Si vdiq Kleopatra, faraonia e fundit e Egjiptit

Historia

Si vdiq Kleopatra, faraonia e fundit e Egjiptit

Më: 6 qershor 2021 Në ora: 08:23
Kleopatra

Në një ditë gushti në vitin 30 Para Krishtit, faraonesha egjiptiane Kleopatra VII u mbyll në një mauzole që ajo kishte ndërtuar brenda pallatit të saj në Aleksandri. Më pas Mbretëresha e Nilit kërkoi t’i sillnin një gjarpër helmues.

Pak minuta më vonë iu soll në një shportë një kobër egjiptiane. Kleopatra e mbajti atë deri në gjoksin e saj të zhveshur, derisa ajo ia nguli dhëmbët. Pra mbretëresha dikur e nderuar vdiq nga kafshimi i gjarprit apo ajo?

E lindur në një dinasti të sundimtarëve maqedonas të Egjiptit, Kleopatra kishte përdorur inteligjencën, ambicien dhe aftësitë e saj të joshjes për t’u ngjitur në pushtet. Ajo fliste shumë gjuhë, ndërtoi një ushtri të frikshme, dhe pati marrëdhënie me dy nga njerëzit më të fuqishëm të Perandorisë Romake, Jul Çezarit dhe Mark Antoni.

Por në kohën e vdekjes së saj, mpleksja e Kleopatrës me Perandorinë Romake ishte shndërruar në një kurth nga i cili nuk mundi të shpëtonte. Ajo bëri armik të fuqishëm Oktavianin, djalin e birësuar të Jul Çezarit. Në gushtin fatal të atij viti, Oktaviani dhe ushtria e tij ishin praktikisht në portat e pallatit të saj.

Me ushtritë e saj të mposhtura dhe Antonin e vetëvrarë, Kleopatra nuk kishte se kujt t’i drejtohej për ndihmë. Ajo kishte frikë se Oktaviani do ta kapte rob dhe do ta parakalonte të lidhur nëpër rrugët e Romës, si një dëshmi të fuqisë së tij. Kështu, sipas legjendës, Kleopatra vendosi të vriste veten.

Por a e vrau ajo veten me një gjarpër tejet helmues? Dhe nëse jo, si vdiq Kleopatra? Megjithëse teoria e kobrës mbetet më e njohur, shumë historianë kanë sot ide të ndryshme, në lidhje me shkakun e vërtetë të vdekjes së Kleopatrës.

Ndonëse lindi rreth vitit 70 Para Krishtit, Kleopatrës iu desh të luftonte jo pak për t’u ngjitur në fron. Kur vdiq i ati i saj, Ptolemeu XII, Kleopatra 18-vjeçare e ndau fronin me vëllain e saj më të vogël, Ptolemeu XIII. Familja e tyre kishte mbretëruar mbi Egjiptin që nga viti 305 Para Krishtit.

Por politika romake vazhdoi të kishte një ndikim të fortë mbi Egjipt. Ndërsa Kleopatra dhe vëllai i saj grindeshin për dominim, Ptolemeu XIII e mirëpriti Jul Çezarin në Aleksandri. Në atë moment, Kleopatra pa një shans të artë për të fituar epërsinë.

Sipas legjendës, Kleopatra u mbështoll me një qilim, dhe u fut fshehtaz nga shërbëtorët në shtabin e Çezarit. Sapo hyri brenda, ajo ishte në gjendje ta joshte udhëheqësin romak. Dhe Jul Çezari pranoi ta ndihmonte Kleopatrën të rimerrte fronin e saj.

Me Çezarin në krah – dhe së shpejti, djalin e tyre Çezarionin – Kleopatra arriti t’ia rrëmbente pushtetin Ptolemeut XIII. Vëllai i saj i vogël do të mbytej më vonë në lumin Nil. Por fati i Kleopatrës ishte ende i lidhur me atë të Romës.

Pas vrasjes së Çezarit në vitin 44 para Krishtit, Kleopatra u rreshtua më pas me Mark Antonin, që e ndau pushtetin në Romë me Oktavianin, djalin e birësuar të Çezarit dhe trashëgimtarin e supozuar, si dhe Lepidusin, një gjeneral romak.

Ashtu si me Çezarin, Antoni ra në dashuri me Kleopatrën. Edhe pse më vonë Antoni lidhi një martesë diplomatike me motrën e Oktavianit, ai preferoi qartazi shoqërinë e Mbretëreshës së Nilit. Por romakët nuk i zinin besë Kleopatrës, pasi ishte e huaj por edhe një grua e pushtetshme.

Në shekullin I Para Krishtit, Horaci e përshkroi atë si “një mbretëreshë të çmendur … duke kurdisur komplote për të shembur Kapitolin dhe për të rrëzuar Perandorinë Romake”. Prandaj kur Kleopatra dhe Antoni e quajtën Çezarionin si trashëgimtarin e vërtetë të Cezarit, Oktaviani vendosi të veprojë.

Ai pretendoi se Antoni ishte nën pushtetin e Kleopatrës, duke i shpallur hapur luftë mbretëreshës egjiptiane. Oktaviani luftoi kundër Antonit dhe Kleopatrës në betejën e Aktiumit në vitin 31 Para Krishtit, duke u treguar i pamëshirshëm ndaj armiqve të tij.

Pas fitores së Oktavianit, Antoni dhe Kleopatra u tërhoqën në qytetin e Aleksandrisë, ku të dy i priste një fund tragjik. Në gushtin e vitit 30 Para Krishtit, bota e Kleopatrës ishte shkatërruar plotësisht.

Ndërkohë, trupat e Antonit e kishin poshtëruar duke iu dorëzuar Oktavianit. Shumë shpejt, trashëgimtari i Çezarit do të merrte Aleksandrinë. Kleopatra iku në një mauzole që kishte ndërtuar brenda pallatit, dhe përhapi zëra se kishte vrarë veten. I tmerruar, Antoni u përpoq të ndiqte shembullin e saj.

Edhe pse e goditi veten me shpatën e tij, ai mbijetoi aq kohë sa të dëgjonte se Kleopatra ishte ende gjallë. “Duke mësuar që ajo ishte ende gjallë ai u ngrit. Por, pasi kishte humbur shumë gjak, ai iu lut kalimtarëve që ta çonin tek mauzoleumi”- dëshmon historiani romak Dion Kasi.

Atje Antoni vdiq në krahët e Kleopatrës. Por, si e përjetoi Kleopatra vdekjen e Antonit? Disa historianë romakë, të cilët me siguri e paragjykonin monarken egjiptiane, sugjeruan se Kleopatra e kishte planifikuar vdekjen e Antonit gjatë gjithë kohës.

Ata nënkuptojnë se ajo synonte që ta joshte Oktavianin – ashtu siç kishte joshur Çezarin dhe Antonin në të shkuarën – për të qëndruar në pushtet. Dhe në fakt para vdekjes së saj, ajo ishte takuar me Oktavianin. Por ai takim nuk solli asgjë. Oktaviani as u lëkund dhe as u josh. Ndaj Kleopatra vendosi të vriste veten më 12 gusht të vitit 30, në moshën 39 vjeçare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat