. Ish-kampioni olimpik në not, Johnny Weissmuller, u bë i famshëm për interpretimin e rolit të Tarzanit në disa filma të xhiruar ndërmjet viteve 1932 dhe 1948. Johnny Weissmuller vdiq në vitin 1984. Tarzani vazhdon të jetë akoma një personazh popullor i filmave kinematografikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat