Churchilli në çmendi

Historia

Churchilli në çmendi

Nga: Lekë Imeraj Më: 4 dhjetor 2020 Në ora: 09:21
Winston Churchill

Ne Luftën e Dytë Botërore, në Londer, ishte shpallur ora e ndalimqarkullimit. Pas orës tetëmbëdhjetë, cilido që do të guxonte te lëvizte në rrugë, do te vritej, pa paralajmërim. Ky ishte urdhëri i Kryeministrit të vendit, Winston Churchill.

Churchilli e kishte zakon që, mbrëmjeve, gjithmonë të bënte një shëtitje në park.

Çuditërisht, ajo ditë ishte e pazakontë për Londrën. Në gjithë qytetin shkëlqente dielli. Churchilli u ul në një stol në park, dhe po kundronte perëndimin e diellit, gjë të cilën, për arsye të luftës, prej shumë kohësh nuk e kishte bërë. Dikur, kur dielli u zhduk në horizont, ai shikoi orën dhe pa se kishte shkelur urdhërin mbi ndalimqarkullimin. Ora tetëmbëdhjetë kishte kaluar me kohë. Vendi ku ai ndodhej ishte afërsisht një milje larg shtepisë së tij. Çfarë mund të bënte Churchilli me urdhërin (në fakt urdhrin e vet) mbi ndalimqarkullimin e njerëzve? Nëse do të provonte ta shkelte atë, natyrisht që do të vritej. Kështu ishte urdhëri i tij. As Churchillin nuk e përjashtonte.

I hodhi një sy vendit aty përreth, nëse do të kishte mundësi të fuste diku kokën. Kush nuk do ta pranonte atë në shtëpi, shpetimtarin e kombit, natyrisht nëse do ta njihte. Ai trokiti në derën e parë që pa. Nuk dihet përse por, ai ishte i pafat atë natë. Dera ku ai trokiti ishte spitali psikiatrik i qytetit.

Një burrë, trupmadh dhe muskuloz e hapi menjëherë derën. Churchilli iu drejtua atij: „Më falni për shqetesimin! Unë jam Winston Churchill, kryeministri juaj, sigurisht që më njihni“. Pa e zgjatur më, burri muskuloz e mbërtheu për krahu bullafiqin, dhe e tërhoqi me forcë brenda, duke ia mbyllur derën nga pas shpinës.-

„Futu, futu brenda edhe ti, Churchilli i shtatë. Edhe gjashtë të tjerë i kemi këtu“, i tha ai kryeministrit dhe e tërhoqi me forcë në korridor.

Por, Churchilli, vazhdonte të ngulte kembë që ta sqaronte njeriun e paarsyeshem duke i thënë se, unë nuk jam i çmendur, por jam kryeministri i vertetë i juaj dhe i gjithë Anglisë, Winston Churchill…

Muskulozi, i cili nuk kishte aspak ndërmend që ta lëshonte trashaluqin nga krahu, iu pergjigj: „Ju të gjithë kështu thoni. Edhe ata gjashtë të tjerët që janë këtu, kështu thonë. Secili nga ata është kryeministri i vërtetë i Anglisë. Unë po të dërgoj në dhomën e tyre dhe ju, gjejeni vetë se cili nga ju, është kryeministri ynë i vërtetë”, dhe e shtyu përpara.

Churchilli nuk kishte asnjë shans tjetër veçse të zbatonte urdhërat e burrit muskuloz, dhe të kalonte natën aty, në çmendi, pa ditur se cfarë do ta priste. Edhe sikur të mund të dilte prej andej, ai do të vritej në rrugë. Kush nuk guxonte të mos zbatonte urdhërin e tij!?

Muskulozi e dërgoi në dhomën e bullafiqëve, gjashtë “Churchillëve„ të tjerë, të cilët po tymosnin cigare nga ato që tymoste Churchilli i vertetë, dhe merreshin me plane lufte. Sapo ai u fut brenda, të gjithë u ngritën në kembë dhe e pershëndetën me dy gishta, në formë V-je, shenja Victory.

“Ju urojmë mirëseardhjen“! i thanë ata, thuajse njëzëri. Ata, të gjithë dukeshin tamam si ai, bullafiqë, arrogantë dhe cigarepirës, nga ato që pinte Churchilli i vërtetë.

E gjithë nata kaloi me diskutime te ashpra. Ai iu thoshte atyre: „Ju jeni të çmendur, unë jam Churchilli i vërtetë“. Ata vetem qeshnin, dhe shumë te qetë i përgjigjeshin: „Secili nga ne këtu, është Churchill i vertetë. Nuk ka Churchill fallso“ dhe… Megjithatë, Churchilli nuk dorëzohej. „Churchilli i vertetë jam vetëm unë. Nuk më njihni ju mua!? Unë jam kryeministri juaj. Ju jeni të çmendur“

„Natyrisht që të njohim, dhe gëzohemi shumë që, nga gjashtë Churchillë, u bëmë shtatë. Por, i vetmi ndryshim midis nesh është se, ti je Churchilli i shtatë. Asgjë më tepër. Sigurisht që do të vijnë edhe të tjerë, dhe ti nuk do të jesh më i fundit. Edhe ne, edhe ata që do të vijnë, të gjithë jemi Churchillë të vërtetë. Nuk ka Churchill fallso“, i përgjigjeshin ata, qetë, qetë.

Churchilli kaloi një natë të tmerrshme me gjithë ata Churchillë të çmendur, të cilët vetëm tymosnin cigare si ato të tijat dhe bënin plane lufte, se si ta mundnin Hitlerin. Dikur ai vetëm heshti duke menduar se, heshtja ishte mjeti më i mirë përballë atyre idiotve. Por ata nuk e linin rehat. “Përse e mbylle gojen? Nëse je Churchilli i vërtetë, kështu si ne, duhet të marrësh pjesë në planet tona të luftës, për të mposhtur Hitlerin, dhe shpëtuar Anglinë dhe botën nga ai përbindësh. Vendi nuk ka qenë kurrë më në rrezik, dhe ti hesht, si një frikacak. Si mund të të besojmë ty, se ti je Churchilli i vërtetë“, vazhdonin ata.

Më vonë, kur Churchilli e kujtonte atë natë, thoshte: „Dikur fillova të dyshoja me të vërtetë… ata njerëz, dukeshin aq të sigurt sa… kush e din? Ndoshta isha unë i çmenduri aty. Po aq i sigurt sa isha unë, si Churchilli i vërtetë, ishin edhe ata. Madje, ata dukeshin edhe më të sigurt se unë. Tek unë shfaqeshin shenja inati dhe dyshimi… „

Në qytet kishte pllakosur tmerri dhe frika mbi zhdukjen e mistershme te kryeministrit. Gjithkush e kishte gdhirë në kerkim por, pa i shkuar mendja askujt se, kryeministri i Anglisë, ishte mbyllur në psikiatri.

Të nesermen i telefonoi menjëherë sekretarit të vet.

Kur forcat e sigurisë arritën në psikiatri, iu turrën menjëherë njeriut muskuloz, duke e sharë dhe bërtitur: “Ti je një idiot! Si guxon te mbash kryeministrin me forcë në psikiatri, si të çmendur“ ?

Muskulozi u përgjigj i qetë: „Zotrinj, futuni një herë aty brenda, dhe do të gjeni edhe gjashtë kryeministra të tjerë, tamam si ky i vërteti. Të gjithë thonë të njëjten gjë: Unë jam kryeministri i vërtetë i Anglisë, Winston Churchill. Dhe nga mund ta dija unë, se cili nga ata të shtatë, është kryeministri ynë i vërtetë“!?

Kur shoqëruesit i panë të gjashtë “Kryeministrat“ tjerë, i dhanë të drejtë muskulozit. „Paske pasur të drejtë por ne, do të marrim kryeministrin e vërtetë.

Gjashtë „Churchillët“ e tjerë, u rebeluan menjëherë: „Si është e mundur që të ketë kaq padrejtësi te ne!? Si guxojnë të vijnë këtu dhe të marrin Churchillin fallso, dhe për ne, gjashtë Churchillët e vërtetë, nuk kujdeset askush!? Do të protestojmë, do t‘i bëjmë thirrje popullit të ngrihet kundër kësaj padrejtësie të madhe“, deklaruan ata fuqishëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat