Italia (1914) / Shkëmbimet midis Mbretëreshës së Italisë dhe Esat Pashë Toptanit në ballon e oborrit mbretëror italian - Bota Sot
Italia (1914) / Shkëmbimet midis Mbretëreshës së Italisë dhe Esat Pashë Toptanit në ballon e oborrit mbretëror italian

Historia

Italia (1914) / Shkëmbimet midis Mbretëreshës së Italisë dhe Esat Pashë Toptanit në ballon e oborrit mbretëror italian

Nga: Aurenc Bebja Më: 12 janar 2020 Në ora: 09:13
Esat Pasha dhe delegatët shqiptarë në Romë (Excelsior, 18 shkurt 1914, f.5) – Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

“Le Matin” ka botuar, të mërkurën e 18 shkurtit 1914, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me shkëmbimet Esat Pashë Toptanit me mbretëreshën e Italisë (Jelena Petrović-Njegoš) në ballon e oborrit mbretëror, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Esat Pasha dhe anëtarët e delegacionit shqiptar u larguan nga Roma këtë mbrëmje në orën njëmbëdhjetë; ata do të shkojnë direkt në Neuwied, përmes Këlnit. Koha e qëndrimit të tyre këtu shpjegohet nga nevoja që shumica e anëtarëve të delegacionit të krijojnë një gardërobë perëndimore dhe t’i sigurojnë vetes rrobat ceremoniale të nevojshme për realizimin e misionit të tyre në Romë, duke patur parasysh se në Durrës nuk mungon vetëm strehimi, por edhe rrobaqepësit.

 Kjo vonesë i mundësoi mbrojtësit të famshëm të Shkodrës që të merrte pjesë mbrëmë në ballon e oborrit mbretëror. Gjenerali Esat Toptani, i njohur më mirë me emrin e tij turk të Esat Pashait, ishte me rroba civile.

 Mbretëresha, raporton “Italia”, iu drejtua atij me komplimentin që mund ta prekte më së shumti, duke ardhur nga vajza e kundërshtarit të tij të një viti më parë.

 “Jam e lumtur, gjeneral, të përgëzoj mbrojtësin heroik të Shkodrës.”

Image
Romë, 17 Shkurt. Shkresë special e “Le Matin”.

 Esat Pasha u përul dhe iu përgjigj me të njëjtën monedhë :

 “Ne thjesht kemi bërë çmos që të mos jemi kundërshtarë shumë të padenjë përballë babait të lavdishëm të Madhërisë Suaj dhe ushtarëve të tij trima.”

 Meqë mbretëresha pati delikatesën t’i adresojë komplimentin e saj Esat Pashës në gjuhën shqipe, gjenerali shqiptar iu përgjigj asaj në gjuhën serbe. Thuhej se Esat Pasha dinte vetëm shqip dhe turqisht. Ai vërtetoi të kundërtën. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat