“Shqypnija pa Kosovë, asht trup pa duar e kambë”

Historia

“Shqypnija pa Kosovë, asht trup pa duar e kambë”

Nga:  Riza Drini  Më: 29 nëntor 2020 Në ora: 12:54
 Riza Drini 

Në Lozanë, doli fituese rruga paqësore. Shtetet e mëdha rregulluan me marrëveshje çështjen e dëmshpërblimeve dhe tash po mundohen me zgjidhë dy problemet e fundit të lidhura ngushtas me çimentimin e paqes: çarmatimin dhe rishikimin e traktateve.

Bota e tërë po bën sakrifica të mëdha për hir të paqes. Vetëm shtetet e Ballkanit nuk po bëjnë asgjë në këtë drejtim. Asnjë lëvizje, asnjë dëshirë nuk është shfaqur në gjithë sinisinë (gadishullin) me qëllim që të rivendoset qetësia, paqja dhe mbarëvajtja e popujve ballkanas.

Nuk do hyjmë thellë, dhe nuk do nuk do ta çikim çështjen ndryshe, veçse nga pikëpamja që na intereson.

Popullsia shqiptare e mbetur nën sundimin serb hypën në 800 000 frymë. Do të thotë që duhen veç 300 000 frymë që numri i saj të barazohet me numrin e banorëve të Shqypnisë së Lirë. Nga ky shkak mbas caktimit të tashëm të kufijve politikë, Shqipëria paraqitet e ndarë më dyshë: një gjysmë e saj që gëzon liri të plotë dhe vetëqeverim, dhe gjysma tjetër e robëruar nën thundrën serbe. Duke qenë ky realiteti, vetëkuptohet se cilësimi si pakicë i popullsisë së Kosovës e cila përbën shumicën e madhe të asaj treve nuk është kurrsesi i vërtetë. Një pakicë formojnë serbët, po jo shqiptarët, madjenjë pakicë të vogël dhe që tash vonë është vendosur në Kosovë.

Kosova është Shqipëria vetë. Është gjysma e Shqipërisë e mbetur nën robëri. Dhe është pjesa më e zgjedhur, më e begatë, banorët e saj me kohë kanë dëshmuar liri dashje dhe ndjenja të gjalla kombëtare dhe nuk kanë pushuar së shfaquri lidhjet e mëdha që i bashkojnë me Mëmën Shqipëri.

Që të nesërmen që këmba serbe shkeli Kosovën, drejtuesit beogradas filluan me të gjitha mënyrat de-shqiptarizimin e kësaj toke shqiptare. Pikë së pari i detyruan shqiptarët për të emigruar dhe vendosën kolonë sllavë në vatrat e tyre. Këtyre përpjekjeve shtypëse, popullsia shqiptare nuk iu kundërvu me forcën, por me gjithë cilësitë e larta morale që e karakterizojnë, dhe të cilat e paraqesin si një element me plot guxim dhe përkushtim. Prandaj sot mund të konstatojmë me plot gëzim se edhe përkundër të gjithë atyre masave shtypëse, Kosova ka ruajtur karakterin e saj kombëtar. Këtu do përmend fjalët që më pat thënë një personalitet i huaj i shquar: “Sa padrejtësi e madhe është të lësh nën sundimin e huaj një popull të tërë që nuk ka asgjë të përbashkët me serbët”.

Ngjarjet historike shqiptare të kohës së kaluar kanë qenë të njëkohshme dhe të përbashkëta për shqiptarët e Kosovës dhe për ata të Shqipërisë së Lirë. Si luftërat, po dhe pushtimet e huaja të pësuara, ashtu dhe mirëqenia dhe vitet e lumtura. Këto ngjarje vuajtjeje dhe lavdie kanë mundur ta

njësojnë për jetë të jetëve zemrën shqiptare, ajo është sot një dhe e pa ndarë. Elementet etnikë, raca, gjuha, dhe feja, formojnë kullën e çeliktë që përball politikën serbe për shkombëtarizimin e Kosovës. Sado terroriste që të jetë ajo politikë, kurrë nuk do mund të përkulë shpirtin, e mendësinë shqiptare. Kosova kështu siç është, ka për të qenë gjithmonë një plagë e haptë për Mbretërinë

Jugosllave. S’ka të bëjë nëse sot shqiptarët e Kosovës rrinë të qetë; kjo farë qetësie nuk tregon se shqiptarët e robëruar nën Serbi nuk do dinë të përfitojnë nga dobësia më e vogël e fuqisë shtypëse.

Përkundrazi, historia na mëson se çdo komb energjik ka aspirata për tu kthyer e bërë një shtet në vete, ose të bashkohet me Mëmën e Lirë. Nga ana tjetër, Shteti Shqiptar nuk është kurrë e mundur që të heqë dorë nga rivendikimet e të drejtat që ka mbi Kosovë. Kështu për sa kohë Kosova nuk është bashkuar me Shqipërinë, është e pa mundur të vendosen marrëdhënie të sinqerta midis Shqipërisë dhe Serbisë. Agjentë serbë duke dashur të shthurin aspiratat kombëtare të popullit shqiptar, janë munduar shpesh herë të shkaktojnë turbullira dhe brenda në Shqipërinë e Lirë.

Me këtë drejtuesit serbë kanë dashur të ndalojnë konsolidimin e brendshëm dhe organizimin e plotë të Shtetit Shqiptar, për të shuar çdo përpjekje të Shqipërisë së Pavarur në favor Kosovës, motrës së saj të robëruar. Por këto mundime të serbëve kanë qenë të kota, se jo vetëm zotësia e Mbretit Zog i pat bërë të pa fuqishme këto manovra, po vetë ndërgjegjja kombëtare është ngritur më fort se kurrë duke kërkuar kthimin e Kosovës tek Mëma Shqipëri. Vetëm në këtë rrugë Shqipëria ka për të fituar vetëqeverimin e saj të plotë dhe ka për të qenë një faktor i vlefshëm paqe dhe përparimi në Ballkan.

Kthimi Kosovës në gji të Shqipërisë së Lirë është faktori kryesor që do ta bëjë Shqipërinë politikisht dhe ekonomikisht jetëgjatë. Vetëm pas këtij kthimi është e mundur të stabilizohen marrëdhënie të sinqerta midis popullit shqiptar dhe popullit serb. Shqipëria pa Kosovë është një trup i gjymtuar pa duar e pa këmbë.

Image
Gazeta “Kosova”, në Konstancë.

G.G. – p.sh. (G.G.: “Guri i Gegës”, pseudonim i Riza Drinit).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat