Lavdia dhe venitja, 70-vjetori i Aviacionit Ushtarak

Historia

Lavdia dhe venitja, 70-vjetori i Aviacionit Ushtarak

Nga: Albert Z. Zholi Më: 24 prill 2021 Në ora: 12:08
Albert Z. Zholi

Hapi i parë për të krijuar një Aviacion Ushtarak

Hapi i parë për të krijuar një Aviacion Ushtarak në Shqipëri u hodh në 1914, kur qeveria shqiptare porositi blerjen e tre avionëve Lohner Daimler nga Austria për të formuar Korpusin Ajror Shqiptar. Si rezultat i Luftës së Parë Botërore, urdhri u anulua. Në vitin 1920 në Shqipëri janë bërë përpjekje për të organizuar Aviacionin Ushtarak. Më 9 shtator 1921, ministri i Luftës Selaudin Shkoza shprehte shqetësimin: “…tash për tash s’mundena me ble aeroplana…”. Në nëntor 1929 u dekretua “Ligji mbi organizimin e Fuqive Armate”, sipas të cilit ushtria emërtohej “Ushtria Kombëtare Shqiptare” dhe ndahej në “Fuqitë Tokësore, Detare e Ajrore”. Por Forcat Ajrore nuk arritën të krijohen.

Krijimi i flotës ushtarako-ajrore

Shteti shqiptar bëri përpjekje të shumta për krijimin e armës së aviacionit luftarak, por për arsye politike një gjë e tillë nuk u arrit dot deri mbas Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1945 një grup ish-partizanësh filloi përgatitjen për pilotë luftarakë në shkollën e aviacionit jugosllav. Ky grup përbëhej nga Niko Hoxha, Edip Ohri, Fahri Bubësi, Pertef Myftari, Ibish Vokshi, Zyhdi Rada, Sazan Xhelo, Irakli Grazhdani, Masar Aga, etj. pas prishjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, grupi e vazhdoi përgatitjen në Bashkimin Sovjetik. Aviacioni Luftarak Shqiptar u krijua pas Luftës së Dytë Botërore. Pas vitit 1945 u hodhën hapat e para për krijimin e armës së aviacionit duke përgatitur grupet e specialistëve, pilotëve dhe teknikëve në Jugosllavi. Grupi i parë ka mbaruar në vitin 1949.

Grupi i dytë është përgatitur në ish-Bashkimin Sovjetik.

Më pas pilotët do të përgatiteshin në Vlorë ndërsa disa prej tyre do të specializoheshin në Kinë. Aviacioni Luftarak Shqiptar u krijua më 24 prill të vitit 1951, kur piloti shqiptar Peço Polena fluturoi me një avion të Forcave Ajrore, të montuar e përgatitur nga specialistët shqiptarë. Reparti i parë ushtarak i aviacionit u krijua në Tiranë në vitin 1951, në Aerodromin e Laprakës. Regjimenti i parë i Aviacionit Reaktiv u krijua në vitin 1955 në Kuçovë. Ai do të pasohej më pas me krijimin e Regjimentit të Rinasit, Shkollën e Aviacionit, Regjimentin e Helikopterëve në Farkë dhe Regjimentin e Gjadrit.

200 avionë për të mbrojtur “ajrin”

Në vitet ’70-’80, Aviacioni Luftarak kishte në efiçencë të plotë mbi 70 avionë MIG-19 dhe 12 avionë MIG-21, një skuadrilje luftarake me 12 avionë MIG-17 dhe shumë avionë luftarakë-mësimorë të tipit MIG-15, 4 avionë transporti IL-14 për transport qeveritar, apo për studime ushtarake dhe gjeografike.

Në Tiranë, në Aerodromin e Laprakës ishin të dislokuar edhe 12 avionë transporti të lehtë AN-2 për transport trupash, apo në ndihmë të ekonomisë, ndërsa në Shkollën e Lartë të Aviacionit në Vlorë, veç avionëve reaktivë MIG-15 kishte edhe dy skuadrilje me avionë me helikë JAK-18, që shërbenin për përgatitjen e pilotëve në vitin e parë të kualifikimit si pilot. Në Farkë ishin rreth 36 helikopterë MI-4. Në Rinas kishte gjithashtu edhe 1 (një) avion bombardues të lehtë tip IL-28.

Organizimi

Në fillimet e tij e deri në vitin 1974, aviacioni ka qenë pjesë e Komandës së Mbrojtjes Kundër Ajrore të Shtetit Shqiptar, ku Komandanti i Aviacionit ishte njëherazi Zv/komandant i MKA-së. Komandanti i parë i aviacionit ka qenë Kolonel Edip Ohri, i cili e ka komanduar atë deri në vitin 1974. Aviacioni ka qenë komandë më vete, deri në vitin 1995, kur aviacioni u bë pjesë e Forcave të Mbrojtjes Ajrore. Nga viti 1975 e deri në vitin 2005, komandantë të aviacionit kanë qenë Bardhyl Taçi, kolonel Klement Aliko, gjeneral Perlat Binaj, gjeneral Astrit Jaupi.

Fundi i avionëve supersonikë

Edip Ohri, komandanti më jetëgjatë i aviacionit, prej më shumë se 20 vitesh, ka firmosur për futjen e të gjithë avionëve në Shqipëri, nga viti 1951 deri në vitin 1974. Pas kësaj kohe Shqipëria nuk ka marrë më avionë. Gjeneralbrigade Astrit Jaupi ishte komandanti me firmën e të cilit avionët MIG ndaluan së fluturuari, në nëntor 2005, pas një aksidentit tragjik në aeroportin e Rinasit. Mbas 30 viteve shërbimi, MIG-21 u cilësua si teknologji e prapambetur. Por nuk ishte vetëm kjo. Pas ngjarjes së ndodhur në shtatorin e vitit 2004, ku në Rinas u rrëzua me avionin e tij piloti dëshmor, Jani Tarifa, u vendos kategorikisht që të ndaloheshin fluturimet. Në nëntor 2005 kur u mor ky vendim u lanë në konservim si rezervë për fluturim: 2 Mig-21, 8 Mig-19, 4 Utimig-17, 6 Mig-17 dhe 4 AN-2.

- Fluturimet e avionëve në monizëm

Të paktën 240 ishte numri i mjeteve fluturuese, që përbënin armën e Aviacionit Luftarak. Një shifër të tillë e ka konfirmuar gjeneralbrigade Astrit Jaupi ndërsa ishte në krye të aviacionit. Edip Ohri, gjithashtu gjatë një interviste ka përmendur shifrën e 200 avionëve luftarak. Padyshim Ohri nuk ka futur këtu helikopterët dhe avionët mësimorë që përdorte Shkolla e Aviacionit, të cilat e rrisnin ndjeshëm numrin e mjeteve fluturuese që Shqipëria kishte në dispozicion.

Sasia e avionëve dhe helikopterëve deri në vitin 1990

-95 avionë MIG-19-S,

-12 avionë MIG-21,

-12 avionë MIG-17,

-3 avionë IL-14 për shërbime qeveritare

-1 avion bombardues IL-28.

-36 helikopterë MI-4.

-12 avionë AN-2 transporti

-24 avionë JAK-18

-4- avionë “Po-2”

-1 ofiçinë për kapitalin e të gjithë tipave të avionëve që poseidonte Shqipëria

Data historike për aviacionin nga lavdia në shpërbërje

-Edhe Vëzhgimi i Hapësirës Ajrore është institucionalizuar pas luftës. Më 14 shkurt të vitit 1947 është krijuar kompania e VAIN-it për vrojtimin e hapësirës ajrore dhe informimin për objektet e zbuluara.

-Grupimi i parë i avionëve luftarakë është bërë në Tiranë në vitin 1951, ku bënin pjesë avionë PO-2 dhe JAK-18.

-Reparti i parë i Aviacionit Reaktiv është krijuar në vitin 1955 në Kuçovë dhe kishte në përbërje të tij avionë MIG-15.

-Në vitin 1957 krijohet Reparti i Transportit Ushtarak në Tiranë, i cili kishte në përbërjen e tij avionë Po-2, JAK-18 dhe helikopterë MI-1 dhe MI-4.

-Në vitin 1962 u krijua Regjimenti i Aviacionit në Rinas, i cili kishte në përbërjen e tij një skuadrilje me avionë MIG-19 dhe një skuadrilje me avionë MIG-17. Po në vitin 1962 krijohet edhe Shkolla e Aviacionit.

-Në vitin 1967 krijohet Regjimenti i Helikopterëve, që numëronte në parkun e tij mbi 30 helikopterë të rinj MI-4.

-Në vitin 1974 krijohet Regjimenti i Gjadrit, i cili ishte i pajisur me avionë MIG-21 dhe MIG-19, përveç disa avionëve mësimorë MIG-17 e MIG-15 për trenerim.

-Në vitet '70 Aviacioni Luftarak kishte në efiçensë të plotë mbi 70 avionë MIG-19 dhe 12 avionë MIG-21, një skuadrilje luftarake me MIG-17 dhe shumë avionë luftarakë-mësimorë të tipit MIG-15. Pjesë e parkut ushtarak të avionëve ishin edhe katër avionë transporti IL-14, të cilët shërbenin si avionë për transport qeveritar apo për studime ushtarake e gjeografike.

-Në Tiranë, në fushën e Laprakës ishin të dislokuar edhe 12 avionë transporti të lehtë AN-2 që shërbenin për transport trupash dhe në ndihmë të ekonomisë. Në Shkollën e Lartë të Aviacionit në Vlorë, veç avionëve reaktivë MIG-15, kishte gjithashtu edhe dy skuadrilje me avionë me helikë JAK-81, të cilët shërbenin për përgatitjen e pilotëve në vitin e parë të kualifikimit si pilot. Në Regjimentin e Rinasit kishte gjithashtu edhe një avion bombardues të lehtë tip IL-28.

-Në vitet ‘70-‘80 niveli i programimit të fluturimeve ishte intensiv dhe sasia e fluturimeve për çdo pilot e avion ishte i standardeve e kërkesave të larta.

Pas viteve 2000, në Forcat Ajrore filloi prurja e teknikës fluturuese Perëndimore.

Në prill të vitit 2001 erdhën helikopterët e parë AB-206, ndërsa me 26 nëntor 2003 është kompletuar një skuadrilje e tillë.

Me 24 prill 2004 erdhi helikopteri i parë AB-205.

Më 1 shkurt të vitit 2007 erdhi helikopteri për transport VIP A - 109.

Më 18 qershor 2007 erdhën helikopterët e parë BO - 105.

Më 28 korrik 2012 erdhi helikopteri EC-145, i versionit VIP.

Më 3 dhjetor 2012 erdhi helikopteri i parë shumëfunksional tip Cougar.

Më 25 prill 2013, vjen helikopteri i dytë shumëfunksional tip Cougar.

Më 18 dhjetor 2013, vjen helikopteri i tretë shumëfunksional tip Cougar.

Më 27 tetor 2014, është futur në përdorim të Forcës Ajrore helikopteri i katërt tip Cougar.

Më 31 tetor 2015, hyjnë në përdorim në FA dy helikopterë EC-145

Aviacioni me 43 dëshmorë

43 ushtarakë të armës së aviacionit kanë rënë në krye të detyrës dhe janë shpallur “Dëshmorë të Atdheut”. Me vendim të Qeverisë Shqiptare, që nga data 24 prill e vitit 2003, ata prehen në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë dhe në rrethe, transmeton koha.net.

Kush kanë qenë drejtuesit e lartë

Mbrojtja Kundërajrore dhe Aviacioni janë "takuar e ndarë" disa herë nga forma organizative, por bashkëpunimi i tyre ka qenë gjithnjë i pashkëputur. Në fillimet e saj, arma e Aviacionit ka qenë pjesë e Komandës së Mbrojtjes Kundërajrore, gjë që ka vazhduar deri në vitin 1974 për t'u bashkuar përsëri në Forcat e Mbrojtjes Ajrore në vitin 1995. Komandanti i parë i Aviacionit ka qenë zoti Edip Ohri, i cili e ka komanduar atë deri në vitin 1974. Nga viti 1975 e deri në vitin 1995, komandantë të Aviacionit kanë qenë Bardhyl Taçi, Klement Aliko, Perlat Binaj. Shumë ushtarakë të këtyre armëve, që kanë drejtuar e punuar në vite, janë nga figurat më të shquara të ushtrisë sonë, ku përmendim Rrahman Parllaku, Gjin Marku, Hito Çako, Todi Naço, Sotir Filto, Arif Hasko, Edip Ohri, Niko Hoxha, Babaçe Faiku, Bardhyl Taçi, Klement Aliko, Haki Jupasi, Perlat Binaj, Salih Dibra, Haki Jupasi, Stefan Kagjini, Lulo Musai, Perikli Teta, Foto Lako, Harilla Rebi, Perlat Sula, gjeneral-brigade Astrit Jaupi, etj, të cilët kanë qenë të njohur në të gjithë radhët e ushtrisë për kryerjen e detyrave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat