Akuzën “agjent i Francës”, nuk e pranoi kurrë, edhe pse mbi trupin e tij u ushtruan tortura

Historia

Akuzën “agjent i Francës”, nuk e pranoi kurrë, edhe pse mbi trupin e tij u ushtruan tortura

Nga: Albert Z. Zholi Më: 16 mars 2021 Në ora: 08:13
Jusuf Vrioni

Jusuf Vrioni përkthyesi i rrallë dhe intelektuali me dinjitet

- Si përballoi 13 vjet burg në kampet dhe burgjet më të përçudnuara të Shqipërisë

- Ndaj tij u ushtruan tortura nga më të rëndat, madje edhe famëkeqja “torturë e jelekut”

-Punoi me kazëm në tharjen e kënetës së Maliqit dhe në ndërtimin e Aeroportit të Rinasit

- Ismail Kadare: Vrioni, një transmetues i fuqishëm i kulturës tonë në botë

- Pasi e dënoi Enver Hoxha i dhuroi me dedikim librin “Hrushovianët"

(Me rastin e 105-vjetorit të lindjes 16 mars 1916)

(Sipas miqve të tij dhe kritikëve të artit ai mbetet Aristokrat i dijes’, njeriu i vullnetit të pathyeshëm, njeriu i papërkulur përpara punës, filozofi dhe mendimtari i madh).

Një jetë e rrallë

Jusufi lindi në Korfuz i biri i Iljaz bej Vrionit dhe Xhemile hanëm Dinos. Vitet e tij të para i kaloi në Korfuz e më pas në Berat. Pas emërimit të babait të tij, Ilias Bej Vrioni, si Ministër i Jashtëm dhe Ministër i Plotfuqishëm në Paris, familja e tij u shpërngul në Paris më 1925. Ciklin e ulët dhe të mesëm arsimor Jusuf Vrioni e kreu pranë Liceut Janson de Sailly, Paris dhe atë të lartë në Grande École des Hautes Études Commerciales dhe në Institut d'Études Politiques të Parisit. Më 1939 rikthehet në Shqipëri por shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore e detyron të shpërngulet po atë vit në Romë pranë të vëllait. Rikthehet në Tiranë më 1943. Më 13 shtator 1947 arrestohet nga regjimi diktatorial dhe akuzohet për spiunazh dhe agjitacion e propagandë. Prej shkurtit 1949 e deri më prill 1950 burgoset në njërën prej shtatëmbëdhjetë qelive famëkeqe të Koçi Xoxes. Në korrik 1950 denohet me pesëmbëdhjetë vite heqje lirie dhe punë të detyruar, pjesë të dënimit e kaloi në burgun e Burrelit. Lirohet në fund të vitit 1958 dhe internohet ne Fier për një periudhë disamujore. Më 1960, për nevojat propagandës ndërkombëtare të regjimit diktatorial, emërohet në Tiranë si përkthyes.

Thënia e famshme e intelektualit mendjendritur

“Më mirë bëji vetes keq, se sa tjetrit, ky ishte një nga parimet e Vrionit”, ka theksuar Edmond Tupja, përkthyesi, i cili ka punuar për vite me radhë me njeriun, i cili edhe pse shumë i nxënë në dije, i diplomuar në Drejtësi dhe Studime të larta tregtare në Francë, me Doktoraturë në Jurisprudencë në Itali, vuajti 13 vjet burg në kampet dhe burgjet më të përçudnuara të Shqipërisë. Akuzën “agjent i Francës”, nuk e pranoi kurrë, edhe pse mbi trupin e tij u ushtruan tortura nga më të rëndat, bile edhe famëkeqen “torturë të jelekut”. Punoi në tharjen e kënetës së Maliqit, në ndërtimin e Aeroportit të Rinasit, dhe ndërroi disa herë kampet e përqendrimit dhe qelitë e burgut.

Shpifje dhe hipokrizi në akuzat për dënim

.E pabesuehsme! Një realitet i hidhur i paprecendet.,. Më 13 shtator 1947 u arrestua nga regjimi komunist, me akuzën “për faje penale kundra Popullit dhe Shtetit, si anëtar i organizatës trathëtare Social- Demokrate dhe si agjent i spiunazhit Francez në Tiranë”. Pas hetuesisë tejet të vështirë më shumë se njëvjeçare, Jusuf Vrioni u dënua nga Gjykata Ushtarake e Tiranës, më 8 korrik 1950, me 15 vjet privim lirie dhe punë të detyrueshme për aktivitet spiunazhi në shërbim të Francës dhe lidhje të ndryshme me të huajt, aktakuzë e ngritur dhe firmosur nga Ministri i Punëve të Brendshme, Mehmet Shehu. Po në aktakuzë shkruhej se: “Përpara hetuesis, ka mbajtë një qëndrim nga më armiqësorët, duke qëndruar shumë i vendosur në rrugën e trathtisë dhe duke mos pranuar asnjë nga akuzat që i atribuoheshin, por ma e keqja asht se n’asnji mënyrë nuk përgjegjesh rreth pyetjeve që i bëheshin, duke pretenduar se këta janë pyetje pa vend dhe të shkëputura, me nji fjalë kërkonte që hetuesija të ndjeki një formë proceduriale t’atillë që dëshironte ky, dhe këtë e bante gjithmonë ni nji, kohe kur vehesh në pozita të vështira dhe kur nuk kish ndonjë bazë mbrojtjeje”. Dënimin e kreu në burgun e Burrelit. Pas lirimit nga burgu dhe internimit në Fier, në 1960 u emërua përkthyes në Tiranë, në shtëpinë botuese “8 Nëntori”, ku përktheu në gjuhën frënge veprat e Ismail Kadaresë, Enver Hoxhës, libra të regjimit e propagandës… Jusuf Vrioni u ndoq për 27 vjet me radhë nga Sigurimi i Shtetit, në përpunim 2/A dhe 2/B, që nga 29.2.1964 deri më 28.04.1991, kohë kur dosja u arkivua. Në dokumentet e dosjes së përpunimit nr. 1452, citohet: “Është shtresë e pasur feudale, babai i tij ka qenë kryeministër si dhe ministër fuqiplotë (ambasador) në Francë në kohën e Zogut. Vetë ka qenë me Legalitetin dhe mbas çlirimit është dënuar me burg, si spiun i francezëve. Është anëtar i “Partisë Popullore”. Ka tendenca zogiste. Miqësi me ministrin (ambasadorin) anglez. Vrioni ka shprehur rezerva për Gjyqin Special ndaj “kriminelëve të luftës” dhe e ka cilësuar si inkompetent, “ku ligji është zbatuar arbitrarisht”. “Ka pasur kritika për mungesë lirie të shtypit; administratë të pashkolluar, dhe ka kërkuar nga misionet e huaja që të mos e njohin qeverinë e dalë nga zgjedhjet.” Po sipas raportimeve, Vrioni dyshonte në drejtësinë e gjyqeve komuniste. Sipas tij, njerëzit janë marrë në qafë për një fjalë goje, se kanë shprehur mendimin e tyre të lirë… “se nga torturat, të gjithë e kanë dhënë nga një fjalë. Demokracia e vërtetë nuk vendoset me burgje dhe vrasje”. Veç Vrionit, mbi 17 veta të rrethit të tij mbaheshin në vëzhgim. Dosja e përpunimit e Isuf (Jusuf) Iliaz Vrionit është deklasifikuar nga AIDSSH më 21.1.2019. Të interesuarit mund të njihen me përmbajtjen e saj, në përputhje me ligjin 45/2015. Dosja e përpunimit të Jusuf Vrionit zë fill filluar në 29 shkurt 1964. Në materialet e përgatitura nga oficerët e sigurimit të shtetit dhe Degës së Punëve të Brendshme emri i Jusufit është shkruar gjithmonë Isuf. Në materialin Tepër Sekret që i paraqitet zv/Drejtorit të Punëve të Brendshme N/Kolonel Koço Panos mes të tjerash për Jusuf Vrionin thuhet: “Qëndrimi politik gjatë regjimeve të kaluara ka qenë pro tyre dhe u ka shërbyer me besnikëri, ka qenë familje e pasur feudale, ka pasur çifligje, dhe funksione shumë të rëndësishme në ato regjime”. Më poshtë akuzat vazhdojnë: “Mbas daljes nga burgu Isufi vazhdon të mbajë pozicion armiqësor. Është armik i betuar i pushtetit tonë popullor”. Në një material tjetër e cila titullohet “Ustanofka e Isuf Vrionit” thohet “Gjatë luftës Isufi nuk ka mbajtur qëndrim të mirë. Në vitin 1945 kohë kur sapo ishte çliruar Shqipërija ky fillon aktivitetin e tij armiqësor kundër Pushtetit Popullor dhe në vitin 1946 lidhet dhe me njerëzit e Unros. Isuf Vrioni din gjuhë të huaja, inglisht, frëngjisht dhe italisht”. Dhe përsëri në një faqe tjetër, material i propozuar nga punëtori operativ kapiten Shyqyri Karemani, shkruhet: “Duke parë rrezikshmërinë që paraqet, Isuf Vrioni si armik i betuar i Pushtetit Popullor dhe që ka aktivitet aktual, propozojmë që ta marrim në përpunim 2/A”. Në një akt-akuzë të vitit 1949 drejtuar Degës VII të Sigurimit të Shtetit shkruhet: “Akuzohet se: Mbas çlirimit të vendit ka mbajtur qëndrim armiqësor duke u lidhur gjithmonë me elementë reaksionarë, aq më tepër me anëtarë të misioneve ushtarake të huaja, si me Varta-Ousin, RobinsoninThoma Stefanin, Toger Lombardin dhe nën/togerin Koshei me të cilët takohesh përditë në tenis-nallban, gjoja për qëllime loje, bashkë me shokë të tjerë Agostin Bonatin, Skënder Konicën, Skënder Shkupin, Fatlum Vilën, Zafer Vilën, Agap Papajanin, Aziz Vrionin e të tjerë dhe bisedonin për çështje politike dhe u jepnin informata këtyre mbi gjendjen e vendit dhe merrnin udhëzime prej tyre se si të vepronin në punën e përditshme kundër interesave të vendit, duke paraqitur një ndërrim të situatës nga një zbarkim i shpejtë i Anglo-Amerikanëve”.

Më 3 dhjetor 1959, mbas 12 vjetësh burg Jusuf Vrioni fiton lirinë

Në 1960 u emërua përkthyes në Tiranë, në shtëpinë botuese “8 Nëntori”. “Kam kënaqësi kur gjej vështirësi në punë, se puna e mirë nuk del kollaj”, u thoshte gjithnjë kolegëve të tij, Jusuf Vrioni, i cili kur doli nga burgu punoi si përkthyes në ish-shtëpinë botuese “8 Nëntori”. Në këtë shtëpi, ku përktheheshin veprat e Enver Hoxhës dhe vepra të Partisë së Punës së Shqipërisë, Jusuf Vrioni, punoi deri sa doli në pension në vitin 1990. Aty ai ndërtoi jetën, aty kishte miqtë e tij, aty do të mësonte me dashamirësinë e tij edukatën e punës tek kolegët, të cilën e kishte në çdo shqisë të tij. “Intelektual i një niveli të mirëfilltë, një nga mendjet e rralla enciklopedike në Shqipëri, Ai, ishte njeriu”, thotë përkthyesi Edmond Tupja.

Si i dhuroi Enver Hoxha me dedikim librin “Hrushovianët"

Një ngjarje e rrallë. Në librin “Kujtimet e një evropiani”, përgatitur nga shkrimtari francez Eric Fay, Jusuf Vrioni shkruan: “Një ditë tetori të 1980-ës më thirri drejtori në zyrë, ku ndodhej një përfaqësues i Komitetit Qendror, i cili donte të më takonte. “Pa shihni!,- më tha ai sapo hyra, dhe më dha një kopje të përkthimit frëngjisht të “Hrushovianëve” të Enver Hoxhës. Lexoni çka brenda!”, – vazhdoi ai. Pasi ktheva faqen e parë, vura re, me habi të madhe, një kushtim nga vetë autori. Njëshi i partisë dhe i shtetit, udhëheqësi historik i Shqipërisë socialiste më përgëzonte për përkthimet e mia”.

Roli i tij në veprat e Kadaresë

Në fillim të viteve '60, Vrioni u njoh dhe u miqësua me shkrimtarin Ismail Kadare. Duke çmuar pasurinë gjuhësore dhe vlerën e veprave të Kadaresë, Vrioni e vuri talentin e tij si përkthyes në shërbim të këtij shkrimtari. Kësodore gjatë orëve të lira i përktheu veprat e tij thjesht për kënaqësi. Ndër përkthimet e tij të para numërohet Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur i Ismail Kadaresë, i cili më vonë u botua në Paris. Ndërkaq, emri i tij si përkthyes do të fillonte të figuronte nëpër botimet në Francë vetëm në vitet 1980. Të gjitha veprat e Ismail Kadaresë, të botuara në Francë, mbajnë përkthimin e Jusuf Vrionit. Dhe Vrioni ka padyshim peshë të rëndë në suksesin që shkrimtari i njohur i Shqipërisë, ka patur në një nga vendet më sqimtare në kulturë.

Ismail Kadare: Vrioni, një transmetues i fuqishëm i kulturës tonë në botë

Ai ishte një transmetues i fuqishëm i kulturës shqiptare në botë dhe kjo e ka bërë Ismail Kadarenë që gjatë një interviste në emisionin “Opinion” të thotë: “Jusuf Vrioni do të kujtohet gjithmonë në kulturën shqiptare. Ai ishte një fenomen i rrallë, jo vetëm për kulturën shqiptare, por në përgjithësi. Një transmetues kaq të fuqishëm në botë i një letërsie e një kulture, është shumë e rrallë të gjendet qoftë dhe në vende të tjera. Ai ishte përçuesi më i madh që ka njohur letërsia shqiptare në të gjithë shekujt, përçuesi më i madh i letërsisë sonë në botën e jashtme. Unë e kam njohur në vitin 1962, sapo ishte fejuar dhe m’u ofrua duke më thënë nëse doja që të përkthente veprën time. Përkthimi i veprave të mia ishte nismë e Jusuf Vrionit edhe pse ai e dinte se nuk do të vihej emri i tij si përkthyes. Madje dhe botimi i “Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur” në Francë gjithashtu ishte një nismë e tij”.

Pozicioni i tij në vitet post komunsite

Emri i tij si përkthyes do të fillonte të figuronte nëpër botimet në Francë vetëm në vitet 1980. Rreth fundit të viteve ’80, Jusuf Vrioni nisi të gëzojë famë si përkthyes si pashoq në qarqet intelektuale dhe artistike të kryeqytetit. Në vitet e para të Shqipërisë post-diktatoriale, Jusuf Vrioni, falë staturës së tij si intelektual, angazhohet në qarqet e shoqërisë civile dhe për një kohë shërben si Kryetari i Kominetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. Kriza e vitit 1997 e detyron të largohej nga Tirana dhe të rikthehej në Paris. Më 1998 emërohet Ambasador i Republikës së Shqipërisë në UNESCO Si ambasador i Shqipërisë pranë UNESCO-s, Vrioni, ndonëse i thyer në moshë, nuk do të rreshte asnjëherë të punonte. Libri i tij, “Botë të fshira”, i shkruar direkt në gjuhën frënge, njohu sukses të padiskutueshëm në qarqet intelektuale pariziene. Për kontributin e tij të pasur në gjuhën frënge, Më 22 maj të këtij viti, dekorohet nga Republika Franceze me urdhrin “Chevalier de la Légion d’Honneur”, ashtu si dikur i ati, Ilias Bej Vrioni, ish dekoruar në fund të viteve 1920 me urdhërin “Grand Officier de la Légion d’Honneur” nga Republika Franceze.

Përjetësia dhe kthimi i trupit në atdhe

Jusuf Vrioni ndërroi jetë në Paris në maj 2001 ndërsa shërbente si Amabasor i Republikës së Shqipërisë në UNESCO. Një avion special e solli trupin e të ndjerit Jusuf Vrioni në Tiranë, më 1 Qershor 2001. Shkrimtari francez Eric Faye laureati i Çmimit të Romanit të Akademisë Franceze, do të shkruante: “Amaneti i fundit i shqiptarit dhe intelektualit erudit, evropianit të shquar të shekullit që sa kaloi, njeriut që ia doli mbanë të kalonte nga Sharibda në Shilla, mjeshtrit të talentuar të gjuhës së Balzakut e Bodlerit, përkthyesit të madh të Kadaresë, ish të prehej përfundimisht në vendin e tij, në Shqipëri, aty pranë varrit të së ëmës, e cila e kish dashur aq shumë …”.

Një avion special e solli trupin e të ndjerit Jusuf Vrioni në Tiranë, më 1 Qershor 2001. Intelektual i mirëfilltë, i nderuar me Medaljen e Madhe të Frankofonisë, me Urdhërin Kalorës i Arteve dhe Letërsisë, me Urdhrin e Legjionit të Nderit, ai mbante dhe titullin Qytetar Nderi i Qytetit të Arles. Jusuf Vrioni, njeriu që jeta e goditi shumë dhe që pati atë mirësi dhe forcë karakteri për ta përballuar, luajti një rol të pakrahasueshëm në njohjen e letërsisë shqipe në botë, duke i sjellë kështu një shërbim të madh kombit shqiptar. Këtë shërbim ai ia bëri në kohën, kur kombi kishte nevojë më tepër se kurrë të çante izolimin e tij politik e kulturor. Për këtë kultura shqiptare do t’i jetë gjithnjë mirënjohëse.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat