Shqiptarët përballë fantashkencës së historiografisë serbe

Historia

Shqiptarët përballë fantashkencës së historiografisë serbe

Nga: Fatos Kola Më: 20 prill 2020 Në ora: 16:03
Foto Ilustrim

Në vend të parantezës së këtij shkrimi, të dashur miq e dashamirë, më lejoni t’ju përcjell pakëz humor të zi, mitomani, mitologji dhe folklorizëm alla-ballkanik, në të cilin kemi rënë sa kohë që “albanologët” tanë bëjnë gjumin e madh, ose punojnë kundër Shqiptarisë… Ndërsa ne të tjerët mundohemi të kthjellojmë sadopak konfuzionin e qëllimshëm në problemet e Albanologjisë edhe kur nuk jemi ekspertë të fushës, çka gjithmonë ha debat dhe kërkon analizë, gjykime e qëndrime.

Por, unë Fatos Kola, për konkretizim, thjesht po citoj gjuhëtarin Agron Dalipaj, i cili akuzon stërmbesën akademiste të Enver Hoxhës, “zonjën Anila Omaroviq (siç e quan Dalipaj)”, se po “punon për Beogradin”. Pra, i bie që këta “akademikë” i paguajmë ne shqiptarët e varfër për të punuar për vërtetimin e tezave serbe dhe për të vërtetuar njëkohësisht edhe “autoktoninë” e tyre. Ndërsa serbët i paguajnë “akademikët” tanë me honorare të majme që të punojnë fort e të ndihin bashkatdhetarët e tyre për t’u vetëpërcaktuar si ardhacakë në Ballkan, e që u paskemi “grabitur atdheun dhe trashëgiminë ilire serbëve”, që paskan tetëmijë vjet autoktonë në këto troje!

50 vjet më parë, historiani komunist Kristo Frashëri, këshillonte me zë të ulët dhe me sy të shqyer nga frika e Sigurimit një studiues skrupuloz të provincës, të cilin e vlerësonte për nivelin shkencor: “Miku im, mos u merr me punët e Gjuhësisë dhe mos i dil ndesh tezave zyrtare në Albanologji, se të ikën koka. Merru vetëm me glorifikime të LAN-Çl e të tjera gjepura si këto”.

Afro 20 vjet më parë, Shoqata “Kuçi” me seli në Tiranë, e që në fundvitet 1980 numëronte mbi tremijë anëtarë vetëm në kryeqytet, u mblodh në një “simpozium shkencor” me pjesëmarrje të jashtëzakonshme, nën drejtimin e akademikes Makbule Çeço, asokohe nënkryetare e Kuvendit dhe njëkohësisht pedagoge e filozofisë në universitetin publik (shtetëror) të Tiranës. U mblodhën kuçiotët tanë për të qarë fatin tragjik të Mbretëreshës angleze Ana Bolena (Anne Boleyn), që mbretëroi vetëm tre vjet (1533-1536), dhe që bashkëshorti, Mbreti Henri VIII, e ekzekutoi me prerje koke në moshën 35-vjeçare, me akuza prej intrigash oborri alla-shekspiriane. Mirëpo, me kontributin e zonjës Çeço, “Simpoziumi” u shndërrua në vajtore publike, ku pjesëmarrësit u ngashëryen për “bijën fatkeqe të Bolenës së Kuçit”, që “e kishin ndëshkuar në mënyrën më mizore ngaqë kish dalë kundër klerit obskurantist e padrejtësive të oborrtarëve dhe kish kërkuar reforma të thella…”. E çfarë ishin Teuta, Vojsava Tribalda, Mamica Kastrioti e Donika Arianiti-Kastrioti para kësaj “bije kuçiote”?

Po në atë kohë, miku im, akademiku Ukë Zenel Buçpapa, më deklaronte me siguri se shumë shpejt do të vërtetohej se Troja e Homerit është Tropoja e sotme, e përshkuar nga lumenjtë Drin e Valbonë dhe me kurorat e alpeve kryebardha…

Unë asokohe qeshja me lehtësinë me të cilën ne intelektualët shqiptarë i marrim gjërat tejet serioze duke rënë në folklorizime bajate alla-ballkanike e pa bazë shkencore, gjithmonë i mbrujtur me mendimin se të parët duhet të flasin e shkruajnë ekspertët, dhe gjithëherët i jepja të drejtë Winston Churchillit që thoshte se ballkanasit prodhojnë më shumë histori e mite sesa konsumojnë…

Por, me “Trojën” kam patur dhe ende kam një lidhje të veçantë, qoftë për shkak të kureshtjes dhe joshjes intelektuale, qoftë për shkak të magjepsjes prej gjenialitetit të Homerit si poeti i parë modern dhe themeluesi i një letërsie hyjnore; dhe, mbi të gjitha, për shkak të trajtimit tejet cilësor të personazheve homerikë në artet pamore, sidomos në vazot greke, por dhe në skulpturë e pikturë. Ndaj sot ju sjell disa nga pikëpamjet e mia, por sidomos e kryesisht pikëpamjet që kanë paraprirë dhe bashkëshoqërojnë debatin 150-vjeçar, që shtron pyetjet: Troja homerike dhe Lufta e saj janë mitologji apo realitet historik?; cili është ndikimi i politikës në arkeologji, shkencat historiografike e në përcaktimin gjeografik të vendndodhjes së Trojës, nëse ka ekzistuar ndonjëherë?; cili është dëmi i tezës serbe të “autoktonisë dhe trashëgimisë ilire” të tyre lidhur me Trojën dhe më gjerë?; cili duhet të jetë reagimi i qarqeve tona shkencore pas reagimeve të qarqeve politike e shkencore sllave ndaj tezave antishqiptare “në shkencat” joekzakte ku interpretimi ka peshë vendimtare dhe ku në emër të lirisë akademike mund të hidhen hapur teza shoviniste e armiqësore, nëpërmjet shndërrimit të të cilave në shkaqe lufte e agresioni armiqtë historikë na kanë bërë gjëmën?…

“Troja” sipas serbëve

Kjo dilemë për ekzistencën ose jo të Trojës të nderuar miq, m’u shpërfaq sërish në këtë kohë pandemie, teksa para disa ditësh ndesha rastësisht me një material afro 11-vjeçar të juristit serb Milutin Jaçimoviq, titulluar “Troja – kryeqendra serbe, Shkodra”, punim të cilin ky joprofesionist në historiografi e paskërka referuar në Kongresin e Historianëve në Shën Petersburg të Rusisë në vitin 2009, “kontribut shkencor” për të cilin është emëruar (jo zgjedhur) edhe Anëtar Korrespondent i Akademisë Ruse të Shkencave (OJQ-je koti të themeluar më 1991, që quhet Akademia e Petrovskës në Shën Petersburg, anëtar i së cilës mund të bëhet kushdo – v.j.), për çka edhe është shpallur me zulmë si shkencëtar i shquar nga organizatorët vendas!!?

Paskëtaj, me ndjenjë “legjitime” triumfalizmi Jaçimoviq ka pohuar se tezën e tij të e ka promovuar qysh në vitin 1991, në organin e atëkohshëm “Shkëndija komuniste”, ku botoi artikullin me titull “Troja është Shkodra”, në të cilin i kumtoi lexuesve se po u sillte këtë të vërtetë të pamohueshme shkruar 25 shekuj pas përkthimit dhe redaktimit nga gjuha staro-sllavjane (frigjiano-serbishtja e lashtë) në greqishten e vjetër, e vërtetë kjo e shkruar asokohe prej përkthyesve dhe redaktorëve të parë antikë.

Në librin që ka botuar së fundmi e në të cilin “thellon argumentet e tezave” të referuara tek “Shkëndija komuniste (Iskra)” krahas atyre të referatit të mbajtur në Rusi, Jaçimoviq trajton, sipas tij, “të vërtetën fatkeqësisht të mohuar me shekuj…”, që gjoja për “shkaqe politike dhe kryekëput keqdashëse antiserbe”, vijon ende të “mohohet” të paktën qysh prej 150 vjetësh, qëkurse arkeologu gjerman Heinrich Schliemann shpalli në vitin 1870 se kish zbuluar rrënojat e Trojës antike në Hisarlik të Azisë së Vogël. Dhe, kjo “e vërtetë e fshehur enkas”, sipas Jaçimoviqit, na dëshmon se Troja e famshme dhe Lufta e Trojës nuk janë mite e legjenda, por realitete, dhe se Troja ndodhet në trevat historike serbe, bash në “Shkodrën seli e mbretërive dhe e mbretërve serbë qysh nga lashtësia e deri në mesin e shekullit XIV, kur mori fund edhe perandoria e Stefan Dushanit”.

Jaçimoviqi pohon se “Troja, ose Ilioni, ishte një qytet i madh që lartësohej mbi një kodër të pjerrët ku frynte era e fortë dhe poshtë këmbëve të tij bashkoheshin dy lumenj, midis të cilëve shtriheshin fusha të mëdha që lageshin edhe nga uji i detit. Në këto fusha u zhvilluan betejat madhështore ku luftuan 50 mijë akejtë dhe po aq trojanë me këmbësorinë, kalorinë dhe karrocat e panumërta të luftës. Këto beteja kishin nevojë për terrene fushë-beteje tepër të gjëra dhe së paku 10 km. të gjata, për të lëvizur dhe luftuar mbi 100 mijë luftëtarë”.

Në vijim ai thekson se “Sipas Iliadës, në anën e majtë të ushtrisë akease (e cila sulmonte nga bregdeti hipur në më shumë se 1000 anije të vogla që zbarkonin në një plazh të madh deti), rrjedh lumi Skimandar, që është Buna, ndërsa në të djathtë është lumi Simonet, domethënë Drini. Nën kështjellën e Trojës lumenjtë bashkohen dhe krijojnë një cekëtinë (va të cekët), që sipas Iliadës i shërbente ushtrisë trojane për të kapërcyer lumin e për të hyrë në fushën e betejës. Sipas Homerit, Mali i Shenjtë i trojanëve është Ida, nga lartësitë e të cilit mbrojtësi i Trojës dhe i trojanëve, perëndia Apulunus (Apolloni), e shikon fushën e betejës duke i parë trojanët në shpinë dhe akejtë në fytyrë”.

Sipas tij “në Hisarlik nuk ka kurrfarë mali që qëndron pas Trojës homerike…, sepse të tillë ka vetëm në Shkodër, e që janë Bjeshkët e Namuna, Mali Sharr dhe Korabi. Padyshim që Ida është kurora e Bjeshkëve të Namuna, kurorë kjo më e madhja në Ballkan, 80 kilometra e gjatë dhe 2694 metër e lartë, që e ka marrë emrin nga populli i saj i krishterë për shkak të shumë faltoreve antike që janë të shpërndara në të. Edhe sot, atje gjenden shumë faltore të krishtera dhe qytete antike. Kështjella e Shkodrës është fortifikimi më i madh dhe më i fuqishëm i tipit kodër në Mesdhe, për të cilin koha e krijimit ende nuk dihet. Ndoshta daton në mijëvjeçarin e dytë ose të tretë para Krishtit. Qyteti është i vendosur në një distancë të mjaftueshme nga deti, në mënyrë që betejat e përshkruara midis dy ushtrive të mëdha të mund të zhvillohen në hapësirën mes dy lumenjve. Në këtë zonë janë të gjithë lumenjtë e përshkruar në Iliada (Jaçimoviqi e ka fjalën për lumin Moraça, me degët Zeta, Ribnica dhe Cem, për lumin Crnojevica Rijeka dhe për lumin e vogël Crmnica – F.K.). Pranë Shkodrës shtrihen edhe vendbanimet e aleatëve të trojanëve, sikurse: Likianët (nga Zeta); Dardanët, të cilët shtrihen ndanë brigjeve të Drinit; Peonasit e brigjeve të Vardarit dhe Thrakët pas tyre; Pellazgët e famshëm të Larisës, si dhe Frigjianët në jug të Ohrit. Të gjithë këta janë vetëm disa ditë më këmbë larg nga Shkodra dhe mund të udhëtojnë drejt Trojës me tokë, siç e përshkruan Iliada. Edhe vetë Enea, i cili, sipas legjendës, pas luftës shkoi në Lacio me një pjesë të trojanëve, mund të dilte lehtësisht nga ky rajon drejt e në det, gjë që do ta kishte të pamundur nga Azia e Vogël. Nuk ka asnjë qytet të vetëm në Mesdhe që ashtu si Shkodra t’i përshtatet përshkrimeve të Iliadës me aq shumë detaje. Për arsye politike, Helenët e zhvendosën Trojën në Azinë e Vogël, në zonën e kolonive të tyre, të cilat ata i vendosën në atë zonë qysh në shekullin VI para Krishtit, kur me kast e emëruan ngushticën e Dardaneleve si ‘Helespont’. Iliada dhe Odisea u redaktuan kur u përkthyen në dialektin grek në Athinë gjatë tiranisë së Pisistratit dhe djemve të tij”.

Tek Iliada, sipas Jaçimoviqit, thuhet se “Troja është pranë një liqeni të mbushur me ngjala, dhe se pranë Trojës së Schliemannit nuk ndodhet asnjë liqen. Iliada thotë se lumi Skimandar rrjedh nga ai liqen dhe derdhet në det me dy krahë (delta e Bunës), ndërkohë që në Hisarlik të Turqisë nuk ka lumë përveçse një përroi të tharë dhe rrënojave të supozuara të ‘Trojës’. Tek Iliada thuhet se aleatët e trojanëve dhe heroi Akil mbërritën në Trojë me kalë ose me këmbë, çka do të thotë se nëse Troja do të ndodhej në Azinë e Vogël, pra në Hisarlik, ata do të kishin mbërritur në Trojë veçse të hipur në anije, apo në varka. Por, le të rikthehemi tek teza se ‘Shkodra është Troja serbe’. Siç e kemi parë, ilirët janë serbë dhe serbët janë sllavë, çka do të thotë se: Trojanët janë etërit tanë autoktonë dhe bartësit e civilizimit serbo-sllav të kohërave antike; Troja e dikurshme është kryeqyteti i lashtë serb i Shkodrës; Iliada si nocion qytetërimor antik i referohet shteteve serbe, qyteteve, mbretërive, mbretërve dhe heronjve serbë të kohës. Pra, përfundimisht mund të pohojmë me bindje shkencore se Iliada dhe Odiseja të Homerit nuk janë poema ditirambike kushtuar shteteve greke, mbretërve grekë, heronjve grekë, por janë dëshmi për shtetet serbe, mbretërit serbë dhe heronjtë serbë të antikitetit…”.

Zbulimi i Shlimanit dhe kundërshtarët

Në vitin 1870, Schliemanni shpalli botërisht se duke u nisur nga përshkrimet e Homerit tek veprat e tij, nëpërmjet gërmimeve të ekspeditës arkeologjike që kryesonte, zbuloi rrënojat e Trojës në Azinë e Vogël, në qytetin Hisarlik, 20 kilometra larg Çanakkalasë së famshme, pranë gadishullit të Galipolit. Ai shpalli se kish zbuluar thesarin e famshëm të mbretit Priam dhe krahas tij edhe artefaktin akoma më të famshëm të përshkrimeve homerike, maskën prej ari të kryekomandantit akeas, mbretit Agamemnon të Mikenës. Paskëtaj Schliemanni hartoi një raport të hollësishëm përshkrues për gjetjet arkeologjike, të cilin ia dërgoi Berlinit zyrtar.

Asokohe ky “zbulim” tronditi mbarë botën shkencore e politike, ndaj dhe qeveria gjermane e Otto von Bismarckut i akordoi Schliemannit fonde të mëdha për të vazhduar gërmimet, të cilat në fakt rezultuan të suksesshme, teksa mundësonin gjetje objektesh të punumërta në një territor që zmadhohej vazhdimisht.

Në ditët e sotme Hisarliku është shndërruar në një qytet të mirëfilltë turistik, teksa administron territorin dhe objektet ndërtimore arkeologjike të 10 kuartiereve, nëntë prej të cilave ishin zbuluar nga pluhuri i kohës qysh në fundvitin 1971.

“Zbulimi i Trojës antike” i dha shtysë të fuqishme financiare e shkencore rritjes dhe strukturimit të shkollës gjermano-austriake të arkeologjisë së antikitetit, ballkanologjisë, bizantologjisë e të tjerave disiplina shkencore, me ç’rast edhe të ilirologjisë e albanologjisë, për të cilat në universitetet gjermane e austriake u ngritën katedra dhe u financuan programe kërkimore-shkencore. Por, mbi të gjitha u rrit skajshëm reputacioni i Greqisë politike të kohës e cila u shpall trashëgimtare dhe përfaqësuese e një qytetërimi gjenial mbi tremijë-vjeçar, që menjëherë u kualifikua, krahas qytetërimit romak, si themelet dhe kolonat mbajtëse të ngrehinës gjeniale të qytetërimit perëndimor.

Tashmë Greqia u vendos në qendër të vëmendjes politike dhe dinastitë mbretërore gjermanike që sundonin në Athinën zyrtare jetësuan aleancat politike me Berlinin dhe kanceleritë e tjera të mëdha evropiane e më gjerë. Por, shpallja e “Trojës së Schliemannit” si margaritari më i ndritshëm dhe më i lashtë i qytetërimit antik grek dhe si kulmimi më i lartë i tij, zgjoi “djajtë” e xhelozisë dhe pretendimeve të sllavëve për përkatësinë etnike të protagonistëve të konfliktit të përgjakshëm që solli “shkatërrimin homerik të Trojës”.

Troja dhe “sllavët-ilirë”

Ishin Novak dhe Dragolub Andesiliq të parët “studiues” serbë që hodhën hipotezën se Troja antike ndodhej në pjesën veriore të Liqenit të Shkodrës, afër Podgoricës. Madje, këta të dy pretendojnë se edhe Herodoti që kish shkruar për Trojën dhe luftën e saj, por edhe autorët e tjerë antikë, gjithashtu kanë gabuar teksa e përcaktuan vendndodhjen e Trojës në Azinë e Vogël. Sipas tyre, autori latin Eliani pohon se: “Iliada dhe Odiseja ishin shkruar në gjuhën frigjiane të frigëve fqinjë të trojanëve, që nuk ishin veçse sllavo-serbë”; se “gjuha e tyre, sikurse edhe ajo e trojanëve-serbë, ishte gjuha e vjetër antike e serbo-sllavëve (staro-sllavjane)”; dhe se veprat homerike “nuk ishin shkruar aspak në gjuhën antike greke të dialektit jonian, pohim të cilin e mbështet edhe autori i quajtur Platoni në Kratil”. Këta autorë gjithashtu theksojnë se “frigët banuan në zonën malore në jug të Ohrit, zonë nga e cila, padyshim që ishte Homeri, që emrin e kishte serbo-sllav, ‘Omir’. Straboni shkruan se ilirët, epirotët dhe maqedonasit flasin të njëjtën gjuhë, që nënkuptohet se është ajo serbo-sllave… Dhe se pikërisht për këtë arsye, meqenëse frigët jetonin në zonën kufitare të kufizuar prej Maqedonisë, Ilirisë dhe Epirit (Tremedia), është logjike që gjuha e tyre të jetë njëkohësisht ilire, maqedonase dhe epirote, pasi ndryshimet midis tyre janë në nivelin e dialektit të së njëjtës gjuhë”. Sipas tyre, edhe “studiuesi skocez i shekullit XIX, John Francis Campbell (i cili në fakt nuk ka qenë aspak historian – F.K.)”, na paskërka shkruar se “Në perëndim të Maqedonisë ishin dardanët dhe ilirët, dy emra që shënojnë të njëjtët njerëz – serbët”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat