Kështjella e antikitetit Kekola

Historia

Kështjella e antikitetit Kekola

Nga: Haxhi Mehmetaj Më: 26 korrik 2020 Në ora: 10:37
Kështjella e antikitetit në Keqekollë, shek. VI.

Sipas përngjasimit të emrit të sotëm me emrin antik, jam i mendimit që kështjella e Keqekollës mund të identifikohet me kështjellën Kekola, të cilën e përmend  Prokopi i Cezaresë, historiani i oborrit mbretëror të mbretit më origjinë dardane Justinianit, në listën e kështjellave të Dardanisë, në veprën  Mbi ndërtimet, në shek.VI pas Krishtit.

Kështjella ndodhet në fshatin Këqekollë të komunës së Prishtinës, mbi një kodër më pozitë të jashtëzakonshme strategjike, 864 m mbi nivelin e detit. Në popull njihet me fjalën e vjetër shqipe Gjytet.  Kërkimet arkeologjike  të Institutit Arkeologjik të Kosovës, të financuara nga Ministria e Kulturës dhe kryesuar nga autori i këtij shkrimi janë duke u kryer që nga vitit 2007. Nga kërkimet është konstatuar që kështjella në të gjitha anët ishte fortifikuar me mure  të ngritura me gurë mesatar dhe të vegjël të lidhur më llaç të bardhë gëlqereje, në teknikën opus incertum.  Muret rrethuese të trasha rreth 1.80 – 2.00 m ruhen mirë në të gjitha anët. Ato ndjekin linjën më të lartë të izohipsës së kodrës duke  i dhënë kështjellës trajtën e drejtkëndëshit të çrregullt. Kështjella në anën jugore mbrohej më një kullë drejtkëndore, të ngritur në dy faza, Kulla e faza së parë është më përmasa  9.45 x 7 m. Ajo lidhej në mënyrë organike me muret rrethuese. Kurse në fazën e dytë kulla për t’i përballuar më mirë sulmeve, nga ana e brendshme përforcohet dhe vishet më një shtesë gurësh në formë drejtkëndëshi, ndërsa nga ana e jashtme më dy mure, të cilat ndërlidhen më murin ballor të kullës dhe formojnë një konstruksion trekëndor. Këto fenomene fortifikimi deri me tani nuk janë pa në kështjellat e Dardanisë. Muret e kullës ruhen deri në lartësinë 4.70m.

Në anën veriore të kullës është zbuluar hyrja dhe shkallarja e gurit e përbëra prej 8 shkallesh. Brenda kështjellës janë zbuluar disa objekte banimi, sikurse edhe bazilika më një anijatë, përmasash 12 x 6m. Bazilika ndodhej afërsisht në qendër. Ajo ka qenë e orientuar lindje – perëndim. Ishte ndërtuar më gurë të lidhur më llaç sikurse muret e kështjellës në teknikën opsus incertum, ndërsa muret e saja nga ana e brendshme kanë qenë zbukuruara më afreske. Sipas monedhës së bronzit të perandorit Justinian, të gjetur në pragun e portës datohet saktësisht në shek.VI pas Krishtit.

Në anën perëndimore të kështjellës, përafrisht në mesin e murit perëndimor është zbuluar hyrja kryesore,hyrja për karroca dhe në skajin verilindor, hyrja anësore, hyrja për këmbësorë.

Gjetjet arkeologjike, enët e qeramikës, monedhat e Justinianit, veglat e punës nga hekuri, dëshmojnë që kështjella është ngritur në shek. VI pas Krishtit, duke mos përjashtuar mundësinë e përfaqësimit të fazave dardane te epokës parahistorike të bronzit dhe të hekurit, sikurse edhe fazat mesjetare të shek. IX – XI pas Krishtit.

Sipas përngjasimit të emrit të sotëm me emrin antik, jam i mendimit që kështjella e Keqekollës mund të identifikohet me kështjellën Kekola, të cilën e përmend  Prokopi i Cezaresë, historiani i oborrit mbretëror të mbretit më origjinë dardane Justinianit, në veprën  Mbi ndërtimet, në listën e kështjellave të Dardanisë, në shek. VI pas Krishtit. Kështjella brenda bedenave përfshinë sipërfaqe prej afro 0.60 hektar. Ne anën jugore, aty kodra ka një pozitë më pak të favorshme për mbrojtje, kundruall anëve të tjera janë hapur në një largësi 7 – 10 m, tri hendeqe, gjatësia e të cilave është afro 50 m. Ka të ngjarë që këto hendeqe të jen hapur në periudhën dardane të hekurit. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat