Klandestinë në Amerikë? Të parët ishin baballarët pelegrinë

Historia

Klandestinë në Amerikë? Të parët ishin baballarët pelegrinë

Më: 14 prill 2020 Në ora: 18:56
Foto ilustrim

Në fillimet e shekullit të shtatëmbëdhjetë, kolonia e vetme britanike në Amerikën e Veriut ishte Virxhinia, e themeluar zyrtarisht në vitin 1607 nga Mbreti Xhejms I. Dy kompani tregtare, London Company dhe Plymouth Company, shfrytëzuan territoret e Amerikës së Veriut të lidhura përgjatë bregdetit të Atlantikut, por vetëm e para kishte krijuar një vendbanim të qëndrueshëm në grykën e lumit Xhejms (rreth 200 km në jug të qytetit të Uashingtonit). Sidoqoftë, situata ishte e destinuar të ndryshonte brenda disa viteve.

Nga Anglia në Holandë

Tashmë prej dekadash, feja anglikane ishte e vendosur në Angli, e cila pranonte Mbretin si kreun suprem të Kishës: Katolikët dhe Puritanët (pasuesit e reformatorit Giovanni Calvino, i cili jetoi në shekullin e 16-të) u reduktuan në pakicë. Për më tepër, puritanët e fillimit të shekullit të shtatëmbëdhjetë u ndanë më tej, nga disponueshmëria më e madhe ose më e vogël e anëtarëve të tyre për t’u pajtuar me kurorën dhe fenë zyrtare. Një nga degët më radikale ishte kongregacioni i Separatistëve, për të cilët besimtarët duhej të organizoheshin në bashkësi të lira dhe demokratike dhe për këtë arsye nuk mund t’i bindeshin Kishës zyrtare Anglikane.

Përndjekjet ndaj tyre u shtuan deri në atë pikë sa në vitin 1607 një grup i madh, i udhëhequr nga John Smyth dhe William Brewster, u larguan nga Anglia dhe u transferuan në qytetin holandez të Leidenit. Këtu gjetën një pritje dashamirëse, por brenda dhjetë viteve u shfaqën probleme të reja.

Separatistët besuan se zakonet seksuale të hollandezëve ishin shumë të papranueshme, dhe vunë re se anëtarët e rinj të grupit filluan të asimilojnë stilin e jetës të vendasve. Për më tepër, pengesat gjuhësore mbetën të vështira për t’u kapërcyer dhe rezervat ekonomike me të cilat ata kishin ardhur nga atdheu, po zvogëloheshin. Më në fund, Separatistët e konsideruan të domosdoshme që të ruanin identitetin e tyre kulturor anglez dhe përhapjen e Ungjillit, në popullatat ku ende nuk kishte mbërritur Krishtërimi.

Nga Hollanda në Amerikë

U mendua kështu për një transferim të ri, duke hedhur poshtë Amerikën në fillim sepse kishte shumë zëra që flisnin rreth vështirësive me të cilat përballet kolonia e Virxhinias. Vetëm më vonë, anëtarët e komunitetit u dërguan në Angli për të bërë marrëveshje me kurorën dhe me LondonCompany, e cila mbante të drejtat e shfrytëzimit të Virxhinias. Bisedimet ishin të gjata, edhe për shkak të nevojës për të gjetur financuesit që do të siguronin kapitalin e nevojshëm, për blerjen e furnizimeve dhe për marrjen me qira të anijeve.

Anija e parë e zgjedhur ishte Speedwell, vetëm 60 tonëshe, por rezultoi të ishte jo e besueshme: ekuipazhi zbuloi se byku ishte sabotuar. U vendos atëherë për një anije të dytë: Mayflower, me rreth 180 tonë, në të cilën më shumë se njëqind pasagjerë zunë vend (përfshirë 52 burra, 18 gra dhe 32 fëmijë: vetëm rreth tridhjetë prej tyre ishin Separatistë në kuptimin strikt, të tjerët ishin tregtarë anglikanë, ushtarë dhe shërbëtorë) plus, natyrisht, rreth tridhjetë anëtarë të ekuipazhit. Shtyrjet e vazhdueshme vonuan datën e nisjes, e cila ndodhi nga Southampton më 16 shtator 1620. Pas një periudhe të shkurtër fillestare me erë të mirë, Mayflower u desh të përballet me një seri të gjatë stuhish.

Dallgët e mëdha të Atlantikut godisnin kolonat, duke i bërë kushtet në bord gati të pajetueshme prej lagështisë dhe ujit. Në gjysmën e rrugës njëri prej trarëve (trarët horizontale që mbështesin kuvertën e anijeve) u këput, duke rrezikuar sigurinë e anijes. Detarët dhe pasagjerët punuan krah për krah për të vendosur një hekur me vidhosje (një lloj kriku makinash) nën traun e plasaritur për të mundësuar që të mbahej deri në fund të udhëtimit. Një dallgë tjetër tërhoqi një pasagjer në det, i cili megjithatë arriti të kapet pas një kablli dhe të shpëtonte. Gjatë udhëtimit, lindi edhe një fëmijë, Oceanus Hopkins (ai më vonë do të vdiste në Amerikë në moshën vetëm gjashtë vjeç).

Tokë!

Pas 65 ditësh lundrim Mayflower vërejti Tokë në 9 nëntor 1620. Ishte Cape Cod, një gadishull i ngushtë ranor me një formë karakteristike që krijon një gji të gjerë, pak më të madh se krahina e Milanos. Uilliam Bredford, një nga drejtuesit, e përshkroi këtë moment në ditarin e tij personal: “Duke arritur kështu në një port të mirë dhe duke qenë tani të sigurt, udhëtarët ranë në gjunjë dhe bekuan Perëndinë e parajsës, i cili i kishte sjellë përmes atij oqeani të gjerë dhe të furishëm, duke i mbrojtur nga të gjitha rreziqet”. Sidoqoftë, nuk ishte destinacioni i synuar, domethënë grykëderdhja e lumit Hudson (ku do të lindte më vonë Nju Jorku), sepse erërat e kishin shtyrë anijen më tej drejt veriut.

Sidoqoftë, pasagjerët ishin të lodhur nga udhëtimi dhe Mayflower hodhi spirancën në portin natyror i cili ndodhet brenda kepit, në atë që sot është Provincetoën. Problemi ishte se zona qe jashtë juridiksionit të London Company dhe për këtë arsye, marrëveshjet e bëra para nisjes humbën pjesën më të madhe të vlerës së tyre ligjore. U krijua menjëherë një ndarje midis grupit të Puritanëve dhe të tjerëve që kërcënuan të largoheshin.

Vetë Bredford, së bashku me John Carver dhe William Brewster, më pas hartuan, përpara se të zbrisnin në tokë, Paktin Mayfloëer, një dokument të shkurtër (më pak se 200 fjalë) me të cilin të gjithë, jo vetëm grupi Separatist, u zotuan t’u binden ligjeve që do t’u jepeshin me të zbritur në tokë, duke formuar një “organ politik civil”. Për këtë arsye, pakti konsiderohet nga historianët si kontrata e parë sociale në historinë moderne dhe një pikë referimi thelbësore për të gjithë traditën demokratike amerikane.

Lindja e Kolonisë

Mayflower filloi kërkimin për një vend të përshtatshëm për të ndërtuar “Kanaanin e ri”, siç kalvinistët donin ta quanin koloninë e tyre, dhe e gjetën atë në anën tjetër të gjirit të Cape Cod, në Plymouth. Sipas legjendës, zbarkimi u bë më i lehtë nga një shkëmb i madh me origjinë akullnajore, i njohur sot si Shkëmbi i Plymouth: bërthama e parë e kolonisë u themelua pikërisht këtu. Pas një eksplorimi të shpejtë të rrethinave, u ndërtua një shtëpizë e vogël e përbashkët për fundin e dhjetorit dhe çdo familje filloi të ndërtojë shtëpinë e vet.

Dimri i parë ishte shumë i vështirë. Ushqimi ishte i pakët, kolonët vuanin nga skorbuti (një sëmundje e shkaktuar nga mungesa e vitaminave), moti ishte i padurueshëm: rreth gjysma e kolonëve vdiqën nga vështirësitë dhe sëmundjet, aq shumë sa që në marsin e ardhshëm ishin vetëm 42 të mbetur gjallë, të cilët kishin pasur sukses për të mbijetuar vetëm falë ndihmës së indigjenëve Wampanoag, një fis i fuqishëm i udhëhequr nga shefi Massasoit, që kontrollonte të gjithë rajonin.

Të ardhurit u ndihmuan veçanërisht nga një farë Squanto (Tisquantum), i cili i mësoi të gjuanin, peshkonin dhe rritnin misër (kolonët kuptuan menjëherë se farat që sollën nga Evropa nuk po hidhnin rrënjë), duke i ushqyer me produktet e tokës së tyre. Një vit më pas situata ishte përmirësuar shumë. Në nëntor 1621 kolonët që mbijetuan ishin në gjendje të festonin të korrat e tyre të para dhe të falënderonin Zotin: kështu lindi tradita e Ditës së Falënderimeve, e cila festohet edhe sot në të enjten e katërt të nëntorit dhe përfaqëson një nga festat më të pëlqyera në SHBA. /Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat