Mitet e festës kombëtare greke të 25 Marsit 1821

Historia

Mitet e festës kombëtare greke të 25 Marsit 1821

Nga: Arben Llalla Më: 20 mars 2021 Në ora: 20:33
Arben Llalla

Çdo 25 mars Greqia organizon paradë ushtarake dhe parakalim të nxënësve të shkollave ku bien në sy vajzat me minifunde. Ky lloj organizimi për nder të festës kombëtare të Kryengritjes të vitit 1821, nuk ka asnjë lidhje, as respekt për heronjtë, as si një kujtim për ta nderuar të kaluarën heroike, por thjesht ky shtet do të tregojë madhështinë e ushtrisë greke dhe kulturën e brezit të ri. Një organizim i këtillë nënvlerëson idealin e lirisë për atë që quhet Revolucion i vitit 1821 për çlirim, por që në të vërtetë ishte kryengritje për uljen e taksave dhe grabitjet e anijeve tregtare osmane.

Caktimi i 25 Marsit si festë kombëtare u kumtua më 15 mars 1838 nga ministri i Arsimit dhe i Fesë, Gjeorgjios Glarakis në bazë të Dekretit mbretëror 980, me të cilin kjo ditë shpallej përgjithmonë si festa kombëtare e fillimit të luftës greke për pavarësi më 1821. Lajmërimi i ministrit dhe dekreti mbretëror nuk u botuan asnjëherë në fletoren zyrtare ashtu siç veprohet zakonisht, por në faqen e fundit të gazetës ΦΗΜΗ (FIMI) më 19 mars 1838, numri 106.

Ardhja deri te dekreti i vitit 1838 për 25 Marsin si festë kombëtare ka pasur shumë mosmarrëveshje, të cilat kanë vazhduar edhe pas zyrtarizmit të kësaj dite të madhe për popullin grek deri në vitin 1875, kur e kemi paradën e parë ushtarake për nder të saj, për të vazhduar deri në ditët e sotme.

Ajo që quhet si festa kombëtare e 25 Marsit nuk ka asnjë lidhje me pavarësinë e Greqisë, për arsye se nuk ka një datë të saktë pavarësie, asnjë dokument me nënshkrimet e atyre që e kanë shpallur pavarësinë, fjala vjen si në rastin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.

25 Marsin Greqia e shënon si festë kombëtare dhe fetare, por çfarë e lidh këtë datë me grekët dhe Greqinë në të vërtetë?

Për mitin e fillimit të kryengritjes më 25 mars 1821 profesori grek në Universitetin e Athinës, Thano Veremi, shkruan: “Ky është një mit kombëtar i padëmshëm. Filloi në Kalamatë dhe jo në Kalavritë. E vërteta është se ajo filloi në shumë vende në të njëjtën kohë, tani pse iu ngjit Kalavritës? Sepse atëherë filogreku francez Pouqueville, konsull në Patrë, e nxori këtë mit duke pyetur se ku ndodhi. Ata i thanë në Kalavritë, dhe kështu ai tha se ajo shpërtheu atje. Pavarësisht nëse thuhej se Kollokotroni ishte atje - gjë që ai nuk ishte - apo që peshkopi i Patrës Gjermanosi e ngriti flamurin në Agia Lavra, gjë që nuk është e vërtetë, pasi ai ishte në Agio. Pra, nga keqkuptime, këto janë bërë tradita”[1].

Më 21 Mars 1821 u çlirua Kalavrita, një vendbanim në ato vite i banuar vetëm nga shqiptarët-arvanitasit, dhe në shtator të po atij viti u çlirua edhe Tripoli. Aleksandër Mavrokordatos, i cili kishte lindur në Stamboll në lagjen e fanariotëve, e shpalli më 1 janar 1822 pavarësinë e Greqisë, dhe më 15 janar u botua Deklarata e Pavarësisë së Kombit Grek, por kjo pavarësi nuk u njoh nga Teodor Kollokotroni dhe grindjet midis tyre vazhduan derisa më 18 janar 1823 në Nafplio, që banohej po nga shqiptarët, të vendosej përfundimisht si qendra e Qeverisë së Greqisë deri më 1834, kur mbreti Otton e shpalli Athinën si kryeqytet. Në Nafplio u zgjodh edhe presidenti i parë i Greqisë, Joani Kapodistria me origjinë nga Gjirokastra, por që kishte shërbyer si ministër i Jashtëm i Perandorisë Ruse. Mbreti Otton mbërriti në Nafplio më 25 janar 1833.

Deri në shpalljen e Athinës si kryeqytet, ka pasur shumë trazira të brendshme ajo pjesë të cilën, disa shtete të fuqishme si Franca, Anglia, Rusia, Gjermania etj., e njihnin si shtet të pavarur të Greqisë. Por asnjëherë 25 marsi nuk ka pasur ndonjë domethënie kuptimplotë për kombin e ri grek që po lindte.

25 Marsin si ditë të pavarësisë së Greqisë e bën aq më konspirative se pikërisht në këtë datë ka lindur peshkopi i Patrës, Gjermanosi (25 mars 1771 - 30 maj 1826). Mos vallë lidhet me ditëlindjen e këtij kleriku të lartë të Kishës Ortodokse Greke dhe jo me pavarësinë? Çdo gjë është e mundur kur dihet se shumë shtete-kombe kultivojnë me fanatizëm iluzione në lidhje me veçantinë dhe shenjtërinë e të parëve të tyre.

Gazetari i njohur Kosma Vidhos për mitin e 25 marsit ka shkruar: “Rreth dy shekuj më vonë ne jemi këtu dhe përsëri po festojmë këtë madhështi, të ngarkuar me mite kombëtare (cili komb nuk ka mitet e veta?). Një luftë që për shumicën prej nesh përmbledh atë që dikur mësonim në shkollë. Jo se iluzionet me të cilat u rritën me ne nuk ishin të dobishme, pasi ata na mësuan që nëpërmjet admirimit ta duam vendin që kishte ardhur te ne dhe njerëzit e tij. Por është mirë të rritesh dhe të piqesh për ta kërkuar të vërtetën prapa miteve. Në qoftë se miti e kultivon dhe e forcon mentalitetin kombëtar, e vërteta kontribuon në zhvillimin e një qytetari të pjekur. Tani ekzistojnë dhjetëra botime, produkte të një studimi serioz shkencor, të cilat hedhin dritë në aspektet e errëta në të kaluarën tonë historike. Pavarësisht nëse jemi për apo kundër paradave, jo vetëm që kemi të drejtë për të vërtetën historike, por është detyrimi ynë ta kërkojmë atë. Jo për të qenë ata siç e kemi mësuar, por për të mësuar se çfarë jemi. Dhe të kërkosh arsyet e vërteta për t’u ndjerë krenar”[2].

Në historiografinë borgjeze 25 marsi është dita kur kisha ortodokse feston ungjillëzimin, (Festa e Ungjillëzimit të Virgjëreshës Mari është më 25 mars, nëntë muaj para Krishtlindjes. shën. A. Ll.), është regjistruar si dita e Kryengritjes së vitit 1821. Sipas historisë zyrtare, fillimi i kryengritjes u shënua me “ngritjen e flamurit” në Shën Lavrë nga peshkopi i Patrës, Gjermanosi. Kjo është një tjetër gënjeshtër në historiografinë zyrtare të shtetit, pasi të gjithë, madje edhe historianët “shtetërorë”, e pranojnë se kryengritja filloi më herët.

Dhe ky mit u ndërtua pas kryengritjes, rreth vitit 1840, u përhap gjerësisht pas vitit 1854 dhe shërbeu për të njëjtin qëllim që i shërbeu dhe vazhdon t'i shërbejë mitit të 25 marsit. Legjenda e e kësaj date duhej të plotësohet nga një tjetër legjendë. Dhe kjo u bë, mbi legjendën e parë u ndërtua e dyta. Dhe ashtu si një tjetër mit i “Shkollës së fshehtë” që gjeti shprehjen në pikturën e N. Gyzit, po ashtu edhe miti i Shën Lavrës u ndihmua nga piktura e famshme “Ngritja e flamurit të kryengritjes në Shën Lavrë” e Th. Vrizakit, e cila u krijua më 1851 dhe qëndron e varur në të gjitha shkollat për ta përforcuar gënjeshtrën te fëmijët fatkeq.

Duhet përmbledhur edhe ky shënim për vitin 1821: Tri mitet rreth 25 marsit, Shën Lavra dhe roli i peshkopit të Patrës, Gjermanosit në shërbim të shkatërrimit të rebelimit dhe shtrembërimit të përmbajtjes së tij të vërtetë. Në më pak se 200 vjet nga kryengritja fëmijët tanë ende kanonizojnë që viti 1821 nuk ishte një rebelim nga populli, por një vullnet i Zotit i cili caktoi një despot si Gjermanosi për ta shpallur kryengritjen në një vend të kishës (Manastiri i Shën Lavrës) në një ditë të veçantë, Shpalljen e Virgjëreshës Mari, për të lidhur edhe përrallën e komandantit të përgjithshëm në “luftën e kombit”[3].

Pra, 25 marsi! Ditë e Madhe për Greqinë. Më e Madhja. Është përvjetori i shpalljes së revolucionit për çlirimin nga Turqia. Kjo është ajo që ua thonë të gjithë fëmijëve kur ulen në bankat e shkollës. Se u rebeluan grekët gjigantë pas 400 vjet skllavërie dhe e fituan lirinë e tyre. Jo, zotërinj. Nuk është kështu. Dhe nëse sot grekët dhe Greqia janë histori e pllakës, kjo është sepse ata nuk e kanë mësuar të vërtetën dhe nuk e dinë realitetin e ashpër[4].

Por ka ndodhur që drejtuesit e Greqisë ta shënojnë këtë festë kombëtare jo më 25 mars, por më 25 prill, pas shumë vitesh që ishte vendosur dhe festohej si një festë e madhe kombëtare. Më 1871 kjo festë kombëtare nuk u shënua më 25 mars, por më 25 prill. Arsyeja për këtë shtyrje të çuditshme ishte jashtëzakonisht e thjeshtë: përvjetori zyrtar duhej të përkonte me kthimin e eshtrave të patrikut Gregori V nga Odessa dhe vendosjen e tyre solemne në Kishën Metropolitane të Athinës. Ishte një veprim jo vetëm spektakolar, por edhe thellësisht simbolik[5].

Ky veprim për zhvendosjen e festës më të madhe kombëtare tregon qartë jo lidhjen shpirtërore të drejtuesve të Greqisë për heronjtë e Kryengritjes së vitit 1821, por duke respektuar ardhjen e eshtrave të patrikut Gregori V (1746-1821) i cili është figurë e errët e historisë për pavarësinë e Greqisë. Ai ka vepruar si bashkëpunëtor i ngushtë i pushtetit të sulltanit dhe u var si pasojë e dështimit të autoritetit të tij për ta ndalur Kryengritjen e vitit 1821. Sidoqoftë, sjellja e eshtrave të patrikut Grigori V nga Odesa në Athinë, e detyroi Greqinë për herë të parë, pasi 25 marsi ishte vendosur si festë kombëtare, ta kremtojë më 25 prill 1871.

Në një studim të tij, publicisti dhe shkrimtari Dhimitris Fisas zbërthen mitet e kryengritjes dhe të 25 Marsit bazuar në faktet e studiuara nga ana e tij.

1). Është mit sepse kryengritja përgatitej me vite në shkollat e fshehta.

Nuk kishte asnjë të vetme shkollë të fshehtë, por qindra të dukshme. Revolucioni ishte përgatitur nga Shoqëria Miqësore dhe u krye nga fermerë, tregtarë, pronarë të anijeve, marinarë, priftërinj, filogrekë, hajdutë, armbajtës, tregtarë të vegjël, iluministë etj.

2). Është mit sepse peshkopi i Patrës, Gjermanosi i bekoi kryengritësit më 25 mars 1821 në Manastirin e Agjia Lavra (Shën Lavrës).

Sipas kujtimeve të peshkopit Gjermanos, ai e bekoi kryengritjen muajin tjetër në Patrë (në prill, shën. A. Ll.).

3). Është mit sepse kryengritja filloi më 25 mars 1821 në More dhe Rumeli.

Kryengritja filloi më 22 shkurt në Moldavi, e projektuar si një kryengritje gjithëballkanike antiosmane, e bazuar në linjën e Rigës: “bullgarë dhe arvanitas, serbë dhe romiosë, arabë dhe të bardhë, me një vrull të përbashkët”.

4). Është mit thirrja e parë revolucionare e Ipsilantit, me titull "Lufta për besim dhe atdhe", ku tregon që Kisha Ortodokse i paraprin mendimi të luftëtarëve.

Thirrja e Ipsilantit nuk flet për kishën, por për besimin dhe ndihmën hyjnore në linjën e masonëve, nuk thotë asnjë fjalë për kishën.

5). Është mit, sepse çdo flamur i kryengritësve kishte kryqin.

Kryqi në disa raste ishte aty, por në të tjera nuk ekzistonte fare, dhe në disa raste të tjera ai bashkekzistonte me përfaqësime të ndryshme; kafka, palma të rigjeneruara, zogj, spiranca, perëndi të lashta, shigjeta, yje, gjarpërinj, shprehje të lashta apo të reja etj.

6). Është mit që kisha ortodokse e ka mbështetur kryengritjen që në fillim.

Patriku Grigori V dhe Sinodi vendosën që në fillim shkishërimin e Ipsilantit, Sucit dhe gjithë miqve, ashtu siç i kishin shkishëruar më parë në masë hajdutët e Moresë, (kaçakët, cubat, kleftis, A. Ll.), Riga Velestinlin (që për më tepër e pagëzuan dhe e eliminuan si “fereo”), dhe shumë të tjerë.

7). Është mit që sulltani e vrau patrikun Grigori V, si hakmarrje për kryengritjen.

Ai u var si zyrtar osman i paaftë për ta ndalur kryengritjen.

8). Është mit se flamuri i Greqisë me ngjyrat të kaltër dhe të bardhë simbolizon qiellin dhe detin.

E kaltra dhe e bardha janë ngjyrat e Bavarisë nga ku vinte Ottoni, mbreti i parë i shtetit të freskët.

9). Është mit mbijetesa e gjuhës dhe e vetëdijes greke se janë ruajtur për shkak të Kishës Ortodokse Greke.

Gjuha u ruajt dhe u zhvillua gojarisht, ndërsa Kisha Ortodokse Greke mbante një shkrim merimangë, të pakuptueshëm dhe të ëmbël. Vetëdija e re greke u krijua nga iluministët kundër kishës e cila i urrente fjalët grekë, greke, Greqi

10). Është mit festimi i dyfishtë i 25 marsit që simbolizon bashkëjetesën e përjetshme të Greqisë laike me kishën ortodokse.

Deri në vitin 1838, festa kombëtare e Greqisë ishte Viti i Ri (sepse më 1 janar 1822 u miratua kushtetuta e parë), ndërsa 25 marsi u krijua vetëm më 1838, duke vërtetuar sovranitetin kishtar në shtetin e ri dhe hyrjen në fuqi të miteve të mësipërme të cilat, siç e shohim të gjithë, deri më sot janë jashtëzakonisht të suksesshme[6].

Dekreti i lëshuar më 15/27 mars 1838 dhe që nuk u botua në Gazetën e Qeverisë, por në shtypin e kohës, ishte plotësisht i përshtatshëm për qëllimet socio-politike të asaj kohe dhe kryesisht në përpjekjen për identifikimin e kombëtares me vetëdijen fetare[7].

Si për t’i përmbledhur mendimet e shumta në bazë të fakteve dhe dokumenteve të kohës: Shkolla e fshehtë është një mit i shpikur nga studiuesit e kryengritjes si një “gabim i dobishëm që u shfrytëzua politikisht dhe ideologjikisht”. Ashtu siç është edhe Dekreti Mbretëror i vitit 1838 që vendosi 25 marsin si datën e fillimit të Kryengritjes së vitit 1821. Një “gabim” që u konsolidua disa vite më vonë për ta mbështetur Idenë e Madhe që e karakterizoi grekun në shekullin XIX.

25 Marsi është një festë e dyfishtë për ne grekët, kombëtare dhe fetare. Ata festojnë “çlirimin nga osmanët pas 400 vjet skllavërie”, por edhe shpalljen. Në atë ditë, kryeengjëlli Gabriel përcolli mesazhin e Zotit të Virgjëreshës Mari se ajo do ta lindte Birin e saj. Kjo ngjarje quhet shpallje.

Faqja e fundit të gazetës ΦΗΜΗ (FIMI) e 19 mars 1838, numri 106, ku u botua Dekreti Mbretëror që shpallte 25 Marsi Festë Kombëtare e Greqisë.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat