Kujtimet e Nexhmije Hoxhës: Nata e fundit e Mehmet Shehut

Historia

Kujtimet e Nexhmije Hoxhës: Nata e fundit e Mehmet Shehut

Më: 4 shkurt 2020 Në ora: 19:09
Enver Hoxha e Mehmet Shehu

Sot, mbajta mbledhjen e parë të kabinetit qeveritar. Pas ceremonisë zyrtare dhe pranim-dorëzimit të detyrës së Kryeministrit u takova me ministrat tanë të ri. Bashkë me ta dhe secilin person që punon në institucionet e Republikës sonë do të bëjmë më të mirën e mundshme për të arritur zhvillim e shtetndërtim për vendin, punë e drejtësi për qytetarët.

Karriget i kemi, por jam i bindur se më shumë do të rrimë në këmbë për shkak të punëve të shumta që na presin.

Në shtator 1981, Mehmet Shehu bëri fejesën e djalit të tij, Skënderit, ngjarje kjo, që do të shkaktonte një krizë të re në marrëdhëniet midis Enverit dhe Mehmetit. Për këtë fejesë, ne mësuam nga djali ynë, Iliri, kur u kthyem nga Pogradeci. Ai na tha se atë dhe Teutën i kishin ftuar në shtëpinë e Mehmetit dhe ata kishin shkuar për urim. Iliri na tregoi se djali i Mehmetit qe fejuar me vajzën e një profesori të Universitetit të Tiranës.

Të nesërmen, Enveri dhe unë shkuam dhe uruam Mehmetin e Fiqretin, si edhe çiftin e ri. Më pas, dëgjuam se në Tiranë po ziente lajmi i kësaj fejese, se krushqia që kishte bërë familja Shehu ka habitur opinionin publik dhe është bërë objekt muhabeti e diskutimi, në takime në rrugë, në kafene etj. Shumëkush çuditej për këtë krushqi, pasi për këdo ishin të njohura qëndrimet e rrepta të Mehmetit në zhvillimin e luftës së klasave, aktet e tij luftarake kundër pushtuesve të vendit gjatë Luftës Nacionalçlirimtare, si dhe, më vonë, kundër armiqve të jashtëm. Kush nuk e njihte sloganin e tij: “Shqipëria në gojë të ujkut”. Prandaj të gjithë pyesnin: “Si është e mundur ta ketë bërë këtë fejesë Mehmet Shehu?!”.

Këto pyetje bëheshin, ngaqë vajza, nga ana e nënës, i përkiste familjes së Pipajve të Shkodrës, në mesin e së cilës kishte edhe kriminelë të luftës, të burgosur ose të arratisur. Ndër ta ishte edhe Arshi Pipa, i cili, nga SHBA, nuk pushoi së përdoruri penën e tij të helmatisur kundër pushtetit popullor dhe socializmit në Shqipëri. Të gjitha këto që dëgjoi, e shqetësuan shumë Enverin.

Herë pas here ai bënte pyetjen “Si e bëri këtë Mehmeti?! Si nuk pyeti njeri?!”. “As mua nuk më njoftoi drejtpërdrejt. Bëri sikur nuk e dinte rrethin familjar të vajzës dhe nuk më njoftoi. As kur erdhi vetë në Pogradec dhe na takoi, ai nuk na tha gjë, por na foli për një libër që po bënte mbi imperializmin”.

Enveri vazhdonte t’i bënte vetes pyetjen: “Pse e bëri këtë fejesë, kur ai kishte qenë për shumë vjet ministër i Brendshëm dhe duhej ta njihte mirë veprimtarinë armiqësore të Arshi Pipës dhe rrethit të tij?”.

Ky shqetësim krijohej vetëm dy muaj para Kongresit të 8-të të Partisë, kur Enveri kishte aq probleme, jo vetëm lidhur me përgatitjen e raporteve, që do të paraqiteshin në Kongres, por edhe lidhur me çështjet dhe me vështirësitë që na kishin dalë pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën.

Duke menduar se çështja e fejesës duhej sqaruar dhe mbyllur sa më parë, Enveri dha porosi atë natë që Mehmeti të kthehej nga Korça, ku kishte shkuar për Konferencën e Partisë të rrethit, që të bisedonte me të. Të nesërmen, Mehmeti u kthye nga Korça dhe erdhi në takim, në shtëpinë tonë. U takua dhe bisedoi me Enverin tri-katër pasdite me radhë. Qenë takime të gjata dhe unë kam qenë e pranishme në to. Enveri, në fillim, u përpoq shumë ta ndihmonte Mehmetin që t’i thoshte Partisë se çfarë e çoi në këtë vendim, duke i theksuar se akti që ai kishte kryer nuk mund të shpjegohej me sentimentalizmin e një babai. Ai i kërkoi Mehmetit të shpjegonte sesi arriti ta merrte këtë vendim.

Në takimin e parë, Mehmeti pranoi, ndonëse me gjysmë zëri, se kishte bërë gabim të madh dhe iku mjaft i mërzitur dhe i shqetësuar. Më pas, ai premtoi se do ta prishë fejesën porsa të kthehej djali nga Stokholmi. Por ai vazhdonte me versionin e tij, duke insistuar se nuk pa tej babait të vajzës, Qazim Turdiut, që ishte pedagog në Universitetin e Tiranës (pavarësisht se edhe ky kishte qenë pranë Ballit Kombëtar – shën. im, N.H.) dhe se vajza e tij, njihej për sjellje të mira.

Mehmeti, pas çdo takimi me Enverin, ikte i mërzitur. Një herë, kur po e përcillja, duke zbritur shkallët, ai më tha: “Ja, edhe Ladi po më lë”. E kishte fjalën për djalin e madh, Vladimirin, i cili po meremetonte një apartament, diku afër të ashtuquajturit Bllok, pasi do të largohej nga shtëpia e re dhe e madhe e Mehmetit, vila 30, ngaqë gruaja e Ladit, vajza e gjeneral Shytit, donte që prindërit, të afërmit, shoqet e saj t’i vinin lirisht për vizita dhe jo vetëm me raste festash e ditëlindjesh.

Ia thashë këtë Enverit dhe ai, të nesërmen në mëngjes, thirri në zyrën e tij Vladimirin, e uli pranë vetes dhe i foli me butësi. Duke i kërkuar të mos largohej nga shtëpia, i tha: “Ti Ladi, si djali i madh i tij, qëndroi afër dhe ndihmoje, se Mehmeti po kalon çaste të vështira…”.

Gjendja e trazuar e Mehmetit u duk edhe në periudhën e përgatitjeve për Kongresin e 8-të të Partisë, ndërkohë që aparati i KQ dhe e gjithë Partia, si dhe institucionet shtetërore dhe shoqërore ishin në një aktivitet intensiv. Raporti kryesor llogaridhënës i Komitetit Qendror, që do të mbahej në Kongres, ishte përfunduar nga Enveri dhe i qe ndarë Byrosë Politike, por raporti tjetër, ai mbi direktivat e planit 5-vjeçar, që do të mbante Mehmet Shehu, u dorëzua me vonesë në aparatin e KQ për anëtarët e Sekretariatit  të KQ dhe të Byrosë Politike. Madje, u vu re se ky raport kishte shumë mangësi dhe pasaktësi të karakterit politik, që duheshin ndrequr. Enveri bisedoi me shokët kryesorë që këto plotësime dhe përmirësime të bëheshin nga shokët e Aparatit të KQ, me qëllim që të mos rëndohej edhe më tepër Mehmeti, që, sipas tij, nuk ishte në gjendje të mirë shpirtërore.

Po ashtu, për të mos e trazuar edhe më tej gjendjen e Mehmetit, Enveri kundërshtoi mendimin, që u dha nga disa shokë, që në Kongres të mos mbahej raport i dytë, që, tradicionalisht, mbahej nga Kryeministri. Ata që e hodhën këtë mendim niseshin nga fakti se politika ekonomike e Partisë dhe direktivat e planit të ri 5-vjeçar dilnin mirë në Raportin e Komitetit Qendror. Por Enver Hoxha, duke e parë më gjerë problemin, konkludoi se një masë e tillë nuk do të pritej mirë nga Mehmeti, do të ndikonte për keq tek ai dhe mund të keqinterpretohej si masë ndëshkimore ndaj tij. Prandaj Enveri vendosi të mos ndryshohej praktika e ndjekur në kongreset e mëparshme, duke u nisur nga qëllimi i mirë që në Kongres të vihej në pah edhe figura e Kryeministrit

Në saje të këtij qëndrimi dashamirës të Enverit, Mehmet Shehu e mbajti raportin, madje, u zgjodh përsëri anëtar i Komitetit Qendror dhe i Byrosë Politike. Po ashtu, edhe Fiqreti u rizgjodh anëtare e KQ. Megjithatë, gjatë punimeve të Kongresit u duk qartë që Mehmeti ndenji shumë i vrarë në fytyrë, si për t’u thënë delegatëve dhe atyre që e ndiqnin në televizor se “me të diçka kishte ngjarë”.

Është e njohur që në Kongresin e 8-të të Partisë, as nuk u zu në gojë gabimi i Mehmet Shehut, lidhur me fejesën e të birit, dhe as u bë ndonjë ndryshim në funksionet që ai kishte. Ky ishte një sinjal i qartë se mbledhja e Byrosë Politike, që ishte lënë për t’u zhvilluar pas Kongresit për të diskutuar problemin e tij, nuk bëhej për të marrë masa përjashtimi a dënimi tjetër të rëndë ndaj Mehmetit, por vetëm me qëllimin që ai të korrigjonte gabimin dhe karakterin e tij.

Edhe në këtë rast, Enver Hoxha përdori metodën e tij të bashkëbisedimit me shokët. Ai e thirri në takim Mehmet Shehun dhe bisedoi me të, me qëllimin për ta ndihmuar që të kuptonte se gabimi që kishte bërë, nisur nga pozita e tij e lartë, ishte politik dhe i dëmshëm, ndaj duhej ndrequr. Fejesa në vetvete është një ngjarje e zakonshme në çdo familje, por fejesa e djalit të Mehmetit, në fakt, mori përmasa politike. Ajo u bë shkas i një krize të rëndë në marrëdhëniet mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut.

Me gjithë përpjekjet e Enverit për ta mbyllur mirë këtë çështje, megjithë dashamirësinë dhe qëllimin e mirë që tregoi ai dhe shokë të tjerë ndaj Mehmetit, për ta ndihmuar dhe për ta shpëtuar, kjo krizë që ndodhi në marrëdhëniet e Enverit me Mehmetin, në vitin 1981, pati një përfundim tragjik, krejt ndryshe nga krizat e mëparshme, si ato në vitin 1953 apo në 1974, që, gjithsesi, ishin mbyllur me një përfundim të mirë për Mehmetin.

Diskutimet që u bënë në mbledhjen e Byrosë Politike, më 17 dhjetor, në fakt, qenë me kritika të rënda, që këtë herë bëheshin aq haptas dhe nga të gjithë. Ata që e morën fjalën nuk u ndalën vetëm në gabimin e fejesës, por, si asnjëherë tjetër, pa druajtje, i kujtuan Mehmetit edhe gabimet që ai kishte bërë në të kaluarën, i vunë në dukje të metat në punë dhe në keqtrajtimin e kuadrove, në mosrespektimin e punonjësve etj., duke theksuar se të gjitha këto e kanë burimin në karakterin e tij të vrazhdë, në mendjemadhësinë e stimën e lartë që kishte ai për veten e tij etj.

Mund të thuhet se anëtarët e Byrosë kishin reflektuar në atë që kishte thënë Enveri në një mbledhje të mëparshme se, është në interes të Partisë dhe të vetë Mehmetit që Byroja Politike dhe Qeveria të punojnë si forume kolektive partie dhe jo si shtab ushtarak.

Sipas mendimit tim, kjo porosi flet për shqetësimin që kishte Enveri se ç’mund të ndodhte kur ai vetë nuk do të ishte më. Ai e kishte mirë parasysh se, kur i drejtonte vetë mbledhjet e Byrosë Politike, Partinë dhe, në përgjithësi,  punën për zbatimin e vijës dhe të strategjisë së saj, Mehmeti sillej korrekt ndaj shokëve, si në Byro dhe në çdo mbledhje ku ishte prezent Enveri. Po kur ky të mos ishte…?!

Është fakt që Enveri dhe të gjithë anëtarët e Byrosë në fund të mbledhjes së 17 dhjetorit propozuan për Mehmetin thjesht një masë disiplinore partie, shënim në kartën e regjistrimit, që, pas pak kohe, mund të shlyhej. Kjo flet për dashamirësinë e treguar gjer në fund nga Enveri ndaj Mehmetit. Këtë e dëshmon edhe ajo që ka shkruar Ramiz Alia në librin e fundit të tij, ku thotë se Enveri, rrugës duke u kthyer në shtëpi, në mbrëmjen e 17 dhjetorit, pas mbylljes së seancës së parë të Mbledhjes së Byrosë, i kishte thënë Ramizit: “Ja, nesër në mëngjes, do të flas dhe unë. Edhe unë jam për masën që propozuat ju të gjithë dhe ta mbyllim me kaq”.

Por, pavarësisht nga të gjitha këto përpjekje të Enverit, Mehmeti e mbylli vetë, me aktin ekstrem të vetëvrasjes.

Siç thashë më sipër, megjithëse i tronditur nga lajmi që mori në mëngjes për aktin e kryer nga Mehmeti, Enver Hoxha vajti në mbledhjen e Byrosë Politike të datës 18 dhjetor dhe mbajti diskutimin e tij, që e kishte përgatitur me shkrim. Ai u përpoq të ishte i qetë dhe ta përmbante veten. Pas përfundimit të mbledhjes, ndonëse ndihej i lodhur, qëndroi me shokët e Byrosë dhe bisedoi me ta për aktin e vetëvrasjes së Mehmet Shehut dhe rreth letrës që ai i kishte lënë.

Pas një ditë pune tepër të ngarkuar, Enveri u kthye në shtëpi vonë, kur kishte kaluar koha e drekës. Unë po e prisja tërë merak. Pasi u ul të qetësohej, i mërzitur, më foli për përmbajtjen e letrës që i kishte lënë Mehmeti. Më tha se në fund të saj ai sugjeronte që vetëvrasja e tij mund të trajtohej siç u bë me Nako Spirun dhe se i linte amanet familjen, Fiqretin dhe djemtë.

Unë e dëgjoja e befasuar. Kështu u ndjeva tërë ditën. Në mbrëmje, pas darke, Enveri nxori nga çanta letrën e Mehmetit. Ishte nja 3-4 faqe me dorëshkrimin e tij, i cili për mua ishte shumë i njohur. Enveri nisi ta lexonte (kushedi për të satën herë atë ditë), herë për vete, herë me zë. Lexonte i përmbajtur dhe komentonte pjesë të saj, herë duke bërë pyetje mbi pyetje, herë duke shpërthyer pas ndonjë pasazhi të letrës, duke thënë: “hipokrit!”, “intrigant!” e ndonjë epitet tjetër.

Duke kapërcyer me indiferencë përbetimet e Mehmetit për miqësinë dhe për luftën e përbashkët, Enveri ndalej në ata paragrafë që dukeshin enigmatikë ose të shkruar në gjendje përçartjeje. Në një moment shpërtheu sikur pyeste veten: “Ç’do të thotë ky, kur shkruan: “Unë e bëra detyrën time me të vetmen mënyrë që m’u dha mundësia – vetëvrasja”?”. Më pas, komentonte me zë të lartë: “Ku është parë që vetëvrasja qenka detyrë partie…?! Dhe thotë se… po vdiska për Partinë, duke më lënë amanetin që “të ruaj Partinë dhe socializmin…”! Po pse ia hoqi vetes? Si bashkëluftëtar, ai duhej të rronte që “ta ruante Partinë dhe socializmin””.

Pasi bëri një pauzë të shkurtër, dëgjova të lexonte me zë: “Po e lë jetën për Partinë, se nuk më latë rrugë tjetër për ta mbrojtur…!”.

Dhe prapë Enveri komentonte: “Po cila ishte kjo rrugë tjetër? Si nuk i paskam krijuar kushte që të më thoshte të vërtetën? Po cilën të vërtetë, kur ne shiheshim ditë e natë? Çfarë lloj kushtesh duhej t’i krijoja?”.

Mendohej e mendohej dhe përsëri lexonte: “Po lë jetën për Partinë… që të mësosh të vërtetën…”(!) Shkëpuste sytë nga letra Enveri dhe pyeste veten: ”Si u mësoka e vërteta duke vdekur?!”…

Pastaj Enveri u ndal tek ajo pjesë e letrës ku Mehmeti, çuditërisht, disa çaste para vdekjes, para se të vriste veten, kujtohet se 21 vjet më parë, kur u prishëm me Moskën, R. Alia i paskësh thënë: “Pse, vetëm ne qenkemi të vetmit marksistë-leninistë?”, domethënë që Ramizi nuk ishte dakord që u ndamë me revizionistët hrushovianë. Dhe pas kësaj, Mehmeti shtonte duke u ankuar se Enveri nuk i paska krijuar kushtet t’i fliste se kush ishin, në të vërtetë, Ramiz Alia dhe Kadri Hazbiu dhe as për ‘komplotin’ që paskëshin përgatitur këta të dy(!).

Për ç’kushte e kishte fjalën Mehmeti? Kush e pengoi të fliste? Ai ishte anëtar i Byrosë Politike, i Plenumit të KQ, po e po. Aty i kishte të gjitha kushtet për të thënë gjithçka. Madje, po të ishin të vërteta, ai e kishte për detyrë t’ia thoshte Partisë.

Edhe sikur të donte ta bisedonte vetëm për vetëm me Enverin atë problem, ai e kishte me bollëk këtë mundësi. Të dy ishin shokë të ngushtë, Enveri e mbante vazhdimisht afër, rrinte me të, bisedonte, jo vetëm në punë dhe nëpër mbledhje, por edhe në kohën e lirë. Pse për fejesën e të birit erdhi me dëshirën e tij katër pas dite me radhë në takim me Enverin në shtëpinë tonë dhe foli lirisht me të?! Pra, ishte vetë Mehmeti që s’ka dashur ose nuk ia ka mbajtur të fliste për atë çështje që paskësh patur lidhur me Ramizin. Dhe tani, para ikjes, “ankohet” se nuk i paskëshin krijuar kushtet për të folur!

Dihet që mes Mehmetit dhe Ramizit ka pasur, herë pas here, ndonjë fërkim për çështje ideologjike. Të dy ishin të ndryshëm në formimin dhe në karakteret e tyre, sa ç’është sektarizmi nga liberalizmi. Kur në Plenumin IV të KQ (1973), ku raportin për shfaqjet e huaja e mbajti vetë Enver Hoxha, Ramiz Alia bëri autokritikë për gabimet që kishin ndodhur në fushën e artit e të kulturës, duke pranuar që kishte munguar kujdesi i duhur nga ana e tij, si Sekretar i KQ për Ideologjinë dhe Kulturën. Mehmeti gjeti rastin në këtë Plenum të sulmonte Ramizin, duke u përpjekur ta përfshijë atë në “grupin armiqësor” të Todi Lubonjës e Fadil Paçramit, por për çështjen në fjalë nuk tha gjë… Për ato që ai ngriti në Plenum për Ramizin, Enver Hoxha e kundërshtoi Mehmetin, sepse ato nuk qenë të asaj shkalle që të barazohej me të tjerët. Po ashtu, Enveri i kujtoi Mehmetit se këto gabime të Ramizit nuk ishin gjë, në krahasim me gabimet dhe me fajin politik që vetë Mehmeti bëri në vitin 1953, duke iu qarë ambasadorit sovjetik në Tiranë dhe duke i kërkuar ndihmën e tij e, megjithatë, nё atё rast, Enveri, jo vetëm nuk e dënoi Mehmetin, por, madje, e bëri Kryeministër.

Si duket, kjo mbrojtje që Enveri i bëri Ramizit në Plenumin IV të Partisë, nuk i pëlqeu fare Mehmetit. Duke kujtuar që akuzat e tij në rrafshin e ideologjisë e të artit nuk pinë ujë, Mehmeti ka menduar se, po të hidhte në tavolinë këtë akuzë të re ndaj Ramizit, për veprimtari armiqësore, Faximile e letrës së M. Shehut. Sipër shënimi i tij mbi zarf: “Ta hapi personalisht vetëm sh. Enver Hoxha e kurrkush tjetër” do të merrej si tradhti politike-kombëtare. Prandaj atëherë nuk foli, por e ruajti ta përplaste në një letër si kjo, në çastet e fundit.

Por, dua të theksoj, se Mehmeti heshti për këtë, ngaqë, në të vërtetë, akuzat e tij ndaj R.Alisë ishin trillime në hava, pa asnjë bazë. Gjatë 25 vjetëve pranë Enverit, Ramizit nuk i ka dalë asnjë fije lidhjeje me ndonjë nga grupet antiparti, as kur ishte në Rini, me Nako Spirun, as në Berat me jugosllavët, as si ato të tipit të Liri Belishovës, e cila u vu në mbështetje të Hrushovit, kundër vijës së Partisë etj. Përkundrazi, Enver Hoxha ka qenë i bindur se Ramizi është treguar i vendosur dhe i mprehtë gjatë gjithë bashkëpunimit të ngushtë me të në luftën kundër revizionizmit modern, titist e hrushovian. Nën drejtimin e R. Alisë u botuan 12 vëllime me artikuj kundër revizionizmit, të shkruar nga Enveri, nga Ramizi dhe nga grupi i punës i ngarkuar për këtë qëllim, ku bënin pjesë, në fillim, Sofo Lazri dhe Javer Malo, dhe, pastaj, me largimin e këtij të fundit si ambasador në Paris, u aktivizua Foto Çami. Po ashtu, Ramizi kishte treguar vendosmëri në zbatimin dhe në mbrojtjen e vijës së Partisë edhe nëpër mbledhje e konferenca ndërkombëtare, si në atë të Moskës, në mbledhjet e KNER-it etj.

Akuza e M.Shehut ndaj Ramiz Alisë ishte një fakt më shumë që tregon se Mehmeti, duke e përmendur atë në letrën që la para vetëvrasjes, tentoi të ngjallte tek Enveri dyshim dhe mosbesim për Ramizin dhe të krijonte përçarje në udhëheqjen e Partisë.

Të tillë e konsideroi Enveri. I zhytur në mendime, pas një pushimi, duke tundur kokën, ai tha: “Jo, jo, ky s’ka qenë në vete, kur i ka shkruar këto, ose i ka shkruar me qëllim të keq, për të krijuar turbullira në udhëheqje, për të krijuar dyshime në mendjen time, duke u hakmarrë me të gjithë, duke hedhur sfidën: “Aprés moi le deluge!”. Kështu e tha Enveri, në frëngjisht, atë që në shqip do të thotë: “Pas meje u bëftë kiameti”!

Atë natë, duke ndjekur në çdo çast dhe në çdo veprim Enverin, shihja se nga ato që lexonte, ai nervozohej. Këtë nervozizëm e shfaqi edhe në një moment, kur shpërtheu duke thënë:

“Ky njeri na këshillon edhe si ta trajtojmë pas vdekjes dhe që nderimet t’i bëhen si Nako Spirut(!) Por, kur u vetëvra Nako Spiru, Partia e dinte se shkak për këtë qenë akuzat e jugosllavëve, që e quajtën Nakon armik, agjent etj., kurse Mehmet Shehu nuk u akuzua për gjëra të tilla (tjetër gjë që “i dogji miza nën kësulë”)”.

Shfaqja e këtij nervozizmi tek Enveri, tregonte, përveç të tjerave, edhe se vetëvrasjen e Mehmetit, edhe letrën që i la, ai po i përjetonte shumë rëndë, me shumë emocion dhe me trishtim të thellë. Ai ndihej tepër i shqetësuar për ta zgjidhur enigmën e kësaj ngjarjeje. Kjo bëri që gjendja e tij shëndetësore të rëndohej përsëri, t’i rëndohej sëmundja e zemrës, aq sa ajo e vuri poshtë, i përsëritej shpesh derisa pas 3-4 vjetësh i shkaktoi goditjen fatale.

Enveri u ndie keq edhe sepse vetëvrasjen e Mehmetit e konsideroi dhe e përjetoi edhe si një tradhti që ai i bënte miqësisë dhe dashamirësisë që Enveri kishte treguar në dekada ndaj Mehmetit. Kjo e vrau shumë dhe, siç e kam përmendur, për këtë arsye Enveri ndjeu një zhgënjim tronditës.

Por, dua të them se akti i vetëvrasjes, që kreu Mehmet Shehu, përveç aspektit politik, qe i pafalshëm jo vetëm për Enverin, por edhe për mua, personalisht, për çka i shkaktoi familjes sime, sepse shpejtoi humbjen më të madhe dhe të pazëvendësueshme të njeriut tim më të shtrenjtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat