I kishte dalë syri nga vendi gjatë plagosjes/ Si i ndihmoi Osman Haxhiu dy fiset në vëllavrasje

Historia

I kishte dalë syri nga vendi gjatë plagosjes/ Si i ndihmoi Osman Haxhiu dy fiset në vëllavrasje

Më: 29 mars 2021 Në ora: 11:08
Osman Haxhiu

Në grykëderdhjen e lumit të Shushicës pranë kodrave ku bashkohet  me lumin Vjosa, ndodhet fshati Armen. Në prehërin e një vendbanimi të vjetër, që banorët e thërrasin me emrin Qytezë, dëshmuar nga arkeologët si vendbanim Ilir i shekullit të V para Krishtit. Në këtë fshat në 1848 lindi Haxhi Muhameti,të parët e të cilit kishin ardhur aty  nga fisi Qataj i Krahësit të Tepelenës.

Familja Haxhiu apo Qataj , aty nga shekulli i XVII u shpërnngul nga Krahësi Tepelenës ku ende edhe sot janë gjurmët e këtij fisi, toponimet dhe vazhdimësia e tij. Fillimisht Qatajt u vendosën në Kocul 22 vjet, ku gjendet dhe toponimi ullinjt e Qate. Në Armen u morën me bujqësi dhe blegtori dhe kështu vunë pasuri.Nga vitet 1812 kjo familje filloi të bënte tregëti në Berat dhe në Janinë. Babai i tij Haxhi Jakupi e kishte trashëguar  në tre breza haxhillëkun duke ju shërbyer banorve të Armenit me shume përkushtim dhe dashuri.

Jakup Haxhiu u vendos  në qytetin e Vlorës  aty nga viti 1939, por lidhjet me fshatin Armen nuk i shkëputi asnjëherë. Nga i ati ai trashëgoi edhe çifligun në fshatin Picar. Haxhiu u martua me Hatixhe Durmishin, e cila në familjen e saj kishte krushqi me Ismail Qemalin, nga ku mbesa e Hatixhes ishte martuar me djalin e Ismail Qemalit, Qamilin. Nga kjo martesë e Haxhiut me Hatixhen  erdhën në jetë 4- fëmijë, 3 vajza dhe një djal i cili u quajt Osman.

Osman Haxhiu, lindi në konak të Armenit në 28 tetor të vitit 1885 dhe më pas u zhvendos në shtëpinë që kishte blerë i ati në lagjen Topana në Vlorë. Mësimet e para i mori në qytet, ndërsa gjuhën persishte e mësoi nga kleriku  i famshëm i Kuzum Babait, Baba Saliu nga Tepelena.

I ati,  Osmanin e çoi me studime në Stamboll për të ndjekur studimet në “Robert Kollezh”

I vijoi këto mësime në vitet 1900-1905. Osmani banonte  here te shtëpia e Shahin Kolonjës dhe herë te shtëpia e Ismail Qemalit.

Osman Haxhiu gjatë këtyre viteve në Stamboll krijoi miqësi  me dy djemtë e Ismail Qemalit, Et’hem dhe Qazim Vlorën.  Me përfundimin e mësimeve  në vitin 1906 u emërua në administratën  lokale turke të Vlorës. Në vitin 1908 me krijimin e Klubit Atdhetar “Labëria” është edhe emri i Osman Haxhiut, në këtë kohë ai takohet me Ismail Qemalin  dhe u bë pjesë e fushatës elektorale .

Osman Haxhiu dhe   krerët kryengritës të Vlorës përkrahën programin e Ismail Qemalit që, në bisedimet e Prishtinës , delegate i kryengritësve të jugut të ishte Hasan Prishtina . Më 19 nëntor të 1912 komisioni i Vlorës, antar i  të cilit ishte dhe Osman Haxhiu i bënë telegraf Ismail Qemalit dhe i siguruan, marrjen e masave për Zhvillimin  e Kuvendit të Krerëve Shqiptar. Më 1912  në vjeshtë, komisioni i Vlorës caktoi Hamza Isain, Qazim Kokoshin, Alem Mehmetin dhe Osman Haxhiun të ngrinin një qëndër ushtarake në Shkozë. Shpallja e pavarsisë në 28 nëntor 1912 dhe ngritja e flamurit  shpalosën para syve të Osman Haxhiut  gjithë përpjekjet për krijimin e shtetit të ri shqiptar.

Në vitet e trazuara të jetës shqiptare, me ardhjen e komisionit  Ndërkombëtar të Kontrollit në Shqipëri, sipas vendimit të Konferencës së Ambasadorëve , Ismail Qemali bisedoi me përfaqësuesit e fuqive të medha  që të mos e pengonin veprimtarinë e mëtejshme të qeverisë së Vlorës. Në nëntor të vitit 1913 Osman Haxhiu u thirr nga Ismail Qemali dhe u ngarkua me detyrën e këshilltarit  të prefektit Ahmet Durmishi në Vlorë. Në ato kohë Osmani pa me sytë e tij plakun e madh diplomat sesi përplasej me tallazet e jetës shqiptare dhe dramën e saj.

Në historinë e Shqipërisë vitet 1912-1920,  Osman Haxhiu  ngjitet në skenën e jetës politike të Shqipërisë. Ai ishte në krye të komisionit të Vlorës, ku nga data 24-30 gusht 1914, e sipas orientimeve të Ismail Qemalit, hyri në bisedime me përfaqësuesit e Haxhi Qamilit në Frakull të Fierit. Nga këto bisedime u mënjanua vëllavrasja, ku pranoi kërkesat e tyre, por me kusht që të mbahej flamuri me ngjyrat kombëtare. Kjo për të vetmen arësye se pa flamurin vendi do të humbiste të vetmin simbol të pavarësisë së tij dhe do të coptohej nga fqinjët.

Qeveria e Esat Toptanit e gjeti Osman Haxhiun në Vlorë në krye të këtij komisioni që më pas e shpërndau. Komisioni dhe administrata u plotësuan pjesërisht dhe morën detyrat e administratës së Prefekturës. Osman Haxhiu në fillim u caktua zëvendësprefekt e më vonë prefekt, detyrë që e mbajti deri në muajin shkurt të vitit 1917.

Vështirësitë në të cilat po përjetonte Vlora, por dhe rrethanat u bënë më të rënda me ardhjen e muhaxhirëve nga krahinat e Kurveleshit, Kardhiqit, Libohovës e Rrëzomat e Delvinës. Prefektura e Vlorës me Osman Haxhiun ne krye, bëri të pamundurën për sistemimin dhe vendosjen e tyre në shtëpitë e fshatarëve vlonjatë. Pjesa më e madhe u vendos në ullishtet e përreth Vlorës. Në këto kushte të rënda, ku për të ardhmen e Shqipërisë nuk dukej më rreze shprese, Osman Haxhiu me të ardhurat e veta, çeli shkolla fillore për fëmijët e popullit fukara në të gjitha katundet e Vlorës.

Por Osman Haxhiu mbahet në memorie për veprimtarinë e tij luftarake, siç është edhe ajo e vitit 1920, Lufta e Vlorës. 100 vjetori i luftës kombëtare të Vlorës, shënon një ngjarje të madhe në zhvillimin e vlerave të historisë, e të traditës tonë kombëtare.Përkujtimi i kësaj date është borxh nderimi për paraardhësit tanë dhe veprën e tyre. Lufta e Vlorës ka në themel trinomin  liri, pavarësi, sovranitet. Atë trinom që u jetësua nē betejat popullore të shqiptarëve nē malet dhe kodrat e Labërisë. Por nga ana tjetër 100 vjetori i luftës së Vlorës ishte një moment reflektimi për politikën dhe institucionet shqiptare. Organizimi i kësaj ceremonie lartësoi dhe shpuri në vendin e merituar figurat e mëdha të kombit. Një ndër ta është dhe Osman Haxhiu. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe që pas 100 vitesh të fliste prefekti i Vlorës në detyrë, për prefektin e para 100 viteve Osman Haxhiun..

Osman Haxhiu nuk e ndërpreu kurr aktivitetin atdhetar, duke qenë i lidhur vazhdimisht me eksponentët e njohur të lëvizjes përparimtare shqiptare, që nga Ismail Qemali, Hasan Prishtina e shume të tjerë. Pjesa më e madhe e vendimeve lidhur me ngjarjen e Vlorës nga 5 qershori deri në shtator të vitit 1920 u bënë nëpërmjet statusit të Komitetit Mbrojtja Kombëtare, i cili u formua në vjeshtë e vitit 1919 nga intelektual të Vlorës ku ndër ta ishte dhe Osman Haxhiu.

Personaliteti Osman Haxhiut ndrin si dielli dhe yjet  ashtu siç ndrin shprehja e tij e famshme”JU BËJMË TË DITUR SE NEVOJA E RREZIKUT QË KA MARR NË SY VLORA DHE ATDHEU NA THERRASIN PËR BASHKIM NË MALIN E BARÇALLASË, NË 29 TË MAJIT, NXITONI TË JINI ATJE”

Populli e ka gdhendur në epikën e tij historike Osman Haxhiun, i cili mbetet një figurë politike dhe historike kombëtare që vazhdon të ndriçojë edhe në zhvillimet e sotme historike politike të vendit për shkakun e modelit  qē ai praktikoi në punë, në politikë, në parlament dhe në jetë, si njeriu me shpirtin e madh kombëtar.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat