Shqipëria dhe aleatët gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore

Historia

Shqipëria dhe aleatët gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore

Nga: Prof. Ksenofon Krisafi Më: 22 dhjetor 2019 Në ora: 16:23
Prof. Ksenofon Krisafi

Pushtimi fashist italian shënoi pezullimin e përkohshëm të ekzistencës së shtetit shqiptar si subjekt normal i së drejtës ndërkombëtare si dhe ndërprerjen e veprimtarisë së qeverisë që u ndodh në krye të vendit në atë kohë. Asnjë prej qeverive kuislinge që u instaluan në vend nga pushtuesit italianë dhe gjermanë nuk e kërkoi dhe nuk e mori njohjen ndërkombëtare. Autoritetet italiane, për të maskuar pushtimin e vendit dhe uzurpimin e të gjithë pushteteve në Shqipëri, shpallën kryerjen e disa reformimeve institucionale e ligjore, ndër të cilat edhe krijimin e të ashtuquajturit bashkim personal ose bashkim real italo-shqiptar, për justifikimin teoriko-akademik të të cilave janë përpjekur pa sukses disa studiues italianë, si p.sh. Amadeo Giannini, Baladore Palieri, Francesco Jacomoni, Ferdinando Salleo etj, si edhe ndonjë shqiptar në kuadrin e “rishkrimit” të historisë. Në realitet në këndvështrimin e mirëfilltë juridiko-ndërkombëtar, ai ishte pushtim i zakonshëm, bashkim i dhunshëm hegjemonik, të cilit i mungonte çdo element dualizmi juridiko-institucional nevojë e domosdoshme e këtyre formave juridiko-ndërkombëtare të bashkimit të shteteve.

Situata e pezullimit të personalitetit juridiko-ndërkombëtar vazhdoi gjatë gjithë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Zogu si kryetar shteti formalisht legjitim edhe pse nuk abdikoi, braktisi vendin duke e lënë atë nën pushtimin e huaj. Së bashku me familjen e vet, nisi një udhëtim që mori formën e një vizite turistike në disa vende të Balltikut, në Lituani, Letoni dhe Estoni, “pasi, siç shprehej Geraldinë Apony, në biografinë e vet, shkruar nga Gwen Robins, mbreti donte t’i shikonte këto vende… Mënyra e organzimit të vendeve skandinave e kishte tërhequr gjithmonë tim shoq dhe, duke qenë se ishim shumë afër, vendosëm ta vazhdonim udhëtimin tonë dhe të qëndronim në Suedi.” Megjithë përpjekjet që bëri, nuk u vlerësua i përshtatshëm nga aleatët për ta merituar atë atribut. Në thelb, Londra dhe Uashingtoni e trajtuan si një individ gati të zakonshëm edhe pse nuk munguan asnjëherë dilemat pro dhe kundër. Përmendej fakti që atij i mungonin lidhjet faktike me vendin. Por duket se ky ishte më shumë pretekst, sepse realisht mendohej që njohja e tij mund të krijonte komplikime në raportet me fqinjët. Zogu nuk e mori asnjëherë statusin e qeverisë në mërgim, siç kishte ndodhur me disa vende të tjerë.

Ndërkohë, brenda vendit, në Shqipërinë e pushtuar nga fashistët italianë dhe më vonë ata gjermanë, këta të fundit, sikurse edhe pushtuesit italianë, kishin instaluar qeveri të kryesuara nga bashkëpunëtorë të tyre.

***

Shqipëria midis viteve 1943 dhe 1944, në kohën e pushtimit gjerman të cilësuar “jokonvencional”, u reklamua si shtet i pavarur me emërtimin “Mbretnija Shqiptare”. Gjermania i njohu asaj formalisht një “sovranitet relativ”, të ngjashëm me statusin e njohjes ndërkombëtare që e patën gjatë luftës Kroacia me Sllovakinë. Ajo propagandoi se do të ndërtonte një Shqipëri të pavarur neutrale të kontrolluar nga një qeveri miqësore ndaj gjermanëve.

Duke i konsideruar gjithë këto veprime si përpjekje për të mbuluar me aparenca juridike pushtimin nga okupatorët, forcat e mirëfillta patriotike, të shqetësuara realisht për fatet e të ardhmes politike të vendit, nisën tentativat e para për ndërtimin e autoriteteve drejtuese që të përfaqësonin realisht vullnetin autentik të shqiptarëve ose të shumicës së tyre. Fillimisht ato u formalizuan në Konferencën e Pezës, më 16 shtator 1942, vazhduan me Konferencën e Dytë Nacionalçlirimtare, në Labinot, në shtator 1943, me Kongresin e Parë Antifashist Nacionalçlirimtar në Përmet, në maj 1944 dhe me Mbledhjen e Dytë të Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, në Berat në tetor 1944, ku Komiteti Antifashist u shndërrua në Qeveri Demokratike Provizore. Qeveria mori përsipër vazhdimin e luftës për çlirimin e Shqipërisë, ruajtjen e pavarësisë, forcimin e pushtetit të këshillave nacionalçlirimtare, sigurimin dhe mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimin me Aleatët e Mëdhenj dhe pjesëmarrësit e tjerë të koalicionit antifashist. Ajo mori përsipër gjithashtu organizimin pas çlirimit të zgjedhjeve demokratike për Asamblenë Kushtetuese, e cila do të përcaktonte formën e regjimit dhe do të hartonte Kushtetutën e shtetit të ri.

Këto arritje të rëndësishme institucionale dhe politike, rezultat i Luftës së Madhe Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANÇ) të zhvilluar gjatë viteve 1939-1944, u kurorëzuan me çlirimin e vendit më 29 nëntor 1944 dhe vendosjen e një regjimi të ri politik.

Autoritetet që erdhën në krye pas çlirimit vepruan për rimëkëmbjen e shtetit dhe strukturave të tij, si dhe për organizimin e jetës në të gjitha aspektet e politikës së brendshme. Qeveria e përkohshme u angazhua seriozisht edhe për afirmimin ndërkombëtar të Shqipërisë së pasluftës. Nëpërmjet notave verbale dorëzuar përfaqësuesve të Aleatëve të Mëdhenj, ShBA, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik, kërkonte njohjen e saj ndërkombëtare. Por nuk pati ndonjë përgjigje të shprehur.

Qendrimet që u mbajtën pas Lufte kundrejt Shqipërisë për njohjen e saj ndërkombëtare si dhe për aspekte të tjera, e patën zanafillën përpara vitit 1945. Aleatët i kishin hedhur idetë e para që nga mezi i vitit 1941 dhe fillimet e 1942, atëhere kur në trojet shqiptare luftohej për liri dhe pavarësi dhe rrjedhimisht edhe për triumfin e kauzës së përbashkët aleate. Në dhjetorin e po atij viti, aleatët morën një nga vendimet më të rëndësishme për statusin e ardhshëm të Shqipërisë. Ishte një vendim publik, i personalizuar, i shpallur në tre deklarata të veçanta, që vinin nga Uashingtoni, Londra dhe Moska, të cilat parashikonin shprehimisht angazhimin për njohjen e pavarësisë.

Amerikanët, britanikët dhe sovjetikët, pasi u konsultuan për përmbajtjen themelore të deklaratave, vlerësuan rreshtimin e shqiptarëve në frontin e përbashkët antifashist, lavdëruan luftën e tyre kundër pushtuesve dhe u shprehën pozitivisht për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë së pasluftës, për njohjen e të drejtës së përcaktimit të formës së qeverisjes dhe zgjedhjen e qeverisë që ata do të dëshironin, në përputhje me parimet e Kartës së Atlantikut.

Megjithatë, nuk mund të mos vihet në dukje fakti që në korrespondencën ndërmjet Uashingtonit dhe Londrës për çështjet që kishin të bënin me qëndrimin ndaj Shqipërisë së pasluftës, dallohet një kujdes skrupuloz për redaktimin konkret të asaj që do të shpallej në publik. Kujdeseshin që deklarimet të shpreheshin me fjalor dhe stil të kalkuluar, me qëllim që kuptimi i emërtimit, karakterit dhe përmasës së marrëdhënieve që do të vendoseshin me Shqipërinë, të mbeteshin relative dhe jo angazhuese. Kujdesi vihej re që te përzgjedhja e fjalëve që do të përdoreshin si cilësim ndaj atyre që ndodheshin në krye të vendit, duke i etiketuar ata thjesht “autoritete shqiptare”, “autoritete ekzistuese”, “autoritete kontrolluese”, “regjimi aktual shqiptar”, “regjimi shqiptar”, “regjimi i Hoxhës” etj. Bëhej me qëllim që këto emërtime, në çdo lloj interpretimi që mund t’iu bëhej dhe në çdo kontekst që të vendoseshin, të mos linin kurrsesi të kuptohej se bëhej fjalë për njohje qeverie.

Dallohet një idenditet qëndrimesh, një përputhje gati e plotë midis Departamentit të Shtetit dhe Forin Ofisit, në mos për të gjithë aspektet e qëndrimit ndaj Shqipërisë, së paku për çështjet themelore. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Moskën. Nuk do të kalonte shumë kohë dhe do të viheshin re jo më nuanca, por dallime të dukshme.

***

Aleatët dëshironin që në Shqipërinë e pasluftës të vendosej një sistem demokratik pluralist, që do të përbëhej nga përfaqësues të të gjitha forcave politike në vend, dhe jo një sistem monopartiak. Por, rreshtimi i disa prej eksponentëve të forcave nacionaliste përkrah pushtuesve i diskreditoi dhe i damkosi me vulën e kolaboracionizmit duke vënë në vështirësi edhe aleatët. Ndërsa Ushtria Nacionalçlirimtare zhvilloi luftë pa kompromis, pa asnjë lëkundje kundër ushtrive të boshtit nazi-fashist dhe kontribuoi modestisht në kauzën e madhe ndëraleate të gjunjëzimit të fashizmit. Prandaj raportet e lëvizjes nacional-çlirimtare shqiptare me faktorin ndërkombëtar, në kohën për të cilën po flasim, karakterizohen nga lidhjet e atyre që bënin luftën në Shqipëri, me ata që përballuan luftën në planin ndërkombëtar, më konkretisht, frontit antifashist nacional-çlirimtar shqiptar me strukturat politiko-organizative të koalicionit antifashist të popujve. Këto lidhje u institucionalizuan me raportet zyrtare që Fronti Antifashist Nacional-çlirimtar Shqiptar vendosi me shtabin ndëraleat në Bari të Italisë, që mund të përkufizohen si njohje juridiko-ndërkombëtare de facto e kësaj lufte.

Duket se në këtë kohë ishte maturuar mjaftueshëm mendimi për akordimin e njohjes regjimit politik në Shqipëri dhe po punohej për përballimin e disa çështjeve me karakter parimor si dhe përcaktimin e modaliteteve praktike. Pas një studimi gati tremujor që ishte ndërmarrë nga Jacobs në Shqipëri, lidhur me situatën reale në vend, ai kishte përgatitur një raport, i cili iu drejtohej tre qeverive aleate. Konkluzioni i tij ishte se tre qeveritë janë të gatshme t’iu shprehin autoriteteve shqiptare, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Shqipëri, dëshirën për të vendosur marrëdhënie diplomatike me to, me cilësinë e një qeverie të përkohshme, me kusht që qeveria shqiptare të angazhohet për t’i zhvilluar zgjedhjet e pritshme në përputhje me parimet e përcaktuara në Deklaratën e Krimesë për Europën e Lirë. Uashingtoni vinte si kusht që gjatë zhvillimit të zgjedhjeve të lira të lejohej prania e përfaqësuesve të huaj gjatë votimit, të mos përdoreshin gjyqet ndaj kriminelëve të luftës për qëllime politike, të refuzohej çdo propozim për bashkim federativ me Jugosllavinë dhe/ose Bullgarinë. Qeveria shqiptare duhet të konfirmonte gjithashtu gatishmërinë për të njohur vlefshmërinë e marrëveshjeve shqiptaro-amerikane të paraluftës, në zbatim të parimeve pacta sunt servanda dhe suksedimit të shteteve, si dhe të mbajnë parasysh qëndrimin e Forin Ofisit se dhënia e njohjes nuk duhet të interpretohet si konfirmim i kufijve ekzistues, të cilat, sipas qëndrimit amerikan, duke qënë probleme me karakter territorial dhe ndërkombëtar, do të duhet të lihen për trajtim nga një zgjidhje e përgjithshme paqësore.

Një ndikim të padyshimtë pozitiv në ndërmarrjen e hapave të projektuara do të kishte pohimi i sekretarit amerikan të shtetit James Francis Byrnes, në telegramin që i drejtonte ambasadorit Harriman në Moskë, në tetorin e 1945. Përcaktimi i tij ishte konkretizim besnik i kritereve bazë që parashikon e drejta ndërkombëtare në përkufizimin e njohjes së qeverisë.

Byrnes pohonte një realitet të pakontestueshëm, kur thoshte se akordimi i njohjes për regjimin aktual në Shqipëri, të konsideruar si qeveri provizore, bëhej për shkak se gëzonte një mbështetje të madhe popullore, më shumë se sa çdo grup tjetër i opozitës ose kombinim grupesh të tilla, kishte një kontroll efektiv në të gjithë vendin dhe jepte provat e aftësive për të marrë përsipër dhe për të realizuar funksionet e një qeverie si dhe jepte shpresa se do të plotësonte detyrimet ndërkombëtare. Regjimi aktual, i cili u ngrit nga një Lëvizje e rezistencës efektive proaleate, ka dëshmuar inisiativë dhe energji për problemet që kanë të bëjnë me rindërtimin dhe duket vërtetë se dëshiron përmirësimin e mirëqenies së popullit shqiptar.

Njohja nuk duhej të pengonte as të paragjykonte ushtrimin e të drejtës së popullit shqiptar për zgjedhur formën e qeverisë që ai dëshironte, e drejtë e afirmuar në mënyrë të përsëritur në dokumente të tilla si Karta e Atllantikut, Deklarata e Krimesë për Europën e Lirë dhe në mënyrë të veçantë deklaratat e ministrave të jashtëm të Bashkimit Sovjetik, Britanisë së Madhe dhe SHBA, të dhjetorit 1942.

Duke trajtuar mbajtjen e zgjedhjeve të lira, që përmendej si kushti i parë i panegociueshëm për njohjen e qeverisë shqiptare, Sekretari i Shtetit, shpjegonte se zgjedhjet duhet të zhvilloheshin në liri të plotë pa ushtruar asnjëlloj forme frike, shtrëngimi ose intimidimi, të gjithë individët ose grupet antifashiste në Shqipëri duhet të gëzonin lirinë e fjalës dhe të shprehjes si dhe lirinë e paraqitjes së kandidatëve të tyre. Ato duhet të kishin mbështetjen e njerëzve me të gjitha mjetet ligjore dhe të rregullta, zgjedhjet duhet të ishin me votim të fshehtë, duke garantuar lirinë e shtypit dhe lejimin e korrespondentëve të huaj për të hyrë në Shqipëri, për të vëzhguar dhe për të raportuar lirisht zgjedhjet për në asamblenë Kushtetuese dhe punën e saj në vazhdim. Aleatët e mëdhenj do t’i pranonin ose jo rezultatet e zgjedhjeve në varësi të plotësimit të kushteve të vendosura.

***

Qeveritë e Aleatëve të Mëdhenj besonin se aksioni për njohjen e një qeverie shqiptare duhet të ndërmerrej në një moment sa më të shpejtë që të ishte e mundur si shprehje drejtësie ndaj popullit shqiptar, që ka vuajtur gjatë, ka luftuar shumë për lirinë e vet dhe ka duruar një status anormal për rreth 6 vjet. Çdo zgjatje e afatit për dhënien e njohjes do të kishte vetëm efekte dekurajuese për unitetin e shqiptarëve, duke zhvendosur vëmendjen e autoriteteve aktuale nga problemet e ngutshme të rindërtimit të brendshëm dhe duke e penguar atë nga e drejta e ligjshme e rifitimit të përfaqësimit të saj në bashkësinë ndërkombëtare. Për më tepër vazhdimi i pasigurisë aktuale në lidhje me statusin e Shqipërisë do të rrezikonte pavarësinë e saj, për të cilën ministrat e punëve të jashtme të Bashkimit Sovjetik, Britanisë së Madhe dhe SHBA, nëpërmjet deklaratave të tyre të dhjetorit 1942, kanë shprehur pa ekuivok dëshirën e tyre për ta parë atë të restauruar dhe do ta bënte akoma më të vështirë rikthimin në marrëdhëniet normale paqësore ndërmjet shteteve të Ballkanit.

Sekretari i shtetit Byrnes iu sugjeronte homologëve të tij në Moskë dhe në Londër që, nëse do të binin dakord me propozimet e tij, të njoftohej në një datë sa më të shpejtë, nga të tre njëkohësisht Gjeneral Hoxha, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Shqipëri për vendimin e qeverive Aleate për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me regjimin aktual shqiptar si qeveri e përkohshme e Shqipërisë, duke nënkuptuar se qeveria nga ana e vet do të angazhohej t’i mbante zgjedhjet në përputhje me parimet dhe procedurat e përmendura.

Bën përshtypje fakti se Aleatët tregonin interes që njohja e qeverisë shqiptare prej tyre të kryhej përpara datës 2 dhjetor që ishte caktuar për zhvillimin e zgjedhjeve për Asamblenë Kushtetuese, me qëllim që të përdorej gjatë fushatës elektorale.

Ishte ky një vlerësim shumë pozitiv për autoritetet shqiptare dhe arritjet e tyre, të vlerësuara objektivisht nga Fuqitë Aleate, por deri atëhere të pashprehura në publik.

Qeveria britanike, duke qënë në të njëjtën “gjatësi vale”, përsëriste rëndësinë e zgjedhjeve të lira dhe respektimin e standardeve demokratike etj. Por, e afishuar haptas si protektore e interesave greke, përmendte gati në çdo rast çështjen e kufijve të Shqipërisë, pa harruar të theksonte se akordimi i njohjes regjimit të Tiranës, nuk duhet të interpretohej si konfirmim i kufijve me Greqinë etj. Ishte bërë e qartë përkrahja e tyre e hapur ndaj pretendimeve territoriale të qarqeve ekstremiste greke ndaj Shqipërisë. Lind pyetja se përse anglezët mbanin këtë qëndrim diskriminues ndaj shqiptarëve dhe në favor të grekëve. Ka shumë të ngjarë që Britania e Madhe prirej jo vetëm nga simpati politike tradicionale përkundrejt Greqisë, por edhe nga synimi që ta largonte Greqinë nga rivendikimet ndaj Qipros, të cilën donte të vazhdonte ta mbante nën ndikimin e vet. Si kompensim i ofronte përkrahjen e rivendikimeve drejt veriut, në territoret shqiptare.

(Vijon)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat