Rezistenca e Maqedonisë shqiptare gjatë pushtimit bullgar në vitet 1915-1918

Historia

Rezistenca e Maqedonisë shqiptare gjatë pushtimit bullgar në vitet 1915-1918

Nga: Eugen Shehu Më: 9 qershor 2020 Në ora: 15:41
Trupat Bullgaret ë stacionuara pranë kalasë së Shkupit më 1915 (ark.Wieneze.d224BallkaW)

Historia e trojeve shqiptare në të ashtuquajturën Maqedoni perëndimore,është përjetuar prej popullsisë së këtyre trojeve,përmes dramave madhore që padyshim kanë lindur në vitin 1913, nën centralizimin autoritar osman,këto treva asesi nuk e patën menduar se do të ishte nacionalizmi shoven serbo-sllavomaqedonas,i cili do të shpërthente në verën e vitit 1913,atëherë kur Shqipëria u nda sipas orekseve të Fuqive të Mëdha të Evropës.Pushtuesit Serbo-sllavomaqedonas,nuk nguruan të iedonin plane të veçanta për pushtimin e trojeve shqiptare në përgjithsi,si edhe sllavizimin e këtyre trojeve në veçanti.Këto die u sendërtuan të ndërthurura me masa të rrepta admnistrative,ushtarake dhe policore,me ç’rast ravijëzuan një varg katastrofash morale,etnike dhe fizike si për popullsinë e Kosovës,ashtu edhe për Maqedoninë shqiptare.Në këtë sens,apologjetet ideologjike të Beogradit,nuk nguruan të sajojnë nëpër Evropë,edhe një propagandë të shfrenuar antishqiptare,deri në vullgaritetet më ekstreme.Sa i përket ngjarjeve në trevat shqiptare të Maqedonisë Perëndimore,ato erdhën pos tragjizmit edhe me kundërshti të theksuara midis etnive e posaçërisht u bashkuan me veprën shtazarake të pushtetmbajtësve serb,duke zënë vende kyçe sidomos në xhandarmëri dhe duke nisur nga maltretimi i shqiptarëve që deri dje kishin shprehur vetëm dëshirën dhe urtësinë për të jetuar si të barabartë në komunitetet.

Ndonëse përmbi shqiptarët,pllakosen urdhëra e masa drakoniane prej serbëve e maqedonasvesllav,geni kryengritës i tyre nuk mund të rrinte i fshehur.Pushkët me të cilat,trimat e këtyre viseve shqiptare,patën luftuar kundër turqve,(me tyta ende të nxehta prej luftërash të gjata) tanimë u drejtuan kundër pushtuersve të rinj.Përballë këtij rebelizmi popullor,Komandanti i Armatës së III-të serbe ,gjenerali Bozhidar Jankoviq,urdhëronte në mënyrë të prerë „Përderisa të dorzohej e nënshtrohej plotësisht,popullsia shqiptare duhet të detyrohet që të nënshtrohet,të dorëzojë menjëherë armët si edhe t’u merrej shqiptarëve gjithshka,deri sa të vdisnin nga uria“(L.Rushiti ,“Rethanat politiko-shoqërore në Kosovë 1912-1918“- Prishtinë 1986, fq 83 ).

Në fillim  të vitit 1915,lëvizja antiserbe,dukej se mori hov të madh,ngase tashmë ajo shfaqej e organizuar në Dibër ku prinin Elez Isufi,Qazim Lika dhe Mersin Dema,por edhe spontane në vise të Manastirit,Kërçovës e Gostivarit ku komitetet e njohur në luftën kundër Turqisë,po valvitnin në male e brigje,flamurin e shenjtë të shqiptarizmës.Lëvizja e armatosur e këtyre trevave u bashkua edhe me çetat e luftëtarëve të kosovës të udhëhequra nga Hasan Prishtina dhe meqenëse u shkaktoi serbo-maqedonasve humbje të mëdha,në vendin e quajtur Zhur,me këtë rast u quajt edhe kryengritja e Zhurit.Sidoqoftë,në rrjedhat ballkanike të ngjarjeve,shumë gjëra do të ndryshonin me fillimin e luftës së Parë Botërore.Për arsye të konjukturave politike të Fuqive të Mëdha,si edhe për shkak të grupimeve ushtarake që u krijuan në këtë rast,trevat shqiptare të Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore u ndanë në mënyrë respektive në dy zona influencash,të parët nën ate austro-hungareze dhe të dytët nën influencën e plotë bullgare.Ende pa u tharë kështu,plagët që patën shkaktuar pushtuesit serbo-sllavomaqedonas,popullsia e maqedonisë shqiptare u përball me dhunime të tjera edhe më makabre se të parat.Është e arsyeshme të tehksojmë që në fillim,se largimi i serbo-maqedonasve prej tokave shqiptare në vitin 1915,nuk ishte diçka formale,një veprim i domosdoshëm prej rrethanave ushtarake.Në këtë largim të detyruar të tyre,serbët plaçkitën pjesën më të madhe të shtëpive shqiptare në Kumanovë,Shkup,Tetovë,Gostivar,Dibër,Kërçovë e Strugë me ç’rast i çuan banorët e këtyre trevave në varfëri të plotë.Gjithashtu,xhandarmëria serbo-sllavomaqedonase,me anë të pushtetit policor si edhe hafijeve të shumta,në këtë inkursion mblodhi edhe disa burra shqiptarë të cilëve u dëgjohej fjala duke i mbajtur peng.Nëse çetat e kaçakëve të Maqedonisë shqiptare,do të kundërvepronin,atëherë sigurisht këta burra të pafajshëm shqiptarë,do të pushkatoheshin.Burimet serbe të historiografisë,duke iu referuar komandantit të vendit në Tetovë,na bëjnë me dije se,ngjarjet e fundit të tetorit të vitit 1915,në Pollog,ishin saktësisht kështu :

„a- në drejtim Shkup-Tetovë,zhvilloheshin luftime me kryengritësit shqiptarë të fshatit Grupçin.

b- Në drejtim Kaçanik-tetovë kryengritësit shqiptarë kishin ndërprerë komunikimin dhe që nga 26 tetori,kërcënonin pushtimin e Tetovës.

c- Drejtimi Prizëren-Tetovë,ishte i ndërprerë nga kryengritësit shqiptarë të fshatit Veshallë si edhe të fshatrave të tjerë përreth tij.

d- Në drejtim Gostivar-Tetovë,në perëndim të rrugës ku vepronin kryengritësit shqiptarë,pothuaj të gjithë fshatrat ishin të rrënuara.“ ( Pukovnik ,C.Jovanoviç,“Tetovski Odred i preotimanja Tetova od Bugara 1915 god... „ Sarajevo 1925, faqe 44 ).

Forcat kryengritëse të shqiptarëve në Maqedoninë Perëndimore,të udhëhequra nga prijësit e tyre popullorë,gjatë muajve tetor 1915 – shkurt – 1916,i bënë një rezistencë të ashpër serbo-sllavomaqedonasve duke u kumtuar Beogradit dhe Fuqive të Mëdha,se banorët autokton të këtyre trojeve,nuk do të pranonin asesi as shtypjen dhe as sllavizimin e këtyre trojeve.Më së shumti,këtë e dëshmuan betejat në Urën e Vardarit – Kalishte,në Leshak,Vrapçishtë,Dobridol e rrethina të tjera deri në Strugë.Këtu shkëlqeu edhe një herë heroizmi masiv i shqiptarëve,ku në pozicionet e trimave,shkuan edhe pleqtë e djemtë që ende s’i patën bërë 15 vjet.Pushtuesit e rinj bullgar,nuk ndryshonin shumë prej atyre serb,madje në shumë drejtime ata vetëm se thjelluan masat e rrepta të reprezaljeve kundër popullsisë në Maqedoninë shqiptare.Pranvera e vitit 1916,do të sillte veç zi në këto treva.Pikërisht.lidhur me trazirat etnike në këtë periudhë,Mid’hat Frashëri,posaçërisht për këto treva do të  spjegonte ; „Gjendja aktuale... të asaj që sllavët e quajnë Maqedoni Perëndimore dhe Serbi e Vjetër,dy emra që kanë veçse një kuptim shumë të turbullt historik,por që shiqptarët si njerëz të thjeshtë e praktik e quajnë Shqipëria Lindore,themi se dëshmon për të drejtat e shqiptarëve.Shqyrtimi i statistikave,edhe po t’i pranojmë ashtu siç janë përpiluar ato nga fqinjët tanë,tregojnë zotërimin e madh natyral të elementit shqiptar“.( Mid’hat Frashëri „ Shqiptarë dhe Sllavë „ – Tiranë 1997 , faqe 77-78 ).

Merret lehtësisht me mend se në këtë kontekst,ushtria bullgare do të shkonte në ato troje me idetë pushtuese,për të shfarosur këtë etni e cila duam apo s’duam ne,asaj kohe ishte pengesë për bullgaromëdhenjt të cilët ëndërronin se ujrat e Egjeut aq edhe ato të Adriatikut.E vërteta është se në fillim të shekullit të kaluar,çdo aleancë e qevreisë bullgare me fuqitë e tjera të Evropës,shihej se në çfarë mase kjo aleancë do t’i shërbente synimeve hegjemoniste bullgare.Vendosja e administratës bullgare në Maqedoninë shqiptare u shoqërua me një varg masash të karakterit ushtarak.Shtabit bullgar të pushtimit parashihnin rrëmbimin përgjithmonë të këtyre trojeve,me ç’rast edhe u përpoqën të gjunjëzojnë sa më shumë elementin shqiptar,i cili si për nga ana numerike,ashtu edhe kompaktësimi etnik,përbënte dominancën e atyre trojeve.Një ndër këto masa,padyshim që ishte ndarja e re administrative tokësore ose i ashtuquajturi „Inspektoriati ushtarak i Provincës së Maqedonisë“.Bazuar në vetë dokumentacionin e studiuesve serbo-sllavomaqedonas,trevat shqiptare në Maqedoni,u ndanë nën administrimin e ri, në këto qarqe :

„a- Në qarkun e Tetovës,me seli në Tetovë,me ç’rast bënin pjesë rrethet e Tetovës,të Brodit,të Galiçnikut dhe Gostivarit.Qarku i Tetovës,në ate kohë,kishte gjithsej 146,803 banorë.

b- Në qarkun e manastirit,me seli në Manastir,ku nga rrethet e Maqedonisë Perëndimore,ishte përfshirë vetëm rrethi i Kërçovës.

c- Në qarkun e Ohrit me seli në Ohër,ku ishin përfshirë rrethet e Ohrit,të Strugës,të Dibrës,me gjithsejt 84395 banorë.Nga ana administrative qarqet përbëheshin nga rrethet,ndërsa rrethet nga komunat,të cilat ishin caktuar si njësi themelore administrative.Pushteti bullgar me këto ndarje admnistrative vetëm sa e ripërsëriti ndarjen e mëparshme të kryer prej Serbisë e cila në coptimin  gjeografik parashihte asimilimin etnik të shqiptarëve.Ndërsa në pikëpamje ushtarake „Provinca e Maqedonisë“ ishte ndarë në 8 të rajone dhe „në sejcilin prej tyre ishte vendosur shtabi ushtarak“.

(Kraste Bitovski në „Glasnik në Institutot za nacionalna istorija“ nr 1.2 , Skopje 1960, fq.50 ).

Shtabi i ushtrisë bullgare,që në ditët e para të pushtimit të tokave shqiptare,lëshoi urdhërin për dorëzimin e armëve nga popullsia shqiptare.Ky urdhër,kish të bënte jo vetëm me rrënimin e dinjitetit të shqiptarëve,por edhe me pamundësitë e tyre të ardhshme për të luftuar në mbrojtje të të drejtave natyrore dhe elementare.Në mjaft raste,kur ushtarakët bullgar ndeshnin në rezistencën e popullsisë,atëherë nuk mungonin reprezaljet.Vetë burimet serbe flasin për mizoritë e udhëhequra nga nënkoloneli bullgar Panov.Në trevat shqiptare të Velesit,Përlepit,Kërçovës dhe Gostivarit,ai vrau me qindra burra që nuk dorëzuan armët,ndërsa shumë të tjerë u detyruan dhunshëm ,duke u marrë peng për në llogoret në Bullgari.Ndërkaq,në bazë të urdhërit të Armatës bullgare në Maqedoninë shqiptare,në shtatorin e vitit 1916,nisi rekrutimi i dhunshëm ndaj djemve të këtyre trojeve.E vërteta e¨shtë se urdhëri në fjalë,artikulonte rekrutimin e shqiptarëve prej moshës 18 deri në 30 vjet.Por pushtuesit bullgar nuk munguan të marrin zvarë,me dhunë edhe shumë burra të moshës 45-50 vjet.Në mjaft raste,kur këta burra u kërkonin xhandarmëve bullgar që të shihnin dokumentat për moshën e kaluar të tyre,goditeshin barbarisht prej bullgarëve,në sy të familjeve,dhe ashtu të lidhur dërgoheshin në postën më të afërt të policisë.Përkundër këtyre veprimeve të dhunshme,atdhetarët shqiptarë nuk heshtën për asnjë çast.Ata dënuan çdo rast duke i bërë me dije autoritetet ushtarake bullgare se po shkelnin me këmbë të drejtat elementare të një populli që rron prej vitesh në trojet e veta dhe s’ka arsyeje të shkojë e të vritet në llogoret e Bullgarisë.Në tubimin e organizuar me këtë rast në Gostivar,patriotët menduan t’i dërgojnë një peticion,edhe shtabeve të ushtrive aleate të Antantës ku pos të tjerave thuhej:“Marrja me forcën e kamzhikut e të dyfekut,e  bijve tanë të parritur akoma dhe burrave të moshuar prej ushtarëve e oficerëve bullgarë,jo vetëm na ka idhnu së tepërmi por çdo dite që kalon na e mbush mendjen me ja drejtue ato pushkë të mbetuna ,vetë Bullgarisë“.

Edhe në Tetovë,atdhetari Halim Bej Deralla,bëri çmos që djemtë shqiptarë të mos merrnin udhët e luftës për në Bullgari.I përkrahur nga paria e qytetit,jo njëherë,ky bir i shquar i Maqedonisë shqiptare u bëri qëndresë të vendosur autoriteteve bullgare ushtarake duke shpalosur jo vetëm oratorinë por sidomos trimërinë e tij.Burime gojore flasin se Halim bej Deralla mbante lidhje të ngushta me çetat e kaçakëve në këto treva dhe sa herë që xhandarët bullgarë mësynin për të marrë rekrutë me forcë në Tetovë,në kodrat mbi qytet mblidheshin trimat e Maqedonisë shqiptare të gatshëm për të sulmuar.Një prej këtyre aksioneve,kur luftëtarët shqiptarë vranë njërin prej oficerëve bullgarë i deklaruar në Tetovë si antishqiptar i tërbuar,Halim Bej Deralla ndihmoi me para dhe armë këtë aksion,duke dëshmuar jo vetëm trimërinë por edhe shqiptarizmin e tij.Por atdhetarët e Maqedonisë shqiptare nuk munguan të dalin në krah të Hasan Prishtinës e Bajram Currit,duke dëshmuar idenë e madhe se atdheu është një,ai dhemb njëlloj në çdo pjesë të trupit.Kështu,ndërsa trima të Maqedonisë shqiptare,merrnin rrugën për të luftuar në kufijtë e atdheut të tyre,Ministria e Jashtme e Serbisë i dërgonte legatës mbretërore në Romë një telegram në të cilin pos të tjerave e njoftonte : „Më 25 korrik të këtij viti,ju njoftojmë nisjen e Hasan Prishtinës për në Shengjin dhe Shkodër,për të parë atje se cila ishte rruga më e sigurtë për të arritur në kufirin tonë.Me Hasan Begun,janë nis edhe Halimi,djali i Mehmet Pashë Derallës,Mahmut Begu,Selim Batusha dhe Tafili,kushëriri i Isa Boletinit.Përveç kësaj kanë shkuar edhe 300 shqiptarë shumica nga Kosova, por ka pasur nder ta edhe nga vise të Dibrës“. ( Arkivi  i  Institutit të Historisë – Tiranë ,     dosja 139, filmi 816 / 1 ).

Dihet se luftimet në kufijtë veriore të Shqipërisë në vitet 1915-1917 kanë vazhduar gjatë midis shqiptarëve dhe serbëve,të cilët të përkrahur edhe nga Esat Pashë Toptani,kërkonin me ngulm jo vetëm të sllavizonin krahinat „e dhuruara“ të Londrës në vititn 1913,por edhe të krijonin sa më shumë të çara,në qeverisjen shqiptare të atyre viteve.Në ate përplasje të fuqishme të interesave,midis Serbisë,Austrohungarisë dhe Italisë,fqinjët veriorë të Shqipërisë,të nxitur nga ëndrrat shovene të tyre,nxitën në mënyrë të pandërprerë dhunën dhe reprezaljet masive ku nuk munguan as ato në trevat e maqedonisë shqiptare.Kundër dhunës së egër të pushtuesve bullgar,u organizuan sidomos çetat e trimave të Kërçovës.Ndonëse e kemi cekur edhe herë tjera,në vise të Kërçovës,organizimi luftarak i kushtohet trimërisë,largëpamëse dhe zgjuarsisë së Kalosh Danit (përndryshe Kalosh Zajazit).Në mjaft luftime të drejtuara prej tij,veçanërisht në vitet 1916-1917,trimat e maqedonisë shqiptare,mundën të përballen me formacione të rregullta të ushtrisë bullgare duke siguruar jo rallë fitore.Ende sot,në kujtimet e popullsisë së Kërçovës,ruhen gjurmët e trimërisë së Kaloshit dhe vëllait të tij Lazamit të cilët askurrë nuk luftuan për tituj,para e ndere por vetëm e vetëm për ti ardhur në ndihmë bashkëkombasve të tyre.      Është i  njohur fakti që komandanti i forcave bullgare të Kërçovës e Manastirit,në përpjekje për të „blerë“ trimin e Zajazit,i dërgoi atij në pranverën e vitit 1917,në malet e Sharrit,një haber me mikun  e vet duke i premtuar flori në shkëmbim të lënies së luftës dhe kthimit të tij në shtëpi.Për më tej,po ky kolonel bullgar e siguroi Kalosh Zajazin se do t’ia ndërtonte shtëpinë e tij të djegur me fondet e qeverisë bullgare.Përgjigjja e Kalosh Zajazit ishte ; „I thoni kolonelit tuaj,të më presë sot java në livadhe të Kërçovës,le ta marre trimat e vet dhe une me të mijt dhe le t’i bajmë pazaret sy të gjithëve“.Tri ditë e tri netë,në livadhet 5 kilometar në të hyrë të Kërçovës,pushka e trimave të Maqedonisë shqiptare jehoi deri larg dhe formacionet luftarake bullgare muarën arratinë duke lënë pas dhjetra të vrarë dhe një sasi të konsiderueshme armësh e municionesh,me ç’rast u furnizuan trimat e Kalosh Zajazit.

Në vjeshtën e vitit 1917,nisi rekrutimi i dhunshëm i ushtrisë bullgare edhe në Dibër të Epërme.Trimat si Elez Isufi,Sufë Xhelili,Qazim Lika etj,të cilët patën zbritur shpesh herë në treva të Maqedonisë shqiptare,kësaj radhe dhanë besën në male të Dibrës se këmbë bullgari nuk do të shkelte në vatrat e tyre.Në fshehtësi ata janë takuar me kaçakët si Kalosh Zajazi,Sali Beqiri etj, duke ndërthurur fijet e një qëndrese të përgjithshme kundër pushtuesit bullgar.E vërteta është se në Dibër të Epërme mbizotëronte ideja se bullgari e serbi janë njëlloj (derrat një fytyrë kanë) dhe prej tyre askurrë s’ka pritë të mirë shqiptari.Në shtëpinë e madhe rreth 40 udhëheqës popullorë të këtyre trevave por edhe të Maqedonisë shqiptare,me ç’rast u vendos të mos jepej asnjë djalë ushtar e për më tej,të shporrej ushtria bullgare nga trojet shqiptare.Historiani Bogumil,në veprën  e tij „Arbanski upadi i pobune në Kosovu i u Makedoniju od kraja 1912 do kraja 1918 godine“,duke shtjelluar thelbin e kërkesave të beslidhjes në fjalë,ka dalë në konkluzionin se lëvizja e lartëpërmendur kishte si devizë „përzënien e menjëhershme të pushtetit bullgar dhe autonominë e rrethit të Dibrës“.Është ndofta me vend të mos harrojmë,se në këto ditë janari,Elez Isufi u  rezervoi miqve të vet,luftëtarë të Maqedonisë shqiptare,një pritje tejet të përzemërt.Në kujtimet e bijve të Elezit,janë të gjalla ato mbrëmje gjatë buzë vatrës dhe sidomos gjesti  fisnik i Elezit i cili ditën e nisjes për në Tetovë,Gostivar e Kërçovë,ua mbushi çantat me bukë e fishekë madje dikujt i fali edhe ndonjë pushkë.E vërteta është se pushtuesit bullgarë u trembën përballë kësaj kryengritjeje që po shpërthente.Ndonëse ata dispononin forca e mjete të shumta luftarake,nuk deshën të sakrifikonin kaq shumë,vetëm e vetëm për ta rrëmbyer disa djem në Dibër të Epërme.Madje që në betejën e parë në afërsi të Bulqizës,ata u panë se djemtë 16-17 vjeçarë të Dibrës,ishin rreshtuar përkrah baballarëve të tyre,duke luftuar pa iu dridhur qerpiku,duke folur për lirinë e Shqipërisë,dhe pranverat e njoma të tyre.Kësisoj inkursionet bullgare në Dibër të Epërme mbetën në mes të udhës dhe me ardhjen e pranverës së vitit 1918,sërish trimat dibranë iu bashkangjitën revoltave popullore në Maqedoninë shqiptare.Natyrisht pushtuesit bullgar nuk u mjaftuan vetëm me vendosjen e pushtetit të tyre të dhunës.Dhelpërisht,ata u pëpoqën të përçajnë shqiptarët e këtyre trevave me ç’rast do ta kishin më të lehtë sundimin e tyre.Veçmas kjo u duk në rrafsh të arësimit të shqiptarëve ku u mbyllën të gjitha shkollat shqipe dhe hapën ato bullgare,me ç’rast pati edhe shqiptarë të rrallë që i çuan fëmijët në këto shkolla.Edhe në këtë rrafsh,kundërshtimi i atdhetarëve të Maqedonisë shqiptare ishte i madh.Me çdo mjet e mënyrë,me propagandë të fshehtë dhe të hapur,këta atdhetarë mbajtën të ndezur në shpirt,dashurinë për gjuhën shqipe,historinë dhe traditat e lashta të atdheut të vet,duke iu kundërvënë pretendimeve shovene bullgare.Në verën e vitit 1918,atëherë kur Lufta Botërore po i vinte fundi,atdhetarët shqiptarë e kuptuan se do të niste pazari i influencave politike dhe ushtarake dhe Shqipëria e pambrojtur do të kthehej në plaçkë tregu.Është kjo arsyeja që në mjaft takime,biseda e letërkëmbime,udhërrëfenjësit e kombit tonë përsërisnin : „Me argumente historike,politike dhe gjeografike,lipset t’i dëftojmë botës së qytetëruar se cili është kombi shqiptar,cilat janë të drejtat dhe dëshirat e këtij kombi,dhe t’u bëhet atyre e qartë se pa ju shtuar Shqipërisë nga ana e Veriut,Kosova dhe nga ana e jugut Çamëria,nuk mund të ketë qetësi në sinusin Ballkanik“.( Arkivi  Qendror  i  shtetit – Tiranë , fondi 20 , dosja 3 , fleta 4 ).

E vërteta është se në verën e vitit 1918,nën influencën e atdhetarit Qamil Beu,në Gostivar,nisën të çelen disa klasa për mësimin e gjuhës shqipe si edhe të historisë e gjeografisë.Këto klasa të vogla mësimore,ishin odat e shtëpive bujare të Gostivarit me ç’rast u shëndrruan në çerdhe të përhapjes të shqiptarizmës.Në rastin e kallzimit të një klase të tillë,në fshatin Vërtok,pranë Gostivarit,kur nga komanda ushtarake bullgare u kërkua se cilët ishin nismëtarët (ndryshe do të digjej shtëpia) ishte pikërisht Qamil Beu i cili i çoj fjalë bullgarëve se para se të digjej shkolla e fëmijëve do të vfriten gjithë burrat e Gostivarit.Të gjendur ngushtë përballë kësaj situate,por edhe për shkak të një sulmi të mundshëm prej ushtrive të Armatës kundër tyre,forcat ushtarake bullgare u tërhoqën duke kërcënuar Qamil Beun.

Edhe në vjeshtën e vitit 1918,në rrethina të Gostivarit,në Tetovë e lartësitë e Sharrit,u shënuan disa beteja të forcave kaçake shqiptare kundër xhandarmëve bullgare që kërkonin të rrëmbenin me forcë bagëti prej shtëpive shqiptare,apo të digjnin ndonjë kullë kaçaku.Më 29 shtator të vitit 1918,përbën nënshkrimin e armëpushimit midis forcave ushtarake të Antantës dhe bullgarisë.E vërteta është se ky nënshkrim,do të gëzonte vetëm pak javë popullsinë e Maqedonisë shqiptare e cila në tri vitet e pushtimit,u dogj,u vra, u pre, u terrorizua por edhe se ndali në asnjë ditë luftën e saj të drejtë për pavarsi e dinjitet kombëtar.Në dimër të vitit 1918,këto treva do të rënkonin sërish prej pushtimeve të tjera,prej dallgëve të reja të luftërave shfarosëse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat