Familjet e vjetra e të pasura të Shqipërisë, përmes femrave synonin mbrojtjen nga komunistët!?

Historia

Familjet e vjetra e të pasura të Shqipërisë, përmes femrave synonin mbrojtjen nga komunistët!?

Më: 26 maj 2020 Në ora: 15:57
Foto Ilustrim

Në botimet e gazetarit amerikan Peter Lucas, për hyrjen e komunistëve të Enver Hoxhës në Tiranën e çliruar, ka disa paragrafë mbi një pritje në hotel Dajti. Aty përshkruhen përpjekjet e biznesmenëve dhe familjeve të mëdha shqiptare, që kishin qenë armiqësorë me komunistët, për t’u afruar me ta nëpërmjet oficerëve të Aleancës që qëndronin atë kohë pranë Hoxhës. Për këtë nuk munguan as historitë e dashurisë mes oficerëve amerikanë pranë komunistëve dhe vajzave nga këto familje të kamura shqiptare.

“Nuk vonoi dhe të gjitha figurat udhëheqëse shkuan në hotel për një pritje festive ku shpërtheu një debat mbi ekspozimin e flamujve në kryeqytet. Anglezët ekspozuan flamurin amerikan krahas atij britanik. Mos ngritja e flamurit të Bashkimit Sovjetik, anëtari i tretë i Aleancës, çoi në protestë nga ana e rusëve. Si sovjetët dhe shqiptarët iu ankuan Stefanit. Stefani i bëri kabëll Fulcit. Në një farë mënyre çështja u zgjidh dhe pritja vazhdoi.

Ishin aty Hoxha dhe të gjithë gjeneralët dhe kolonelët, të veshur me uniformat e tyre më të mira. Disa, si Shehu, sollën gratë, megjithëse shumica nuk vepruan kështu. Ekziston një fotografi e rrallë e Fiqret Shehut të ulur midis një çifti oficerësh anglezë dhe Shehut në një tavolinë të pajisur mirë me ushqime.

Stefani kishte ndryshuar uniformën me një enkas për pritje, sikurse bënë edhe togerët Kukiç dhe O’Kifi si dhe kolonelët anglezë Markus Llajën dhe Alan Palmer. Oficerët aleatë u përzien me gjeneralët shqiptarë si dhe disa oficerë sovjetë dhe jugosllavë që ishin të gatshëm.

Kamerierët me bluza të bardha të hotel Dajtit, që kishin punuar për italianët, shërbyen darkën nëpër tavolina të mbushura me enë të bukura prej porcelani. Rakia, uiski, vodka, konjaku dhe vera derdheshin lumë kur ngriheshin dolli njëra pas tjetrës për çlirimin e Tiranës.

Pritja koktej/drekë ishte e para dhe e fundit e këtij lloji në Tiranë. Hoxha dhe stafi i tij nuk do të takoheshin dhe nuk do të përziheshin më me aleatët në ndonjë ngjarje si kjo…”, ka thënë Lucas.

Pas drekës, Enver Hoxha nuk humbi kohë. Në ditët që pasuan, ai veproi me shpejtësi për të vendosur rendin në qytet, duke e vënë qytetin dhe vendin realisht nën rendin ushtarak. Megjithëse deklaroi një amnisti për njerëzit që kishin anuar ose simpatizuar Ballin Kombëtar dhe gjermanët, “amnistia” u injorua ose u harrua shumë shpejt.

Lucas shkruan: “…I pamëshirshmi Koçi Xoxe, i cili në thelb ishte një punëtor i paarsimuar, ishte emëruar Ministër i Brendshëm me një pushtet të plotë politik. Qindra njerëz u burgosën, shtëpitë e tyre u plaçkitën, ndërsa pronat u konfiskuan. Të dyshuarit u arrestuan në rrugë. Kishte ndëshkime me vrasje dhe ekzekutime sekrete. Njerëzit zhdukeshin.

Teksa mbështetësit e partizanëve festonin, të tjerë që kishin mbështetur opozitën, ose që kishin qëndruar indiferentë gjatë luftës, jetonin me frikë. Partizanët mezi prisnin të gjenin dhe të dënonin anëtarët e Ballit Kombëtar që kishin vrarë mbështetës të partizanëve nëpër rrugët e Tiranës më 4 shkurt 1944. Ata donin ndëshkime dhe do t’i bënin ato.

Shumë prej bashkëpunëtorëve të dyshuar në Tiranë iu drejtuan amerikanëve dhe anglezëve për ndihmë, duke pretenduar se ata kanë qenë të mashtruar nga propaganda gjermane. Ata thonë se në zemrat e tyre kanë vetëm interesat e Shqipërisë.

Disa nga ata që kërkonin mbështetjen e aleatëve ishin biznesmenët më në zë shqiptarë që bënë pasuri të madhe në kohën e luftës nga shitja e mallrave gjermanëve. Ata që ishin pronarë tokash në fakt u prirën nga Balli dhe gjermanët për shkak të stabilitetit që ata propagandonin…”

Lucas shkruan edhe për mënyrën si u sollën përballë këtyre ngjarjeve familjet e mëdha të vendit: “Pjesëtarë të familjeve me traditë të hershme, elita e vendit, me emra si Toptani, Vrioni dhe Konica kërkonin tani të punonin për amerikanët dhe anglezët vetëm të ishin të mbrojtur.

Ata ishin të arsimuar, të kamur dhe flisnin anglisht. Ata ende nuk besonin që Aleatët do të lejonin që komunistët të marrin drejtimin e vendit, e kështu me radhë…

Të tre oficerët amerikanë, kapiten Stefani, togerët Kukiç dhe O’Kif ishin elegantë dhe shumë popullorë. Të tre ishin të rinj, të pamartuar dhe kishin para. Stefani veçanërisht ishte më i pëlqyeri. Ai nuk ishte vetëm oficeri amerikan me gradën më të lartë në Shqipëri, por ishte edhe një shqiptaro-amerikan që fliste shqip. Ishte dhe shumë i afërt me Hoxhën dhe udhëheqësit e tjerë partizanë. Ai mund të bënte diçka. Ai mund të peshkonte informacione. Ai mund të gjuante edhe femra, të cilat i dëshironte. Shumë shpejt zuri disa mikesha tërheqëse. Disa nga këto vajza të reja e paguan shtrenjtë më pas miqësinë e tyre amerikane, përfshi edhe një mikeshë të O’Kifit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat