Kosova dhe Mustafa Kruja, një dyshe e përjetshme

Historia

Kosova dhe Mustafa Kruja, një dyshe e përjetshme

Nga: Eugjen Merlika Më: 16 shtator 2020 Në ora: 15:21
Foto Ilustrim

“E njoha në Shkup këtë fatos, kur në 1912, bashkë me ju e me Malsorët e vet ishte çue me lirue Shqipnìn prej zgedhe të huej. E njoha e qysh atëherë s’na u danë zêmrat mâ prej shoqja-shoqes. Na bashkonte nji ideal, ideali i Atdheut të dashtun. Për ket ideal ai e dha jetën si fatos, i tradhtuem në shpellën e Dragobìs. Desht Beligradi me e shpëtue, me i a shpëtue jetën e me e peshue me pare: sall, të hiqte dorë prej luftës për lirín e Kosovës, sall të rrinte rahat në shtëpi të vet o ku t’i donte zêmra në tokë Jugosllave.

Ah, jo! Bajram Curri s’kish lè për t’a shitun Atdhèn e vet. Tânë haznat e Beligradit, tânë Jugosllavija, tânë pasunija e botës s’e vyeshin për tê lirín e nji katundi të Kosovës. Mâ mirë me dekë. E diq si burrë, diq si fatos. Po ashtu diq në dhè të huej edhe nipi i tij qi nuk i qe dà kurrë në jetë të vet: Hysni Curri, fatosi i Qafës së Prushit.

Nji tjetër gjakovas i ka hala sod eshtnat në mërgim, ku i dha fund jetës me dorë të vet tue lânë me shkrim këta dy rreshta të mallëngjyeshëm: “I mërzitun e i dëshpruem si nji njeri dyfish pa Atdhè, dava me i dhânë fund ksaj jete”. Ky burrë, ky gjakovas i vërtetë, qe Niman Ferizi, nji tjetër mik i em qi më la mbas veti në nji moshë aqë të rè. E kur nji njeri e ka njohun Gjakovën nëpër ksi burrash, kur ai e din edhe tânë historín e këtij vendi, merret me mend se me ç’farë dashtunije e gzimi lakmon me e pà e me e përshëndetun”.

Këto ishin fjalët me të cilat, më 1 korrik 1942, Mustafa Kruja, atëherë Kryeministër i Shqipërisë së bashkuar nën pushtimin italian, mbas tridhjetë vitesh ndarje të detyruar, i u drejtua popullit të këtij qyteti, në të cilin ne sot jemi mbledhur për të përkujtuar 70-vjetorin e një ngjarjeje ogurzezë. A ka lidhje mes fjalëve të ish kryeministrit, drejtuar gjakovarëve, dhe këtij simpoziumi që mbahet sot në këtë qytet, për të kujtuar me dhimbje, njëkohësisht me shpresë e besim në t’ardhmen, një nga ngjarjet më të hidhura, në mos më e hidhura e historisë së këtyre trojeve, të Kosovës e të Shqipërisë që prej një shekulli e këndej?

Ajo ngjarje ishte ribashkimi i Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare me Shtetin jugosllav. Ajo ngjarje shënoi fundin e “pranverës së Shqipërisë etnike”, që kaloi dhe u shua si një meteor i ndritshëm në qiellin e historisë shqiptare të shekullit të shkuar, për të lënë gjurmët e pashlyeshme në kujtesën historike të saj e në kujtesën vetiake të qindra mijëra shqiptarëve që u njëjtësuan me sendërtimin e ëndrrës së Shqipërisë së bashkuar në kufijtë e saj natyrorë. Mendoj se lidhja mes fjalimit të Krujës, apo vizitës së tij, i shoqëruar nga ministrat Vlora e Agushi dhe ngjarjes që përkujtojmë sot, është në vetë rendin e gjërave.

Ajo klasë politike që, n’atë rast, përfaqësohej prej tyre e që në curriculumin e saj, si stolinë më të çmuar, mbante firmat e vendosura në Dokumentin e Shpalljes së Mëvehtësisë shqiptare më 28 nëndor 1912, e kishte lidhur thelbin e veprimtarisë së saj politike, shoqërore e shtetërore me atë akt historik të prillit 1941, i cili sendërtonte, në një shkallë të kënaqshme, një ëndërr të përkundur për tridhjetë vjet, atë të bashkimit të trojeve ku flitej gjuha shqipe në një shtet të vetëm. Ai synim, më se i ligjshëm në një kontekst normal të marrëdhënieve mes shteteve, u kthye në një ankth për shqiptarët që, brenda pak ditëve të tetorit të zi 1912, qenë të pranishëm në grabitjen me dhunë të trojeve të tyre shumë shekullore nga ana e fqinjëve, me të cilët ndanin një histori mijëvjeçare, me të mirat e të këqijat e saj.

Shteti i bashkuar i shqiptarëve, i pari në historinë e tyre të gjatë, i ngjau një zogu të sapodalë nga foleja që ra në pritën e gjahtarit të pashpirt, i cili e goditi befasisht, duke e rrëzuar për tokë të gjymtuar. Këtë zog të gjymtuar “Etërit e Kombit”, ata që i kishin nënshkruar Pavarësinë, duke pritur në duart e tyre lindjen e tij të vështirë, u munduan ta rrisin, t’i shërojnë plagët e ta bëjnë të fluturojë, me fuqitë e tij, drejt synimesh të larta zhvillimi e qytetërimi. Por, brezi i tyre mbeti i lidhur pazgjidhshmërisht me ëndrrën e kthyer në ankth, me ribashkimin e trojeve, që i ngjante gjithnjë e më tepër një vegimi që largohej, sepse miopia e politikës së madhe e kishte mbushur Evropën me probleme të tilla.

Për një tekë të çuditshme të historisë, ajo ëndërr do të gjente folenë e saj të sendërtimit në një gjendje jo të zakonshme, në një kontinent që jetonte tragjedinë më të madhe të gjithë historisë së tij, në Luftën e Dytë Botërore. Ajo ditë prilli e vitit 1941, kur u vendos nga Qeveria italiane që trevat shqipfolëse, deri atëherë pjesë e Mbretërisë Serbo- Kroato-Sllovene, të pushtuara nga trupat aleate të Rajhut të tretë, do t’i bashkangjiteshin Perandorisë fashiste të Romës, në kuadrin e shtetit shqiptar të bashkuar me këtë të fundit, qe sendërtimi i ëndrrës tridhjetëvjeçare, edhe se në një kontekst tepër të diskutueshëm.

Mustafa Kruja, atëherë kryetar i Komisionit të Përshpagimeve shqiptare, e quajti “ditën më të bukur të jetës së tij”. Ajo ditë nuk ishte e tillë vetëm për të, ishte edhe për shumë atdhetarë të tjerë e për qindra mijëra qytetarë të Shqipërisë e viseve të saj të bashkuara me të, kryesisht për ata të Kosovës. Sa ishte e lumtur ajo ditë e bashkimit, po aq e hidhur e tragjike ishte periudha kur trupat komuniste jugosllave, të ndihmuara nga brigadat “çlirimtare” të komisarit Ramiz Alia e të tjerë personazheve të universit komunist shqiptar, shtypën qëndresën heroike të kosovarëve, të lënë dramatikisht vetëm në luftën për mbrojtjen e lirisë së trojeve të tyre.

Ajo dhunë, e ushtruar mbi Kosovën e lirë nga zaptuesit e vjetër me tjetër uniformë, me yjet e kuqe të Moskës në kapelat e tyre, të cilëve i u shtuan, në shprehjen më të spikatur të tradhtisë kombëtare e të pabesisë njerëzore, repartet e ushtrisë “nacional-çlirimtare” të Enver Hoxhës, vrau barbarisht shpresën e rilindur të Kosovës, ëndrrën e saj e të pjesës më të madhe të shqiptarëve, për të jetuar të lirë e të bashkuar në trojet e tyre.

Ajo dhunë do të ngarkonte mbi ndërgjegjet e fituesve mijëra jetë djelmoshash të Kosovës kreshnike, që asgjësoheshin nga shkijetë dhe bashkëpunëtorët e tij komunistë shqiptarë në emër të “revolucionit proletar”; qindra mijra kosovarë të përzënë nga shtëpitë e tyre, për t’u syrgjynosur në Anadoll, në zbatim të një strategjie afatgjatë të akademikëve të Beogradit për të zbrazur Kosovën shqiptare.

Ne sot e kujtojmë atë mynxyrë të historisë sonë, së pari me respektin e thellë ndaj heronjve të qëndresës vetmitare të kosovarëve nacionalistë, si Ymer Berisha, Shaban Polluzha, Mehmet Gradica, Marije Shllaku, Ukë Sadiku, Hysen Tërpeza e qindra e mijëra luftëtarë të lirisë, por edhe me vlerësimin e nderimin e atyre figurave të historisë sonë që punuan me mish e me shpirt për Atdheun e bashkuar, që u përpoqën, me të gjitha mënyrat, t’i shmangnin atij gjysmë shekullin e mallkuar të shoqërisë sonë.

Një nga ato figura, me të veçantën e saj në lidhjet me Kosovën, ka qenë Mustafa Merlika-Kruja. Kjo trajtesë merr përsipër të jetë një rrëfim i çasteve kryesore të këtyre lidhjeve, së bashku me dëshmitë e shkruara që hedhin dritë mbi ato çaste. Në këtë rrëfim hasen ngjarje e personazhe që i përkasin historisë së Shqipërisë, asaj historie që ende sot vazhdon të trajtohet me subjektivitetin manikeist të shkronjësve besnikë, deri në vdekje, të tjetërsimit të saj, të përmbysjes së vlerave të vërteta e ngritjes në piedestal të nuliteteve të përvojës komuniste shqiptare.

Ajo histori fillon herët, n’agim të shekullit, më 1902, kur djaloshi nga Kruja, mbasi kishte mbaruar mejtepin e Mulla Hysenit në qytetin e lindjes, shkoi në Janinë për të vazhduar shkollën e mesme, duke u regjistruar në gjimnazin turk të atij qyteti. Aty krijohet lidhja e parë me një mësues nga Gjilani i Kosovës.

“Nga të gjithë eprorët e gjymnazit të Janinës, shkollë e konvikt, dý fytyra mbaj mênd të kohës s’eme qi s’dijshin me qeshun kurrë faqe nxânsash: ajo e Saib Efendiut, nji tyrk prej Anadolli, hoxhë me çallëm i mësuem mjaft mirë në Shkollët Normale t’Epër e mjaft i squet; dhe ajo e Qamil Efendiut, shqiptar nga Gjillani qi mâ vonë, shumë mâ vonë, atje kah vjeti 1923 me gjasë, pat ardhun në Shqipní e marrë pjesë veprimtare në jetën politike të Vêndit me titull, emën e mbiemën qi kanë njohun të gjithë intelektualët shqiptarë të kohës së tij: Prof. Qamil Bala”.

Njohja u kthye shpejt në respekt të ndërsjellët e në miqësi, që nuk mbeti në caqet e thjeshta të dashamirësisë mes mësuesit e nxënësit. Nxënësi recitonte para mësuesit “Istorinë e Skënderbeut” të Naimit dhe mësuesi e furnizonte nxënësin me kryevepra të letërsisë rinore në gjuhën frënge. Mësuesi nga Gjilani la një mbresë të thellë tek Mustafai dhe është nga të parët që fuqizoi dashurinë për kombin në zemrën e djaloshit, duke ndikuar edhe në formimin e karakterit të tij me parimet e besës e të besnikërisë.

“Po të na hetojnë halldupët sharrojmë. Po un nuk shtij këtu veçse shqiptarë e shqiptare të mirë. Na nuk mund t’i biem mohit gjakut t’onë, Kombit t’onë, Shqipnís s’onë. Por duhet t’u ruhemi fort halldupve e Shqiptarve të këqij se na marrin mbë qafë”.

Profesori u mundua të ndikonte edhe në t’ardhmen e nxënësit të tij, duke e drejtuar në vazhdimin e studimeve në inxhinieri, bazuar mbi aftësinë e spikatur të djaloshit në matematikë, lënda që i mësonte atij. Mustafai i ri u detyrua ta ndryshojë mendimin e tij e të profesorit dhe, me këmbënguljen e Esat Pashë Toptanit, të hyjë në konkursin për Mylkije. Sa herë në jetën e tij ka qortuar veten për atë zgjedhje, mbasi politika e vuri para provash të vështira për atë dhe familjen.

Mustafai fitoi konkursin e hyri në Mylkije, shkolla e lartë e Perandorisë Otomane, për të formuar kuadrot e saj. Aty, me prirjet e tij kundër absolutiste, u shqua në demonstratat e studentëve kundër regjimit të turqve të rinj, që zhgënjyen pritjet e kombësive të tjera, në veçanti të shqiptarëve. Filloi të shkruajë në gazetat e Stambollit e ky kompleks veprimtarie çoi në përjashtimin e tij nga universiteti për motive politike. Sa po bëhej gati për t’u nisur në drejtim të SHBA-ës i u komunikua rikthimi në shkollë, si pasojë e ndërhyrjes së deputetëve shqiptarë në organet e arsimit.

Ndërmjet tyre ishin dhe deputetët kosovarë Hasan Prishtina e Nexhip Draga. Do të takohet me këto dy personalitete të shquar të jetës politike kosovare e shqiptare në korrikun e vitit 1912 kur, në cilësinë e sekretarit organizativ të kryengritjes shqiptare për Veriun dhe Shqipërinë e Mesme, së bashku me Markagjonin, Abdi Toptanin e të tjerë, shkuan në Shkup, për të biseduar mbi vazhdimin e kryengritjes, mbi programin dhe perspektivat e saj. Siç del edhe nga kjo pjesë, e marrë nga letra që i drejton Atë Paulin Margjokajt më 18 maj 1958, Mustafai debatoi mjaft me miqtë kosovarë mbi përfundimin e bisedimeve me Ibrahim Pashën dhe shpërndarjen e kryengritësve.

“Kosovarët kanë hŷmë në Shkup pa pushkë, tue pasë lajmuem qeverija se ishte gati me ramë në kuvênd me kryengritësit. Edhe na lajmohemi me pezulluem çdo veprim me armë e me dërguem në Shkup përfaqsuesit t’anë. Muerëm atë rrugë të gjatë mbë kual: Marka Gjoni (i ati i Kapidan Gjonit), Abdi Toptani e un, natyrisht të shoqnuem edhe prej ndonji tjetri, por na të tre, demek, ishim krenët. Kur mbërrîmë na në Shkup, gjithça kishte qênë kryem! Kosovarët ishin marrë vesht me Marshal Ibrahim Pashën me ato kushte qi janë njohun si 14 pikat: mbrênda katër vilajetevet qi na i kemi pasë quejtun Shqipní, kudo qi shumica e popullit flitte shqip, nëpunsit do të dijshin shqip e shkollat do të mësojshin shqip; shqiptari do t’i shërbente mbretit në kohë paqe vetëm në Rumelí (në Tyrqinë e Evropës).

Këto tri pika kishin mâ tepër rândsí e tjerat s’i mbaj mênd. Ndër krenët e Kosovës mbretnonte khaosi, kishte ndër ta nacjonalista, si Hasan Prishtinë e Bajram Curr, qi do t’a kishin rrezikuem edhe jetën e tyne për t’i siguruem Shqipnisë nji autonomí të plotë; kishte koka, si Riza beg Kryeziu i Gjakovës e Isë Boletini, në polin e kundërt, qi do të kishin bâmë gjithashtu për me shliruem Abdyl-Hamidin e me e hypun përsrí në thront, me qênë Kosova e falun prej shërbimit ushtarak e taksash; kishte gjind t’urtë e të stërvitun si Nexhib Draga, qi spjegojshin se me koka t’atilla, siç ishte krejt popull’ i Kosovës, fitim’ i atyne 14 pikave duhej konsideruem nji mrekullí për atëherë; kishte edhe asish, ndër të parë të vêndit, qi kishin qênë gati me kthye e shkuem në shtëpí me njerëzit e tyne, porsa t’ishte marrë lajmi qi u ndërrue kabineti në Stamboll, ai i Tyrqe të Rij me nji ‘ancien régime’”.

Të njëjtin argument e gjejmë të trajtuar edhe në një letër të gjatë që ai i shkruan profesori Stavro Skendit, më 2 nëntor 1953, me kërkesën e këtij të fundit mbi një opinion rreth “Sistemit të partive në Shqipëri”.

“Në një pjekje private që pata pasur me të ndjyerin Nexhib Draga në shtëpí të Rexhep Mitrovicës, ai më tfilloi se sikur të kishin pritur më shumë, që t’arrijshim edhe na në Shkup, kryengritja do të kishte falimentuar për faqe të zezë t’onën; sepse dhelpra e Stambollit kishte futur agjentat e saj në turmën e kryengritësvet kosovarë me premtime që qeverija do t’i lînte shqiptarët të mbanin armë lirisht kudo që t’ishin dhe do t’i shkarkonte kosovarët nga çdo farë pagesash të gjeratëhershme. E në këto dý koncesjone e te mbret’i Stambollit, më thotë Draga, përmblidhej i tërë ideal’i kosovarët. Un po shtoj se, besa, jo vetëm i kosovarët, po edhe i shumë krahinave tjera të Shqiprisë s’asaj kohe”!

Nga këto biseda me atdhetarë të provuar, ku bëhej fjalë për një çast tepër të rëndësishëm të fateve të kombit, siç ishte kërkesa për shkëputje nga Turqia, Mustafai i ri e kuptoi se sa e vështirë ishte të thyheshin tabutë e një mendësie të ngulitur thellë në mendjet e shumë shqiptarëve që nuk mund ta konceptonin jetën e tyre pa lidhjet me Stambollin. Ishte një nga zhgënjimet e para nga jeta politike, një zhgënjim që nuk ngurron ta shpreh hapur, në formë qortimi, edhe mbas tridhjetë vitesh kur si kryeministër i Shqipërisë etnike, në fjalimin e fundit të vizitës së tij në Kosovë më 2 korrik 1942, në qytetin e Prizrenit, pohon:

“Por duhet t’a pohojmë burrnisht or vllazën, e t’a kemi si mësim para sysh se gjaku ynë i derdhun në 1912, u vjefti, jo nè për lirinë qi kërkojshim, por anmiqvet t’anë, për nji robní të këtyne viseve mà të zezë se ajo e para…”!

Është një frazë që ve në dyshim një nga çastet e rëndësishme të historisë sonë bashkëkohore: dobinë e kryengritjeve shqiptare të viteve 1911-1912. A qenë në favor të çështjes shqiptare? Dobësimi i pozitave të Turqisë në Ballkan qe më i dobishëm për Shqipërinë, apo për shtetet fqinjë të saj që ishin të pavarura? Është një pyetje që dëshmon relativitetin e vendimeve historike që, me kalimin e kohës, pësojnë vlerësime të ndryshme, herë-herë edhe të kundërta. Revolucionari atdhetar Kruja, më 1912, hartonte të gjitha shpalljet, përkujtesat e dokumentet e kryengritjes, duke kërkuar autonominë e shkallës më të lartë.

Luftërat ballkanike dhe gjymtimi i trevave shqiptare ishin pasojë edhe e dobësimit të pozitave të Perandorisë në Ballkan, dobësim që, së fundi, doli i dëmshëm për Shqipërinë, mbasi zëvendësoi sundimin turk me atë të serbëve, malazezëve e grekëve mbi krahinat shqiptare, duke dëmtuar rëndë integritetin tokësor të Shqipërisë s’ardhme. Kryeministri Kruja, më 1942, e ka përvehtësuar mësimin e 1912-ës dhe u a kujton bashkatdhetarëve, për të mos rënë më në gabime t’atij lloji. Fatkeqësisht ky mësim nuk u muar për bazë dhe nuk u zbatua nga drejtuesit komunistë shqiptarë që flijuan trevat shqiptare, duke u a dorëzuar jugosllavëve, për të ruajtur pushtetin e tyre, të siguruar nga Titoja dhe Stalini.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat