“Si u dënua ish-përkthyesi i Enverit, i diplomuar në Firence e Zagreb”, historia tragjike e profesorit që mblidhte letrat te plehrat

Historia

“Si u dënua ish-përkthyesi i Enverit, i diplomuar në Firence e Zagreb”, historia tragjike e profesorit që mblidhte letrat te plehrat

Më: 20 shkurt 2020 Në ora: 09:43
Foto ilustrim

Dashnor Kaloçi/ Publikohet historia e panjohur e Gjergj Komninos me origjinë nga fshati Mbrezhdan i Këlcyrës, i cili pasi kishte studiuar për Letërsi në Universitetin e Firencës, gjatë periudhës së pushtimit doli partizan duke shërbyer me detyrën e përkthyesit pranë Shtabit të Përgjithshëm të Enver Hoxhës. Ai nuk pranoi të shtypte dhe shaptilografonte traktet që bënin thirrje për luftë vëllavrasëse në mes shqiptarëve.

Pas mbarimit të Luftës ai u diplomua në Zagreb dhe për shumë vite punoi pranë Institutit të Folklorit, deri sa në vitin 1956 i shkroi një letër OKB-së, ku denoncoi krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pas kësaj u arrestua nga Sigurimi i Shtetit duke u dënuar fillimisht me vdekje dhe më pas me 25 vjet, nga të cilat vuajti 15 vite në burgjet e diktaturës komuniste duke jetuar vetëm me supën e burgut dhe pa asnjë ndihmë. Pas daljes nga burgu ai u “stabilizua” në një bodrum te pallatet e Shallvareve, ku mblidheshin qentë e rrugëve, dhe për të mbijetuar, dilte vetëm natën dhe mblidhte letra e kartona në kazanat e plehrave

“Gjatë një ekspedite në malësinë e Tiranës në vitin 1956 ku babai kishte shkuar për mbledhjen e folklorit, në fshatin Shëngjergj ai pa me stytë e tij terrorin e forcave policore dhe atyre të Sigurimit të Shtetit të cilët nën preteksin e mbledhjes së armëve dhe taksave, kishin mbledhur popullin në xhaminë e fshatit duke e rrahur atë në mënyrë masive. Babai nuk mundi ta duronte atë skenë poshtëruese që ju bëhej atyre fshatarëve të këputur dhe të nesërmen ai shkoi përsëri atje ku mblodhi dëshmitë e tyre mbi rrahjet ç’njerëzore që ju ishin bërë. Më pas me anë të një letre proteste që e shkroi frengjisht, babai ia bëri të ditura ato OKB-së duke vënë në pah dhe gjendjen e mjeruar të popullit shqiptar. Kjo letër ra në duart e Sigurimit të Shtetit të cilët menjëherë kryen arestimin e tij”. Emine Komnino Kushi, banuese në qytetin e Durrësit, vajza e Profesor Gjergj Komninos, studjuesit, publicistit, përkthyesit e poetit, dëshmon për Memorie.al, historinë rrënqethëse të babait të saj, i cili kishte studjuar në Firence dhe Zagreb, më pas si punonjës Shkencor i Institutit të Studimeve Shqiptare, i cili pas një letre denoncuese që i dërgoi OKB-së, ku vinte në dukje mjerimin e popullit shqiptar, përfundoi për 15 vite burgjeve të regjimit komunist dhe kur doli nga burgu për të siguruar jetesën minimale, mblidhte letra e kartona në kazanët e plerave rrugëve të Tiranës.

Gjergji dhe fisi Komnino

Gjergji lindi në 15 shkurt të vitit 1919 në fshatin Brezhdan të Këlcyrës, prej nga është dhe origjina e familjes së tij e cila rrjedh prej fisit të madh Komnenëve të Gjergj Aranitit Komnenit (Topia), princit të Vlorës dhe Kaninës, i cili pak kohë pas kthimit të Skënderbeut në Krujë, për herë të parë theu ushtrinë otomane në fushën e luftës. Nga kjo derë e madhe thuhet se rrjedh Ana Komnena, motra e Perandorit Aleks Komnen, e cila në historinë që shkroi për të vëllanë e saj, i përmënd për herë të parë arbëreshët që luftuan me trimëri ndaj normanëve në Durrës. Shtëpia e Komninajve shtrihet buzë një shkëmbi të madh në fshatin Brezhdan, i cili edhe sot njihet si shkëmbi i Komninajve, Babai i Gjergjit merrej me tregti dhe pasi u rregullua disi nga gjendja ekonomike, e shpërnguli familjen e tij nga fshati dhe u vendos në Përmet, ku mendonte të shkollonte fëmijët. Gjergji mbaroi shkollën fillore dhe në moshën 10 vjeçare botoi poezinë e parë të titulluar “Valo flamur”. Shkollën e mesme ai e vazhdoi në qytetin e Gjirokastrës dhe më pas në Normalen e Elbasanit. Pas diplomimit si mësues, Gjergji u caktua për të dhënë mësim në shkollën fillore në Fier dhe më pas në Ballsh.

Në Firence, studim për Naimin

Në vitin 1941, me një dëshirë të madhe për të studiuar Letërsinë Shqipe, Gjergj Komnino u nis për Itali pasi kishte siguruar një të drejtë studimi për në Fakultetin e Letërsisë në Universitetin e Firences. Gjatë kohës që ishte student, ai u muar me studimin e “Naimi- poeti njeri” e cila ishte e konceptuar si tragjedi në vargje. Këtë poezi Gjergji ia tregoi një studiuesi italian të quajtur Anxhelo Leoti, që ishte autori i një fjalori voluminoz shqip-italisht, i cili poezinë e Gjergjit për Naimin, ja rekomandoi Shtëpisë Botuese ”Marzzocce”, një prej shtëpive më të njohura të Italisë, e cila e vlersoi punimin e studentit nga Shqipëria si një nga veprat më dinjitoze të letërsisë shqipe të asaj kohe. Pas kësaj Gjergji përfundoi edhe një studim tjetër mbi De Radën që e titulloi “II romanticism precoce nelle di De Rada”. Gjergji nuk arriti t’i përfundonte studimet në Firence, sepse pas dy viteve të para, në fillim të 1943-it ai i braktisi ato për tu kthyer në Shqipëri, ku u inkuadrua në rradhët e rezistencës antifashiste në Qarkun e Gjirokastrës dhe pranë Shtabit të Përgjithshëm partizan të Enver Hoxhës, ku kryente detyrën e përkthyesit.

Përkthyes në Shtabin e Enver Hoxhës

Një nga nxënësit e Gjergj Komninos, publicist dhe shkrimtari i njohur pas viteve ’90-të, Agim Musta, i cili ka pasur rastin që të shoqërohej për disa vite në burgjet e regjimit komunist me ish profesorin e tij të gjimnazit “Qemal Stafa”, midis të tjerash dëshmonte:”Pas ndërprerjes së studimeve në Itali, Gjergji erdhi në Shqipëri dhe doli partizan në zonën e Zagories në Gjirokastër. Lidhur me këtë ai më ka thënë: së bashku me shokun tim, Temo Mandili, mbulonin sektorin e agjit-propit duke botuar trakte dhe përgatitjen e shfaqeve teatrale. Një ditë komisari jonë i shtabit, Shemsi Totozani, na erdhi në zyrë dhe na dha një trakt për ta shaptilografuar, të cilin e kishte hartuar vetë. Unë i hodha një sy traktit dhe mbeta i tronditur nga ato që ishin shkruar aty. Ai ishte shkruar në gjuhën mesjetare, sepse aty thuhej: Ngrehuni o ju të krishterët e Dropullit, të Progonatit dhe të Vurgut dhe bjeruni agallarëve të Gjirokastrës dhe bejlerëve të Delvinës e Libohovës. Ngrehuni dhe ç’farosini shushunjat myslymane balliste, që ju kanë thithur gjakun..’! Unë nuk ju besoja syve dhe vendosa ta rilexoja traktin. Pastaj i thashë Temos, nëse ne kishim dalë për të luftuar okupatorin, apo për të bërë luftë kryqëzatash?! Ai nuk hapte gojën por qëndronte si i shurdhër. Mbas disa orësh erdhi Shemsiu për të marrë traktin e shaptilografuar. Unë i thashë se nuk e kisha shtypur se përmbajtja e tij, ishte në kundërshtim me idealet tona. Ai u bë me nerva dhe urdhëroi partizanët që të më arrestonin. Ata më lidhën me litar në një bodrum kafshësh dhe mesiguri do të pushkatohesha, sikur në ato momente të mos vinte urdhëri i Shtabit të Përgjithshëm që ndodhej në Labinot, ku unë transferohesha pranë atij Shtabi. Atje m’u caktua detyra e përkthyesit të literaturës politike komuniste. Duke qenë disa muaj pranë atij shtabi, pata mundësinë që të mësoja urdhërat dhe udhëzimet sekrete që jepeshin më shumë gojarisht për repartet partizane dhe zonat e çliruara. Ato urdhëra jepeshin personalisht nga Enver Hoxha, Miladin Popoviçi dhe Vukmanoviç Tempo. Duke qenë i bindur se partizanët e thjeshtë që derdhin gjakun në luftë, nuk dinin gjë fare për prapaskenat që thureshin, përdora preteksin e syve për tu larguar nga ai shtab.

Diplomohet në Zagreb

Pas mbarimit të Luftës, Gjergji u emërua në Insitutin e Studimeve Shqiptare (paraardhësja e Akademisë së Shkencave) së bashku me prof. Eqerem Çabejn, Selaudin Toton etj.  Në vitin 1946, ai u dërgua në Zagreb për të përfunduar studimet universitare, të cilat i kishte ndërprerë në Firence. Në universitetin e Zagrebit, ai u njoh me dy alnanologët e njohur, Petar Skok dhe Bariç, të cilët ishin shumë të interesuar për studimin e etimologjinë e shqipes. Nisur nga kjo, profesor Skoku kërkoi që në atë fakultet të jepej mësimi i shqipes dhe pasi parashtroi dhe miratoi projektin e tij në këshillin e profesorëve, me atë detyrë ngarkoi Gjergjin. Në përfundim të studimeve, nga ana e drejtuesve të fakultetit, Gjergjit ju ngarkua për të mbrojtur diplomën me punimin “L’uomoe la societa sdi Luixhi Pirandelo”, temë e cila pati vlersimin maksimal nga ana e komisionit, i cili i dha asaj dhe viston për tu botuar. Pas prishjes së mardhënieve me Jugosllavinë, ashtu si shumë student të tjerë dhe Gjergji u kthye në atdhe ku u caktua të punonte në Insitutin Shkencor, (Kulturës Popullore), në sektorin e Folklorit. Në këtë punë ai pati rastin që të shkonte pothuaj në të gjitha krahinat e vendit për të mbledhur fjalët e rralla, toponimet, anekdotat, përrallat etj,.

I shkruan OKB-së, arrestohet

Gjatë asaj kohe që Gjergji punonte në Institutin e Folklorit, atij i ndodhi ngjarja që do t’i ndryshonte krejtësisht rrjedhën e jetës. Lidhur me këtë vajza e tij Eminja kujton:”Gjatë një ekspedite në malësinë e Tiranës në vitin 1956, ku babai kishte shkuar për mbledhjen e folklorit, në fshatin Shëngjergj, ai pa me sytë e tij terrorin e forcave policore dhe ato të Sigurimit të Shtetit të cilat nën preteksin e mbledhjes së armëve, kishin mbledhur popullin në xhaminë e fshatit duke i rrahur ata në mënyrë masive. Babai, duke mos e duruar dot atë skenë poshtëruese, të nesërmen shkoi përsëri atje duke mbledhur dëshmitë e atyre fshatarëve të këputur që ishin rrahur në mënyrë ç’njerëzore. Më pas ai i shkroi një letër OKB-së (në frengjisht) ku denonconte veprimet e shtetit shqiptar ndaj shtetasve të vet dhe gjendjen e mjeruar ekonomike në të cilën ndodhej vëndi. Ndonëse ai ishte i bindur për konsekuencat që do të kishte nga ajo letër, që mundi t’i kushtonte dhe jetën, ai nuk u tërhoq nga vendimi i tij. Kjo letër ra në duart e Sigurimit të Shtëtit, i cili menjëherë kreu arrestimin e babait. Gjeneral Nevzat Haznedari, ish shoku i tij i Normales së Elbasanit, i tha: ‘Të pritnim prej kohësh, por ti erdhe vetë’. Kurse kolonel Rexhep Kolli, ju shpreh: ‘Atë plumb që nuk ta dhamë dot gjatë luftës, do ta japim tani me kamatë’. Sigurimi i Shtetit sikur të mos mjaftohej me arrestimin e tij, arrestoi dhe nënën time, Veronikën e cila asokohe ishte shtatëzën me vëllanë, që do të lindëte pak më vonë. Në gjyq babai u dënua me vdekje, por më pas ajo zbriti në 25 vite burg, kurse nëna pasi qëndroi për gjashtë muaj në qeli, u detyruan ta nxirrnin pasi ishte në prag të lindjes së vëllait, që mori emrin Lirim”,

15 Vite burg

Shkrimtari, studjuesi e përkthyesi, Gjergj Komnino, pas letrës denoncuese që i drejtoi OKB-së, filloi vuajtjen e dënimit në burgjet e regjimit komunist. Lidhur me këtë bashkëvuajtësi, Agim Musta në mes të tjerash kujtonte:”Profesor Gjergji u end për 15 vjet duke u zvarritur nga një burg në tjetrin, pa asnjë lloj ndihme. Për atë s’kujdesej njeri për ta kuruar, por i kërkonin punë dhe realizimin e normës. Gardianët dhe oficerët talleshin me të duke i ngjitur lloj-lloj epitetesh dhe shpesh e lidhnin me litar nëpër shtylla në mes të të nxehtit, duke bërë që t’i rëndohej gjëndja e tij psikike. Me turbanin në kokë dhe strajsen e librave në qafë, ai fliste për orë të tëra për Pironin, Platonin, Aristotelin, Konfucin, Kantin, Kroçen dhe filozofë të tjerë, duke marrë një pamje prej predikuesi biblik. Pasi vuajti për 15 vite vetëm me supën e burgut, u lirua në vitin 1972 me një koleksion sëmundjesh dhe me tronditje të thella psikike. “Pushteti popullor” nuk i dha as pension dhe as një punë të çfardoshme, kurse për kurim as që bëhej fjalë. Atë e lanë që të vdiste rrugëve të Tiranës, si shëmbëlltyrë tmerri. Ai u strehua në një bodrum të braktisur te pallatet e Shallvareve, ku në netët e ftohta të dimrit mblidheshin qentë e rrugës. Për të qenë larg syve të njerëzve të pushtetit, ai dilte prej andej vetëm natën dhe me kokën e lidhur me turban, që mos ta njihte njeri, mblidhte letra e kartona kazanëve të plehrave, për të mundur që të siguronte një mbijetesë. Dyert e bibliotekave atij i përplaseshin në fytyrë dhe shitëset e bukës kishin marrë urdhër që të mos e furnizonin, pasi ai konsiderohej parazit. Njerzit e pushtetit dhe të Sigurimit të Shtetit kur e shihnin Gjergjin, nënqeshnin nga tjetërsimi që i kishin bërë atij, pasi ja kishin arritur qëllimit, duke tmerruar dhe të tjerët. Në vitin 1991, me rënien e regjimit komunist, Gjergji çuditërisht u rehabilitua dhe nga gjendja psikike e mori pjesë në rrëzimin e monumentit të diktatorit dhe në grevat e urisë. Ai shkroi dhe një program për krijimin e një partie politike për ish të burgosurit politik, që i quante opozita e vërtetë. Më 5 mars të 1991-it ai me një anije refugjatësh u largua nga Durrësi për në Itali. Atje dha intervista të shumta dhe ju botuan edhe disa krijime të tija, duke fituar dhe një çmim të argjedë në vitin 1993 në poezi. Për shkak të një jete plot vuajtje dhe peripecirash të pafundme, Gjergj Komnino ndërroi jetë në vitin 1996, në afërsi të Romës dhe përveç gruas dhe dy fëmijëve në varrimin e tij ishin vetëm murgeshat e kuvendit”, dëshmonte Agim Musta mbi fatin tragjik të ish-profesorit të tij, Gjergj Komnino, studjuesit të famshëm që përveç studimeve mbi Naimin e De Radën, shkroi mbi 40 mijë vargje në prozë poetike dhe skedoi një pjesë të mirë të folklorit kur ishte në Institutin e Kulturës Popullore që s’e pa kurrë dritën e botimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat