Frang Bardhi për Skënderbeun

Historia

Frang Bardhi për Skënderbeun

Më: 13 tetor 2020 Në ora: 15:45
Frang Bardhi

Një personalitet i madh i shekullit të XVII, Frang Bardhi, boton më 1636, në shtypshkronjën e Mark Gjinamit në Venedik, librin e tij “Apologjia e Skënderbeut”.

Frang Bardhi, nxënës i Kolegjit “Propoganda Fide”, episkop i Sadës dhe i Sardës, si dhe administrator i Pulatasve dhe popullsive të tjera të Arbërisë e shkroi librin e tij për të mbrojtur historinë dhe figurën e Gjergj Kastriot Skënderbeut nga falsifikimet që ishin bërë në shekullin XVII, në mënyrë të veçantë nga një i quajtur Jan Tomku, bashkëkohës i Bardhit, që pretendonte se zbriste nga familja princërore dhe mbretërore e Margnavëvet apo e Margnaviqëve, i cili në një libër prej 55 faqesh kish marrë përsipër të provonte se Gjergj Kastriot Skënderbeu nuk ishte biri i Gjon Kastriotit, por i një të quajturi Joanis Marknaviq, biri i mbretit të Serbisë Vukashinit (1366-1371), i cili nga ana e tij ishte biri i princit Marko Margnava dhe babë i Mbretthit legjendar Marko Krajleviqit.

Ndërmarrja e tij e “kobëshme”, siç e quan Bardhi, kish për qëllim t’i rrëmbente kombit shqiptar yllin e tij të ndritur të historisë dhe për të krijuar një hero sllav të shekullit të XV, duke krijuar njëkohësisht edhe linjën e gjenealogjive fantaziste dhe përrallore, dukuri kjo e përhapur në shekullin e XVII. Bardhi e quan Tomkun “gënjeshtar dhe përrallaxhi”, pastaj me një stil të një shkathtësie të pashoqe me format e ironisë thumbonjëse, përvëlusëse si dhe të apostrofimit, e mbron shqiptarësinë e heroit Skënberbe.

Vepra e Frang Bardhit e ka një elozh përkushtues ndaj Senatit të madhërishëm të Venedikut si dhe Dukës dhe Princit të ndritur Francist Ericit.

Duket që Bardhi e shkruan librin jo vetëm për të mbrojtur të vërtetat historike, por edhe për të treguar se shqiptarët nuk mund ta harrojnë Skënderbeun dhe se sulmet ndaj Skënderbeut kanë të bëjnë në thelb me mohimin e shqiptarëve në histori. Ai nuk lë pa përmendur edhe shumë nga paraardhësit e familjes së tij të cilët kanë qënë të shquar. Librin e hap me një parafjalë të quajtur “Lexuesve seriozë”.

Ai thotë: “Të shkruash Apologji ka qënë gjithmonë një punë sa e vështirë dhe e lodhëshme, por aq e mbarsur me rreziqe dhe gati do të thoja e urryer nga çdo anë, që për të mos zënë në gojë shumë gjëra të tjera të papëlqyera, të cilat vinin nga studime dhe punë të bëra nën dritën e kandilit.

Por, kur na detyron hapur nevoja, ky zekth i pamëshirshëm i vdekëtarëve që t’u versulemi sa më rreptë herët a vonë, armiqëve me penë në dorë, atëherë ne nuk do të ndalemi përpara për t’ia arritur qëllimit të dëshiruar, duke pasur parasysh pikën e mbërritjes sonë, dhe duke mos përfillur çdo farë pagjumësie dhe djerse, sipas fjalës së përmendur të poetit: ‘puna mposht çdo gjë’. Pastaj, kur shikoja se princi i pathyeshëm e trim mbi trima i epirotëve, apo i Arbërorëve, Skënderbeu, i mohohej kombit të tij epirotas dhe se atij i visheshin gjëra që s’i përkisnin, unë po ta lë ty o lexuesi im i dashur, ta gjykosh se çfarë arësye të rënda më kanë shtyrë mua ta shtrëngoj mirë penën në dorë. Prandaj, në rast se përpjekjet e mija do të dalin pa gjë, dhe krejt të padobishme ato nuk duhen çmuar sigurisht në asnjë mënyrë si të pavënd, sepse unë nuk do ta kisha mundur kurrësesi ta shtyp dëshirën për të shkrojtur, veçse po të doja ta tradhëtoja me turp vehten time dhe atdheun tim”.

Për Frang Bardhin kanë shumë rëndësi në histori, dy gjëra: e vërteta dhe metoda. Në konceptin e të shkruarit, të kujton arsyetimin e Dekartit për metodën pa të cilën nuk mund të bëhet një arsyetim i drejtë, nuk mund të arrihet tek e vërteta. Nga kjo pikëpamje pjesë të veçanta të librit të tij, të kujtojnë zhanrin e një traktati teorik.

Ai e ka sensin shkencor dhe bashkëkohësinë e një mendimi modern për kohën. Ndonëse librin e ka shkruajtur brenda një periudhe shumë të shkurtër, prej gati 15 ditësh, kuptohet dhe duket qartë që Frang Bardhi e njeh subjektin shumë mirë dhe shumë kohë më përpara dhe se ka një informacion kryesor dhe i njeh burimet historike që lidhen me Gjergj Kastriot Skënderbeun. Nga ana tjetër,  del si njohës edhe i historisë rajonale të popujve të tjerë të gadishullit dhe konkretisht e shtjellon polemikën e tij duke përdorur vetë argumentet e kundërshtarëve ose në rastin konkret të Jan Tomkut i cili e ngriti këtë katrahurë dhe përshtjellim në mënyrën më të çuditshme dhe pragmatiste të përvetësimit të figurës së Gjergj Kastriotit.

Përplasja e të dhënave të kundërta është në fakt një zhveshje e lëvozhgave të legjendës për të dalë në dritë thelbi dhe substanca e historisë së vërtetë. Asnjëherë nuk qe dokumentuar një polemikë e tillë e nivelit kaq të lartë si dhe një artikulim profesionist me të gjitha elementët e strukturat që një historian serioz operon në subjektin që shkruan. Akoma dhe sot nuk kemi një shëmbëlltyrë të tillë për traditën e historiografisë shqiptare të stilit dhe të konceptimit për të bërë në mënyrën sa më lakonike dhe më argumentuese mbrojtjen e së vërtetës nga e pavërteta.

Padyshim që Frang Bardhi e ka këtë vetëdije të së vërtetës. Ai mbështetet shumë tek vepra e Marin Barletit të cilën e citon vazhdimisht dhe mund të quhet një pasues i Barletit dhe njëkohësisht edhe studiues i veçantë dhe i mprehtë i veprës barletiane. Por, përmend edhe dëshmitë e autorëve të tjerë të shquar të cilët ai i kishte konsultuar.

Interesant është se ai i drejtohet një Gjergj Bartoldit, kryeofiqar prej Prage i cili ka shkruar një vepërzë për Skënderbeun dhe që në fillim përmend të jatin e Skënderbeut Gjon Kastriotin që e mbiquan si trashëgimtar të origjinës të fisit bujar dhe mbretëror të Mbretit të Epirit, Pirros. Bardhi citon dhe Joan Tarkognatin, pjesën e dytë të librit të XVII të “Historisë së Botës”, ku e quan gjithmonë babain e Skënderbeut me origjinë Epirote ose Arbërore.

Për më tepër, Frang Bardhi, i cili i ka lexuar dhe i njeh mirë Kujtimet e Papa Piut të II-të, jep letrat e shkëmbyera midis Gjin Kastriotit dhe Princit të Tarantos Joan Antonit.

“Por, le të dëgjojmë së treti, në ju pëlqen, dëshminë e shënuar të vet Skënderbeut, i cili, në përgjigjen që i bën princit të Tarantos Joan Antonit, i shkruan kështu për origjinën e fisit të vet, sipas kujtimevet të Piut II: ‘Pastaj ti e përbuz fisin tonë dhe arbërorët i quan gati bagëti. Sipas zakonit tënd, ti flet me përbuzje dhe duket se nuk e njeh origjinën e fisit tonë. Të parët tanë kanë qënë epirotas, nga të cilët ka zbritur ai Pirroja me nam, sulmin e të cilit me vështirësi mundën ta durojnë romakët dhe i cili Taranton e shumë vënde të tjera të Italisë i pushtoi me armë’. – Kështu flet ai. Por, mbasi kundërshtari do të mund të na përgjigjej ndoshta me një farë mënyre se Gjergj Kastrioti s’ka prekur këtu origjinën e veçantë të tij, por atë të fisit të tij, lexonjësi le të vërejë me vëmëndje se Skënderbeu nuk ka shkrojtur: ‘origjinën e fisit tim’ ose ‘të parët e fisit tim, kanë qënë epirotas’, por, përkundrazi: duket se nuk e njeh origjinën e fisit tonë”.

Që këto të gjitha të duken më qartë dhe që të evitojmë çdo konfuzion, e gjeta të udhës të parashtroj këtu vetë letrën në fjalë, të nxjerrë nga ‘Kujtimet’ e lartpërmendura të Piut II, meqë veçanërisht këto letra përmbajnë shumë gjëra të shkruara me aftësi dhe shije të veçantë. Ja përmbajtja e tyre:

“Joan Antoni, princ i Tarantos, i dërgon përshëndetje Gjergj Arbërorit.

Ty, që fati i luftës të pat bërë të përmendur, të kishte hije që armiqtë, të cilët dikur pate caktuar t’i dbosh për të mirën e fesë së krishterë, t’i ndiqnje gjer në çfarosje dhe jo, si i ngacmove pakëzë dhe le fushën e betejës, ta sillje luftën në Itali kundër të krishterëvet. (Në buzë të letrës shënohet): Princi i Tarantos, mbasi kishte dëgjuar shpesh qarjet e të mvarturvet të tij, të cilët ua mbathnin përpara arbërorëvet, thuhet se ka shkruar kështu). Ç’ke ti me mua? Çfarë faji kam bërë unë ndonjëherë kundër teje? Çfarë grindje kemi pasur ndonjëherë midis nesh? Ti i ke çveshur fushat e mia, kundër të mvarturvet të mi ti je sjellur si i xhindosur dhe luftës ia fillove para se ta shpallësh. Ti thua se je një luftëtar grushtfortë e kryetrim për fenë e krishterë, por ja që tani po ndjek ata që me plot të drejtë quhen të parët e të krishterëvet. Kundër frëngjëvet e ktheve shpatën, të cilëvet u përket mbretëria e Siqelisë. Ke shpresuar ndoshta se do të luftosh kundër turqvet të shburrëruar apo kundër grekëvet të paaftë për luftë, që je mësuar t’i vësh në ikje e t’u biesh mbas shpine. Të tjerë burra do të gjesh këtu. Sadoqë tmerohen, kur të shikojnë, por asnjeri nuk do t’i largohet fytyrës sate; madje ushtari ynë do të të egërsojë ty, por gjaku italjan nuk do t’i trembet fytyrës arbërore. Ne e njohim fisin tuaj, arbërorët i konsiderojmë gati si bagëti. Është turp të kesh armik një fis kaq të ulët dhe ti nuk do t’i kishe mundur të qëndroje në atdheun tënd. I je shmangur sulmit të turqvet dhe, meqë s’ishe në gjendje të mbroje atdheun tënd, mendove të sulmosh atdheun e tjetrit. Je i gabuar, veçse në kërkon për atdhe të kesh varrin.

Qofsh shëndoshë”.

Kësaj letre i është bërë kjo përgjigje:

“Gjergji, zot i Arbërisë, i dërgon përshëndetje Joan Antonit, princit të Tarantos

Pasi ia arriti armëpushimit me armikun e fesë, nuk desha që miku im të gabohej për ndihmën time. Alfonsi shpesh herë, kur isha në rrezik, më pat dërguar ndihmë kundër turqvet; unë do të isha mosmirënjohës, në rast se nuk do t’ia shpërbleja të birit. Unë e mbaj mënd mirë se ai ka qënë mbreti yt; përse i biri nuk ia zënka vëndin babës për ty? Babën e ke adhuruar e të birin kërkon ta rrëzosh? Kush ta dha këtë fuqi? Mos vallë thonë se të përket ty apo pontifikut të Romës të caktojë mbretërit e Siqelisë?

Unë kam ardhur që të ndihmoj kundër pabesisë sate dhe kundër tradhëtive të panumura të parësisë së tij Ferdinandin, birin e mbretit në fjalë, sepse ky është mbreti i proklamuar nga Selia apostolike. Do të japësh llogari për besën e dhunuar, do ta paguash e nuk do t’i shkelësh betë vazhdimisht pa u ndëshkuar. Ky është për mua shkaku i luftës me ty. Në këtë rast nuk jam më pak i denjë se sa kur sulmoj turqit, sepse ti s’je më i mirë se turqit e ka nga ata që ty të quajnë se s’hyn në asnjë sekt. Ti më vë mua përballë frëngjtë dhe emrat e galëvet, që paskan bërë luftra të mbëdha për të mirën e fesë? Nuk dua të diskutoj për çështje të vjetra, të cilat ndoshta kanë qenë shumë më të vogla se sa flitet për to. Një gjë është e qartë për kohën tonë, se shpesh flota e Aragonasvet ka përshkuar detin Egje, ka shkretuarë bregdetin e krahinavet turke, ka marrë shumë plaçkë nga dora e armikut. Dikur turku ua pat frikën Aragonosvet dhe Troja, mu në grykë të armiqvet, po mbrohet gjer më sot me armë të Aragonasvet. Ç’më kujton gjërat e vjetra e lë mënjanë të rejat? Ndryshojnë zakonet e familjevet dhe bujqit bëhen mbretër e mbretërit bujq dhe as që zgjat më tepër fisnikëria nga virtuti.

Unë s’e kam harruar se ti ke qenë dikur armiku më i tërbuar i galëvet, sepse me ndihmën tënde Alfonsi i nxori ata jashtë. Tani nuk e di se çfarë burrëri e re ka dalë në dritë, ndoshta ndonjë yll i ri kaaguar ndërmjet galëvet, që ti e adhuron! – Pastaj ti na përbuzke fisin tonë dhe arbërorët na i quake bagëti: sipas zakonit tënd, ti flet me përbuzje, por duket se nuk e njeh origjinën e fisit tonë. Të parët tanë kanë qënë epirotas; nga ata ka dalë ai Pirroja me emër, sulmin, e të cilit mezi mundën ta durojnë romakët dhe i cili pushtoi me armë Taranton e shumë vënde të tjera të Italisë. S’ke se si vë përballë epirotëvet, burra kryetrima, tarantinët, këtë farë të qullosur njerëzisëh, të lindur vetëm për të zënë cironka. Në thënç se Arbëria është pjesë e Maqedonisë, atëhere të parët tanë i njeh shumë më fisnikë, sepse ata nën Aleksandrin u futën gjer në Indi, duke i nënështruar gjithë fiset, që u dilnin përpara, me lehtësinë më të madhe. Prej atyre kanë lindur këta njerëz, që ti i quan bagëti. Në jemi ne bagëti, atëhere pse ju, njerëz, ua mbathni përpara bagëtive? Se bagëtia s’bëhen dot njerëz. Shpesh herë në këto ditët e para është provuar në kanë qënë arbërorët apo apuljanët bagëti të trasha dhe unë s’kam takuar gjer tani ndonjë nga ushtarët e tu, që të ketë mundur të durojë fytyrën time.

Se sa mirë janë armatosur shpinat e tyre, këtë e di për bukuri, por gjer tani s’kam mundur të më zërë syri ndonjë parzmore dhe as që ia kam njohur fytyrën ndonjerit, përveç atyre që kam shtënë në pranga. Unë s’kërkoj atdheun tënd, kur më mjafton imi. Por unë përpiqem që ti, i cili shpesh herë e ke nxjerrë jashtë pronavet parësinë fqinje, të mos mundesh të hedhësh jashtë mbretin e të sulmosh mbretërinë, siç të është mbushur mëndja me të padrejtë. Në qoftëse unë në këtë punë do të vritem e do të varrosem, siç më uron ti, atëhere duroje lavdinë që do të kem nga Zoti, drejtonjësi i gjithësisë, për veprën e shkëlqyer që unë mendova dhe ndërmora me gjithë fuqitë e mia, qoftë edhe sikur të mos përkryhet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat