Publikohet një foto tronditëse e trupit të vrarë të Hasan Prishtinës

Historia

Publikohet një foto tronditëse e trupit të vrarë të Hasan Prishtinës

Më: 31 dhjetor 2020 Në ora: 10:48
Hasan Prishtina

"Maqedonia e Re" e datës 14 Gusht 1933, një ditë mbas vrasjes së Hasan Prishtinës, shkruante për ngjarjen që tronditi Selanikun.

Gazeta e asaj kohe shënonte se Hasan Prishtina është pronar i ndërtesës së sotme "Shkolla e të Verbërve". Gazeta e kohës përshkruan vdekjen tragjike të atdhetarit, politikanit të madh Hasan Prishtinës. Në faqet e gazetës shkruhej: "Një tjetër vrasje që u bë në rrugën Çimisqi, tronditi Selanikun. Politikani shqiptar Hasan Prishtina u vra në qoshen Çimisqi në Vogaxhiku, përpara bakallhanes “IVI”. Shqiptari Ibrahim Çelo, 38 vjeçar, i papunë, qëlloi pesë herë ish-kryeministrin shqiptar Hasan bej Prishtinën.

Vrasja u krye në orën 2 mbas dite më datë 13 gusht 1933. Në rrugën Çimisqi u pa një zotëri i moshuar, i mbajtur mirë dhe me tipare simpatike, të ecte përkrah e të fjaloste me një person të veshur mirë, i gjallë, sa e tradhtonte dhe toni i zërit.

Arritën në kryqëzimin e rrugës Çimisqi-Vogaxhiku dhe po drejtoheshin për tek bakallhane "IVI" dhe në largësi dy hapa nga kinkaleria e invalidit J. Janopullo. Njeriu me pamje të zymtë nxori rrufeshëm revolverin e markës "SMITH" dhe shtiu kundrejt bashkëbiseduesit, i cili ishte Hasan bej Prishtina, që ra në trotuar.

Kalimtarët e mbledhur nga të dy të shtënat, panë vrasësin të turret me mizori të parrëfyer mbi viktimën dhe t’i zbrazë edhe tre plumba të tjerë, dy në kraharor dhe të tretën në kokë, si e shtënë vdekjeprurëse, për të qenë i sigurt për përfundimin e aktit të vrasjes. Fill pas krimit të tij vrasësi, që t’i ikë rrezikut prej turmës së mbledhur që u vu për ta kapur, ia dha vrapit nga rruga Vogaxhiku.

Nga tronditja ai ra në vitrinën e tregtores "Beharnae" të cilës ia dëmtoi tendën, por rimori veten, për t’u turrur drejt rrugës "Paleon Patron" ku u rrethua nga turma, që e ndiqte me synime të errëta. Vrasësi hyri në banesën e mjekut z.Dukidhis, ku dhe iu dorëzua rojes së policisë. Por nuk mundi t’i shpëtojë egërsimit të turmës.

Kalimtarët që e ndoqën dhe banuesit fqinjë të çdo moshe, shtrese, pa ditur identitetin e tij dhe as motivet e vrasjes, të indinjuar ndaj egërsisë që tregoi vrasësi ndaj viktimës, sa panë të vijë skuadra e policisë, u turrën dhe ata duke thirrur:

"Shqyeni, shqyeni, vrasësin". Ndërsa polici më kot përpiqej të shpëtonte atentatorin, turmat u turrën ndaj tij dhe nisën ta grushtojnë, duke i shkaktuar mavijosje në pjesë të ndryshme të trupit. Do ta kishin çarë përgjysmë vërtet, nëse nuk do ia mbërrinte të hynte në një tjetër shtëpi, në rrugën "Paleon Patron", ku u strehua nga i zoti i shtëpisë, i cili nxitoi tu mbyllte derën e jashtme turmave të zemëruara. Pas pak mbërriti sekretari i policisë, nëntogeri z.Zografo, dhe vrasësin e transferuan me motoçikletë në Seksionin e tretë të policisë.

Hasan Prishtina, i mposhtur nga plagët, u dërgua ndërkohë në Spitalin Popullor, ku trupit të tij iu bë autopsia. Në orën 14.50 minuta oficeri Sotiriu nisi hetimet me përkthyes, pyeti vrasësin nëse e njeh gjuhën greke, ai u përgjigj se njeh gjuhën shqipe, frënge dhe gjuhën turke.

Vrasësi për Hasan Prishtinën

Vrasësi nënvizoi se akti i tij u dedikohet motiveve politike. Ndërkaq pretendoi se ish-kryeministri i atdheut të tij ishte komit dhe bashkëpunonte me komitetin bullgaro-maqedonas me qëllim që të vrisnin mbretin e Shqipërisë Ahmet Zogun. Planet, thotë atentatori, m’i tregoi Hasan Prishtina përpara pesëmbëdhjetë ditëve, kur po vinim prej Vjene (Austri) dhe më bënte presion që të bëhesha unë kryetar i bandës komite dhe të shkoja në Tiranë ku të vrisja mbretin Ahmet Zogu.

Prishtina, vijon vrasësi, më premtoi shpërblim mujor dhe një shpërblim dhuratë mbas aktit të vrasjes, por unë i kundërshtova këto propozime të tij, sepse jam pro regjimit të mbretit Ahmet Zogu dhe nuk dëshiroja të bëhem vegël e Hasan Prishtinës, të cilin në Shqipëri e quajnë tradhtar.

Ibrahim Çelo jetonte në Nikea të Francës dhe ishte tregtar frutash, ishte i martuar me një spanjolle, me të cilën kishte dhe fëmijë. Atje u njoh përpara disa vitesh me Hasan Prishtinën, që ish shpërngulur në Nikea për hir të shplodhjes dhe kishin lidhur marrëdhënie familjare.

Gjatë njohjes midis tyre Hasan Prishtina i kishte treguar për rininë, vështirësitë që kishte kaluar pas largimit nga Shqipëria në Turqi dhe Bullgari. Në Turqi pat gjetur miq të vjetër dhe bashkëluftëtarë kundër xhonturqve. Mori pjesë në një shoqatë të fshehtë me bashkatdhetarët e vet për çështjen shqiptare.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat