“Historitë tragjike të shqiptarëve të Kosovës që njoha në burgjet e Enver Hoxhës dhe intrigat e Sigurimit ndaj…”! Dëshmia e të burgosurit politik

Historia

“Historitë tragjike të shqiptarëve të Kosovës që njoha në burgjet e Enver Hoxhës dhe intrigat e Sigurimit ndaj…”! Dëshmia e të burgosurit politik

Më: 30 janar 2021 Në ora: 10:54
Foto ilustruese

Publikohet historia e panjohur e Nazmi Berishës me origjinë nga fshati Llap i Komunës së Podujevës në Kosovë, i cili i joshura nga propaganda e regjimit komunist dhe nga programet që jepte Radio-Tirana për “begatinë socialiste” si dhe për t’i shpëtuar metodave rankoviçiane të regjimit titist, në vitin 1960, ai vendosi që të arratisej dhe erdhi në Shqipëri, duke kaluar me not lumin Buna në të ftohtin e madh të atij dimri të egër. Dëshmitë e rralla të Nazmi Berishës, se si u prit ai në atdheun amë, ku ushtarët dhe oficerët e kufirit e rrethit të Shkodrës, pasi e lidhën me tel, e dërguan në Degën e Brendshme, ku për 24 orë nuk i dhanë as bukë për të ngrënë, e më pas e nisën për në qytezën e Shijakut ku ishte “Qëndra e Filtrimit” të emigrantëve.

E gjithë aventura e djaloshit 20 vjeçar nga Kosova që Sigurimi i Shtetit e akuzonte se: ishte agjent i UDB-së, që e kishte dërguar me mision sekret, Çedo Topalloviç, kryetari i UDB-së për Kosovën, për t’u takuar me Kundëradmiralin e Flotës Luftarake, Teme Sejko dhe torturat ç’njerzore që i’u bënë atij në Degët e Punëve të Brendshme të Lushnjes, Krujës, Tiranës etj., ku atë e mbanin të izoluar dhe i kërkonin që të bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, duke i nxjerrë si dëshmitarë, bashkëpatriotë të tij nga Kosova, dhe refuzimi i tij, që bëri që ai të kalonte plot 20 vjet në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Shkrimet që publikohen nga Memorie.al, janë përzgjedhur nga libri i tij, ’20 vjet në burgjet e Enver Hoxhës’ botuar nga Shtëpia Botuese “UEGEN”, Berat, 1995.

Dëshmi e guximit qytetar, dëshmie e gjallë e një vuajtje njerzore krejt e pashpirt, një arkiv që i vlen të sotmes dhe të nesërmes.

Vrapojnë para teje skena burgu, personazhe të ndershëm dhe kanibale, njerëz të thjeshtë dhe ti mbetesh i tromaksur nga një veprim kaq i ulët, kaq pa dinjitet dhe profan i administratës komuniste.

20 vjet në burgjet komuniste të Enver Hoxhës! Autori nuk e barazon kurrë diktatorin me Shqipërinë. Zhgënjim total i një djaloshi që vrapoi drejt yllit të dashurisë së tij, nuk është i vemtuar. Të gjithë patën thuajse të njëjtin fat. Një durim i pashoq, një vullnet i paepur e një psikologji e larme e plot ngjyra dramatike, një lodhje e përbindëshme.

Ja cili është ky libër i Nazmi Berishës.

Personazhet janë të vërtetë.

Secili le t’i falet perëndisë së vërtetës.

Xhevahir Lleshi

Vijon nga numri kaluar

Gjykimi im i dytë, në Lushnje

Një gjyqtare dhe dy ndihmëse, vendosin 5 vjet. Pyetje të thata. Ke tentuar të ikësh nga Shqipëria? Po. Pse? Sepse jam nënshtetas jugosllav. Kam kërkuar dhe s’më janë përgjigjur nga Ministria e Punëve të Brendshme. Dëshiroj të riatdhesohem dhe të jem pranë prindërve. S’kam asnjë motiv tjetër. Atëherë 5 vjet burg. Krisëm e thatë. Pjesa mbaroi, dhe priteshin duartrokitjet dhe ato nuk munguan. Trupi gjykues, u përul si aktorët dhe u larguan. Në të vërtetë unë u gëzova që u dënova 5 vjet. Nga data 16.7.1975. gjer në fundin e gushtit më mbajtën në birucë. Pastaj më çuan në një dhomë ku ishin 6 të burgosur ordinerë. Vendosa të mos flisja. Pyetjeve të tyre u përgjigjesha vetëm “Jugosllavia” dhe vetëm kaq.

Ky ishte një vendim i brëndshëm dhe jo se vija nga teatri i kukullave. Kujtuan se nuk dija shqip. Jetë njerëzish ka, por jeta e të burgosurit ndryshon. Të gjashtë ata ndryshonin nga njëri tjetri. Përballë dhomës sonë ndodhej një i burgosur i rëndësishëm. Një ish drejtor ferme i dënuar me vdekje. I ziu kur kishte martuar vajzën, krushqit i kishte shëtitur me autobuz. Ndërkaq në hetim dhe gjykim, dilte se ai kishte qenë pjestar i grupit të Teme Sejkos. Dëshmitar Nasho Gërxho. D.m.th Nasho qenka ende në burg. A nuk është ky një subjekt për teatër kukullash? Veçse me role të ndërruara, pasi kukullat poshtë të flasin e t’i ndërrojnë njerëzit në skenë. Dhe po kështu një lojë kukullash ishte dhe rasti i një elektriçisti komunist, që për fajin e tij kishte vdekur një vajzë dhe ai ishte dënuar me një vit. Teatri i kukullave vazhdonte lojën e tij.

Në burgun e ri të Tiranës, hera e dytë

Me t’u dërguar në Burgun e ri të Tiranës, më vendosën në një dhomë me politikanë, siç quheshin të burgosurit politikë. Me mua po luhej një nga aktet e teatrit absurd. Aktori kryesor ishte Fatos Lubonja, i biri i Todi Lubonjës, që ishte edhe vetë në rol. Skena e madhe ishte burgu i ri i njohur për lexuesin. Skena e vogël ishte dhoma jonë. Fatosi i bënte monologët e gjatë. Ambasadori Frashëri, Haki Sllatina, dhe unë ishim në role episodikë. Nuk e di a e shikonte kush shfaqjen tonë. Akti i parë i saj ishte gjyqi i Todi Lubonjës dhe Fadil Paçramit. Preludi kishte qënë një dramë e Fadilit dhe spektatorja Pranvera Hoxha, e bija e faraonit modern shqiptar, qe krejt e pakënaqur! Dekori i shfaqes së këtij teatri absurd ishte grisur.

Subjekti i pjesës ishte jashtëzakonisht i shtrenjtë. Todi Lubonja punonte në TVSH si drejtor. Një shok i tij me emrin Mihallaq, kishte treguar nga e keqja, se Todi mbante të fshehur prozën e shkruar nga i biri Fatosi, në Milot, kundër regjimit. Ku ishte proza e shkruar? Të gjëndet menjëherë? Të dy djemtë e Todit, në burg. Todin po ashtu. Torturat të ndryshme e nga më të rëndat. Todit, i kërkohej dhe atij një dorëshkrim i fshehur. Me siguri halucinacionet e Todit në hetuesi, duke dëgjuar torturat ndaj bijve të tij. Jepet vendimi. Fatos Lubonja, 10 vjet. Të mëdhenjtë edhe më tepër. Gjueti shtrigash dhe inkuizicion. Por pjesa sigurisht nuk kishte mbaruar. Kërkoheshin figurantë të tjerë. Dhe gjëndeshin.

Nga gjithë ky teatër absurd nuk e harroj dot Fatos Lubonjën dhe mendimin e tij të pastër e të kulluar. Po Jani Gjini, arsimtar korçar që kishte qënë partizan, ç’rol luante. Ishte krejt pa lidhje me subjektin e mëparshëm, por pjesë përbërëse e të tërës. Partia kishte nisur të hante vetveten dhe të shqyrtonte plagët e saj. Por së jashtmi të ruante freskinë dhe bukurinë e saj. Rreth kësaj ideje silleshin dhe aktorët e teatrit absurd. Ndaj ishte në burg dhe Jani Gjini, i cili kishte punuar si mësues në Kosovë. Arrestohet në vitin 1948 si informbyroist dhe internohet në Goli Otok. I bëjnë presione për të ndarë gruan serbe. Por ajo i qëndron besnike. Pas burgut, vjen nga Kosova në Shqipëri, në Korçë. Në vitet ’70-të, burgoset si qindra intelektualë të tjerë, pasojë e vizitave që intelektualët, i bënin në shtëpi.

Akti i tretë, ishte i shkurtër pa komplikime. Një djalosh minoritar grek, paska dashur që të arratisej në Greqi. 12 vjet burg. Dhe aty në burg vizaton një vajzë nudo. Gjyqi dhe dënimi me 10 vjet të tjera. U harrua ajo që ndodhi me Paçramin dhe Lubonjën. Dhe ky djalosh na bënka vepra pornografie! Degjenerim borgjezo revizionist. Po në këtë akt u dënua dhe Bashkim Fishta nga Tiranë, i ardhur nga Dibra e Madhe. Dënohet 15 vjet. Dhe dy djem të rinj nga Korça, që tentuan të arratiseshin në Jugosllavi, me 12 dhe 15 vjet burg!

Perdja bie.

Fillonte një tjetër shfaqe e re. Katër pesë muaj në Sanatoriumin e Tiranës. Pastaj nga Burgu i Tiranës drejt Ballshit. Meditoja rreth kësaj shfaqjeje gjigande të teatrit absurd enverian!

Pandeshmëri klasike

Në burgun e Ballshit

E dija ku binte Ballshi prej të burgosurve. Por Ballshi më kishte mbetur në mëndje se aty ishte internuar Koço Tashko. Tani do ta shihja vetë uzinën e naftës, të ndërtuar prej kinezëve. Aty ishin veçuar vëndasit nga të huajt. Dhe të huajt përpos ndonjë jugosllavi apo greku, ishin shqiptarë të Kosovës. Në atë burg mund të gjeje të vërtetën e tragjedisë. Këto jetë, Sigurimi në bashkëpunim me UDB, i kishin bërë copë e çikë. E ç’rëndësi kanë kuzhina, buka, qelia, shokët, brenga vetiake? Asgjë nuk të hynte në sy sepse të burgosurit e Ballshit, përveç telit me gjëmba, ishin të rrethuar me terrorin shpirtëror të brerjes së ndërgjegjes. Në atë burg mund ta shihje pandershmërinë klasike të regjimit të Enver Hoxhës ndaj nesh. Atë që ta linte mangut UDB-ja, ta kompesonte me zellin më të madh Sigurimi. Edhe po të ndodhte që nuk kishe rënë në duart e UDB-së, ti duhet të ishe 100 herë më i keq, përderisa nuk ke qënë vegël e tyre. Torturat ishin pranë meje me tërë “magjinë” e dhunës. Mirëpo ti i nderuar lexues, kërkon të dish diçka më shumë?

Sepse unë ju përshkrova dekorin tani më mbetet skena. 50 veta në dhomë, 1 herë në 15 ditë laheshim, berberi ishte nipi i Hysni Kapos, i dënuar për agjitacion dhe propagandë. Infermierja me veprat e Enver Hoxhës, që niste leximin në orën 8. Pastaj çaji, pak sheqer, supa, 700-gram bukë, apeli, gjumi. Ju do t’i njihni ata që kanë jetuar në Ballsh dhe jam i bindur se do të më jepni të drejtë. Stasi, një komunist grek i ardhur nga Greqia, një poliglot, na lexonte veprat e diktatorit. Dhe fshehurazi, mbante shënime për të burgosurit. Por në këtë pikë s’kishte faj, pasi e kishte përkulur kurrizin para padronëve komunistë të Tiranës. Jeta e tij e paraburgut. Ai ishte mësues në një shkollë muzike dhe në vitin 1973, i vunë prangat. E akuzuan si agjent grek. Ai dorëzohet para torturave. Që t’i shpëtojë dënimit me vdekje, duhet të bashkëpunoje me Sigurimin. Dhe Stasi duke lexuar veprat e faraonit shqiptar, mbante shënime sekrete. Erdhi një ditë dhe vdiq. Mjeku, Muhamet Kosovrasti, nuk e ndihu. Erdhi operativi me emrin Gjergj dhe përgjegjësi i komandës, për të mbledhur atë çka kishte ngelur nga hija e tij. Tani veprat e faraonit do na i lexonte Beqir Ibra, agronom, që u bind për kërkesën tonë. Për mua Stasi, shënonte se nuk isha i kujdesshëm gjatë leximit, për Thoma Nasin, që shkonte shpesh në ËC, për Hysen Bukoshin që kërcënonte Stasin, për Esat Myftarin që qeshte me sarkazëm. Nuk i përmënd dot të gjithë. Beqir Ibra, agronom nga Peja, i punësuar në Fushë Krujë dhe na lexonte veprat. O Zot leximi i veprave ishte një torturë e vërtetë. Por le të kthehemi tek Beqiri. Fati e njohu me një femër. Njeriu aq më tepër i beson vajzës që mendon se e don. Ajo qënka veshi i Sigurimit. Ah ti dashke që të kthehesh në Jugosllavi? Të çojmë ne. Arrestohet dhe siç kuptohet, dënohet 5 vjet burg. Torturën e dyfishtë të pafajësisë dhe të njeriut të besuar të komandës me siguri e vuante dyfish.

Selami Tetova, i njohur tashmë, është bashkë me mua sërish në burgun e Ballshit. Thjesht për agjitacion e propagandë dhe për tentativë arratisjeje. Ngjarja dramatike që e pati futur brenda për së dyti, është kjo kur ishte në Çermë, kishte shkuar në Lushnje, atje kërkoi kripë për të blerë. Pyeti në të gjithë dyqanet dhe kripë nuk gjeti. Shqipëria që e prodhonte kripën vetë qënkej bërë keq për kripë. Pesë vjet, m’u në lule të ballit. Faji i kripës dhe kurrgjëje tjetër. Donte të kthehej në Jugosllavi, por vallë do ta linte kripa?

Image

Selim Xhaka, dëshmitari im i parë, ende në burg? Po shqyeja prej habie. Njeri analfabet. Kur i patën mbetur edhe 15 ditë, e kishin thirrur për ta liruar (siç i thanë) dhe me dëshminë e Adem Mujës nga Plava, Rexhep Gilës nga Tuzi, greku Stasi dhe Kadri Asllani nga Ferizaj, i dënojnë me 10 vjet të tjera për agjitacion e propagandë.

Selami Daci nga Dibra e Madhe, i biri i Ramiz Dacit, i ardhur me parashutë nga Perëndimi ku kishte shkuar pas Luftës së Dytë Botërore, i kapur dhe i dënuar me vdekje dhe për “humanizëm”, i ulur në 25 vjet. I ziu Selim, edhe pas burgut, një internim: Savër e Lushnjes.

Lubo Panov, maqedonas, nga Ohri, dikur i ri, por dhe sakat, e kështu kalon kufirin për në Shqipëri. Përfundon në Seman. Tenton të arratiset dhe siç kuptohet, e dënojnë me 25 vjet si spiun të Jugosllavisë. Ishte kokë më vete. Për të qarkullonin plot fjalë, por ndër to shkëlqente një kurth ndaj Sigurimit, d.m.th., sigurimsave të burgut. I shkon ndërmend që edhe Ministrinë e Brendëshme, ta lejë pa gjumë. Atëhere qe në Vlorë. Shkruan një letër dhe kur del në oborr, tinës rojeve, e hedh letrën në tokë dhe kur vëren se roja po e shikon e merr letrën shpejt e shpejt e fut në xhep. E marrin Lubon dhe e çojnë në birucë dhe i’a marrin letrën ku thuhej se pa vonesë, do të vinte ndihma nga Jugosllavia, për t’i liruar të burgosurit. Pyetjet e Lubos. Klithmat. Jargët e inatit. Hipotezat. Rrahjet. Klithmat. Rroftë Tito. Pagjumësia e Sigurimsave dhe deri lart. Edhe në Burrel, Lubo Panovi e kishte lënë pas një peng. Si premtim i mishit të munguar, i japin një vezë. Lubo e mban 21 ditë vezën nën sqetull, deri sa më në fund prej vezës del zogu. Dhe tromaksi gjithë burgun. Atëherë me atë zog mund të bëhej supa. Eh, Lubo.

Image

Jani Foqiano, grek, nga Athina, ardhur ilegalisht në Shqipëri në vitet ‘50-të, dënuar me 20 vjet si spiun i Greqisë. Qe martuar me një minoritare, vitet e para, dhe pati lindur tre fëmijë. Pati fat me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizërenit, ai lirohet (si presion i qeverisë greke), duke u këmbyer me eshtrat e Hasan Prishtinës.

Ramë Sejda nga Peja, ishte një tjetër lojë e pandershëmrisë klasike që bënte Sigurimi i Shtetit të tillë, që historia nesër do t’i shkruaj. Rama, dajat i kishte në Tropojë, pasi i vdes i ati, e motra, Ajnishahja, ikën në Shqipëri diku në vitet ’50-të. Më vonë ikën edhe Rama me nënën dhe vëllanë. Meqë s’donte as kryet ta kthente, pasi merr edhe dy macet, e kur i afrohet kufirit, njëra nga macet i ikën, por ai nuk don ta lejë atë në Jugosllavi. Kështu e kap patrulla ushtarake e Jugosllavisë dhe e dënojnë. Pas burgut, kërkon zyrtarisht që të vijë në Shqipëri. E lejojnë të dy shtetet.

Kur hyn, o tmerr! Dajat të dënuar politikë, e motra nga Llakatundi i Vlorës në Çermë dhe më pas në burg, martuar me një pejan (Kadrush Kastrati), madje me një fëmijë. Merre nënën dhe vëllanë e shkon në Ministrinë e Punëve të Brendëshme, kërkon kthimin në Jugosllavi. Nënkuptohet se ç’ndodhi, e arrestojnë dhe e dërgojnë në Berat, dënohet shtatë vjet. Nënën në spital, vëllanë ja dënojnë me disa muaj, për ikje pa leje nga vëndi i internimit. Por Rama nuk jepet. Kryen grevën 40 ditëshe të urisë, motra me burrin dhe fëmijët, pas dënimit shkon në Jugosllavi dhe prej andej në Belgjikë.

Image

Nën kujdesin e motrës, gjejnë shtëpi e katandi duke u kthyer kështu në Pejë. Por për asgjë, nuk i vinte keq Ramës, për një gjë se; pse e donte ende atdheun?! Shqipëria kurrfarë faji s’më ka, faji ishte tjetër kund. Njeriu i ndershëm paguante pandershëmrinë klasike të Enver Hoxhës ndaj Shqipërisë dhe viseve shqiptare, e posaçërisht Kosovën! /Memorie.al 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat