Tragjedia e modeles më të njohur në art

Historia

Tragjedia e modeles më të njohur në art

Më: 8 janar 2020 Në ora: 15:46
Lizzie Siddal

Në dimrin 1849-1850, artistët Dante Gabriel Rossetti dhe William Holman Hunt po pikturonin së bashku, kur në studio futet shoku i tyre Walter Howell Deverell. Vizitori njoftoi i ngazëllyer: “Miqtë e mi, nuk mund të besoni se çfarë krijese të bukur kam gjetur… Ajo është si një mbretëreshë… shumë e gjatë.” Me këto fjalë, bukuria e pangjashme e Elizabeth Siddalit nisi të bëjë histori.

Pak njerëz sot e mbajnë mend artistin Deverell – i cili vdiq nga sëmundja e veshkave në moshën 27-vjeçare – por ai ishte anëtar i rëndësishëm i grupit të artistëve dhe shkrimtarëve që silleshin rreth Vëllazërisë Para-Rafaelite të formuar në ato vite. Kjo shoqëri e fshehtë e shtatë të rinjve u themelua më 1848 nga Rossetti, Holman Hunt dhe John Everett Millais – studentë në Akademinë Mbretërore të Londrës. Siç theksohet në ekspozitën e Galerisë Kombëtare të Portretit, “Motrat Para-Rafaelite”, lëvizja Para-Rafaelite gjithashtu përfshiu modelet, artistet dhe femrat shkrimtare. ‘Lizzie’ Siddal nisi si modele, pastaj mësoi të pikturonte, dhe gjithashtu shkroi poezi.

“Elizabeth Siddal” nga Dante Gabriel Rossetti (1852), është një nga pikturat e shfaqura në ekspozitën e Galerisë Kombëtare të Portretit në Londër

Në kohën e deklarimit të Deverellit, Siddali punonte në një dyqan rrobash afër Sheshit “Leicester” në Londrën qendrore. Punoi me orë të tëra në kushte të vështira, për çka familja shqetësohej për shëndetin e saj të ndjeshëm. Ndoshta kjo ishte arsyeja se pse nëna e saj merr vendimin befasues për ta lejuar vajzën që të punojë si modele artistësh – që merrej si diçka e turpshme, madje si sinonim i prostitucionit. Deverelli nuk guxoi t’i afrohej nënës së saj. Prandaj, e dërgoi nënën e tij të nderuar, me karrocën e madhe, për të folur për financat. Zonjës Siddal i la përshtypje mbërritja e karrocës në shtëpinë e saj modeste në Rrugën e Vjetër të Kentit.

Fillimisht, Siddali nisi të punonte me gjysmë orari si modele, dhe me gjysmë orari në një shitore kapelash. Pasi Deverelli e pikturoi si Viola në “Natën e Dymbëdhjetë”, Holman Hunt e pikturoi te “Familja e konvertuar britanike që strehon priftin e krishterë nga persekutimi i druidëve” (1850), dhe si Silvia te “Valentini shpëton Silvinë nga Proteusi” (1850-51). Ajo modeloi për Rossettin për herë të parë më 1850, për një nga pikturat e tij më pak të njohura, “Rossovestita”. Sipas mentorit të tij Jon Ruskin, gjatë marrëdhënies së tyre të ardhshme, Rossetti e pikturoi dhe vizatoi Siddalin me mijëra herë.

“Si mbretëreshë”, kështu e përshkroi Walter Howell Deverell, modelen Lizzie Siddal: Viola në pikturën “Nata e Dymbëdhjetë” (Twelfth Night, 1850) (

Edhe pse pamja shtathedhur e Lizzie Siddalit, tiparet thatanike dhe flokët e ndritshme ngjyrë bakri, sot merren si shenja të bukurisë, në vitet 1850 të qënët e hollë nuk konsiderohej seksualisht tërheqëse, ndërsa flokët e kuqe përshkruheshin nga një gazetare si “vetëvrasje sociale”. Përmes punës së saj të modelimit dhe suksesit të pikturave në të cilat shfaqej, Lizzie ndihmoi në ndryshimin e opinionit publik për bukurinë.

Brenda disa viteve, Lizzie fitoi mjaft sa për të lënë dyqanin e kapelave. Ndërsa, fytyra e saj u bë e famshme si modele për pikturën e famshme të Millaisit, “Ofelia” (1851-1852). Artistët tjerë vraponin për ta pikturuar, por Rossetti – atëherë e njohur si i dashuri i saj – u bë xheloz dhe i kërkoi që të modelonte vetëm për të. Charles Allston Collins (vëllai i vogël i Wilkie Collinsit) mban mend se i kërkoi Siddalit të pozojë për të, porse e merr një refuzim të “akullt”.

Historia e dashurisë mes Siddalit dhe Rossettit është si e një skenari të një filmi për adoleshentë: për 10 vjet ishin “të fejuar”, por Rossetti nuk pranoi ta caktonte datën e dasmës. As nuk ishte e lehtë të jetoje me të: Siddal ishte e varur nga ilaçi Laudanum, ndërsa Rossetti ishte jobesnik.

Piktura e bërë nga Siddal bazuar në një baladë mesjetare për fëmijë, që u ble nga një koleksionist i madh amerikan: “Klerk Sanders” (Clerk Saunders, 1857)

Më 1854 nis karriera e Siddalit si artiste. Rossetti po e mësonte dhe kur Ruskini pa punën e saj, e shpalli “gjeni”. Pikturat e saj shpesh përqesheshin nga kritikët e artit, por Siddal veçse kishte filluar të mësonte kur burrat e rrethit të saj kishin shumë vite në zanatin e tyre e nën tutelën e ekspertëve. Përparimi i saj – çuditërisht i shpejtë – tregon se pse Ruskini kishte interes për të. Ai ia dha asaj një pagë vjetore prej 150 funtash, që t’ia mundësonte pikturimin. Nga puna e saj me orar të plotë në dyqanin e kapelave kishte fituar 24 funte në vit.

Më 1857 ajo ishte e vetmja femër në Ekspozitën e Para-Rafaelitëve në Londër, kur një nga pikturat e saj, “Klerk Sanders” (1857), u ble nga një koleksionist me ndikim në ShBA, Charles Eliot Norton. Pas pak, Siddal – shëndeti i së cilës u përkeqësua për ca kohë – hoqi dorë nga pensioni që ia jepte Ruskini. Rossetti dhe Ruskini kishin kontrolluar jetën e saj dhe ajo donte të ikte nga kjo. Me kursimet e saj, merr një nga motrat e shkon në qytetin e banjave Matlok në Derbishajr. Pastaj, në vend që të kthehej në Londër, udhëtoi për në Shefild, në vendlindjen e babait të saj, për të qëndruar te kushërinjtë. Siddal shpejt u zhvendos në një shtëpi dhe u regjistrua në Shkollën e Artit “Sheffield”, e përcaktuar të bëhej artiste me forcat e saj.

“Ofelia” (Ophelia, 1851-52) nga John Everett Millais është një nga pikturat më të famshme të Lëvizjes Para-Rafaelite e ku modele është Lizzie Siddal

Për ta vizituar, Rossetti bëri udhëtime të herëpashershme, por letrat nga miqtë në Londër zbuluan lidhjet e tij me gra të tjera, ndaj marrëdhënia e tyre përfundoi në mes të vitit 1858. Mbetet mister pjesa më e madhe e asaj që i ndodhi në jetën e saj gjatë dy viteve të ardhshme. Pastaj, në pranverën e vitit 1860, u sëmur rëndë. Familja e saj e kontaktoi Ruskinin dhe ai i tha Rossettit i cili nxitoi të ishte pranë saj. Siddali ishte shpërngulur në qytetin Hastings, një vend i njohur për invalidët që rikuperoheshin. Rossetti mbërriti me një licencë martese dhe, sapo ajo bëri më mirë, u martuan.

Ata e kaluan një muaj të zgjatur mjalti në Paris, nga ku u kthyen me një çift qensh rrugësh që i kishin adoptuar si kafshë shtëpiake. Lizzie e kuptoi se ishte shtatzënë dhe Rossetti me kënaqësi e pikturoi dhe vizatoi, përfshirë të famshmen “Mbretëresha e zemrës” (1860). Ajo ishte e kënaqur me perspektivën e mëmësisë, por në mënyrë tragjike ishte e varur nga Laudanumi. Ndoshta kjo ishte arsyeja se pse më 2 maj 1861 e lindi një vajzë të vdekur. Ajo kurrë nuk e merr veten nga depresioni që e kaptoi pas kësaj. Martesa e tyre vuante dhe ajo ishte e bindur se Rossetti po e tradhtonte – megjithëse miqtë e tij insistonin se ai ishte besnik gjatë martesës.

Siddal po ashtu pozoi për artistin William Holman Hunt, për pikturën “Valentini shpëton Silvinë nga Proteusi” (Valentine Rescuing Sylvia from Proteus, 1851)

Në mbrëmjen e 10 shkurtit 1862, çifti Rossetti del për darkë me poetin Algernon Charles Swinburne. Pasi u kthyen në shtëpi, Rossetti shkoi të jepte mësim në orët e natës në Kolegjin e Klasës Punëtore. Para se të largohej pa që Lizzie u shtri në shtrat – e kishte marrë dozën e saj të zakonshme të Laudanumit, por kishte mbetur edhe gjysmë shishe. Kur u kthye nga puna, shishja ishte bosh. Lizzie ishte në gjumë aq të thellë sa nuk ishte në gjendje ta zgjonte. Ajo ia kishte lënë një letër. Duke i kërkuar qiradhënëses që ta thirrtë një mjek, Rossetti e fshehu letrën inkriminuese. Përkundër përpjekjeve të katër mjekëve, Lizzie Rossetti vdiq në orët e para të 11 shkurtit 1862. Me këshillën e mikut të tyre, Ford Madox Brown, Rossetti e dogji letrën e saj. Kjo u bë që vdekja të mos shpallet si vetëvrasje se ashtu i mohohej varrimi i krishterë. Në kohën e vdekjes së saj, Lizzie ishte sërish shtatzënë. Ndoshta kishte frikë se fëmija i saj nuk lëvizte e ajo nuk do të mund të përballonte një lindje të dytë me foshnje të vdekur.

Historia e saj nuk mbaron me vdekjen. Për shkak të një ngjarje makabre, u bë figurë e kultit gotik. Rossetti e vendosi në arkivolin e gruas së tij kopjen e vetme të poezive që kishte shkruar. Shtatë vjet më vonë, donte t’i merrte sërish. Në fshehtësi të madhe, një natë vjeshte të vitit 1869, arkivoli u zhvarros. Rossetti, i cili tani konsiderohej “i çmendur” nga disa të njohur të tij, nuk ishte i pranishëm. I gjithë operacioni u krye nga miku i tij dhe agjenti i vetëshpallur Charles Augustus Howell – një fjalaman pompoz. Në varreza nuk kishte drita, kështu që u ndez një zjarr i madh.

“Mbretëresha e zemrave” (Regina Cordium, 1860), pikturë e Rossettit, me modele Siddalin tashmë si grua e tij

Howell më pas i tha Rossettit se kur u hap arkivoli, trupi i gruas së tij ishte ruajtur për bukuri. Nuk ishte skelet, insistonte në gënjeshtër, por e bukur siç kishte qenë në jetë, dhe se flokët e saj ishin rritur për të mbushur arkivolin me një shkëlqim bakri, që bënte dritë nën flakën e zjarrit. Trillimi i Howellit është miti i bukurisë mbizotëruese të supermodeles së parë, madje edhe në vdekje, dhe është një mit që edhe sot e kësaj dite shumë njerëz nga e gjithë bota e besojnë e i bënë të thonë se Lizzie është e pavdekshme.

Një dedikim më pak fantastik për Lizzie Siddalin u shkrua disa dekada më vonë, nga një ish-kolege studente në Shkollën e Artit në Shefild. Ajo shkroi në një gazetë lokale, duke u identifikuar si “AS”: “Ishte një njohje e vogël me të, por që la përshtypje të përjetshme në kujtesën time.”

Lizzie Siddal vdiq në moshën 32 vjeçe, por emri i saj ende jehon. Poezitë që merr burri u publikuan me vlerësim të madh, megjithëse historia e marrjes së tyre u ruajt me kujdes. 

Nga: Lucinda Hawksley

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat