Dëshmia tronditëse: Çfarë i kërkoi Sigurimi i Shtetit vëllait tim dhe pse e hodhi atë nga kati i tetë i Hotel “Tirana” më 17 nëntor 1986

Historia

Dëshmia tronditëse: Çfarë i kërkoi Sigurimi i Shtetit vëllait tim dhe pse e hodhi atë nga kati i tetë i Hotel “Tirana” më 17 nëntor 1986

Më: 22 nëntor 2019 Në ora: 23:41
Hysen Bajrami me origjinë nga rrethinat e Gjakovës

Publikohet dëshmia e rrallë e Hysen Bajramit me origjinë nga rrethinat e Gjakovës dhe me banim në qytezën e Mamurrasit që nga viti 1954 kur ata u detyruan të vendoseshin aty për shkak të përndjekjeve të regjimit titist të Beogradit. Cilët ishin oficerët e Sigurimit të Shtetit që lajmëruan në shtëpi për Sali Bajramin që duhej të paraqitej në Tiranë, si e morri vesh familja lajmin e vdekjes së tij në mënyrë tragjike dhe përse Drejtori i Sigurimit të Shtetit, Zylyftar Ramizi iu bënte presion familjarëve të Sali Bajramit duke u thënë që ata të mos e kërkonin më …

Më 17 nëntor të vitit 1986 në shtëpinë e vëllait tim, Sali Bajramit, erdhi një punëtor operativ i Sigurimit të Shtetit, dhe i tha atij që të nesërmen duhej të paraqitje tek 15- katëshi në Tiranë. Po atë ditë, për këtë punë Saliun e kishte thërritur edhe punëtori tjetër operativ i Sigurimit, Kujtim Kuci, që ishte me shërbim këtu në Mamurras. Këto m’i tha vetë Saliu në darkë kur më thirri në shtëpinë e tij për të më treguar rreth asaj ç’ka i kishin thënë dy oficerët e sigurimit. Të nesërmen e asaj dite, Saliu bashkë me dy punonjësit e Sigurimit kanë udhëtuar për në Tiranë, gjë të cilën më pas na i konfirmuan shumë miq e dashamirës tanët që i kishin parë ata në tren. Atë natë Saliu nuk u kthye në shtëpi dhe nga që u bëmë shumë merak se cfarë do t’i kishte ndodhur, djali i tij, Flamuri, shkoi në në Degën e Punëve të Brendëshme të Krujës, ku Pëllumb Kapo i tha: ”Nuk ka ndonjë gjë për t’u shqetësuar, Saliu është i sëmurë, do vizitohet dhe do të vij përsëri në shtëpi”. Nipi im, Flamuri shkoi edhe të nesërmen në Krujë për të pyetur për babanë e tij, por nuk mori asnjë përgjigje. Ditën e tretë në darkë disa punonjës të Sigurimit na njoftuan se Saliu kishte vdekur pasi ishte rrëzuar nga 15- katëshi dhe trupi i tij ndodhej në morgun e Tiranës”.

Njeriu që dëshmon për Memorie.al, është Hysen Bajrami nga Mamurrasi, i cili rrëfen atë ngjarje të largët të vitit 1986, kur në rrethana misterioze, humbi jetën vëllai i tij, Saliu. Po kush ishte Sali Bajrami, cila ishte e kaluara e tij dhe në ç’rrethana kishte ardhur ai në Shqipëri në vitin 1954 bashkë me vëllanë, Hysenin? Përse i kishin internuar ata fillimisht në fshatin Llakatund të Vlorës dhe për çfarë arsyesh ata nuk kishin pranuar të ktheheshin përsëri në Kosovë, kur nga Tirana i kishin njoftuar se Shqipëria i kishte rregulluar marrëdhëniet me Jugosllavinë? Ku kishin punuar dhe jetuar dy vëllezërit emigrantë kosovarë deri në vitin 1986 kur Saliu mbeti i vdekur në rrethana krejt misterioze duke rënë nga 15- katëshi në Tiranë, ku ishte thirrur nga Sigurimi i Shtetit? Çfarë iu kërkua Saliut nga oficerët e Sigurimit dhe a u hodh vetë ai nga kati i tetë i Hotel “Tiranës” apo e hodhën ata që e kërkuan aty? Përse trupi i Saliut u vonua në morgun e Tiranës dhe iu dha familjes vetëm në momentet e fundit para ceremonisë mortore?! Përse Sigurimi i Shtetit hapi fjalë se Saliun e kishte hedhur nga 15- katëshi, hasmi i tij që kishte ardhur nga jashtë shteti dhe cilat ishin përgjigjet zyrtare që iu dhanë vëllait të Saliut, Hysen Bajramit, nga Dega e Brendëshme e Krujës, Prokuroria e Përgjithshme, Rajoni i Policisë Nr.3, Ministri i Brendshëm Hekuran Isai, Kuvendi Popullor dhe sekretari i Ramiz Alisë? Cfarë i tha Hysenit në vitin 1992 prokurori Arben Qeleshi për vdekjen misterioze të Sali Bajramit dhe pse u thërrit për dëshmitar Hysen Bajrami në gjyqin ndaj Hekuran Isait e Zylyftar Ramizit, e cila ishte përgjigja e ish-Ministrit të Brendëshëm kur Hyseni e pyeti se përse ia kishin vrarë vëllanë? Lidhur me këto e fakte të tjera nga ajo ngjarje e largët e vitit 1986, na njeh intervista e Hysen Bajramit ekskluzive për Memorie.al.

 Zoti Hysen, ku keni lindur ju dhe cila është origjina e familjes tuaj?

Kam lindur në vitin 1931, në fshatin Greçinë i cili ndodhet në rrethinat e Gjakovës në Kosovë, prej nga është edhe origjina e familjes sonë.

A ka qenë e njohur familja juaj në atë krahinë dhe me çfarë është marrë ajo gjatë kohës që ju keni qenë në Kosovë?

Familja jonë ka qenë jo pak e njohur në rrethinat e Gjakovës, ku kemi jetuar dhe ajo njihej me emrin e gjyshit tonë: familja e Ram Sahitit. Gjatë kohës që ne kemi qenë në katundin Greçinë të Kosovës, familja jonë është marrë me punët e bujqësisë me të cilat siguronte jetesën e saj.

Gjatë viteve të pushtimit të Shqipërisë, në 1939-1944, cili ka qenë qëndrimi politik i familjes tuaj?

Gjatë atyre viteve, por edhe më parë, familja e Ram Salihit ka qenë e njohur si një familje nacionaliste. Në vitet e Luftës familja jonë u lidh me Lëvizjen Antifashiste dhe në periudhën kur brigadat partizane shqiptare erdhën në Kosovë, në shtëpinë tone është strehuar për disa kohë Shefqet Peçi me shtabin e tij.

Pas mbarimit të Luftës cilat ishin raportet politike të famlijes suaj me regjimin e Titos?

Nisur nga fakti se familja jonë ishte një familje nacionaliste, menjëherë pas mbarimit të Luftës në pranverën e vitit 1945-ës, ne na filluan peripecitë me regjimin titist. Në fillim ne na akuzuan për armëmbajtje pa leje dhe se kishim strehuar shqiptarë që ishin aratisur nga Shqipëria.

Patët koncekuenca nga akuzat që ju bëheshin?

Pas këtyre akuzave, ne na arrestuan dhe futën në burg axhën tone Mehmet Ramën, i cili ishte nënkryetari Këshillit Nacional- Çlirimtar. Mehmetin e nxorrën në gjyq dhe fillimisht e dënuan me vdekje, por më pas atij ja falën jetën. Por kjo ishte vetëm për demagogji, pasi axhën tonë e ekzekutuan brenda në burg me preteksin se gjoja kishte dashur të arratisej. Pushkatimi i axhës, Mehmet e shtoi akoma edhe më shumë persekucionin ndaj familjes sonë. Në vitin 1951, u arrestua dhe vëllai im, Sali Bajrami, i cili në atë kohë kryente shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Saliun e nxorrën në gjyq dhe e dënuan me një vit e gjysëm burg. Edhe pasi Saliu u lirua nga burgu aty nga fillimi i vitit1953, ndaj familjes sonë nuk pushoi persekucioni, përkundrazi në atë kohë u shtua edhe më shumë, nga raprezaljet që kishin filluar Rankoviçi ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë. Nisur nga kjo gjëndje tepër e vështirë në të cilën u ndodhej familja jonë në atë kohë, unë me vëllanë, Saliun, vendosëm të iknim nga Kosova dhe të dilnim prej andej e të vinim këtu në Shqipëri.

Si e kujton largimin tuaj nga Kosova dhe ardhjen në Shqipëri?

Pasi vendosëm të largoheshim, më 18 dhjetor të vitit 1954 ne morëm rrugën për të ardhur në Shqipëri. Ne ishim tre vetë nga familja jonë, pasi vëllai Saliu, mori edhe bashkëshorten e tij, Zelfien. Kufirin ne e kaluam në fshatin Dobrunë të Hasit dhe aty na mbajtën një natë në postën kufitare. Të nesërmen ne na sollën në qytetin e Kukësit, ku na mbajtën për tre katër ditë në Degën e Brendëshme. Pas kësaj ne na sistemuam në hotel dhe pas disa ditësh na nisën për në fshatin Llakatund të Vlorës ku ishte ngritur kampi për shtetasit jugosllavë që kishin ardhur ilegalisht në Shqipëri.

Si ju trajtuan në Llakatund dhe sa kohë qëndruat aty?

Në Llakatund ne na trajtuan ashtu siç trajtoheshin të gjithë të ardhurit në kampet e Shqipërisë. Qëndruam aty për nëntë muaj.

Po më pas ku ju çuan?

Diku aty nga viti 1955-1956, njëri nga të dërguarit e Komitetit Qëndror të PPSH-së që merrej me emigracionin nga ish Jugosllavia, na tha se shteti shqiptar i kishte rregulluar marëdhëniet me Jugosllavinë dhe kush të donte mund të bënte një kërkesë për t’u kthyer në Kosovë. Unë me vëllanë Saliun e me gruan e tij, nuk pranuam që të bënim një kërkesë të tillë për t’u kthyer në Kosovë, pasi e dinim se çfarë kishte ndodhur atje me familjen tonë pas arratisjes tonë për në Shqipëri. Pas kësaj situate ne bëmë nënshtetësinë shqiptare dhe qëndruam këtu.

Çfar kishte ndodhur me familjen e Ram Salihit në Kosovë pas ardhjes suaj në Shqipëri?

Rregjimi titist kishte arrestuar babën tonë, Bajramin, të cilin e dënoi me 12 vjet burg politik. Baba vuajti për tetë vite me rradhë në burgun e tmershëm të Goli-Otokut dhe atë e liruan vetëm kur ishte në prag të vdekjes. Pasi bëri bëri tetë vjet burg, baba u lirua dhe ai nuk jetoi më shumë se tre muaj në shtëpi, pasi vdiq nga torturat e shumta që i kishin bërë në atë burg.

Perveç babës, kush jetonte tjetër në atë kohë në Gjakovë nga familja juaj?

Kishim dy motra e tre vëllezër të tjerë, si dhe shumë të afërm.

Pasi morët nënshtetësinë shqiptare ku u vendosët?

Ikëm nga Llakatundi të tre dhe u vendosëm në fshatin Bushnesh afër Mamurrasit, të rrethit të Krujës. Kërkuam të vinim këtu, pasi dihej që në Mamurras ndodheshin shumë kosovarë të cilët ishin vendosur aty që nga viti 1913, nuk qëndruam shumë aty, se në këtë fshat u krijua kooperativa  dhe u vendosëm në qytezën e Mamurrasit.

Ku punuat në Mamurras?

Në këtë qytezë të vogël ne kemi punuar për shumë vite në ndërrmarrjen e Bonifikimt dhe më pas Saliu kaloi në ndërmarrjen e Ujrave ku dhe doli në pension.

Para viteve ’90-të, kishit mundësi komunikimi me pjesën tjetër të familjes që ndodhej në Kosovë?

Që nga viti 1954 kur ne u larguam e deri në vitin 1980 nuk kemi pasur asnjë lloj letër këmbimi me familjen tonë në Kosovë. Në vitin 1972, vajza e vëllait tonë që jetonte në Kosovë, së bashku me bashkëshortin e saj erdhi si vizitore dhe qëndroi për dy muaj në shtëpinë tonë në Mamurras. Ajo mundi të vinte këtu pasi ne i bëmë një garanci.

Si e kujton ngjarjen e humbjes së vëllait tuaj, Saliut?

Ishte data 17 nëntor 1986-ës kur në shtëpinë e vëllait tim, Saliut erdhi një punëtor operativ i Sigurimit të Shtetit dhe i tha që të nesërmën duhej të praqitej te 15-katëshi në Tiranë. Po atë ditë Saliu e kishte lajmëruar edhe një tjetër operativ i Sigurimit të Shtetit, Kujtim Kuçi dhe i kishte dhënë të njëjtën porosi, për t’u paraqitur te 15-katëshi të nesërmen.

A biseduat ju me vëllanë para se të shkonte në destinacionin e caktuar, çfarë mendonte ai ?

Posi, atë natë bisedova me Saliun dhe e pyeta përse po të kërkojnë në këtë takim te 15-katëshi? Ai më tha se nuk dinte asgjë pse po e kërkonin, nuk kam dhe nuk kam pasur lidhje me asnjë punë, as me Sigurimin dhe me as njënjeri tjetër.

U bëtë merak për mos kthimin e Saliut në shtëpi atë natë?

U bëmë shumë merak që Saliu nuk u kthye, të nesërmen në mëngjes, djalit i tij Flamuri, shkoi në Degën e Punëve të Brendëshme të Krujës për t’u interesuar.

Kë takoi Flamuri, dhe çfarë ju tha?

Nipi im Flamuri takoi takoi në Degën e Punëve të Brendëshme Pëllumb Kapon, i cili i tha:”nuk ka ndonjë gjë për t’u shqetësuar, Saliu është i sëmurë e do të vizitohet dhe më pas do të kthehet në shtëpi” por kjo nuk ndodhi. Flamur vajti përsëri të nesërmen në Degën e Punëve të Brendëshme në Krujë, por nuk morri asnjë përgjigje.

Kur e mësuat lajmin për vdekjen e Saliut, kush ua komunikoi dhe çfarë iu thanë?

Lajmin për vdekjen e vëllait e mora nga disa punonjës të Sigurimit, në mos gaboj në datën 19 ose 20 nëntor 1986. Ata na thanë se Saliu kishte vdekur pasi kishte rrënë nga kati i tetë i 15-katëshit (Hotel “Tirana”) dhe trupi i tij ndodhej në morgun e Tiranës.

Cili ishte shkuaku i kësaj tragjedie, çfarë ju thanë?

Ne na thanë se Saliun e kishte hedhur nga 15-katëshi,” hasmi që kishte ardhur nga Kosova”. Asnjë nuk na jepte ndonjë informacion tjetër.

Kush shkoi për të marrë trupin e Saliu në morg?

Trupin e Saliut shkoi për t’a marrë, djali i tij Flamuri, me tre miqtë tanë: Feriz Gashin, Hasan Mulliqin e Feim Kryeziu. Si fillim u nxorrën shumë pengesa dhe nuk i lejuan që ta shihnin trupin e Saliut, aty u sollën pengesa dhe u vonuan shtatë orë për të marrë trupin e Saliut, të cilin e sollën në banesë pak minuta para se të bëhej cerremonia mortore.

Sa kohë pas vdekjes së Saliut filluat të interesoheshit përsëri dhe çfarë informacioni morët?

Pasi kishin kaluar 40 ditë nga vdekja e Saliut, unë me djalin e tij Flamurin, shkuam në Tiranë dhe takuam Zylyftar Ramizin, zv/Ministrin e Brendëshëm dhe Drejtorin e Sigurimit. Ai na tha: ”Shkoni në Degën e Brendëshme në Krujë, ata ju sqarojnë”. Pasi shkuam atje, kryetari i Degës na tha: ”Ne nuk kemi dijeni se ku ka vdekur Saliu, aty ku ka vdekur aty pyesni”. Pas kësaj përgjigjie, shkuam në Ministri dhe aty na thanë të shkonim në Rajonin Nr.3 të Policisë, pasi atje ndodheshin dokumentate tij. Pasi shkuam katër herë në Rajonin Nr.3 të Policisë, edhe ata nuk dinin gjë dhe vetëm na thanë se Saliu kishte qenë i sëmurë”.

Po më pas çfarë bëtë?

Pasi shkuam disa herë, në Degën e Brendëshmë, Rajon, Ministri, nuk morrëm asnjë përgjigje. Pas sorollatjeve të shumta i shkruam disa letra dhe telegrame Ministrit të Brendëshëm dhe Kryetarit të Kuvendit Popullor, Ramiz Alisë, por përsëri asnjë përgjigje nuk morrëm.

Patët ju ndonjë presion për të mos vazhduar më të “shqetësonit shtetin me letra dhe telegrame”?

Vetë Zylyftar Ramizi, na bënte presione për të mos u marrë me këtë problem të mbetur enigmë. Në vitin 1992 unë kam shkuar tre herë tek SHIK-u dhe kam bërë dy takime me Ministrin e Brendëshëm të asaj kohe. Në Ministri na thanë të shkonim në Prokurorinë e Përgjithshme, shkuam dhe takuam aty Z. Arben Qeleshin duke i paraqitur dokumentat që dispononim. Z.Arben Qelishi më tha: ”Kjo çështje ka shumë probleme, kjo është një vrasje e pastër shtetërore ashtu siç ka ndodhur me shumë të tjerë. Kur të dali në gjyq udhëheqja e lartë komuniste, do të vish edhe ti”.

A shkuat ju në gjyqin e ish-udhëheqësve komunist?

Kur doli në gjyq Hekuran Isai me Zylyftar Ramizin, na thëritën nga Prokuroria e Pergjithshme dhe unë shkova atje bashkë me Flamurin. Edhe pse tentuam të pyesnim të akuzuarit e sistemit komunist, nuk morrëm përgjigje dhe kjo çështje u mbyll pa përgjigje dhe përgjegjësi.

Ju personalisht, si mendoni?

Unë them se ka dy versione. E para është që Saliut i kanë kërkuar që të bëhej vegël e Sigurimit dhe pasi ai nuk ka pranuar, e kanë hedhur nga 15-katëshi për ta eleminuar fizikisht dhe e dyta Saliu mund të jëtë hedhur vetë pasi nuk ka pranuar të bëhej vegël e Sigurimit, mund të jenë bërë presione apo tortura të ndryshme që ai nuk i ka përballuar dot. Gjithësesi kjo ngjarje nuk ka marrë dhe besoj se nuk do të marrë përgjigje. /Memorie.al

Image
Image
Image
Image
Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat