I vranë burrin dhe e burgosën, qëndresa e të resë së Isa Boletinit

Historia

I vranë burrin dhe e burgosën, qëndresa e të resë së Isa Boletinit

Më: 16 shtator 2020 Në ora: 13:40
Qëndresa e të resë së Isa Boletinit

Torturat çnjerëzore ndaj nënës së dy fëmijëve, vetëm e vetëm për t’i shkulur informacione për kunatin e saj, Jup Kazazi, por edhe prej urrejtjes së induktuar nga komunistët jugosllavë, si gruaja e djalit të Isa Boletinit, heroit që komunizmi i persekutoi familjen. Historia e Adile Bekteshi Boletinit, gruas së Adem Boletinit që komunistët e vranë, motrës së Teofik Bekteshit që vuante burgun politik dhe nënës së dy djemve prej të cilëve e ndanë për pesë vjet.

Po të shfletosh librin e familjeve të njohura shqiptare dhe atë të familjeve të përndjekura gjatë regjimit komunist, do të vësh re menjëherë përputhjen e shpeshtë të mbiemrave. Etiketimi dhe trajtimi i tyre si armiq, në shumë raste, u bë i njohur, i trumbetuar si ndëshkim i merituar për njerëzit që në periudhat e mëparshme kishin gëzuar pushtet e pasuri, por ndonjëherë në librin e dytë has mbiemra familjesh të njohura që askush nuk e dinte që në diktaturë goditeshin me burgosje, internime, por edhe eliminim fizik. E tillë është familja e heroit, firmëtar të Pavarësisë, Isa Boletini.

Luftëtarë të vendosur kundër sundimit serb mbi trojet e Kosovës, ata ishin në shënjestër të jugosllavëve, por kur këta të fundit formuan dhe kishin në dorë Partinë Komuniste të Shqipërisë që mori në dorë pushtetin në vendin tonë, u bënë armiq edhe këtej kufirit. Të bindur ndaj udhëheqësve të tyre të vërtetë jugosllavë, komunistët shqiptarë vranë djalin e Isa Boletinit, Ademin, në vitet e trazuara të luftës dhe kur morën zyrtarisht pushtetin vazhduan me burgosje dhe internime të anëtarëve të tjerë të familjes, pa përjashtuar as gratë, siç ishte Adilja, gruaja e Ademit.

Adilja kishte lindur në Shkodër në familjen e Hasan Bekteshit. Ajo u shkollua në shkollën e murgeshave të qytetit të saj dhe më pas shkoi edhe një vit në Itali ku u stërvit në mjeshtërinë e punës së dorës. Njihte italishten, gjermanishten, serbokroatishten dhe turqishten. Adilja u martua me djalin e heroit të Kosovës dhe mbarë shqiptarëve, Ademin dhe lindën së bashku dy djem, Isain e ri dhe Enisin i cili më pas u bë një mjek i njohur, duke trashëguar profesionin e dajës së tij, Selaudin Bekteshit.

Ademi përfundoi gjimnazin në Vjenë në vitin 1914 dhe Akademinë e Lartë Ushtarake në Modena në 1919. Me kthimin në Shqipëri, në vitet 1922-1923, u caktua në detyrën e komandantit të Xhandarmërisë Shqiptare në Jug të Shqipërisë, kryesisht në Gjirokastër dhe Sarandë, duke luftuar kundër bandave andarte greke. Ahmet Zogu e dekoron me gradën e “Kapitenit të klasit të Parë me meritë”. Në vitet ’30 emërohet në zona të ndryshme verilindore në kuadër të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare dhe në vitin 1943 nënkolonel Adem Boletini, emërohet në detyrën e rrethkomandantit të Xhandarmërisë Shqiptare në Shkodër nga Qeveria e Rexhep Mitrovicës. Në këtë kohë, më 23 nëntor të 1943-shit, ai vritet me atentat nga Vasil Shanto i grupit komunist të Shkodrës.

Komunistët deklaruan që ishte një vrasje e paqëllimtë dhe që shënjestra kishte qenë major Ndrec Prenga, qarkkomandanti i xhandarmërisë së Shkodrës, por përmbajtja e trakteve që ata hodhën më pas në qarkullim, tregon në mos që shënjestra ishte djali i heroit, të paktën që vrasja e tij nuk i shqetësonte aspak. “Adem Boletini nuk ishte i dënuar me vdekje nga PKSH, por qëndrimi i tij me major Ndrec Prengën ishte i pajustifikueshëm”, citon një prej këtyre trakteve, djali i Ademit, Isa Boletini i ri, në një intervistë. Sipas nipit të heroit, familja e tij u vu në shënjestër dhe u godit edhe në Shqipëri, siç ndodhte në Jugosllavi, për shkak të udhëzimeve që vinin nga Beogradi.

Aleatët jugosllavë ishin më të rëndësishëm për komunistët shqiptarë sesa heronjtë e Shqipërisë. Isa Boletinit iu dha titulli Hero i Popullit vetëm në vitin 1962, por familja e tij nuk u nderua kurrë siç i takonte, duke u ftuar vetëm një herë në festën e Pavarësisë në Vlorë dhe duke u harruar fare në përurimin e monumentit të Isa Boletinit në Shkodër në vitin 1981. Gjatë këtyre viteve, në burgjet shqiptare kishin hyrë disa anëtarë të familjes, përfshirë edhe Adilen.

Ajo u arrestua fillimisht në vitin 1945, kur u mbajt pesë muaj në burg. Më pas, u arrestua sërish. Këtë herë u dënua me 5 vjet burg. Familjes vazhdimisht, i vinin urdhra dëbimi. Plot tri herë, dolën vendime për largimin nga Tirana, aq sa herën e fundit u detyruan të fshiheshin për një muaj derisa vendimi u anulua.

Siç shkruan Fatbardha Saraçi Mulleti në librin “Kalvari i grave në burgjet komuniste”, Adilja gjatë hetuesisë, përballoi tortura të rënda, gjatë të cilave asaj i kërkoheshin informacione për Jup Kazazin, bashkëshortin e së motrës. Pas kryengritjes së Postribës, Jup Kazazi kërkohej si një prej organizatorëve të saj. Mirëpo, komunistët që me siguri kishin menduar se do e kishin pasur të lehtë të mposhtnin një grua, nuk arritën të nxirrnin asnjë fjalë prej saj, me gjithë torturat që përdorën, duke e lidhur në ajër prej krahësh, apo duke e futur në fuçi me ujë të akullt për orë të tëra, ditë me radhë. “Kam përkulur shumë burrë, por ty nuk të gjunjëzova dot”, i kish thënë një ditë një nga oficerët e Sigurimit, “paske qenë vërtet e reja e Isa Boletinit”.

“Edhe gruaja e Adem Boletinit”, i kish thënë Adilja, e cila nuk pranoi kurrë mëshirë, as atëherë kur i propozuan të bënte një kërkesë për falje ndaj i kreu ditët e dënimit deri në fund. Edhe kur u lirua, e priti një dënim i ri: internimin për në Kavajë, por me ndërhyrjen e vëllait të saj, mjekut të njohur pediatër dhe akademikut Selaudin Bekteshi, ky vendim u anulua dhe djemtë e Adiles, si edhe nipërit e mbesat e tjera të familjes Bekteshi, u rritën në ngrohtësinë e strehës dhe zemrës së dajës së tyre.

Vëllai tjetër i Adiles, Teofiku ishte burgosur gjithashtu nga regjimi komunist, ndërsa burri i motrës, Nasibes, Jup Kazazi kishte vrarë veten pasi komunistët e kishin rrethuar shtëpinë ku fshihej për mos të rënë në duart e tyre. Ishte një strehë me shumë halle ajo e Bekteshëve, por edhe me shumë dashuri, që do të ndihmonte gjithsesi, për të përballuar sulmet e regjimit që nuk u zmbraps as para familjeve më të rëndësishme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat