Një amanet i Martin Camajt çuar në vend prej së shoqes gjermane

Historia

Një amanet i Martin Camajt çuar në vend prej së shoqes gjermane

Nga: Gjon Neçaj Më: 2 mars 2020 Në ora: 18:36
Martin Camaj dhe Erika

Në verën e vitit 1992, pak kohë pasi Martin Camaj kishte ndërruar jetë, në Temal të Dukagjinit erdhi vetë Erika, bashkëshortja gjermane e poetit. Dhe erdhi për t’u njohur me farefisin e bashkëshortit tashmë të ndjerë.

Erika kish udhëtuar nga Gjermania, Lenggries, ndër alpet e Bavarisë ku prehej poeti, e deri në Bjeshket e Namuna.

Erika, në mes bisedave të tjera, ceku edhe një amanet të Martinit lënë në gjallje të tij. Ajo u kërkoj të afërmve të të shoqit një rrasë guri të Telumës së Temalit.

Një 80-vjeçar, bashkëfshatar i Martin Camajt, e pyeti Erikën se ç’ka i duhej rrasa e gurit e dheut të tyre.

Dhe e shoqja ishte përgjigjur: “E dua një rrasë të katundit të Martinit me ia vënë te kryet e varrit të tij në Gjermani, si rrasë varri. Ma ka lënë amanet pak para vdekjes im shoq, se kështu e kishit pasë zakon në këto male, për qysh më ka thënë Martini. Kur më la këtë amanet, më tha se kur burri vdes n’tokë t’huj e nuk kalbet në t’vetën, nuk ka me u kalbë, se atë nuk e kalbë dheu i huaj.”

Të çuditur nga fjalët e Erikës që dinte zakonet si ata, mësuar prej Martinit, telumasit e Temalit zgjodhën një rrasë guri e ia dhanë me vete gruas gjermane. E ajo kështu kreu amanetin e të shoqit.

Rrasa e gurit e vendlindjes së Martin Camajt pushon te koka e varrit të tij me emrin shqip të poetit: “Martin Kolë Camaj, Temal 1925 – Lenggries 1992”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat