Me sëpatë kokës! Si iu bë atentat Sadik Premtes nga Enver Hoxha - Bota Sot
Me sëpatë kokës! Si iu bë atentat Sadik Premtes nga Enver Hoxha

Historia

Me sëpatë kokës! Si iu bë atentat Sadik Premtes nga Enver Hoxha

Më: 26 korrik 2020 Në ora: 23:26
Enver Hoxha

Leon Trocki, i lindur Leiba Davidovich Bronstein, rivali i Stalinit për kreun e Partisë Komuniste (Bolshevike) u vra më 20 gusht të vitit 1940 në Meksikë nga agjenti i NKVD (pararendësja e KGB-së) Ramon Merkader.

I futur në zyrën e tij si një komunist e mik i njohur, vrasësi e qëlloi Trockin në kokë me një mjet që në shqip përkthehet “sëpatë akulli” e cila në njërën anë është njëlloj si një naxhake apo nagaçe (sëpatë e vogël), ndërsa nga ana tjetër ka një majë të gjatë e të mprehtë.

Për habi, 11 vite më pas, më 6 maj të vitit 1951, të dërguarit e Enver Hoxhës do të zgjidhnin pothuaj versionin shqiptar të së njëjtës armë të ftohtë – një naxhake apo nagaçe, për të vrarë, në Paris, Sadik Premten, një nga kundërshtarët më të mëdhenj politikë të liderit komunist shqiptar.

Image

Në fakt, të dhëna për rrethanat apo urdhrat e zgjedhjes së mjetit të krimit nuk janë gjetur, por duke argumentuar se në një rast të ngjashëm, një pistoletë apo një thikë mund të ishin më rezultative, e gjithë historia duket më e bazuar.

Image

Duket elita e komunistëve shqiptarë, të cilët në këtë kohë e shihnin Stalinin si babën e gjithë botës, nuk është aspak çudi që të kenë preferuar të kopjonin idhullin e tyre edhe në vrasjen e një kundërshtari politik.

Përshkrimi i këtij atentati të njohur ndaj Sadik Premtes, në Paris, është marrë nga kujtimet e tij, të përfshira në librin “Sadik Premtja – historia e panjohur e një disidenti”, i autorit Dashnor Kaloçi, faqe 279.

Fragmenti në libër

“…Inati i Hoxhës ishte kokëfortë! Ai bile është përpjekur të më vrasë në Paris. Kjo ka ndodhur një të diel, më 6 maj 1951.

Po kthehesha nga kinemaja në hotelin ku banoja, në rrugën “Charonne”. Nja njëqind metra larg portës, diktoj një hije të hyjë në ndërtesë. Pas tij hyj edhe unë në korridorin e zhytur në errësirë pas një ndërprerjeje të papritur të elektricitetit.

Fshehur pas një shkalle, i panjohuri kërceu dhe më goditi në kokë me nagaçe. Për fatin tim të mirë, dora e tij nuk ishte e sigurt dhe arma i rrëshqiti mbi kafkën time, pa më cenuar. E kapa pas fëshfshes duke bërtitur: “Policia! Policia!”

Gjaku kullonte gjithandej. Ai mundi të ikë, por unë e njoha. Ai që më sulmoi ishte Xhemal Çami, dikur anëtar i Brigadave Ndërkombëtare, njeriu që mund të bënte gjithçka, i Legatës Shqiptare në Paris.

Image

Të nesërmen ai i hipi avionit për në Pragë. Me të mbërritur në Shqipëri u emërua komisar policie në Durrës. Kjo nuk e pengoi të paguajë për gradën e tij, meqenëse sipas gjasave, i infektuar nga qëndrimi i tij i gjatë në Francë, ai u arrestua dhe vdiq në burg.

Dy vjet më vonë, një ngjarje tjetër e të njëjtit lloj. Befas, një miku im shqiptar u bë objekt i vëmendjes së Ambasadës Shqiptare. Ditën kur menduan se ai ishte “gati”, i propozuan të më fuste në një kurth: “Ti je një punëtor i mirë, njëri patriot, por ke marrëdhënie me spiunin Xhepi. Duhet të na ndihmosh ta demaskojmë. Ftoje ndonjë mbrëmje në shtëpi dhe na paralajmëro. Për kusurin kujdesemi ne…”

Ai m’i tregoi të gjitha. Për të mos i krijuar probleme, e lashë punën dhe i preva marrëdhëniet me të. Atëherë i shkrova letër ambasadës (Ambasadës Shqiptare, Paris, red) duke i paralajmëruar se do ta shisja shtrenjtë lëkurën time…”.

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat