Fjala e panjohur e Ismail Qemalit në takimin me parinë e Vlorës: “Durrsakët s’na kuptuan, na quajtën tradhëtorë

Historia

Fjala e panjohur e Ismail Qemalit në takimin me parinë e Vlorës: “Durrsakët s’na kuptuan, na quajtën tradhëtorë

Nga: Dashnor Kaloçi  Më: 28 nëntor 2020 Në ora: 17:07
Ismail Qemali

Publikohet fjala e panjohur të Ismail Qemal Vlorës të mbajtur para parisë së qytetit të Vlorës në shkurtin e vitit 1913, ku ai midis të tjerash sqaron bashkëqytetarët e tij dhe nëpërmjet shtypit të gjithë shqiptarët, si dhe përse vendosi që të vinte në Shqipëri për të shpallur Pavarsinë, të gjitha shkaqet dhe arsyet se si ai u pengua që të ngrinte flamurin në qytetin e Durrësit dhe u detyrua që të vinte dhe ta ngrinte në Vlorë, formimin e kabinetit të tij, përse u detyrua që ta përfshinte Esat Pashë Toptanin në kabinetin e tij dhe kërkesat që pashai Toptanas i’a parashtroi me pika, ndihmën dhe përkrahjen e shteteve të ndryshme europiane, raportet me fqinjët, duke filluar nga sllavët, grekët, italianët e tj., çështjen e Kosovës që ishte dhe duhet të mbeste shqiptare, etj., e deri tek jehona që pati akti i shpalljes së Pavarsisë në shtypin dhe agjensitë e lajmeve të shteteve të ndryshme të botës!

Sot më datën 28 Nëntor të këtij muaji mbushen plot 108 vite nga ajo ditë e shënuar, kur Ismail bej Qemali, apo i njohur ndryshe në historinë e kombit tonë, si Plaku i urtë i Vlorës, ngriti flamurin kombëtar dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë, duke e proklamuar shtetin shqiptar të mosvarur. Për atë ngjarje të largët, e cila është konsideruar me të drejtë si një nga ditët më të shënuara të historisë së Shqipërisë, tashmë është shkruar dhe folur shumë si nga autorë vendas, ashtu edhe nga studiues, historianë, publicistë e albanologë të huaj.

Ndryshe nga ngjarja e 28 Nëntorit 1912, periudha e qeverisjes së kabinetit të Vlorës, e kryesuar nga Ismail Qemali, e cila zgjati deri në janar-shkurtin e vitit 1914, si dhe të gjitha peripecitë që kaloi kabineti i parë shqiptar deri në atë kohë, janë më pak të njohura dhe kësisoj ajo periudhë kohe ka krijuar një vakum në historiografinë e Shqipërisë. Nisur edhe nga ky fakt, në këtë shkrim po botojmë fjalën e mbajtur nga Ismail bej Qemali në tetorin e vitit 1913, ku ai bashkëbisedoi për disa orë me një përfaqësi qytetarësh të Vlorës, duke u rrëfyer të gjitha peripecitë që ai kaloi për të ardhur te ngritja e flamurit më 28 Nëntor 1912, formimin e kabinetit të tij, situatën kritike në të cilën gjendej Shqipëria e asaj kohe, tradhtinë e Esat Pashës dhe lëshimin që ai i bëri qytetit të Shkodrës, duke e dorëzuar atë në duart e malazezëve, bisedën e tij me pashain Toptanas dhe pse u detyrua ta përfshinte atë si anëtar cabinet!.

Si dhe të gjitha përpjekjet që bëri kabineti i tij gjatë atyre 11 muajve qeverisjeje për të hedhur themelet e konsolidimit të shtetit të ri shqiptar që ai e kishte proklamuar të mosvarur dhe planet që Ismail beu në funksionin e kryeministrit kishte për të ardhmen e këtij vendi. Ky bashkëbisedim i Ismail bej Qemalit me bashkëpatriotët e tij vlonjatë, i cili publikohet për herë të parë gjatë këtyre 108 vietve, Memorie.al po e boton të plotë dhe në dialektin e gjuhën e shkruar të atyre viteve, duke bërë vetëm disa sqarime të shkurtra.

Fjala e Ismail Qemalit në Vlorë në tetor 1913

Zotërinj! Ju lutem të më ndjeni që ju bëra të më prisni por kam për t‘ju thënë një lajm të mirë që ma solli Z. Koshull (konsull), i Austrisë, me të cilin fola gjer tani. Ky lajm do ta shpërblejë mundin që muarrtë të prisnin gjer tani. Zoti Kushull më lajmëroi se Serbët u hoqën nga të gjitha viset që kishin zënë kohët e fundit edhe këto ditë do të hiqen nga ato nja dy vise ku gjenden akoma. Kam shpresë që për së shpejti do t‘u jap edhe një lajm të mirë që Grekët u hoqën nga viset të vendosura t‘i mbesin Shqipërisë. Kërkova të piqem me ju edhe t‘ju thom se ç‘bani e ç‘nuk bani qeverrija gjer më ditën e sotme edhe përse u banë disa vepra të cilat ndofta nuk duheshin të ishin bërë. Tani mbushet njëmbëdhjet muaj që kur se po rrojmë nën hijen e flamurit të Shqipërisë së lirë. Sot e një mot mot, kur të huajt i shkelën të gjitha viset e Shqipërisë, po thua, pa kurrë farë kundërshtimi, neve të bijve të këtij vendi, nuk na kishte mbetur veçse një detyrë; të përpiqemi për të formuar një qeveri, e cila duke i mbajtur të liruara viset që nuk kishin rënë akoma nën pushtetin e të huajve, të përpiqemi e të ngrejmë zërin tonë për shpëtimin e viseve të tjera e për të drejtat e Kombit Shqiptar.

Ismail Qemali: Durrsakët s‘na kuptuan!

Unë pa fuqi, me një tok shokë të lidhur të gjithë me një mëndje, erdhëm këtu në Vlonë, jo si në vënt t‘imi, po si në një qendër ku mund të mbarohej puna e qëllimi për të cilin ishim duke u përpjekur. Kishim ndërmënd të banim në Durrës punën që bamë këtu; po me të vënë këmbën në atë qytet, pa kuptimi i Durrësakëvet na dha të marrim vesh se një punë e tillë nuk mund të mbarohej atje E, mjerisht, nuk u ndamë vetëm me kaq, po neve që u thoshim eja të përpiqemi së bashku për shpëtimin e Atdheut t‘ënë, na përgjigjeshin: “Ju jeni tradhëtorë, ju kërkoni humbjen e vatanit, prishjen e mbretërisë; ju gënjeni se Turqia nuk e humbi e nuk humbet; ushtria e Turqisë ka zënë shumë qytete të Bullgarisë dhe tani po i kthehet Serbisë”.

Qysh mundim na t‘i mbushim kokën këtyre njerëzve? Kështu u shtrënguam t‘u themi të mirë mbetshi, Zoti u dhëntë mënt, edhe u nisëm për në Vlonë. Të pasnesërmen që arritëm këtu, pa mënuar ngritëm flamurin e shenjtë të lirisë. Qëllimi dhe dëshiri i madh ishte që ta shihnim Shqipërinë të lirë me administratën e saj me kanune dhe zakone të veta. U mbështuallëm pra delegatët e ftuar nga të katër anët e Shqipënies, prokllamuam lirinë e kombit t‘ënë edhe zgjodhëm qeverinë, e cila u përpoq për t‘i mbrojtur të drejtat e Atdheut. Më zgjodhën kryetar të kësaj qeverrije pa asnjë za kundërshtuar duke ma dhanë të drejtën, sipas rregullit, që të zgjedh edhe anëtarët e qeverisë. Unë nuk e politosa këtë të drejtë t‘ime duke dëshiruar që që qeverritarët, të gjithë të zgjidhen prej të dërguarëve të popullit. M‘a mbushi kongresi këtë dëshirë dhe zgjodhi edhe anëtar të tjerë të besës që të punojmë së bashku me mua. Mundet se q‘atëhere e gjer më sot qeveria nuk i bani disa gjera që duheshin bërë, apo bani ligsht disa të tjera; po të jeni të siguruar se punoi ashtu duke mos mundur të sillej ndryshe. Një punë me vleftë të madhe s‘munt t‘i mohohet qeverrisë s‘onë, të mbajturit lart e flamurit të lirisë. Asht kjo një punë me randësi? Po s‘ka dyshim! Veç kësaj duhet të vini re përpjekjet që bani qeverrija për të mos lanë të vobektin të vuajë. Kur Evropa ish duke vendosur fatin t‘ënë, na rronim në këtë qytet të mbyllur, pa pasur asnjë marrëdhanije me botën e jashtme dhe pa ditur se qysh do t‘i vente filli çështjes s‘onë. Kuptohet lehtas, pra, se interesi i math që për ne që të dilnim përjashta e të përpiqeshim për të drejtat t‘ona që ishin në rrezik. Gjetëm mënyrën për të dalur, dualëm dhe pik së pari u përpoqëm për hapjen e bllokut, që qarkonte Vlonën e që aq shtërngime i kishte sjellur njerzis së këtyre viseve, sa që me gjith masat e qeverisë, njerëzia druante fort ditën e nesërme. Përjashta e kuptuam qysh edhe kush ishte përpjekur për të mirën e këtij vendi.

“Kosova ka qenë dhe do të jetë shqiptare”

Mbasi ishte vendosur që të bahej një Shqipërie, gjendej ahere nën bisedim çashtja e kufijve të jugës sepse nga ana e veriut dhe verilindjes konferenca ua kishte dhanë dënimin e vdekjes së Kosovës edhe Dibrës. S‘ka dyshim, ish detyrë e Qeverris, të përpiqej që të mos jes asnjë Shqiptar jashtë Shqipërisë. Por, fatkeqësisht, nuk ishim mjaft të përgatitur dhe megjithë që Austria i mbajti 1 milion ushtarë në këmbë, dhe Italia u përpoq me gjithë mënyrat dhe Anglia desh të na mprojë por, që të mos kërcasë një luftë evropiane, u shtërngua të na bëjë theror. Me të vërtetë, e njohin vetë këtë therorësie, Fuqit e Mëdha t‘Evropës dhe kjo duhet të jetë një lehtësie për fatkeqësin t‘onë. Na shpresën nuk duhet ta humbasim; gjithmonë duhet të kemi parasysh se Kosova ka qenë dhe do të jetë shqiptare. Për kufinjtë e Jugës, sikundër e dini mirë, nuk shpëton dot copa që nga Ftela e poshtë jemi të shtërnguar të kënaqemi me pjesën që është nga Ftelea e në Korçë. Tani një tjetër problem që mbetej për t‘u zgjidhur, ishte ajo e të qeverisurit e Shqipërisë. Evropa s‘ish e siguruar në do të mundim, na Shqiptarët, t‘a sundojmë vëndin t‘onë Përandaj u menduam se kemi nevojë për një fuqi morale, e cila, t‘a ndihmojë qeverrimin e Shqipërisë me këshilla e me një marrëveshje të përherëshme nga të dy anët. Qëllimi i Evropës nuk munt të ketë shkak vetëm të mirën t‘onë: po, një kontroll sa i zbutur dhe i zbukuruar të quhet, duke qenë që vjen prej mendimit që kanë bota për mosmundjen e Shqiptarëve që qeverisen vetë, n‘a ep ndjenja të cilat s‘janë fort të kënaqëshme për Shqiptarin që do lumturinë morale të Shqipërisë, Kjo ndihmë është komisia e kontrollit.

“Pse e futa Esat Pashën në qeveri”

Mbetej të rrëfenim që jemi të lidhur dhe s‘do të ndahemi kurrë, por ngatërrimet, që kanë ç‘qetësuar shumë kohë bashkimin e Shqiptarëvet të gjithë, ardhë këtë rradhë të turbulloje qetësinë e cila mezi ish lindur. Ky rrezik vinte nga Shkodra. Ky qytet i cili ishte rrethuar prej Serbëve dhe Karadakasve, e solli punën gjer më atë q‘Evropa, për të larguar armiqtë dërgoi një flotë të tanë me një fuqi të madhe të steresë, për të zbatuar vendimin e saj, d.m.th. që Shkodra të jetë kryeqytet i Shqipërisë. Për fat të keq, po në këtë çast, Esat Pasha ep qytetin në duart e qarkuesëve, (atyre qe e kishin rrethuar). E tanë bota u çudit; as njeri nuk priste që kjo çashtje të marr një funt kaq të papandehur. Na dhembi kjo ngjarje sa që s‘munt të tregohet dot me gojë, po me gjith këtë e duruam, duke dashur që t‘i mbulojmë fajet e fajtorëve për t‘i shpëtuar nderin e Shqiptarit, thamë se Shkodra ra nga që ushtria ishte e dobësuar, nga që skamja e hajes (urisë), shkaktonte mjerime të mëdha. Duall pastaj edhe ngatërrime të tjera të shkakëtume prej atij njeriu. Si kumandar, i ushtrisë turke, Esat Pasha, kërkoi sharte (kushte), të cilat, si shqiptar, nga turpi, nuk guxojmë t‘i tregojmë. Pastaj këmbyem shumë telegrame me të. Pa vajtur n‘ë Evropë, ardhi në Vlonë pa asnjë qyshk dhe konditë. I fola për rrezikun, në të cilin gjendet Shqipëria sot, i tregova se ç‘thonë armiqtë për ne, e ç‘dyshime ka edhe ajo pjesë e Evropës që na e do të mirën, për paskëtajmen e Shqipërisë, I thashë sheshasi që ved i tij edhe kërkesat me mënyrën që dëfteu trajtojnë një provë të ha-rrëzueshme për fajin që na hedh Evropa duke kujtuar se kurrë do mos të jemi të lidhur e të bashkuar. Ju lutsh me gjith zemër t‘a heq nga dora e armiqëve atë armën kundra Shqipëries edhe dyshimin e miqve për Shqiptarët. Me gjithë këto të thana, Pasha u tregua i bindur dhe ne vendosëm që të futet në kabinet. Kërkoi ministrinë e ushtrisë, as desha dhe as munda t‘ia ap duke qenë se Z, Mehmet Pasha (Derralla), prej Kosove, ish zgjedhur prej kongresit kombëtar. Nuk kisha veçse ministrinë e punëve të Jashtme që i‘a lashë zotit Mufit Beut, i cili u hoq për t‘ia lënë ministrinë e punëve të Brendshme Pashës. Pas këtij emnimi u ngrit dhe vajti në Europë edhe, në të kthyer, pa ndenjur shumë kohë bashkë me ne, u nis për në Durrës. Në atë çast kur dy komisi ndërkombëtare hynin në Shqipëri për t‘i caktuar kufijtë nga ana e Veriut dhe nga ana e Jugës, dhe kur Evropa filloi me nxjerrë prej viseve që i njohu dhe do t‘i njoh Shqipërisë, Serbin dhe Grekun, n‘atë kohë Esat Pasha prap dolli për t‘ia turbulluar qetësin së ngratës Shqipërie edhe mirëdashjen e Evropës; si ministër i Punëve të Brendshme, ngrinte krye kundra qeverrisë së vet duke kërkuar gjëra që ishin dhe janë kundra interesave t‘Atdheut në këto kohë.

“Ç‘më kërkoi Esat Pasha?”

Ç‘kërkoi Esat Pasha? 1. Kryeqytet i përtanishëm i Shqipërisë të ngrihet nga Vlona e të vejë në Durrës. 2. Ministrat e qeverisë së sotme të heqin dorë dhe në vent të tyre, Pasha me mua të bëjmë një kabinet të ri. 3. Të mshtillet (mblidhet), një mbledhje kombëtare, e cila të marrë hesap prej qeverrisë së vjetër dhe të bashkëpunojë me qeverrinë e re. Sa për vajtjen e qeverrisë në Durrës, e kuptoni mirë Zotërija Juaj se cili ishte qëllimi. Ma të shumtit e ministrave që janë sot këtu, i ka zgjedhur populli dhe nuk e kam në dorë as unë dhe as pashaj që t‘i heqim. A munt të mështillet në Shqipërie një mbledhje kombëtare kur gjysma e viseve të Shqipërisë gjenden në duart e të huajve dhe kur shumica e Shqiptarëve nuk mund të marrin pjesë në mbledhje? Apo lipset që sot, të themi se ç‘na ka mbetur nga Shqipëria edhe nga Shqiptarët arrin për neve se kështu e do Esat Pasha. Mendohuni ju për këtë punë dhe më thoni. Po kur mendoheshim dhe habiteshim për këtë sjellje të papandehur t‘Esad Pashës, dolli çështja e Dibrës dhe e Gjakovës që ngriti pak perden e këtij mysteri. Duket se Serbët kishin ndërmënt që t‘i turbullonin prap viset e Shqipërisë së sipërme e të mbytnin në gjak të ngratët Shqipëtarë. I shtërngoi kaq keq, e bëri kaq të liga, sa nga dëshpërimi, burra, gra, kërkuan vdekjen si të vetmin shpëtim prej çnderimit, rrëmbimit dhe vrasjes. E tanë Dibra, me sa mundën, u ngritën dhe u ranë serbëve, të cilët të paktë që ishin, u hoqën për t‘u kthyer me fuqi më të madhe për të mos lanë një kambë në Shqipërie e të dëftojë n‘Evropë të nevojshëm rrëmbim të Shqipënies së çarë si e kishte dëftyer Esat Pasha, ma para. Nga ky shkak sot gjenden 150.000 shqiptarë të hurit e pa shtëpi e neve, me duar lidhur, s‘dimë qysh t‘i ndihmojmë si vëllezër që i kemi. Po, sot, kemi një gëzim nga lajmi që u dhashë në krye të fjalës, sepse Shqipëria u lirua nga ushtrija e Serbijës dhe këta Shqiptarë të mjerë do të mundin të kthenen në vendin e tyne. Sot, Shqipëria, e helmuese kështu dhe e çarë nga që Esat Pasha ban një qeverrijë në Durrës; Shkodra n‘erë dhe gjithë viset që nga Himara e gjer në Korçë, në dorë të Grekut, të gjithë këto janë sende të helmueshme (gjëra të hidhura), e na bajnë të mendohemi se qysh do i vej filli kësaj pune. Ne mendua dhe mendohemi gjithnjë qysh t‘i lidhim të gjith shqiptarët dhe qysh ta forcojmë Shqipërinë. Për këtë, pa ikur Esat Pasha, bamë një kanun, (rregullore me ligje), i cili me pak kundërshtime u pranua. Në këtë kanun do të shihni në dua ta përçaj Shqipërinë apo dua ta lith e ta bashkoj ma tepër.

Çështja e vetëqeverimit të Shqipërisë dhe çështja e bankës

Qeverimi i Shqipërisë gjer në ditën e lirisë së saj ka qenë pas qejfit të Turqisë, jo pas nevojave të vendit. Turqia kurrë nuk asht përpjekur për fitimin dhe përparimin e Shqipërisë, po gjithmonë për humbjen dhe pengimin e saj. Si shembull janë ndarjet e sanxhakëve dhe kazave, e cila nuk kish tjatër qëllim, por qysh shqiptari të mos vejë përpara, qysh çdo vergjie e dhanije të dërgonte për të prishur në Stamboll dhe jashtë Shqipërisë. Tashti, që Zoti na e dha lirinë edhe na kemi një Shqipëri jo për të huajt por për Shqiptarët, lipset doemos që kësaj Shqipërie shqiptare t‘i japim një qeverie krejt kombëtare, ja ma mirë krejt shqiptare. Puna e jonë për qeverrimin e Shqipërisë do të ishte shumë e lehtë po të mos kishim përpara këto ngatërrime, të cilat vijnë ca nga e keqja e disa njerëzve, ca nga natyrë e disa ngjarjeve pa dashjen e kurrkujt. Kemi qeverrimin e Vlorës me gjithë Labërinë e Sanxhaqet e Beratit dhe i Elbasanit nga pjesa e Shqipërisë që kish mbetur gjer më sot e lirë, janë në dorën t‘onë dhe i kemi vënë në udhë sa mundet më mirë. Durrësi me gjith kazat (lokalitetet), e tij që, gjer dje, ishte nën qeverrimin t‘onë, nga shkaku i një njeriu u ndah, si u thashë edhe pak më përpara. Shkodra gjendet pothuaj në erë. Një komisie (komision), ndërkombëtare, e formuar nga amiralët e Gjashtë Fuqive të Mëdha, e qeverisë që ditën kur e muarën prej Malit të Zi e gjer sa dit ma parë kur amiralët shkuan dhe qetësija e qytetit u la në dorë të ushtrisë së steres të Fuqive të Mëdha. Sot duhet domosdo të mendohemi për qeverrimin e të gjithë Shqipërisë. Mendimi ynë, dëshira jonë nuk është që ta ndajmë dhe ta çajmë Shqipërinë, po ta forcojmë duke lidhur dhe bashkuar të gjitha anët e Shqipërisë nën një qeverri qendrore (centrale) të fortë dhe kombëtare. Për këtë shkak u munduam shumë e jo me pak kundërshtime, bamë dhe vendosëm një kanun organik të cilin do ta shihni dhe do ta gjykoni n‘asht për ndarjen apo për lidhjen e Shqipëris.

“Liri e Shqipërisë” në Sofje publikoi lajmet e gazetave evropiane

Jehona e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në shtypin e huaj

Ngjarja e 28 Nëntorit 1912, kur Plaku i urtë, Ismail Qemali, ngriti flamurin në Vlorë, duke shpallur pavarësinë e Shqipërisë, pati një jehonë të madhe jo vetëm në katër vilajetet e Shqipërisë, pjesa më e madhe e të cilave në atë kohë ishte nën okupimin e ushtrive të huaja, por edhe në mjaft shtete të Evropës. Veç të tjerash, kjo gjë bëhet e ditur edhe nga disa prej të paktave gazeta që botoheshin asokohe në gjuhën shqipe në Shqipëri dhe në disa vende të tjera, ku kishte koloni shqiptarësh. Një ndër ato gazeta që asokohe botoi jehonën që pati në Evropë shpallja e pavarësisë së Shqipërisë, ishte dhe “Liri e Shqipërisë”, e cila botohej në Sofje të Bullgarisë nga patrioti kolonjar, Kristo Luarasi. Nga ajo gazetë kemi shkëputur dhe po botojmë disa njoftime të shtypit të huaj, të cilat po i publikojmë (duke i bërë vetëm disa ndryshime gjuhësore) në këtë shkrim.

Romë 15. Agjencia “Stefani” merr këtë shkrim, nga Vlora, me datën e sotme: “Delegatët shqiptarë të mbledhur në një shtëpi këtu nën kryesin‘ e Ismail Qemalit, deklaruan, sot, autonominë e Shqipërisë. Flamuri shqiptar u ngrit në mes të gëzimit të përgjithshëm të popullit, i cili mbushi rrugët dhe bëri manifestime të mëdha përpara konsullatave të Austrisë dhe Italisë. Romë 16. Agjencia “Stefani” lajmëron nga Vlora: Pasi u deklarua vetëqeverimi i Shqipërisë, delegatët e mbledhjes zgjodhnë një qeveri të përkohëshme: kryesonjës Ismail Qemali, mysliman, nënkryesonjës, Nikolla Kaçorri nga Durrësi edhe sekretar Luigj Gurakuqi. Mbi konakun e Vlorës dhe mbi tërë shtëpitë shqiptare është ngritur flamuri shqiptar. Pasi u muar lajmi që Serbët hynë në Durrës dhe Elbasan, ku ish deklaruar autonomia, Ismail Qemali tejshkroi (dërgoi telegram, shënimi ynë), në këto qytete që të mos i kundërshtohen ushtrisë serbe, sepse Shqipëria tani numërohet vend i paanshëm, të cilin Fuqitë e Mëdha do ta mbrojnë ashtu siç mbrojnë kombet e tjera të Ballkanit. Vienë, 16. Në ministri të Punëve të Jashtëme, u muarr me dije nga kryesonjësi i qeverisë së përkohëshme shqiptare Ismail Qemali e cila thotë:

“Mbledhja kombiare e formuar prej delegatësh shqiptarë nga tërë anët e Shqipërisë, pa ndryshim feje, mbledhur sot në Vlorë, deklaroi vetëqeverimin e Shqipërisë dhe formoj një qeveri të përkohëshme e cila u ngarkua që të mprojë të drejtat dhe qënien e kombit shqiptar edhe të lirojë vendin nga të hyrët e ushtrive të mbretërive fqinje. Pasi ju lajmëron këto të sipërme, Z-së suaj, kam nderë t‘i lutem qeverisë së L. M. T. Imperatorit edhe Kralit t‘a njohë këtë ndryshim në jetën politike të kombit shqiptar, që hyn në radhë të kombeve tëe Evropës, midis të cilëve ay ka nderë të jetë më i vjetri edhe gjyrmon vetëm një qëllim: Të rojë në paqe me tërë mbretërit‘ e Ballkanit edhe të bëhet një (njësoj, shënim ynë), me ato. Besoj se qeveria e L. M. T. Imperatorit edhe Kralit, si dhe tërë bota e qytetëruar do ta presin me gëzim kombin shqiptar edhe do ta mprojnë nga çdo gjë që e tremb kombësin‘ e tij edhe do të jenë kundër copëtimit të Shqipërisë. Lajmërojnë nga Roma, se e këtillë thirrje iu dërgua edhe misionit të punërave të jashtme të Italisë dhe San-Xulianos”.

Letër nga Durrësi

(Serbët dhe vetëqeverimi i Shqipërisë)

Më 20 të këtij allafrënga, arrinë Serbët në Cetin me shumicë të madhe, dhe pasi muarrnë bashkë me Karadakun, Leshin (Lezhën, shënimi ynë), tuj lanë Malin e Zi aty, kaluenë bregun e Matjes dhe pardje hynë në Krue (Krujë), me nder pa ba asnjë nji dam. Sot u dërguan nga ana e Durrësit një delegacion i përbam nga z. Ali Kuli e Filip Serreqi dhe ca të tjerë të cilvet s‘ua di emnat.

Këta muarrnë me vedi edhe flamurin e Shqipërisë vetqeverimtare që a ba me këshill të z. Ismail Qemal beut, i cili ardhi këto ditë këtu dhe shkoj për Vlorë bashk me ca zotni t‘tjerë si Luigj Gurakuqin me shokë për me ngritë dhe atje flamurin e Shqipërisë vetqeverimtare. Serbët janë tuj ardhë me shpejtësi të madhe për në Durrës; por unë s‘mundem t‘ju shkruej ma gjatë për sot se Durrësi po mbyllet dhe posta po niset me çpejtim, sot nji javë kam me ju shkru gjithsesi. Memorie.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat