Rrëfim tronditës: Si u pushkatuan në kampin e Spaçit; Koprenca, Kokomani dhe Lezha

Historia

Rrëfim tronditës: Si u pushkatuan në kampin e Spaçit; Koprenca, Kokomani dhe Lezha

Më: 28 janar 2020 Në ora: 15:26
Burgu i Spaçit

 Klithmat e nëndheshme që tronditën Shqipërinë…

 (Fjala e mbajtur me rastin e përvjetorit të tre të pushkatuarve të kampit – burg të Spaçit, Xhelal Koprenca, Fadil Kokomani dhe Vangjel Lezha, organizuar nga Ambasada e Republikës së Austrisë, Ministria e Kulturës dhe Instituti i Studimeve për krimet dhe pasojat e komunizmit, ISKK.)

Të nderuar pjesëmarrës,

Ndodhemi pranë kampit-burg – skëterrë, të diktaturës komuniste shqiptare, ku burra dhe djem të rinj, nga raca më e mirë e kombit tonë, atdhetarë e demokratë, u dergjën me dekada duke punuar me përdhunë, si skllevër, brenda këtij mali të pashpirt, të urryer e të zhgërryer, si vetë fytyra e diktaturës së egër komuniste, u treten eshtrat me dhjetëra prej tyre. Megjithatë, edhe pse nën trysnin e një diktature të pashembullt të historisë njerëzore, në këtë truall kaq të vogël, si një hinkë e përçudnuar e natyrës, kanë ndodhur ngjarje të tilla, për të cilat çdo popull i pushtuar nga një regjim sadistë, sllavo-komunist, do të ndjehej krenar për racën e vet.

Bëhet fjalë për ngjarje madhore, shumë domethënëse për politikën shqiptare, para dhe paskomuniste : E para, Kryengritja e Famshme e të burgosurve politikë të Spaçit, e cila filloi më 21 Maj të vitit 1973, dhe përfundoi në mënyrë tragjike më 23 Maj, me pushkatimin 4 djemve të rinj , Skënder Daja, 23 vjeç, Pal Zefi, 29 vjeç, Hajri Pashaj, 29 vjeç, dhe Dervish Bejko, 27 vjeç, si dhe me arrestimin e 80 të burgosur të tjerë, nga të cilët 61 u ridënuan me burgime të rënda. Të përkthyera në vite+burg i kalojnë njëmijë e treqind vjet. Por jo vetëm kaq… Një ngjarje tjetër, po në Spaç, po kaq tragjike erdhi si rrjedhim e një thepisjeje të madhe të ngjarjeve politike – ekonomike të Shqipërisë më 1978 -79, menjëherë pas prishjes së marrëdhënieve politike + ekonomike me Republikën Popullore të Kinës. Me këtë rast Shqipëria, përfundimisht u vetëizolua. Të vetëdijshëm, intelektualët që vuanin në këtë kamp-skllevërish, pavarësisht nga pikëpamjet e tyre politike, vendosën, bashkërisht, të shkruanin një letër- protestë, drejtuar Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKSh-së, ku bëhej thirrje anëtarëve të saj që të distancoheshin nga rruga ku po i gremiste Enver Hoxha. Këta intelektuale, dhe të tjerë solidarë me ta, u arrestuan të ndarë dy grupe: Një grup me pikëpamje të djathta, përfaqësuar nga i burgosuri historik, Xhela Koprenca dhe grupi i të majtëve, kryesuar nga të burgosurit Vangjel Lezha dhe Fadil Kokomani….të dy ish – gazetarë të shtypit të asaj kohe. Nga këto dy grupe u pushkatuan tre të burgosur politikë, Xhela Koprenca, Vangjel Lezha dhe Fadil Kokomani. Ndërsa të tjerët me ridënime shumë të rënda. Mjaftojnë këto dy ngjarje të rralla në historinë e burgjeve komuniste që historianët tanë, veçmas nga INTERESAT e tyre POLITIKE, nisur thjesht nga interesi kombëtarë, të kishin rrokur këto dy ngjarje sa heroike, aq tragjike për kohën, kur u zhvilluan, me siguri që sot burgu i Spaçit, nuk do të ishte ky qe shohim i rrënuar dhe pa asnjë objekt mbresëlënës, por do të ishte një burg – Muze, i Kujtesës Kombëtare, nga të rrallët në kontinentin tonë. I dhimbshëm është fakti se, nga organet shtetërore apo personalitetet e shtetit, gjatë këtyre tri dekadave, nuk është përmendur asnjëherë, zyrtarisht, apo të jetë organizuar ndonjë konferencë përkujtimore për vlerat dhe rëndësinë e këtyre ngjarjeve, në këtë kamp-burg, i përzgjedhur nga qeveria diktatoriale kinse për t’i shfrytëzuar të dënuarit politikë, jo vetëm për të nxjerr nga nëntoka bakër e pirit, nga një minierë primitive, me rreziqe të panumërta për jetën e tyre, por nëpërmjet dhunës fizike e morale mbi ta, dhe trajtimit çnjerëzor në mënyrën e të ushqyerit, shpresonin që brenda disa vjetësh, këta të burgosur politikë, të mos ishin në gjendje më të komandonin veten e tyre fizikisht e mendërisht. Ndaj, ngaqë ishin të vetëdijshëm për ketë, çdo ditë në rrezik për jetën e tyre, të burgosurit në hyrje të galerisë, përqafoheshin dhe uronin njeri tjetrin : “ Zoti të ndihmoftë të dalësh gjallë!”

I vetizoluar dhe i vetëshpallur shtet i diktaturës së proletariatit, klika kriminale, që drejtonte vendin, e molepsur nga megalomania e kreut të shtetit, pretendonte se ideologjikisht përfaqësonte kreun botëror të udhëheqjes marksiste-leniniste, për të përmbysur regjimet antipopullore imperialiste e revizioniste, pikërisht në një kohë kur, shtetet evropiane të të dy kampeve kundërshtare, ai i komunisteve me në krye Bashkimin Sovjetik dhe shtetet kapitaliste evropiane, me në krye SHBA, ishin gati të nënshkruanin në Helsinki paktin e famshëm historikë, të Sigurimit e Bashkëpunimit Evropian, sot institucioni OSBE-së. Marrëzia e kësaj klike shqiptare, e kriminalizuar me bashkëkombësit e vet, për të ruajtur me çdo kusht pushtetin, shpallte me mburrje mospjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë Pakt Ndërshtetëror, duke organizuar e goditur, ndërkohë, grupe armiqësorë të sajuar, brenda radhëve të veta, si grupe, që kërkonin të minonin pushtetin popullor për t’u bashkuar me imperializmin amerikanë e social-imperializmin sovjetik. Kujtoni grupet armiqësore në art e letërsi, në ushtri grupin e gjeneralëve me në krye Ministrin e Mbrojtjes, në ekonomi grupin e Abdyl Këllezit, ministër i ekonomisë, dhe vriste cilindo që klika kriminale e mendonte se i rrezikonte pushtetin. Prandaj, ngritja krye e të burgosurve politikë të Spaçit, nga mënyra si u zhvillua në kohën e regjimit diktatorial, merr vlera të veçanta e të rëndësishme në historinë e popullit tonë. Thashë, e dhimbshme edhe për faktin sepse deri më sot, asnjë historian apo grup historianësh nuk është marrë me studimin e këtyre ngjarjeve, në mënyrë që të përcaktohen shkencërisht vlerat dhe përmasat e vërteta historike. Pa pretenduar se jam i aftë për të vlerësuar ngjarjet që duhet të hyjnë apo jo në aureolën e ngjarjeve të rëndësishme kombëtare, apo ndërkombëtare, gjithsesi, si pjesëmarrës direkt në Revoltën e Famshme të 21 majit të vitit 1973, kam të drejtën të them se, nëse do kishin ndodhur këto që përmenda më lartë, pa asnjë dyshim që , datat e këtyre dy ngjarjeve në burgun famëzi të Spaçit, do të ishin futur në Protokollin e Ngjarjeve Përkujtimore të Kombit Shqiptarë.   

E konsideroj nder dhe vlerësim të madh ardhjen e ambasadorëve të nderuar e të rëndësishëm për vendin tonë, pikërisht këtu, në vendin ku burrat dhe të rinjtë antikomunistë dhe demokratët shqiptarë, atdhedashës, vuajtjen në këtë katakomb dantesk, por, pikërisht pse ishin të tillë ata djem e burra vendosën për të sulmuar shtetin më të egër të diktaturës komuniste në botë. E them me krenari që ishte lulja e djelmërisë shqiptare, ishin bijë apo trashëgimtarë familjesh të mirënjohura të historisë së kombit tonë. Po përmend nipin e shkodranit të famshëm, Hodo Sokolit, që luftoi kundra grabitësve të trojeve shqiptare, me malazezët, Sami Dangëllia, ky Mandela i Botës, që e nisi kalvarin e vuajtjeve në burgun e Burrelit, më 1944 dhe u lirua me arkivol nga burgu i Shën Vlashit, pasi kishte bërë dyzetë e një vjet burg, pa që i lirë asnjë ditë. Shteti kriminal nuk dëshironte të mbijetonte një i burgosur, Kampion Bote, në Shqipëri, ndaj e la tri ditë e tri net, me stomak të plasur, pa e çuar në spitalin e Sarandës, jo më shumë se 12 kilometra larg. Ishte viti 1987. Me të drejtë “Zëri i Amerikës” në atë kohë, e shpalli Sami Dangëllinë Kampionin e botës, me 41 vjet burg. Por kush është kujtuar për këto ngjarje ekstremisht kriminale në Shqipërinë pluraliste? Apo për pesë mijë varret e paditura, ku dergjen eshtrat e njerëzve që donin Shqipërinë të lirë e demokratike, ku familjarët e tyre, nipërit e mbesat, miqtë dhe dashamirët mund të çonin një lule mbi varret e dashurve?

Them se Revolta e famshme e të Burgosurve Politike të Spaçit, ishte një ngritjekrye edhe për faktin e thjeshtë se ata nuk patëm pushkë e topa, por, për tri ditë e tri net, arritën ta mundnin pushtetin komunist. Për këtë është dëshmitarë i gjithë populli i Mirditës. U çliruan gati 2000 metro katrorë të mëmëdheut nga klika komuniste. U shporrëm kriminelët nga banesat e tyre, për tri ditë e tri net. U ngrit Flamuri Kombëtar, pa yllin e kuq, simbolin e internacionalizmit proletar, mbi dy krerët e shqiponjes, i cili u valëvit krenar në majën më të lartë të hapësirës së çliruar nga demokratët antikomunistë. Vërtet që nuk patën pushkë e raketa, por ama përdorën grushte, dru dhe hekura që goditëm pa mëshirë ata që po i përdornin si skllevër. Nuk patën strategë ushtarakë, por patën shpirtin e tyre të pa epur dhe dëshirën e madhe për ta mposhtur diktaturën. Ata bashkuan të gjitha krahinat e Shqipërisë me “Këshillin Krahinor” që e formuan gjatë zhvillimit të kryengritjes. Qenë të parët në Shqipëri që krijuan “Faltoren e Parë të mëkatarëve”, të cilët, për interesa të ngushta personale, kishin dëmtuar dhe dëmtonin bashkëvuajtësit e tyre, u falën nga Këshilli Krahinorë dhe, iu dha mundësia për t’u bashkuar me kryengritësit, duke shfaqur, me këtë rast, në mënyrë demonstrative, urrejtjen e tyre kundra regjimit. Ata çliruam veten, por nxitën edhe popullin të çlirohej si ata. Kryengritja e tyre mori dhenë edhe përtej kufijve të Shqipërisë. Agjenci të ndryshme nëpër botë e përhapën si rrufe lajmin për aktin e guximshëm të burgosurve politikë në Kampin shfarosës të Spaçit. Ata lëshuam thirrje për të gjitha fuqitë e mëdha të botës, nëpërmjet spikerëve që hipnin mbi tarracën e pallatit dhe lexonin me zë të lartë promemoriet që lëshonte shtabi i kryengritjes: I bënë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Sovjetik, Kinës, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, si dhe të gjitha vendeve të fuqishme të Evropës e të Globit, për t’i ndihmuar të çliroheshim nga diktatura komuniste. Parullat tyre me zë të lartë ishin: Poshtë…komunizmi”…”Poshtë…diktatura komuniste!”..“Rroftë…Amerika!”…“Rroftë Evropa Demokratike”…”Rroftë Bashkimi dhe Sigurimi Evropian”…”Ja vdekje, ja liri”…

Të gjitha këto që po i dëgjoni sot nga unë, mund t’i gjeni në arkivat e Shtetit shqiptar, sepse ngjarja e famshme është e filmuar dhe incizuar besnikërisht nga klika në fuqi. Vetëm vullneti dhe dëshira e mirë duhet për të zbuluar e thënë të vërtetën. Askush nuk e vuri në dyshim, në atë kohë, tronditjen e madhe që i shkaktoi shtetit të diktaturës, Kryengritja e të Burgosurve Politikë të Spaçit…

Faleminderit!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat