86 vjet nga vdekja e ish-kryeministrit të Shqipërisë

Historia

86 vjet nga vdekja e ish-kryeministrit të Shqipërisë

Më: 17 mars 2021 Në ora: 07:43
Arkiv

Iljaz Vrioni u lind në Berat në vitin 1882 dhe vdiq në Paris, më 17 mars 1932. Ai ishte latifondist, nëpunës, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, kryeministër, disa herë ministër dhe diplomat i shtetit shqiptar.

Për kontributin e tij të pasur në marrëdhënie ndërkombëtare është dekoruar nga Republika franceze në vitet 1920 me urdhrin e lartë Grand Officier de la Legion d'Honneur.

Mësimet e para i mori në vendlindje, të mesmen në Janinë, kurse shkollimin e lartë në shkollën e lartë të administratës në kryeqytetin e perandorisë, ku u diplomua më 1905.

Më 1909 - 1911 shërbeu si kryebashkiak i Beratit. Më 1912 delegat i Kuvendit të Vlorës, ku u zgjodh dhe anëtar i Pleqësisë. Më 1914 anëtar i delegacionit shqiptar që i dorëzoi kurorën Princ Vidit. Më 1914-1918 qëndroi në Korfuz ku e shoqja, Xhemile Dino, lindi djalin e tyre, Jusufin.

Më 1920 ishte delegat i Beratit në Kongresin e Lushnjës, ku në qeverinë e dytë të dalë pas këtij Kongresi ishte kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme.

Iljaz Vrioni ishte gjetje kompromisi mes palëve, qeveritë e tij disamujore u përqendruan në politikën e jashtme për njohjen e plotë të pavarësisë së plotë të Shqipërisë dhe fqinjësinë e mirë. Zgjidhet deputet i prefekturës së Dibrës 1921-1922, zëvendësohet më 1922.

Pas ndërhyrjes së ushtrisë serbe më 1921, u krijua qeveria e dytë e tij në korrik si koalicion mes dy partive më të mëdha, Partisë Popullore dhe asaj Përparimtare - pjesë e së cilës ishte atë vit. Ambicia e disa njerëzve shkaktoi në tetor të po atij viti një interpelancë që rrëzoi qeverinë.

Më 1923-1925 rizgjidhet deputet, tashmë i prefekturës së Beratit. Tashmë ishte përfaqësues i grupit të pavarur. Emërohet në qeverinë Vërlaci, ministër i Jashtëm dhe më pas kryeministër për dhjetë ditë para se të ndodhte Lëvizja e Qershorit. Largohet nga Shqipëria, pasi qeveria Noli e shpall në kërkim për arsye politike.

Rikthehet me Triumfin e Legalitetit, shërben si ministër i Jashtëm në periudhën tranzitore dhjetor 1924 deri në janar 1925 kur emërohet Imzot Gjergj Koleci.

Rikthehet si ministër i Punëve të Jashtme që më 12 shkurt 1927 dhe deri më 18 prill 1929, në një periudhë brenda së cilës kryen si zëvendës edhe detyrën e ministrit të Drejtësisë. Nga 1929 e deri në vitin 1932 ishte ministër fuqiplotë në Britani dhe Francë për së dyti pas periudhës 1925-1926.

Ndërron jetë nga infarkti në Paris dhe u varros në Berat. Në vitin 1946, regjimi do të zhvarroste eshtrat e ish-kryeministrit për t'i hedhur në lumin Osum të Beratit. Eshtrat vazhdojnë të mbeten të humbura duke e lënë pa varr.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat