Dossier: Historiku i rrallë i RTSH-së, media e parë vizive në Shqipëri

Historia

Dossier: Historiku i rrallë i RTSH-së, media e parë vizive në Shqipëri

Nga: Albert Z. Zholi Më: 19 korrik 2020 Në ora: 10:32
Albert Z. Zholi

Pak histori mbi rrugëtimin e Radios shqiptare

Radio është një media e cila që prej një shekulli ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën e njerëzve. Sot në shumë shtëpi, qendra publike dhe qendra pune vërejmë lloje të ndryshme radiosh. Në vitet 1890, studiuesit bënë përpjekje të shumta për të zbuluar dhe përdorur valët radiofonike. I pari që hodhi idetë për radiovalët ishte Tesla. Në vitin, 1896, Nikola Tesla (kroat) botoi një material ku përshkruante hollësisht në një skemë të gjithë elementët e një transmetuesi radio që më vonë u përdor nga Markon. Duke u bazuar në teorinë e Teslës, inxhinjeri i apasionuar Italian Markon (Marcon) me shumë vështirësi realizoi më në fund shpikjen që bëri bujë dhe që e bëri atë të pavdekshëm, pra radion.. Megjithëse në fillim valët e radios u përdorën për komunikim mes anijeve apo për komunikim në ushtri, në fillim të shek 20-të me ndërtimin e radiostacioneve dhe antenave, radio u bë një media publike për argëtim dhe për transferimin e informacioneve. Radio me shpejtësi hyri nëpër shtëpitë e njerëzve dhe u bë një mjet i rëndësishëm në jetën e tyre.
Aktualisht gjendja e radios ka ndryshuar. Megjithëse kjo media ka bërë përparime të dukshme, ajo po përballet me konkurrentë të rinj dhe të fuqishëm.

Amerika e para në botë

Amerika. Superfuqia e botës. Aty ku janë mbledhur ajka e trurit botëror. Vendi i demokracisë së vërtetë ku shkenca përparon më shpejtë se koha. Në këtë vend të begatë u përdor për herë të parë radioja. Ishte data 15 qershor e vitit 1920. Një aparat radioje dhe një studio e thjeshtë. Lëvizet një çelës i një aparature... Dhe ja...Magjia e pritshme dha frytet e saj. Bota po përjetonte një shpikje të madhe. Nga lëvizja e këtij çelësi, nga aparati i radios, këngëtarja amerikane, Neli Melba, për herë të parë në historinë e njerëzimit, përhapte para mikrofonit të Radio Pitsburgut këngë që, përshkroi hapësira të pamata. Bota po përjetonte një ditë të veçantë. Shkenca dhe bota mbarë ndjenë fillimin e një ere të re. Të erës së bukur të radiofonisë.

Dita e inaugurimit të Radio Tiranës 28 nëntor 1938

Afërsisht 18 vjet më vonë, era e radios mbërriti dhe në Shqipëri. Ndoshta jo me aparaturat më të përparuara të kohës, por sidoqoftë për jetën e shqiptarëve ishte një eveniment. Ishte nisma e Zogut të parë që dhe në Shqipërinë e prapambetur të vinte magjia e radiofonisë, kur në mbarë Evropën radio kishte hyrë në pjesën dërrmuese të popullsisë. Ishte 28 Nëntor 1938...

Gazeta “Drita” e datës 29 nëntor 1938, në artikullin “Si është përbërë stacioni ynë i Radio Tiranës”, midis të tjerash, shkruan: “Naltmadhnia mbreti dhe mbretëresha inauguruan solemnisht Radiostacionin. Në qendrën e Radiostacionit që gjendet në Laprakë, ishin përqendruar autoritetet më të larta civile e ushtarake të vendit”.

Ndërsa një ditë më vonë, pra më datën 30 nëntor “Gazeta e Korçës” shkruante: “Me çeljen e këtijë stacioni u plotësua me sukses një mungesë e dukshme. Shqipëria ishte i vetmi shtet i Evropës pa një stacion të tijën. Është e vërtetë se shërbimin e lajmeve në gjuhën shqipe e kryente me mirëdashje radiostacioni i Barit me shërbimin e tij të përditshëm e gjithashtu me emisione të rralla koncertesh, por këto nuk mjaftonin”.

Agim Pipa

Radiotelevizioni shqiptar, si pjesë e ndërgjegjes së kombit…

RTSH i ka ngjarë një kambane të madhe qiellore, që, përhapte papushim dhe pafundësisht, zëra njerëzore dhe tinguj muzikorë, nga toka jonë e mirë, deri në hapsirat e largëta të globit, atje ku jetojnë mijra njerëz, si pjesë e pandashme e popullit tonë. Sa më shumë afrohesh pranë RTSH, aq më shumë e dashuron atë. Sa më shumë i largohesh, aq më shumë të merr malli për të. Për gjithçka. Nga mëngjesi i butë, kur ti i drejtohesh aparatit të thjeshtë të radios dhe kërkon me intuitë valët e saj, për të dëgjuar zërin e ëmbël të spikeres, që të përshëndet: “Këtu Radio Tirana…me valë të mesme…Ju urojmë një ditë të mbarë të dashur bashkëkombës dhe bashkatdhetarë!”, deri në mbrëmjen e thellë, ku muzika e Zadesë, e Harapit, Gjonit, apo zëri I M.Xhemalit, V.Zelës, i grupeve polifonike apo i rapsodëve të magjishëm të bjeshkëve tona, të përcjellin në gjumin e mirë! Po ashtu ka ndodhur deri dje dhe me televizionin”.

Kujtimet

Po nis kujtimet dhe rrëfimet, për një pjesë të legjendave të mikrofonit të Radios. Mikrofonit, që, sa njerëz patën fatin dhe folën në membranën e tij magjike, u dashuruan me të dhe e quajtën të shenjtë. Ishin ditë vjeshte. Viti 1979. Unë hyra në godinën e bukur, që i ngjante një godine të kristaltë zërash dhe, përballja e parë, ishte zyra e drejtorit të saj. Zotit Klimi Misa. Si bashkëpuntor i afërm i Radios, unë kisha vite që udhëtoja me magnetofonin e rëndë dhe të saktë, “Uher”, që, sapo e vije në sup, të jepte një forcë dhe pothuaj të tjetërsonte. Të bënte pjesë të logjikës dhe arsyes së kombit tënd. Pjesë të kulturës dhe të traditës. Të ritmeve të zhvillimit dhe të kapërcimit të hapsirave, prej Tiranës, deri në Vermoshin e largët në veri dhe Konispolin e bukur, buzë piramidash kufitare, në jug. “Eja, djalosh…Në hekurudhën Fier-Vlorë, duhet të shkosh. Tek aksionistët. Reportazh, mbi punën për ndërtimin e hekurudhës dhe jetën e të rinjve tanë atje…Do të udhëtosh me makina të rastit. Shko në redaksi, tako Pandin e lajmeve, pastaj mer edhe “Uherin” dhe nisu. Tri ditë, mjaftojnë?” U bëra me fletë…Udhëtova me një “Skodë”, që çonte dhe merte puntorë, nga Parku i Mallrave, pranë shkollës së mesme Teknologjike, deri në kampin e aksionistëve, ne Levan…Pas tri ditësh, gjithçka u krye thjesht, mirë, bukur…Ishte kohë e artë…

Fundvitet ‘80

Por, do të vij tani tek fundvitet ’80 dhe fillimvitet ‘90. Kur Radio Tirana, u quajt aorta e madhe e zërave dhe ndërgjegjes kombëtare. E viteve të ndryshimit të madh. Që, po niste e po përgatitej prej vitesh, nëpër studiot dhe redaksitë. Nëpër sheshet e punës, qytetet, fshatrat, shkollat, në Universitet, në uzina dhe punishte, fabrika dhe ferma, nëpër institucione dhe akademi shkencore. Janë të shumtë emrat e gazetarëve, regjisorëve. Të redaktorëve, folësve, shefave të redaksive, të dispeçërve, inxhinjerëve, teknikëve, montazhirëve, shoferëve dhe administratorëve. Prej të cilëve po kujtoj: Agron Cobanin, Kiço Fotiadhin, Timo Luton, Pandeli Shehun, Zamira Kolecin, Korab Hoxhën, Liljana Shanton, Arqile Ndinin, Alfred Kaninin, Xhelil Aliun, Afërdita Selimin, Feruze Bajon, Meropi Matlinë, një prej spikereve brilante të Radios dhe Elsa Xhain, Viron Notin, Agim Xhekën, Atli Dacin, Jani Durin, Vangjo Kozmain, Arjana Qatipin, Shefqet Mekon, Amilda Dymin, Adi Krastën, Valdete Andonin, Frida Shytin, Paulin Shkjezin, e sa e sa gazetarë, redaktorë, regjisorë, folës, dhe bashkëpuntorë të tjerë të redaksive dhe emisioneve të Radio Tiranës. Dhjetori i vitit 1990, ishte koha e provës së madhe. Atëhere, ishdrejtori I Radios, z.Thimi Nika, një gazetar me përvojë nga shtypi i shkruar, e ktheu zyrën e tij në një central, që gjeneronte ide dhe punë gjigande. Po tronditeshin themelet e ishdiktaturës. Dhe hapat duhet të hidheshin me kujdes. Por, duke prurë në mikrofonët e studiove, uraganin e madh të zërave popullorë. Të protestuesve të rrugës së Kavajës fillimisht, në korrik, që shpërthyen muret e ambasadave. Më pas, të studentëve. Të sindikalistëve, të qytetarëve të ngritur në revolucion, për mposhtjen e sistemit të kalbur të diktaturës. Dhe Radio Tirana, e dha provën e saj. Ishte provë zjarri, jo shaka…Ishte kohë, kur në studiot e transmetimit, natën e rënies së bustit të diktatorit, grupe ushtarakësh patrullonin nëpër korridoret e gjatë të Radios dhe jepnin urdhra për transmetimin edhe të antimitingjeve dhe mbledhjeve të byrosë politike të asaj kohe, të kthyer në çerdhe intrigash dhe fantazmash. Që kërkonin kurban koka njerëzish, gazetarësh, teknikësh, folësish, teknikësh…Ishte koha e përplasjes së madhe. Dhe, Radio Tirana, e fitoi betejën. E fitoi sprovën, me kohën…Pas revolucionit, ne ishim të gjithë të lumtur. Me kolegen time Arjana Qatipi, gazetaren deri atëhere të emisioneve për gratë dhe femrat shqiptare, ideuam dhe çelëm një program të drejtpërdrejtë, me problematikë dhe fytyrë sociale. Gjithëpërfshirës. Me tre ore transmetim. Nga edicioni i radhës i lajmeve, marë nga redaksia e informacionit, deri tek rubrikat me debate, intervista, lojëra argëtuese dhe zbavitëse radiofonike, muzika e përzgjedhur…dhe një grup vajzash, studente nga histori-filologjiku, apo maturante në gjimnazet e Tiranës, si bashkëpuntore të këtij programi, që, duke e menduar si një spektakël radiofonik, e quajtëm “Sot. Po nesër?” Për të hapur membranën e mikrofonit të Radios, për ta kthyer atë në një bashkëfolëse gjigande me zërat popullorë, ne hapëm edhe dy linja telefonike, të drejtpërdrejta dhe, më ndihmën edhe të drejtorisë teknike në Radio, përgatitëm një bërthamë të vogël gazetarësh dhe një regjisore, për transmetime të drejtpërdrejta, me një studio lëvizëse modeste. Mbaj mend se, në Kuvendin e parë pluralist shqiptar, atë kohë, miratoheshin ligjet e para me debate të mëdha. Në portin e Durrësit vazhdonin dyndjet e njerëzve të dëshpëruar, që kërkonin të rrëmbenin për herë të dytë anijet, për të shkuar në Tokën e Premtuar për një jetë më të lumtur, ndërsa në rrugët e Tiranës, shiteshin ushqime të ardhura nga ndihmat për popullsinë e mbetur pa punë dhe pa përkrahje sociale. Programi “Sot. Po nesër?” ishte i pari, i drejtpërdrejtë dhe treorësh ku, përmes telefonatash direkte, për herë të parë, hyri zëri i njerëzve të lirë, i pacensuruar, i pakontrolluar nga dora e hekurt e ish-drejtuesve partiakë konservatorë dhe dogmatikë. Sa përmes të ftuarve në studio dhe transmetimeve direkte me studion e vogël lëvizëse, aq edhe përmes telefonatave. Ku do të kujtoj debatin në telefon, ndërmjet gruas së ish-diktatorit, me një vajzë nga Tirana, studente, që fliste nga Universiteti i Torinos. U përplasën dy botë dhe fitoi e reja. Moderatorja e emisionit, Arjana, ndërhynte mençurisht me pyetje të sakta, tek të dy bashkëdialogueset, ndërsa drejtonte debatin, ndërsa vajzat në studio, duartrokisnin bashkëmoshataren e tyre…Po atë ditë, unë dhe kolegia tjetër, Amilda Dymi, transmetonim direkt nga Durrësi, revoltat e qindra njerëzve, që po përplaseshin me ushtrinë në dyert e portit…Ishte gjithçka direkt, për herë të parë. Ndërkaq, pas këtij program vijuan edhe dy të tjerë, në formë ciklesh. Por kulmin transmetimet direkte e arritën me programin “Zemër”, kushtuar emigrantëve shqiptarë…

Radio Tirana sot

Radio Tirana, sot vazhdon të transmetojë 24 orë në 24, me frekuenca që shtrihen në horizont, nga Shqipëria, deri në Amerikën e largët. Ajo i ngjan sërish një aorte gjigante, që përçon oksigjenin e miliona dëgjuesve, nga e gjithë bota. Për fat të mirë, disa prej ikonave të saj, vazhdojnë ende të punojnë në studiot dhe redaksitë e këtij institucioni të madh publik.

Për kureshtje

Ja programi i ditës së dytë të Radio Tirana, 29 nëntor 1938 e botuar në gazetën “Drita”ora 13:00, ora ekzakte, në fjalë me dëgjuesit; 13:10, radiofletore;13:25, muzike e lehtë;14:00, mbyllja e emisionit. Në mbrëmje: ora 19:00, ora ekzakte; 19:02, zoti Rrok Gera, ministri i ekonomisë kombëtare çel vargun e konferencave radiofonike; 19.15, muzikë koncertesh; 20;00, radiofletore; 20.15, muzikë vallëzimi; 20.45, mbyllja e emisionit.

Drejtuesi

Drejtori i Radio Tiranës, u emërua publicisti i njohur, Gjergj Bubani (1894-1954), i ardhur në vitet ’30-të nga Rumania, ku ishte shquar për veprimtarinë e tijë të dukshme atdhetare, sidomos në fushën e gazetarisë me hapjen e një seri gazetash në gjuhën shqipe.

E megjithatë vlen të kujtojmë se fillimet e Radio Tiranës më 1938 lidhen me emra tepër të shquar të kulturës e artit shqiptar të asaj kohe e të viteve të mëvonëshme, të diplomuar në universitetet e konservatorët e Evropës së qytetëruar si Gjergj Bubani, Hamdi Sulçebe, Vasfi Samimi, Marie Paluca, Tefta Tashko, Mihal Ciko, Anton Mazreku, etj, etj...

Thirrja e 7 Prillit

Ishte pikërisht drejtori i Radio Tiranës, Gjergj Bubani, së bashku me Anton Mazrekun dhe Drejtorin e ATSH-së, Mihal Sherko, të cilët iu drejtuan nga Radio Tirana popullit shqiptar që të rrëmbente armët e të ngrihej e të luftonte kudo për të zmbrasur sulmin e pabesë të ushtrisë fashiste më 7 prill të vitit 1939. Një thirrje të tillë i drejtoi popullit shqiptar nga Radio Tirana edhe kryeministri Mehdi Frashëri.

Nga fundi i vitit 1939 Radio Tirana nga studioja e vogël e modeste në një nga sallat e godinës së Bashkisë, kaloi në një ndërtesë të re në rrugën Kont Urani (në kryqëzim të rrugës së Kavajës), e cila u pajis nga specialistë italianë me aparatura nga më modernet e asaj kohe. Sipas një artikulli të gazetës “Fashizmi” të datës 29 dhjetor 1939 me titull “Radio Tirana, kryevepër fashiste”, përfaqësuesi i qeverisë shqiptare Xhafer Ypi dhe Valauri, kryetari i EIAR-it (Ente Italiana Audio Radio), nënshkruan një marrëveshje për instalimin e një stacioni të fuqishëm në Tiranë me fuqi prej 50 kë që do të transmetonte me valë të mesme.

Grupi Filodramatik, kursi për përgatitjen e folësve nga folësja e njohur Kaliopi Plasari, që atëherë quhej shkolla e foljes para mikrofonit, shkolla e përgatitjes së këngëtarëve të rinj e drejtuar nga Tefta Tashko e Tonin Guraziu në bashkëpunim me drejtuesin italian të orkestrës, Mario Etore, qenë ngjarje të rëndësishme të Radio Tiranës. Nisi të funksiononte gjithashtu shkolla e kitarës e më pas shkolla e instrumentistëve për violinë, violinçel. Në këtë shkollë nisën të bënin hapat e parë Nikolla Zoraqi (1929-1991), Ymer Skënderi (1926-1975), Genc Bozdo. Teknikisht radioja u ndihmua nga inxhinieri i njohur italian Antonio Galeaci, i cili qëndroi në Shqipëri edhe pas çlirimit së bashku me Mario Etoren dhe të dy u larguan nga vendi ynë në vitin 1948 duke dhënë një ndihmesë të madhe në ngritjen artistike e teknike të Radios.

Përgatitja e teknikëve

Në bazë të një konkursi të shpallur nga Drejtoria e Radio Tiranës u caktuan disa të rinj që mbaruan një shkollë të specializuar për teknikë radioje në Torino. Midis tyre ishin teknikët e njohur Xhafer Zavalani, Ibrahim Dibra, etj. U zgjeruan orët e programeve. Ato nisnin tani në orën 12.20 e përfundonin në orën 14.30 për të rifilluar në orën 18.20 me emisionet e gjuhëve të huaja, duke përfshirë edhe programe me muzikë shqiptare, madje sipas kërkesës së dëgjuesve të huaj. Këto emisione mbaronin në orën 20.20 për t’ia lënë vendin radiofletores dhe emisioneve të tjera që tani përfundonin në orën 23.00.

Programe të reja

Programet muzikore të këngëtarëve Tefta Tashko, Marie Paluca (Kraja) të shoqëruara në piano nga Lola Aleksi (Gjoka), Tonin Guraziu, Pjetër Dungu, koncertet e grupit toskë, e grupit karakteristik shkodran me këngëtarët Kel Sata e Liza Vorfi si dhe programet e kënduara më pas nga Viktori Xhacka e Behije Çela (Levonja), Merita Sokoli sollën një frymë të re.

“Kronika sportive” e drejtuar nga Anton Mazreku “Ora e fëmijëve” me kallzime, vjersha, monologje e muzikë për fëmijë, interpretuar nga vetë fëmijët i dhanë frymëmarrje radios. Emision i pëlqyeshëm u bë “Ora letrare”, ku lexoheshin dhe diskutoheshin vepra të njohura të letërsisë shqipe dhe letërsisë botërore. Këto emisione përgatiteshin nga shkrimtarë dhe letrarë të rinj ndër të cilët më aktivët ishin shkrimtarët Sterjo Spase (1914-1989), Mustafa Breblleshi (1922-1986) dhe vetë drejtori i Radio Tiranës Gjergj Bubani.

Image
Image
Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat