Gjenocidi barbar i shtetit serb ndaj shqiptarëve në vitet 1920 – 1925

Historia

Gjenocidi barbar i shtetit serb ndaj shqiptarëve në vitet 1920 – 1925

Nga: Eugen Shehu Më: 5 shtator 2020 Në ora: 11:48
Dëbimi i shqiptarëve nga rrethinat e Karadakut nga ushtria serbe 1921 (Wiener.ark.bil.643/8)

Nëse nata e Bartolomeut,ka hyrë në histori,si nata e gjenocidit konfesional mbi Hugenotët,nëse për te u shkruan miliona faqe,nëse u kujtua e do të kujtohet si nata më e zymtë e njerzimit,për dhimbjet e Kosovës e Maqedonisë shqiptare në vitet 1920-1925 duhet patjetër të kujtohemi të gjith.Duhet t’i risjellim ngjarjet makabre të atyre viteve jo për t’u hakmarrë por t’u tregojmë të tjerëve se nëpër ç’far kalvari vuajtjesh kaloi jeta jonë dhe njëherazi me çfar shpirti qëndrese mbijetuam.Në rrafsh të ideve me të cilat u sendërtua gjenocidi i pushtetit serb ndaj shqiptarëve,mund të thuhet se ato filluan me Naçertanien e Garashaninit për të vazhduar më tej me dhjetra elaborate të ideuara në akademitë e shkencave të Beogradit dhe të kalkuluar në zyrat e shtabit të ushtrisë jugosllave.Duke mbarsur në vetvehte,më shumë elemente mitologjike sesa historike,pushteti serb shkonte drejt ëndrrës së Car Dushanit me djegje fshatrash e vrasje njerëzish të pafajshëm,me dhunime tokash e njerëzish,me ushtrinë e hakërryer të krimit barbar.Urrejtja ndëretnike e serbëve,do të ishte pasoja si për popullin tonë edhe për vetë klimat zbutëse që kërkonin të instaloheshin në ballkanin e viteve 1920-1925.

Parë nga largësia kohore e viteve,unë mendoj se për krejt shqiptarët tashmë është e qartë se çfar kërkonte tek e mbramja ky gjenocid.Përkundër propagandës serbe (në qindra mijëra vëllime) se shqiptarët janë të egër,barbar,vrasës,qenie me bisht,popull që nuk dijnë të qeverisen,inferiorë,racë e dalë së fundi nga shpellat, etj,etj,ky gjenocid ka tentuar me çdo kusht e mjet,të reduktojë qenien kombëtare-territoriale të shqiptarëve.Ky reduktim,në të pastajmen do të sillte largim ose zhdukje të banorëve të Kosovës e Maqedonisë shqiptare me ç’rast viset arbërore do të kolonizoheshin me elementë serbosllav.Mitet agresive të popullit serb,të shfaqur në unitet me gjenocidin pushtetor serb tregojnë se tek e mbramja,skllavërimi i kombit shqiptar ishte i kalkuluar në mënyrë perfide prej Beogradit.E vërteta është se në fund të vitit 1919 dhe në fillim të 1920-ës,opinioni përparimtar shqiptar,kish ndjekur me vëmendje të madhe punimet e konferencës së Paqës në Paris në të cilat,pos të tjerave ishte vënë në diskutim edhe çështja shqiptare.Dihet tanimë se turbullirat e brendshme politike në shtetin amë,kishin bërë që në këtë konferencë të Paqës të merrnin pjesë tri delegacione shqiptare,të cilët,pamvarsisht se si e mbrojtën çështjen shqiptare,kumtuan përpara autoriteteve të Evropës,një lloj fryme përçarëse dhe mungesë të një bashkëpunimi ndërshqiptar.Nuk mund të thuhet se kjo është arsyeja kryesore,por është natyrisht një armë që u jepej në dorë Fuqive të Mëdha,të vepronin në përcaktimin e kufijve shqiptarë sipas orekseve të tyre,anipse populli shqiptar pat dalë krejt i drobitur nga Lufta e Parë Botërore,(1914-1918).Në mënyrë krej arbitrare,konferenca e ashtuquajtur e Paqës në Paris më 1920 vendosi që Kosova e Maqedonia shqiptare,të mbeten jashtë kufijve natyrorë të shtetit shqiptar nën sundimin obskurantist të mbretërisë së posaformuar serbo-kroato-slloven (S.K.S.).Ky vendim i padrejtë i Parisit i cili tek e mbramja,vulosi Londrën e vitit 1913,ashtu siç i trishtoi shqiptarët kudo që ishin,ashtu u dha „krah“ serbëve që të vazhdonin gjenocidin e tyre në përmasa edhe më të mëdha se më parë.Se çka ndodhi në vitet 1920-1925, e ka përcaktuar drejt pos të tjerave,edhe vetë historiografia serbe.Duke folur për këtë gjenocid të pashembullt,vetë K.Novakoviq ka shkruar pos të tjerave se ;“Shqiptarët mund të konsiderrohen si ferra në ugarin jugosllav.Askush nuk u kujdes të bënte llogari mbi ta,përkundrazi,e thanë fjalën e tyre,burgjet,plumbat,zjarret,me ç’rast u përgadit terreni për shpërngulje të shqiptarëve“. (K.Novakoviq,kolonizimi dhe serbizimi i Kosovës,Federata Ballkanike“ Nr.45 , tetor 1921 ).

Përpjekjet e hapura për shkatërrimin e strukturës etnike të viseve të kosovës dhe maqedonisë shqiptare,kanë bërë që makina dhunuese ushtarake serbe të lëshohet pamëshirë ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare të këtyre trevave.Për të realizuar sa më intenzivisht këtë dhunë,Beogradi nxorri në pah Dekretligjin e 24 shtatorit të vitit 1920 i cili kishte të bënte me ligje të veçanta të cilat „rregullonin“ gjendjen e trazuar në „Viset e Jugut“ të serbisë (nënkupto,në viset shqiptare në Kosovë dhe maqedoninë shqiptare).Mbi bazën e Dekretligjit në fjalë,tanimë komisionet agrare vendase kishin duar të lira për të vepruar si të donin mbi tokat e shqiptarëve.Ngase shtypja e regjimi sunduese,ndizte dukshëm revoltat e shqiptarëve të këtyre trevave,Dekretligji në fjalë theksonte se u merrej toka jo vetëm kaçakëve që kërkoheshin prej xhandarmërisë,por edhe jatakëve të cilët i patën strehuar miqtë e tyre.Me këto ligje të egra,Beogradi pos të tjerave donte të godiste rëndë institucionin e besës shqiptare i cili i lindur më së shumti në Lidhjen Shqiptare të Prizërenit,pat filluar të konturohej qartë në vetëdijen nacionale të shqiptarëve.Dekretligji i 24 shtatorit 1920,bëri që mjaft kullota të përbashkëta,në Kosovë por edhe në tokën e begatë të maqedonisë shqiptare „ti dhuroheshin“ shtetit serb me ç’rast i administronte për t’ua falur kolonëve serbosllave.Po të kemi parasysh se mbi 90 përqind e shqiptarëve të këtyre trevave,merreshin me bujqësi e blektori,bindesh lehtë se marrja e tokave,ishte baraz me marrjen e jetës,me rrëmbimin e vetë ardhmërisë së kombit tonë.Kjo politikë luftënxitëse,bëri që shqiptarët të rrëmbejnë armët,duke luftuar tanimë jo thjesht për një dylim toke,jo thjesht se nuk kishin ku të kullosnin bagëtinë,por për vetë egzistencën fizike të tyre. Sipas vetë statistikave serbe,në vitet 1920-1921,ndiqeshin në trevat e Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare,mbi 10 mijë trima si edhe jataket e tyre gjoja për veprime irredentiste kundrejt pushteteve vendore.Për hir të së vërtetës,kjo përndjekje masive,kushtëzohej plotësisht prej politikës së dëbimit të shqiptarëve nga trojet e tyre stërgjyshërore

Më 12 shkurt 1921,deputetët shqiptarë në Parllamentin e mbretërisë SKS,kërkuan interpelancë të veçantë për krimet në Kosovë dhe maqedoninë shqiptare.Në deklaratën e tyre,pos të tjerave thuhej tekstualisht ; „Në kohët e fundit,në viset dhe nahitë e Kosovës,Prizren,Dukagjin,Sanxhak,Shkup, Ohër e Tetovë,nga ana e pushtetit civil po bëhen aso zullumesh mbi popullsinë myslimane shqiptare,saqë po kalohet çdo masë.Krime të tilla nuk mund të jenë kurrë në harmoni me ndjenjat njerzore dhe humanitare.Për habi çdo ditë po vriten me qindra fëmijë dhe gra.Ajo gjendje therrëse po zgjatet me pambarim... Siç jemi njoftuar ne prej personave të informuar drejt,në viset jugore janë mbytur në ditët e fundit prej ushtarëve dhe kriminelëve të armatosur serbe,me pushkë,me bajoneta me singia me kondake prej 700 deri 1000 veta,shumica prej të cilëve gra dhe fëmijë të pafajshëm.Ka ndodhur që fëmija të thithë për 24 orë për së vdekuri,nënën e vet të vrarë.Kur ka ardhur patrulla e dytë ate fëmijë e ka dërmuar së rahuri deri sa e ka mbytur... E thërrasim kryesinë njëherë e përgjithmonë t’u jape fund këtyre mizorive.Në mënyrë të posaçme kërkojmë dërgimin e një komisioni parlamentar i cili do të hulumtojë në mënyrë të paanshme në vend të ngjarjes dhe do të ndihmojë gjendjen duke marrë në përgjegjsi fajtorët dhe kriminelët sipas parimeve ligjore dhe peshës së fajit „. ( Gazeta „ Hak „ 21 shkurt 1921 ).

E vërteta është se në 10 shkurt deri më 10 mars të vitit 1921,Qeveria e Mbretërisë së SKS,shpalli një falje gjoja për të arratisurit politikë të saj.Por kjo falje ishte vetëm një farsë nga më të zakonshmet e gatuara në guzhinat e Beogradit.Dhjetra prej kaçakëve të trevave të Kosovës dhe maqedonisë shqiptare,të mashtruar prej kësaj faljeje të qeverisë,shkuan në kullat e tyre prej ku u muarrën forcërisht dhe u dënuan me dhjetra vite burg.Pati ndërkaq,prej këtyre kaçakëve të cilët edhe u maltretuan apo vranë mizorisht nga forcat gjakpirëse të gjandarmërisë Në verën e vitit 1921,situata në Shqipëri po kalonte drejt një stabilizimi të pjesshëm politik.Qeveria shqiptare e dalë prej Kongresit të Lushnjës,por sidomos deputetët e zgjedhur me votën e lirë të popullit,ndërsa përpiqeshin të ringrinin strukturat e një kombi në liri,nuk mund të rrinin në heshtje përballë gjenocidit etnik të pushtetit serb,ndaj vëllezërve të një gjaku.Kështu që në fund qershorin e vitit 1921,deputetët e parlamentit shqiptar,ranë dakord që të hartohej një peticion kundër mizorive serbe dhe t’i dërgohej ky raport,fuqive të mëdha Evropiane.Pas kësaj deputetët shqiptar i dërguan edhe një telegram Parlamentit të SKS-ës ku u bënin me dije se ç’ndodhte me shqiptarët e pafajshëm dhe kush ishin shkaktarët e vërtetë të kësaj tragjedie.Pos të tjerve,në këtë telegram të firmosur prej deputetëve shqiptarë,thuhej se tragjedia e nisur tetë vjet më parë (1913) kishte marrë përmasa të mëdha.Ata i kërkonin deputetëve të parlamentit të SKS,që të bënin hapat e nevojshme pranë qeverisë së Beogradit për të ndaluar këto mizori të cilat e turpërojnë qytetërimin e shekullit të njëzet.Në mënyrë tejet fatkeqe,ka reaguar ndërkaq paralamenti SKS,i cili në përgjigjen e vet,duke mos marrë asnjë përgjegjsi njerzore, e cilëson telegramin e deputetëve shqiptarë të paligjshëm,përndryshe e cilëson këtë akt si ndërhyrje në punët e mbrendshme të parlamentit të SKS-ës.Sigurisht që kjo përgjigje i bëri me dije krejt shqiptarët,se pushteti i Pashiçit shtrihej deri në parllament.Njëherazi,kjo përgjigje e neveritshme i bindi krejt atdhetarët shqiptarë se jo vetëm pushteti serb,por edhe përfaqsuesit e popullit të tij,ishin të kapluar prej ëndrrave të „Serbisë së Madhe“,realizimin e së cilës,pos të tjerave e shihnin në zhdukjen fizike të shqiptarëve. Në një seancë të veçantë të datës 16-17 korrik 1921 deputetët shqiptarë,pasi u njohën me përgjigjen e parlamentarëve jugosllav,kundërshtuan në mënyrë energjike tekstin në fjalë.Në diskutimet e tyre,ata u quajtën plotësisht të drejtë të ngrinin zërin jo vetëm në Beograd por deri në Amerikë kur shihnin se me çfar mizorie përballej pjesa e kombit shqiptar të lënë padrejtësisht jashtë trungut të saj,shtetit amë nën rrobërinë serbosllave.Ata në mënyrë tejet të prerë,thanë se nuk do ta ndalnin luftën e tyre por do të informonin tashmë krejt opinjonin botëror mbi tragjedinë shqiptare,duke i bërë thirrje forcave përparimtare të ndërhynë për t’u dhënë fund mizorive ndaj shqiptarëve në Kosovë e maqedoninë shqiptare.Hasan Prishtina,At Gjergj Fishta,Sejfi Vllamasi Mustafa Kruja,në diskutimet e tyre të zjarrta,duke rikujtuar historinë e trojeve tona,u kumtuan parllamentarëve jugosllav se mizoritë askurrë nuk e kanë gjunjëzuar shqiptarin,përkundrazi e kanë bërë ate të flijohet me nder për atdheun e të parëve të vet.Ndërsa deputeti Rexhep Mitrovica,pos të tjerve,në fjalën e vet u shpreh ; „Kosova me malet e veta,është e banuar prej kombit shqiptar dhe zot të atyre vendeve janë vetëm shqiptarët shekullorë.Prandaj qeverija jugosllave për qeverimin e këtyre vendeve duhet me njoft të drejtat e nështetasve të vet,kosovarëve dhe jo të marre në duar pishën e terrorizmit“.( Arkivi Qendror i shtetit-Tiranë. Fondi 246, dosja 43, fleta 163, 18 korrik 1921 ).

Për hir të së vërtetës duhet thënë se pati edhe disa deputetë shqiptarë të cilët anonin drejt një politike disi ma të butë ndaj fqinjëve okupator.Kundër këtyre,u ngrit i vendosur deputeti Avni Gjilani i cili u shpreh pos të tjerve ; „Kur asht fjala për kufijt,thonë se nuk duhet folë se zemërohen të huejt.Italia kërkon Vlorën,Greqia Gjirokastrën,Serbia veç masakrave që kanis që me 1913,ka zënë dhe vende të tjera tej kufirit dhe asht tue na turbullue gjendjen e brendshme.Përpara gjithë këtyre,përse u dashka të pushojmë dhe të heshtim nga frika se mos zemërohen të huajt ?“( Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë. Fondi 246 , dosja 43 , fleta 180-181 , më 18 korrik 1921 ).

Pralamenti shqiptar bëri me dije edhe qeverinë e vet lidhur me gjendjen lidhur me trevat shqiptare të Kosovës e Maqedonisë perëndimore,duke kërkuar madje edhe dërgimin e një delegacioni të veçantë në këto treva si edhe fuqizimin e luftës diplomatike dhe agjitative të shetit shqiptar.Nëpërmjet delegacionit zyrtar shtetëror në lidhjen e kombeve,diplomatët shqiptar bënë protesta të vazhdueshme ndaj krimeve masive të pushtetit serb.Por fakti që gjenocidi serb ushtrohej në mënyrë të përpiktë dhe krejt e një trajtshme,tregonte tek e mbramja se daullet binin në vesh të shurdhët.

Në vitin 1922,ndër metodat më të preferuara të Beogradit,ishte ngarendja drej strategjisë së „tokës së djegur“.Pikërisht zonat më nevralgjike,të quajturat ndryshe si bastione të shqiptarizmës,Drenica, Rugova,Prizëreni,Gjakova, Tetova,Gostivari,Kërçova,Dibra,u gjendën nën goditjet e altilerisë serbe. Preteksi edhe kësaj radhe u „gjend“.Gjoja goditeshin shtëpitë e kaçakëve dhe jatakëve të tyre por e vërteta ishte ndryshe.Kulla e vatra të tërra rrafshoheshin,ara të tëra digjeshin,mijëra gra e fëmijë të pafajshëm lebetiteshin përmes flakëve të predhave duke ngarendur më pas drejt kufijve të shtetit amë apo në vise të tjera shqiptare,duke lënë përgjithmonë vatrat e tyre stërgjyshërore. Me urdhër të posaçëm të Beogradit,pikërisht në këtë periudhë shfaqen bandat e armatosura të kriminelëve si Kosta Peçançit dhe Miliç Kërstiçit.Të njohur për krimet e tyre etnike,këta terroristë të graduar prej shërbimeve sekrete të Beogradit,mundën të grumbullojnë rreth vehtes gjithfarlloj kriminelësh serb,malazez e bullgar duke i përdorur si mish për top,në luftime ndaj atdhetarëve shqiptarë.Por nuk mjaftuan vetëm kaq.Ata ushtruan në mënyrë sistematike dhunën fizike,vranë qindra gra e fëmijë të pafajshëm,dogjën dhjetra kulla në trevat shqiptare të Kosovës e Maqedonisë shqiptare.Duke i parë nga afër ato krimet dhe dhunën serbe të ushtruar ndaj populatës së pafajshme shqiptare,D.Tucoviq,pos të tjerave,në librin e vet „Sabrana Della“ arrin në konkluzionin lidhur me këtë gjenocid se ... „u bë tentimi i vrasjes me paramendim i një populli të tërë“.Për më tej ai spjegon papërgjegjshmërinë e makinës ushtarake të Beogradit lidhur me ngjarjet në trevat shqiptare të Kosovës dhe maqedonisë shqiptare.Mendoj se nuk mund të jepet një tabllo më e qartë lexuesit,nëse do ta njohim ate me gjenocidin e ushtruar në vitin 1921 vetëm në një prej trevave të Kosovës,në zonën e Llapit.Kështu gazeta „Pravda“ e 16 shkurtit 1921 duke përshkruar imtësisht fshatrat e Llapit,na bën me dije ; „Pas mizorive të bëra në Sharban dhe Bellopojë,njësia terroriste e xhandarmërisë është nisur pastaj në fshatrat e Gallapit.Në keçekolle,kjo njësi mbyti imamin Adem,kryetarin e komunës,djalin e tij Mustafën,djalin e dytë Mehmedin,dy vajzat e vogla dhe 4 gra prej të njëjtës shtëpi.Kriminelët pastaj e mbytën Kajtaz Abdullahun prej të njëjtit fshat,me gjashtë fëmijë dhe me gruan e tij.Në lagjen Sinanaj,në të pestë shtëpitë,janë mbytur të gjithë të mëdhenj e të vegjël.Pastaj në lagjen Corri e cila numëron 30-40 shtëpi,ka shpëtuar pa u vra vetëm Shabin Lahu me familjen.Kufomat janë të paidentifikuara. Në fshatin Parpashticë për një ditë janë mbytur, Ibrahim Govori me pesë antarë të familjes,Beqir Bajarami e Qerimi me të gjithë lagjen.Shtëpitë e Beqirit dhe Ibrahimit janë djegë tërësisht.Në të njejtin fshat janë vrarë 5 antarë të familjes së Musa Jabes,ndërsa ai,me tre antarë të tjerë të familjes ka ikur në mal.Janë vrarë dy bijtë e Tahir Fanës. Djali dhe gruaja e Qazim Fetahut janë therrur me bajoneta dhe janë hedhur në zjarr.Njoftimet nga Prapashtica janë tmerruese : mbi 1020 të vrarë për një ditë.Kufomat janë vënë në një humnerë. Në kohën kur njësitet e xhandarmërisë bënin mizori të paparë në fshat nga ana lindore e tij, prej Tullarit,u vërsulën hordhi civile serbe.Në shtëpitë e Selim Beqirit dhe Numin Rexhepit në nishevc,ato plaçkiten tërë pasurinë.Në fshatin Orllan janë mbytur Halid Selimi dhe Hamid Selimi së bashku me gratë dhe dy fëmijët.Të gjithë janë sakatosur dhe janë hedhur në zjarr.Në fshatin Ballaban janë mbytur gjashtë antarë të familjes së Ruban Duqanit,të gjithë gra e fëmijë të mitur. Në të njejtin fshat janë mbytur në djep vëlla e motër.Ata janë djegë të lidhur dhe litar.U kanë mbetur të padjegura vetëm duart.Në fshatin Kushevicë është mbytur në mënyrë mizore Sherif Uka me familje.Atij i është grabitur tërë pasuria.Në fshatin Prapashticë dhe Keçekoll është vrarë pothuaj çdo i dyti banor.Vështirë që të ketë mbetur i gjallë ndonjë fëmijë apo femër.Tërë pasuria e fshatrave është grabitur.Dhe kur disa banorë ishin ankuar te naçallniku i Rrethit të Llapit kundër këtyre mizorive,zyrtarisht u ishte thënë se ndjekjet ishin ndërprerë.Por megjithatë,njësitet e xhandarmërisë rrugës për në Mitrovicë,prej ku komisari Mihajllo Ceroviç jepte urdhëra,mbytën në fshatin Repe muhtarin Sejdi Fetahun,me të ëmën,gruan dhe dy fëmijët !“.

Ajo çka vlen të mos harrohet,është fakti se dhuna e gjenocidi i pushtetit serb ç’prej vitit 1920 e në vazhdim,vërtet u kalkulua në Oborin Mbretëror të Beogradit,por ajo pati si ndihmës të sigurtë të saj,një numër të konsiderueshëm spiunësh,xhandarësh,militarësh,nënpunës apo pushtetarë vendas.Pjesa dërmuese e kësaj lukunie,u përkisnin dy prej organizatave famkeqe terroriste siç ishin Cerna Ruka (Dora e Zezë) dhe Narodna Odbrana (Mbrojtja Popullore).Pa dashur të hyjmë në historikun dhe idetë e krijimit të këtyre dy organizatave mjaftohemi vetëm të themi se ato ushqeheshin në të shumtën e rasteve terrorin masiv ndaj viseve etnike shqiptare.Të ndihmuara financiarisht prej oborrit Mbretëror të Jugosllavisë,këto dy organizata mbetën në kujtesën e popullit shqiptar të Kosovës e Maqedonisë shqiptare si pjesë e një mekanizmi makabër i cili përcolli veç tragjedi e dhimbje.Sigurisht se ndaj këtij gjenocidi,ashtu siç pati përpjekje me armë nga komitetet shqiptare ( kujtojmë betejat legjendare të Azem Bejtës,Sadik Gjurgjevikut,Bajrram Currit,etj) nuk munguan edhe përpjekjet në rrafshe të tjera.Kështu Komitetet e Bashkuara Shqiptare të pasçlirimit, më 26 nëndor 1924,i dërgonin Kryesisë së Lidhjes së Kombeve në Gjenevë këtë Memorandum ;

„Zoti Kryetar. Që në ditët e para të rivendosjes së sundimit serb në Kosovë,Maqedoni e Mal të Zi,komitetet tona i janë derjtuar Konferencës së Paqes,asaj të ambasadorëve,Lidhjes së Kombeve dhe opinjonit publik botës së qytetëruar për të protestuar kundër këtij regjimi dhe kundër faktit që shteti Sebo-Kroato-Slloven,jo vetëm nuk ka dashur të respektojë të drejtat e minoriteteve,por ka arritur deri aty sa t’u mohoje shqiptarëve të drejtat për të jetuar.Dokumentat e bashkangjitura paraqesin një pasqyrë të qëndrimit të serbëve kundrejt shqiptarëve në krahinat e lartëpërmendura.

10 –

1-Organizimi i bandave të armatosura

Nën emrin e organizatës kombëtare,shteti serbo-kroato-slloven ka organizuar banda të armatosura që terrorizojnë krahinat shqiptare,masakrojnë fshatrat pasi të kenë plaçkitur e djegur më parë shtëpitë.

2- Organizimi i masakrave periodike

Nën preteksin e shtypjes së kaçakëve,forcat e rregullta ushtarake serbe kanë shkatëruar fshatra të shumta në qarkun e Prishtinës,Vuçitërnës,Mitrovicës e Pejës,duke masakruar me mijëra fshatarë,pa kursyer gratë,fëmijët e pleqtë.

3- Kolonizimi i fshatrave të shkatërruara dhe i vatrave të braktisura

Gjdo goditje për shkatërrimin e shqiptarëve pasohet nga një operacion vendosjeje kolonësh ruse, malazeze e serbe.Nga ana e tyre,këta kolonë terrorizojnë sistematikisht fshatra fqinje,duke i detyruar banorët të largohen nga vatrat dhe tokat e tyre,të cilat konfiskojnë dhe kolonizohen menjëherë.Janë pikërisht një pjesë e viktimave të kësaj manevre tragjike,që bredhin rreth vatrave të tyre dhe çuhen kaçakë.

4- Plaçkitje të përligjshme

Kosova vend kryekëput bujqësor... tani vuan nga një mjerim i tmerrshëm,fshatarëve dhe qytetarëve me kombësi shqiptare në përgjithsi bujq,u janë marrë tokat me preteksin e zbatimit të ligjit agrar.

5- Emigrimi në masë i shqiptarëve të Kosovës

Ky regjim i hekurt zjarrit dhe plaçkitjes përbën faktorin kryesor të emigrimit në masë të popullsisë shqiptare në Turqi,i cili po kryhet në kushte të tmerrshme duke u kushtuar me jetë qindra familjeve e duke dënuar pjesën tjetër me një mjerim të patregueshëm.

6- Liria kushtetuese

Kushtetuta serbe,përsa u përket shqiptarëve të Kosovës,të Maqedonisë e të Malit të Zi,nuk ka veçse vlerën e letrave të lyera me ar,për të mashtruar më mirë opinjonin publik të botës së qytetëruar.Ajo është për shqiptarët njëlloj siç ka qenë kushtetuta e xhonturqve e viteve 1910-1918 për armët.

7- Drejtësia serbe

Për të pasur një die të qartë për drejtësinë serbe mjafton të dihet se askush nuk është proçeduar në gjyq për mijëra e mijëra krime të kryera në mes të ditës,është i vetmi vend në botë ku bëhet vrasje në prani të qytetarëve të cilët heshtin.

Të tëra këto që parashtruam më lartë janë në kundërshtin me normat e përcatuara për të drejtat e pakicave kombëtare,që janë nënshkruar në Sen-Zhermen më 10 shtator 1919 nga fuqitë kryesore aleate dhe shteti serbo-kroato-slloven.

Duke shpresuar se lidhja e kombeve do të ketë mirësinë të ndërhyjë pranë Qeverisë së Beogradit për të sigfuruar zbatimin e traktatit të sipërpërmendur,ne ju lutemi të pranoni ndjenjat e konsideratës sonë të lartë.

Për Komitetet e Bashkuara të Shqiptarëve të paçliruar ;

Hasan Prishtina,Bajaram Curri, Bedri Pejani.

(Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë . Fondi 251 , dosja 208 , fleta 1- 4 ).

Periudha 1920-1925,ndërkaq do të jetë plotësisht e errët edhe për ate gjenocid etnokulturor që u ndoq ndaj shqiptarëve.Pas ripushtimit të Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare në vitin 1919,një sërë urdhërash të Veçanta ndaluan krejtësisht vazhdimin e shkollave të shqipes duke i mbyllur ato e duke ndjekur këmba-këmbës mësuesit atdhetarë.Mandej jo vetëm në këto treva,por në 1920 u mbyllën edhe shkollat shqipe në Plavë,Guci,Brovinë,Junik,Brodosan etj.Në shumë fshatra,kur prindërit donin të çonin fëmijët në shkolla,qoftë edhe fshehurazi,ndeshnin në patrulla xhandarësh të cilët patën arritur deri të rrihnin këta prindër në sy të fëmijëve.Në Kërçovë e Gostivar,në vitet 1920-1925 edhe ato të pakta klasa të shqipes u mbyllën plotësisht,mandej disa mësues u internuan në vise të Anadollit.Për të kontrolluar sa ma efektivisht gjenocidin etnik,fizik e kulturor,qeveritarët e Pashiçit vendosën masa të rrepta (deri në vrasje pa paralajmërim) të shqiptarëve që kapeshin në kufirin me shtetin amë.Duke paraparë se prej shtetit amë,jo rrallë,ilegalisht ishin futur edhe libra,agjentë të shumtë kontrollonin tani këtë kufi sa ma rigorozisht.Për më tej,në një komunikim që Ministria e Jashtme e Mbretërisë SKS i dërgonte Ministrisë së mbrendshme thuhej pos të tjerave; „Sipas informatave që muarrëm në Kosovë janë dërguar dy kontigjente me libra shqip,njëri nga Shqipëria dhe tjetri nga Vjena.Të merren të gjitha masat paraprake që ato libra kursesi të mos u bien shqiptarëve në dorë,në të kundërtën,Serbisë do t’i sillen dëme të paparashikuara,të cilat s’do të jetë në gjendje t’i kompensoje as ari i minierës së Borit“. (Arkivi Jugoslav, Ministria e Punëve të Jashtme – Dok.197,cituar sipas A.Vokrrit në „Gjenocidi dhe aktet gjenocidiale... faqe 131)

Gjithshka kemi thënë më lart,ka provuar tek e mbramja se gjenocidi i pushtetit serb,i institucionalizuar prej oborrit Mbretëror të Jugosllavisë,fuqimisht është përpjekur të zhdukë etninë shqiptare pa menduar aspak as për pasojat dhe as për rrjedhat e ardhme të fqinjësisë midis dy kombeve.Duke ndriçuar këtë periudhë kaq tragjike,për fatet e mijëra shqiptarëve të Kosovës e Maqedonisë shqiptare,unë kam parasysh se ndriçohen mijërat e netëve të Bartollomeut që Evropa jetonte në skajin më jugor të saj,në ballkanin e trazuar prej miteve dhe errërave të luftrave e pushtimeve.Përndryshe ky ndriçim,(ku është e nevojshme të përfshihen historianë,antropologë, shkenctarë socialë etj) mund të quhet edhe si një dimension i munguar i historisë sonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat