Të vërtetat për luftën e Irakut: Si u trillua rrëfimi për ushtaren Jessica Lync

Historia

Të vërtetat për luftën e Irakut: Si u trillua rrëfimi për ushtaren Jessica Lync

Më: 19 nëntor 2020 Në ora: 13:57
Jessica Lynch

Ishte rrëfim tepër i mirë. Ushtaren e re amerikane Jessica Lynch e plagosën në mars 2003 në pritë dhe e zunë rob ushtarët irakianë. Meqë u mbrojt heroikisht, e plagosën me armë dhe e therën me thikë. Nga spitali, ku rrinte shtrirë për vdekje dhe para derës e ruanin ushtarë irakianë të armatosur deri në dhëmbë, me një operacion brilant, një natë, e nxori njësiti special i shokëve të saj… Pse u trillua pothuajse tërësisht rrëfimi dramatik për ushtaren e plagosur, Jessica Lynch? Telegrafi më poshtë ju sjell shkrimin e Javores Politike Shqiptare “Zëri”, të publikuar më 2003. Artikulli i publikuar në rubrikën “Përtej lajmit ndërkombëtar”, është shkruar nga korrespondenti i asaj kohe i javores “Zëri” në New York, gazetari i njohur dhe ish-redaktori i prestigjiozes “Mladina” në Slloveni, Ervin Hladnik-Milharçiç.

Gjatë luftës në Irak, ushtarja amerikane Jessica Lynch ishte heroina më e dashur, ngase në atë kohë në Amerikë nuk flitej për asgjë tjetër pos për heroizmin e ushtarëve amerikanë. Duke filluar nga gazetat më me autoritet dhe me tirazhin më të madh e deri te kanalet më të çmuara televizive në Amerikë, mbi dy javë rresht u shkrua e u fol në detaje për ndodhinë e ushtares Jessica Lynch. Shkruhej e flitej se ajo kishte shtënë me armë dhe u ishte kundërvënë ushtarëve irakianë kur kishin dashur ta zinin peng. Shkruhej e flitej se ushtarët irakianë e kishin neutralizuar atë duke e plagosur me armë zjarri dhe duke e therur me thikë.

CILA ËSHTË E VËRTETA PËR JESSICA LYNCHIN?

Sipas rrëfimit të gazetave dhe të kanaleve televizive amerikane, Jessica u mbajt peng në spital, i cili gjoja ishte depo e armatimit kimik, dhe u ruajt me rigorozitet nga njësiti më i tmerrshëm i policisë së Saddam Husseinit. Gjithnjë sipas rrëfimit të gazetave dhe të kanaleve televizive amerikane, një njësit special i armatës amerikane, me një operacion me helikopterë në një natë të errët prilli, sulmoi spitalin ku mbahej peng Jessica dhe e liroi atë. Dhe, shumëkujt i kujtohen skenat televizive kur ushtarët amerikanë po e bartnin me lese Jessica Lynchin e plagosur. Së pari e dërguan në një bazë amerikane në Gjermani dhe të plagosur e sollën në Amerikë, ku filloi të këndellej në izolim të thellë.

Qysh atëherë dukej se rrëfimi i saj luftarak ishte zhvilluar më shumë në bazë të skenarit filmik sesa në bazë të logjikës së informatës gazetareske.

Por, cila është e vërteta për Jessica Lynchin dhe pse u krijua “Rasti Jessica Lynch”?

E vërteta është se irakianët e zunë rob Jessica Lynchin dhe po ashtu është e vërtetë se ushtarët amerikanë atë e nxorën nga spitali. Të gjitha të tjerat ishin pjellë e imagjinatës. Trill.

Asnjë nga ata qindra gazetarë që shkruan dhe që folën për këtë rast nuk ishte dëshmitar në vend të ngjarjes. As ushtarja Jessica Lynch kurrë nuk dha asnjë deklaratë dhe deri më sot kurrë nuk u paraqit në opinion. Gazetat që botuan rrëfimet dramatike tërhiqen mjeshtërisht duke thënë se raportuan duke u mbështetur në burime anonime brenda Pentagonit. Ato praktikisht bënë propagandë të rëndomtë ushtarake, të cilën tash nuk dëshiron ta vërtetojë as Ministria Amerikane e Mbrojtjes.

Ngjarja me Jessica Lynchin, të cilën e përshkruanin gazetarët e medias së shkruar dhe të asaj elektronike në Amerikë, kishte mbështetje vetëm në konturat kryesore. Irakianët vërtet e kishin sulmuar konvojin në të cilin ndodhej ushtarja Lunch. Por, ajo nuk kishte shtënë mbi irakianët. Nuk kishte luftuar me ta. Ajo ishte lënduar në një aksident të dy kamionëve amerikanë. Askush nuk e kishte plagosur atë me armë zjarri e as që e kishte therur me thikë. As ajo nuk kishte shtënë me armë. Irakianët e dërguan në spital, ku nuk kishte ushtri irakiane. Mjekët kishin dërguar fjalë në pjesën amerikane të frontit që të vijnë e ta marrin Jessica Lynchin, ngase ata nuk kishin as mjete e as medikamente për shërimin e saj. Dhe, është e vërtetë se një njësit special i armatës amerikane hyri në spitalin ku ndodhej Jessica Lynch, ama askush nuk rezistoi ngase në spital kishte vetëm mjekë dhe motra medicinale.

RRËFIMI ISHTE PRODUKT I VËRTETË I “GAZETARISË KREATIVE”

Videoxhirimet dramatike të bëra natën, të cilat i bëri një xhirues ushtarak, tregonin ushtarët e armatosur amerikanë dhe sikur flisnin për një pasiguri të madhe gjatë nxjerrjes nga spitali të Jessica Lynchit, por pasiguri të tillë nuk kishte. Të gjitha detajet e shfaqura në atë xhirim, në rastin më të mirë, ishin të tepruara, ndërsa në rastin më të keq ishin rrena të kulluara të shtypit të verdhë.

Mirëpo, për këtë ngjarje nuk ishte fajtor vetëm shtypi i verdhë. Një nga tri gazetat më të popullarizuara amerikane, “Uashington Post”, botoi këto ditë përmirësimin e rrëfimit të vet për Jessica Lynchin, rrëfim që ishte produkt i vërtetë i “gazetarisë kreative”.

Mirëpo, rrëfimi i ushtares së re njëzetvjeçare edhe më tej çmohet shumë. Jessica Lynchin e vërshojnë edhe sot të gjitha shtëpitë mediale amerikane. I dërgojnë asaj libra patriotikë, bonboniera dhe i ofrojnë intervista ekskluzive e role filmash.

Rrjeti televiziv CBS, si kompensim për intervistën që do t’ia jepte këtij televizioni, i ofroi Jessica Lynchit paraqitje plot dy orë në televizionin muzikor MTV dhe kontratën për libër në shtëpinë e njohur botuese “Simon & Schuster”. Që të tri këto kompani janë pronë e Viacom-it.

Një ofertë të ngjashme Jessica Lynch mori edhe nga rrjeti televiziv ABC, që është pronë e kompanisë “Disney”. Por, ajo pati dhe ka oferta edhe nga plot shtëpi filmike e televizive…

Edhe sot është vështirë të përcaktohet se çka ishte e vërtetë e çka u trillua në luftën e Irakut. Dhe, probleme nuk patën vetëm gazetarët, por edhe Kongresi Amerikan. Senatori demokrat, Carl Levin, kërkoi nga CIA t’i botojë dokumentet që do të dëshmonin se SHBA-të u kanë dhënë informata selektive inspektorëve irakianë të OKB-së mbi armët për shkatërrim në masë. Levini ka qasje në këto dokumente, por nuk guxon t’i publikojë ato. Po ky senator akuzon drejtorin e CIA-s, Georg Tenet, se me qëllim ka fshehur informacionet. Por, Kongresi Amerikan, në të cilin dy dhomat i kontrollojnë republikanët e Bushit, ka vendosur që pohimet për armët irakiane nuk do t’i vërtetojë formalisht.

Pra, informata të besueshme për luftën në Irak dhe lidhur me luftën në Irak tash për tash nuk ka. Prandaj, filmat për këtë luftë do të jenë aq dramatikë sa do të jenë dramatike edhe informacionet filmike të shtëpive informative.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat