Dëshmia e Xhavit Matjanit: Ju tregoj pushkatimin e 67 ballistëve afër shtëpisë sonë në Matjan, nga partizanja 19 vjeçare Emine B, e Brigadës së Mehmet Shehut, që i griu me mitroloz…..(fotot e rralla)

Historia

Dëshmia e Xhavit Matjanit: Ju tregoj pushkatimin e 67 ballistëve afër shtëpisë sonë në Matjan, nga partizanja 19 vjeçare Emine B, e Brigadës së Mehmet Shehut, që i griu me mitroloz…..(fotot e rralla)

Nga: Dashnor Kaloçi Më: 11 tetor 2019 Në ora: 09:56

Memorie.al sjell kujtimet e të birit të Hamit Matjanit, Xhavitit, lidhur me ngjarjen e shumë përfolur të vitit 1943 ku Brigada e Parë partizane e Mehmet Shehut kapi rob dhe ekzekutoi 67 fshatarë që ishin mobilizuar me forcat nacionaliste të Ballit Kombëtar dhe ekzekutimin e tyre e bëri partizania 19 vjeçare, Emine, B, të cilës pas luftës i dhanë titullin e lartë, “Heroinë e Popullit”…?!

Ngjarja e shumëpwrfolur e ekzekutimit 67 fshatarëve myzeqarë në 17 tetorin e largët të 1943-it, e cila prej vitësh një debat të ashpër ndërmjet dy forcave kryesore të politikës shqiptare, si dhe mbeshtetësve të tyre, vjen për Memorie.al, e dëshmuar nga një prej të paktëve dëshmitarë okularë, Xhavit Matjanit, dëshmi të cilat ai na i ka dhënë, pak vite më parë. kur dhe ka ndërruar jetë. Xhaviti ishte djali i vetëm i Hamit Matjanit, eksponentit të njohur të rezistencës antikomuniste në Shqipëri, i cili u ekzekutua më varje në litar, në vitin 1954 në mes të qytetit të Lushnjes, pasi kishte hyrë disa herë ilegalisht në Shqipëri. Xhaviti, së bashku me nënën dhe të motrën e tij, e kaluan gjithë jetën nëpër internime dhe vetëm pas vitit 1991, u kthyen në Tiranë, ku ai jetoi disa vjet dhe më pas u shpërngul për në SHBA, ku u stabilizua nga qeveria amerikane, per meritat dhe shërbimin që kishte bërë babai i tij, Hamiti, në rezistencën antikomuniste. Xhaviti ka qenë vetëm dhjetë vjeç kur ka ndodhur pushkatimi i 67 robërve ballistë, por ai e kujtonte shumë mirë atë ngjarje mbi të cilën bën fjalë ky shkrim. Krahas rrëfimit të Xhavit Matjanit, në këtë shkrim vjen dhe rrëfimi i një ish-kuadri partizan të Brigadës së Parë të Mehmet Shehut, i cili preferoi të mbetej anonim.

Masakra ndodhi pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes

Kishte kaluar më shumë se një muaj e gjysëm qëkurse, Enver Hoxha, kreu i Partisë Komuniste dhe njëherazi Komandanti i Përgjithshëm të Ushtrisë Partizane, kishte prishur marrëveshjen që u lidh në Mukje të Krujës, mes emisarëve të tij dhe krerëve më të lartë të organizatës së “Ballit Kombëtar”, e cila sanksiononte që këto dy forca politiko-ushtarake të angazhoheshin për aksione të përbashkëta, kundër ushtrisë pushtuese italiane dhe më vonë asaj gjermane. Kjo gjë e kishte acaruar së tepërmi situatën konfliktuale ndërmjet tyre, duke e çuar deri në përpjekje të armatosura, sidomos në zonat ku vepronin formacionet e brigadave partizane, të cilat porsa ishin krijuar. Në këtë kontekst të zhvillimit të ngjarjeve, diku aty nga gjysma e dytë e muajit tetor të vitit 1943, në rrethinat e Lushnjes në fshatin Çermë, pas një përpjekjeje me armë ndërmjet një pjese të forcave partizane të Brigadës së Parë që komandohej nga Mehmet Shehu dhe forcave nacinaliste të “Ballit Kombëtar” që komandoheshin nga Isa Manastiriliu, pati ndodhur ajo që tashmë njihet si një ndër njollat më të errëta të historisë së luftës partizane që udhëhiqej nga Enver Hoxha, ku brënda pak minutash pjestarët e kësaj brigade, ekzekutuan me breshëri mitrolozi. plot 67 ballistë.

Si ndodhi përplasja ndërmjet partizanëve dhe ballistëve?

Brigada e Parë Partizane e udhëhequr nga Mehmet Shehu që nuk kishte veçse dy muaj e krijuar në Vidhkuq të Korçës, me partizanë të zgjedhur nga batalionet kryesore, që asokohe vepronin në Shqipërinë e Mesme dhe në atë Jugore, (ku në inagurimin e saj përveç Enver Hoxhës do të merrnin pjesë antarët e misioneve aletae anglo-amerikane), kishte disa ditë që kishte përqëndruar aktivitetin e saj luftarak në trekëndëshin e zonës Mallakastër-Lushnje-Durrës. Në ato ditë në qytetin e Lushnjes ishte mbajtur një mbledhje shumë e rëndësishme e forcave nacionaliste të “Ballit Kombëtar” ku morrën pjesë disa nga komandantët kryesorë të saj të ardhur nga Tirana.

Kjo mbledhje u caktua që të mbahej në Lushnje, për arsye se aty “Balli Kombëtar”, kishte një nga bazat më të forta të influencës së saj. Aty vepronte çeta e Isa Manastiriliut (me origjinë kosovare), dhe përveç tij aty kishte një autoritet absolut, edhe Hamit Matjani, që në atë periudhë vazhdonte të ishte me forcat qeveritare, si komandant xhandarmërie për disa rrethe të Shqipërisë së Mesme. Lidhur me përpjekjen e armatosur që u zhvillua ndërmjet forcave të Isa Manastiriliut, dhe atyre të Mehmet Shehut, ka dy versione, se si ka ndodhur ajo.

Në historiografinë komuniste, është thënë se ishin forcat partizane të Mehmet Shehut, ato që hartuan planin e sulmit, pasi kishin marrë më parë të dhënat e sakta mbi vëndndodhjen e forcave balliste të Manastiriliut. Ajo gjë ndihmoi që ata të kryenin goditjen, duke i mbyllur ato në një darë të rreptë rrethimi, gjë e cila i vuri ballistët përpara një dorëzimi të detyruar. Versioni tjetër i mbrojtur nga ana e mbështetësve të “Ballit Kombëtar”, bën me dije se ishin forcat e Isa Manastiriliut, ato që zunë pritën në vëndin ku do të kalonte Brigada e Parë e Shehut, pasi Manastiriliu kishte marrë urdhër për këtë nga Komanda e Ballit.

Image

Thuhet se Isa Manstiriliu u lajmërua nga Rreth-Komanda e Lushnjes, në pasditën e 23 Tetorit 1943, mbi lëvizjet e një pjese të partizanëve të Mehmet Shehut, në drejtim të fshatrave Golem e Çermë, ku dhe organizoi pritën. Sipas të gjitha informatave që kishte Manastiriliu, forcat partizane kaluan në atë zonë ku ai ishte përqëndruar dhe priste ardhjen e tyre. Thuhet se përpjekja e armatosur është zhvilluar për disa orë dhe aty forcat partizane të Shehut, duke qënë më të shumtë në numër dhe shumë më të përgatitur nga ana ushtarake, kanë filluar me shpejtësi asgjësimin e të gjitha forcave të mbetura të Ballit në atë zonë. Duke parë situatën në të cilën ndodheshin forcat e Ballit Kombëtar, komandanti i tyre Isa Manastiriliu, urdhëroi tërheqjen e tyre në drejtim të Lushnjes, për t’u mbyllur në qytet, ku forcat partizane nuk mund të futeshin dot. Urdhëri i dhënë nga Manastiriliu për tërheqje ishte i pamundur për të shkuar tek të gjithë forcat e tij për shkak të terrenit, por edhe nga shpejtësia e forcave partizane, të cilat ia arritën të dominonin situatën. Jo më shumë se një orë pasi kishte filluar përpjekja e armatosur, u ndërprenë luftimet dhe në një pjesë e forcave të Manastiriliut, në pamundësi për t’u tërhequr më në brendësi të Lushnjes, u dorëzua pasi kishin mbetur të vrarë rreth 12 veta. Pas dorëzimit të forcave balliste, partizanët e Shehut bënë çarmatosjen e tyre dhe rezultoi se numri i të dorzuarve ishte 173 vetë. Shumica ishin të gjithë të rinj të moshës nën 30 vjeç, të cilët ishin fshatarë nga zona e Divjakës, Çermës, dhe Golemit.

Shehu: Ekzekutimi i ballistëve, në fshatin e Hamit Matjanit?!

Thuhet se pasi u bë çarmatosja e robërve ballistë, ata u shoqëruan nga disa partizanë të Brigadës së Parë. Vetë Mehmet Shehu, vendosi që brigada e tij së bashku me robërit ballistë, të largohej nga Golemi në drejtim të fshatit Matjan, ku ishte edhe shtëpia e njërit prej komandantëve më kryesorë të Ballit në këtë zonë, Hamit Matjanit, i cili ishte gjithashtu edhe një kundërshtar i vendosur i forcave komuniste. Sipas disa dëshmive, Hamit Matjani, atë ditë nuk ndodhej në Lushnje pasi, ishte në disa fshatra të Beratit.

Dëshmia e mosndodhjes së tij në Lushnje bëhet e ditur nga vetë i biri i tij, Xhavit Matjani, që në atë kohë ishte rreth 10 vjeç, një ndër ta paktët persona i cili ka parë me sy ekzekutimin e robërve ballistë. Lidhur me këtë, në vitin 1998, Xhavit Matjani na ka dëshmuar: “Lajmin mbi mbërritjen e partizanëve të Mehmet Shehut në fshatin tonë, bëri që i gjithë fshati të largohej me shpejtësi të madhe. Në fshat mbetën vetëm disa pleq dhe ne, nja gjashtë fëmijë, ndër të cilët unë isha më i madhi prej tyre. Afër mesit të natës, Brigada e Parë mbërriti në fshatin tonë Matjan dhe robërit ajo i futi në një ndërtesë në shtëpinë e Nure Matjanit, (kushëri i babait tonë, Hamitit) e cila shërbente si plevicë për të mbajtur bagëtinë, por që ishte me mure të trasha prej guri. Të nesërmen e asaj nate, më 24 tetor, porsa zbardhi dita, u bë seleksionimi i robërve dhe u mbajtën 67 vetë, të cilët u dërguan pranë varrezave të fshatit…”, kujtonte Xhavit Matjani atë ngjarje të largët, e cila këto ditë është bërë objekt debatesh të shumta në mes forcave kryesore politike dhe mbështetësve të tyre.

Dëshmia: “Partizania 19 vjeçare, ekzekutoi 67 robërit e luftës”

Lidhur me këtë ngjarje, kanë versionin e tyre edhe ish-partizanët e ushtrisë partizane të Enver Hoxhës, ku njëri prej tyre, ish-efektiv i Brigadës së Parë të Mehmet Shehut, i cili në vitet e komunizmit ka mbajtur funksione të larta drejtuese, e dëshmon kështu ngjarjen: “Pasi ishte bërë seleksionimi i robërve ballistë dhe afro 100 prej tyre u lanë të lirë të shkojnë, 67 prej tyre i rreshtuan afër një kodrine në varrezat e fshatit, duke iu thënë se nëse do të bashkoheshin me forcat partizane dhe do të luftonte përkrah tyre, do t’u falej jeta. Dhe në rast të kundërt do të pushkatoheshin.

Asnjë nga 67 robërit nuk pranoi të dilte nga rreshti dhe të nënshkruante deklaratën për kalimin në rradhët e forcave partizane. Njërit prej tyre, të cilin partizanët shpresonin ta thyenin, pasi ky kishte influencë të madhe tek të tjerët që e pyetën nëse donte të bëhej komunist, apo jo, pas shumë presioneve, ai iu përgjigj, “më mirë bëhem derr, sesa komunist”.

Kaq do të mjaftonte që forcat partizane komuniste të Brigadës së Parë të Mehmet Shehut, të merrnin urdhërin si duket nga komanda e tyre, për ekzekutimin e menjëhershëm të tyre pa gjyq. Komanda e Brigadës së Parë, vendosi që ekzekutimin e tyre do ta kryente me mitroloz një partizane 19 vjeçare, e quajtur, Emine B. Dhe kështu u bë. Të gjithë robërit ballistë, binin dy e nga dy, nën breshërinë e plumbave të mitralieres partizane. Mbasi mbaroi ekzekutimi, disa partizanë shkuan në shtëpitë e pleqve të fshatit, duke iu thënë se; kufomat t’i linin aty për 3-4 ditë dhe të mos i lëviznin.

Pas largimit të Brigadës së Mehmet Shehut në drejtim të Dumresë, pleqtë dhe banorët e tjerë të fshatit Matjan, shkuan me shpejtësi në drejtim të varrezave për të parë se ç kishte ndodhur. Pas çlirimit të Shqipërisë, duke u bazuar në atë ngjarje, ish-partizanes, E. B. iu akordua titulli i lartë, “Heroinë e Popullit” e cila ishte dhe mbeti e vetmja femër që gëzonte këtë titull të lartë”.

Haxhi Lleshi: “Enver Hoxha i dha Mehmetit një vërejtje të rëndë”.

Ngjarja e fshatit Matjan do të shënonte prologun e një lufte vëlla-vrasëse që kishte nisur në Shqipëri, ndërmjet partizanëve të Enver Hoxhës dhe forcave nacionaliste të Ballit Kombëtar. Dhe kjo gjë ndodhte vetëm pak kohë pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, ku fillimisht të dyja palët, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për një luftë të përbashkët. Në atë periudhë kjo ngjarje, bëri një bujë të madhe si te forcat e Ballit ashtu dhe te ato partizane. Që nga ajo kohë e në vazhdim ka mbetur mister, nëse ka pasur dijeni vetë Enver Hoxha mbi ekzekutimin e ballistëve dhe kjo gjë është bërë me lejen e tij, apo me iniciativën e vetë Mehmet Shehut, kur dihet se vetë Enver Hoxha, së bashku me Shtabin e Përgjithshëm, asokohe ndodhej jo shumë larg Lushnjes, në fshatrat e Elbasanit.

Versioni që Hoxha të ketë dhënë urdhër për Shehun, apo më saktë të ketë miratuar urdhërin e tij, mund të bëhet më i besueshëm po të kihet parasysh fakti, që vetëm pas disa javësh, një gjë e tillë u përsërit mbi robërit italianë në Dumre të Elbasanit, ku u pushkatuan mbi 110 vetë. Ngjarja e fshatit Matjan, gjatë periudhës së pushtetit komunist asnjëherë nuk u bë publike dhe nuk u shkrua kurrë as në historinë e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Vetëm pas eliminimit të Mehmet Shehut në vitin 1981, Enver Hoxha në veprën e tij “Titistët”, bëri publike faktin, se dikur në vitin 1943, në një fshat të Lushnjes, Mehmet Shehu kishte pushkatuar pa urdhër të Shtabit të Përgjithshëm ,67 ballistë, dhe sipas Hoxhës, ai e kishte kritikuar rëndë atë .

Lidhur me masakrën e Brigadës së Parë, në vitin 1994 ka dëshmuar (për autorin e shkrimit, intervistë në TV ARBERIA), edhe ish-Kryetari i Presidiumit të Kuvëndit Popullor, Haxhi Lleshi, i cili ndërmjet të tjera ka theksuar se “Unë Mehmet Shehun e kam njohur në vitin 1943, se ai erdhi vonë në luftë, pasi kishte qënë jashtë Shqipërisë, dhe se në krye të Brigadës së Parë, ai vu pasi ne mësuam se ishte një strateg i shkëlqyer ushtarak, që kishte marrë pjesë në Luftën e Spanjës. Aty nga fillimi i vitit 1944, unë si antar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Partizane, pata një takim me Mehmetin. Ne po diskutonim për mësymjen që ushtria jonë do të bënte në Veri të Shqipërisë, pasi të kalonte lumin Shkumbin, kur Mehmeti më tha: ‘Haxhi, kur të shkojmë në Dibër, të pushkatojmë të paktën 300 burra, se reaksioni atje është shumë i fortë’. Jo, i thashë unë në mënyrë të prerë, çfarë jemi ne terroristë? Dhe vazhdova, shiko këtu ti Mehmet, ki kujdes, se të njëjtën gjë ke bërë edhe me ata ballistët në Myzeqe. Ata nuk ishin të gjithë fajtorë, dhe për këtë arsye mund të pushkatoheshin vetëm 3-4 prej tyre që ishin më kryesorët, por jo të gjithë dhe ky është një gabim i madh. Edhe Enver Hoxha e kritikoi ashpër Mehmetin në lidhje me ekzekutimin e ballistëve. Nga ne të tjerët nuk e di që të kemi pasur raste ku kemi ndërmarrë ekzekutime masive si ai i Lushnjes, përveç disa rasteve të izoluara ku janë pushkatuar vetëm krerët kryesorë të Ballit. Po më kujtohet që edhe ndonjë komandant i lartë partizan, kishte mundësinë për të ndërmarrë hapa të tilla për të lejuar ekzekutime të këtij lloji. Por ekzekutime të tjera të kësaj natyre nuk di të ketë bërë ndonjë shok i joni”.

Pasojat e konfliktit të Ballit me komunistët, në fshatin Matjan

Sipas dëshmive edhe të Xhavit Matjanit, për afro gjysëm shekulli, fshati Matjan që në tetorin e largët të vitit 1943, përjetoi masakrën komuniste, do të mbante “njollën e fshatit reaksionar”, duke qënë i tillë për arsyen e vetme, se ai ishte fshati i Hamit Matjanit, një prej eksponentëve më në zë të lëvijez anti-komuniste në Shqipërinë e pas luftës, i ekzekutuar me varje në litar në mes të Lushnjes në vitin 1954, pasi kishte hyrë disa herë si diversant në Shqipëri. Dhe nisur nga ky fakt, vetëm dy-tre vitet e para pasi komunistët erdhën në fuqi, do të pushkatonin në familjen Matjani, Ibrahimin vëllain e Hamitit, Hasan dhe Hajdar Matjanin, nipat, Veli dhe Asllan Matjanin kushërinjtë e tij, si dhe do të burgosnin Fatime Matjanin, gruan e Hamitit.

Në të njëjtën mënyrë regjimi komunist i Enver Hoxhës, do të sillej edhe me disa familje të tjera të atij fshati, përkrahëse të Ballit Kombëtar, si Blliku dhe Kurti. Ndryshe nga Hamit Matjani i cili në atë kohë do të vazhdonte rezistencën e armatosur në mal kundër Forcave të Ndjekjes së Sigurimit të Shtetit (të cilët do ta arrestonin pas Operacionit Liqeni i Vajkalit në vitin 1953, dhe do ta dënonin me vdekje), kreu I Ballit Kombëtar të zonës së Lushnjes, Isa Manastiriliu, do të arratisej me ndihmën e anglo-amerikanëve në vitin 1944, për t’u vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Manastirilu, do të vdiste në vitin 1980, vetëm një vit para kundërshtarit të tij Mehmet Shehu.

Lista e 67 të pushkatuarave   

Ndoni Miti Sako

Fani Zoi Trungu

Gori Siku Todi

Jani Spiro Gjoka

Jorgji Xhovan Lala

Jorgji Xhovan Lala

Kozma Andon Zhuka

Koli Xhovan Tashi

Kristo Joti Shkoza

Nasi Spiro Zhuka

Loni Naun Bita

Llazi Llambi Prifti

Liti Nasi Shkoza

Mihal Tasi Bita

Nasi Simon sako

Nasi Lalzi Janko

Nasi Leksi Zaho

Perikli Kozma Prendi

Pali Teni Zaka

Ristan Gjergji Bani

Simo Nuni Gjini

Stefan Ndoni Prendi

Trifon leksi Gjata

Trifon Kozma Gjoni

Todi Spiro Gjergji

Vasil Koçi Përboti

Myslym Haxhi Bedalli

Ram Koçi

Bajram Jeshili

Medi Pirra

Bajram Pepa

Ruho Nako

Hysen Dupi

Arif Muço

Rakip Xhepa

Shaqir Sula

Elmaz Xhepa

 Çaush Xhepa

 Hysen Ismaili

Shyqyri Leka

 Arif Halili

Trifon Gjoni

 Shaban Sina

Asllan Vrapi

 Latif Karafili

 Murat Meshani

 Bajram Bilbili

 Ismail Koçiu

 Isuf Buzi

 Ramazan Kofsha

 Shefik Tota

 Gori Lala

 Ndin Ndoni

 Gaqo Ndoni

 Beqir Cani

 Sabri Bullari

 Tafil Lluzha

 Ibrahim Lluzha

 Haxhi Sina

 Shemsi Arapi

 Cen Arapi

 Haxhi Murrizi

 Kadri Murrizi

 Hysen Murrizi

 Ismail Murrizi

 Alush Kasemi

 Met Kasemi

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat