Urrejtja ballkanike: Greku bullgar-ngrënës

Historia

Urrejtja ballkanike: Greku bullgar-ngrënës

Më: 20 prill 2020 Në ora: 15:56
Foto Ilustrim

Ilustrimi që shihet në këtë postim quhet ‘Bullgar-ngrënësi’. Këtu shihet se si një ushtar grek është duke e kafshuar në fytyrë një ushtar bullgar në njërën nga betejat që Greqia dhe Bullgaria zhvilluan kundër njëra tjetrës gjatë Luftërave Ballkanike 1912-1913. Ky ilustrim ka qenë një poster, i cili është botuar me të madhe gjatë kësaj kohe në gazetat greke, por edhe është vendosur në muret e ndërtesave publike, kudo në Greqi. Posteri paraqet një urrejtje të papërshkrueshme e që ka karakter kanibalizmi: greku duke e ngrënë bullgarin. Deri në këtë pikë kishte shkuar urrejtja.

Pra, grekët nuk i kanë urryer vetëm shqiptarët. Në fakt, pas vitit 1878, kur Bullgaria u bë autonome, grekët e shtuan urrejtjen ndaj bullgarëve. Kjo ishte për shkak se tashti bullgarët për grekët ishin rrezik më i madh se shqiptarët, pasi që pas Bullgarisë qëndronte Rusia. Me këtë, idenë panhelene e rrezikonte seriozisht ajo pansllave.

Bullgarët shprehën tendenca që të zgjeroheshin në drejtim të Shqipërisë dhe Greqisë, duke e okupuar Maqedoninë e cila ishte një territor që ia kishte vënë syrin edhe Greqia. Për këtë arsye grekët dhe bullgarët u ndeshën në Luftërat Ballkanike së bashku me serbët, të cilët po ashtu, kishin të njëjtat aspirata. Kjo ishte arsyeja që pas Kongresit të Berlinit (1878) këto tri shtete filluan të dërgonin njerëz për formimin e bandave në Maqedoni, të propagandonin urrejtje të madhe e cila do të përfundonte me vrasje dhe masakra ndaj njëra tjetrës.

Kur në vitin 1897 Greqia pësoi disfatë katastrofale nga otomanët në luftën 30 ditëshe, Greqia, tashti e dobësuar, më shumë frikohej nga bullgarët se otomanët. Për këtë arsye gazeta greke ‘Empros’ që botohej në Athinë, shkruante:

‘Armiqtë e tanë, të bashkuar nga ideja pansllave, e cila promovohet nga fuqia e Veriut [Rusia], janë duke u orvatur me planet e tyre që ta zhdukin helenizmin sa më shpejt që është e mundshme. Ne, për fat të keq, do ta ndihmojmë përmbushjen e këtij plani nëse dështojmë të këndellemi mentalisht nga humbja që kemi pësuar’.

Në vitin 1904, në Athinë u botua libri ‘Bullgarët dikur dhe sot’ kurse autori ishte anonim. Siç shkruan historiani grek Adamantios Theodor Skordos, ky libër paraqiste mendimin e shumicës së grekëve që ishte në fakt një urrejtje e papërshkrueshme ndaj bullgarëve. Bullgarët u përshkruan si ‘përbindësha gjakpirës’ të cilët janë ‘të fëlliqur dhe kundërmojnë erë të rëndë sikur paraardhësit e tyre që kanë jetuar në stepat e Sibirit’. Më tutje, libri i përshkruan bullgarët si ‘njerëz trashalluq, të vegjël, të zinj, hundëpetë, me faqe të fryra dhe syvëngër’. Si shtesë, ‘bullgarët ishin një popull hordhi të mallkuar nga Zoti’. U kishin shërbyer hunëve dhe kishin edhe vesin e ‘qenit’ apo ‘zagarit’ e që ishin edhe ‘racë e fëlliqtë tataro-mongole’. Përshkrimi i këtillë, racist dhe jonjerëzor për bullgarët, vazhdon në pafundësi. Bullgarët përshkruheshin kështu për shkak se e kishin përqafuar idenë pansllave.

Një qëndrim i këtillë jonjerëzor ka qenë i përqafuar edhe nga shumë intelektualë grekë të asaj kohe. Në vitin 1903, rektori i Universitetit të Athinës, Neoklis Kazazis, mbajti një varg ligjëratash dhe i përshkroi si të këtillë bullgarët, por me një gjuhë më të ‘pranueshme’. Sidoqoftë, Kazazis, i cili ishte edhe kryetar i Shoqatës Helene, bëri me dije se pansallavët ishin rreziku më armiqësor i grekëve. Rektori Kazazis nuk i paraqiti si miq as sllavët serbë, por me ta hidhërimi ishte i shkallës më të ulët. Rektori bëri me dije se armiqtë e grekëve nuk ishin në Maqedoni, por larg atje në Shën Petersburg. Për ta bërë situatën më të qartë, Hisoriani grek Skordos, ka theksuar:

“Në lidhje me ‘makinacionet anti greke të pan sllavizmit në Maqedoni’, Rektori i Universitetit të Athinës konkludoi se ‘për momentin’ për Maqedoninë më shumë preferohej që ky vend të mbetej nën sundimin otoman se sa të binte nën ‘mbrojtjen e fuqisë së madhe ortodokse’”.

Deri në fund të Luftërave Ballkanike kështu mendonin të gjitha shtetet e Ballkanit. Pra, Greqia, Serbia dhe Bullgaria më parë pranonin që në Ballkan të mbetej sundimi otoman se sa ky territor të kalonte në sundim të njëra tjetrës. Kjo ka qenë një urrejtje aq shumë e zgjeruar sa që nuk është e tepërt të mendohet që ajo, deri diku, ekziston edhe sot por në formë të fshehur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat