Pushtuesi dhe mbretëresha. Uilliam Shekspiri dhe historia e vërtetë e Kleopatrës

Historia

Pushtuesi dhe mbretëresha. Uilliam Shekspiri dhe historia e vërtetë e Kleopatrës

Më: 10 tetor 2017 Në ora: 17:52
Pushtuesi dhe Mbretëresha

Ndërkohë që Kleopatra e Plutarkut është mendjemprehtë, ajo e Shekspirit është e korruptuar. Ajo është “e mprehtë përtej asaj që njeriu mund të imagjonojë”, një “gjarpër”, një “prostitutë” dhe “shpirti i gënjeshtërt i Egjiptit”, sa për të përmendur disa fyerje. Menjëherë pasi e takon atë, Antoni, që kurrë nuk jepej pas epsheve, transformohet “në budallanë që një prostitutë e tërheq për hunde”. Këshilltari më i ngushtë i Antonit, Enobarbusi e paralajmëron Kleopatrën se prania e saj do e shpërqëndrojë Antonin, dhe do e shpjerë drejt një humbjeje në Betejën e Aktiumit, në vitin 31 para Krishtit

Legjenda e Hollivudit thotë se kur regjisori amerikan Cecil B. DeMille i ofroi aktores Claudette Colbert rolin kryesor në filmin Kleopatra, të vitit 1934, ai e pyeti: “A do të dëshironit të bëheshit gruaja më e keqe në histori?” Ky vlerësimi i rëndë i DeMille është vetëm një nga gjykimet e shumta mbi Kleopatrën, mbretëreshën e Egjiptit nga 51 deri në 30 para Krishtit dhe e fundit nga sundimtarët e dinastisë së Ptolemejve. Dante e vendosi atë në rrethin e dytë të ferrit për epshin e saj, dhe George Bernard Shaë e quajti “një vajzë e vogël budallaqe”.

Ndoshta përshkrimi më i famshëm i Kleopatrës u krijua nga Uilliam Shekspiri, vepra e të cilit luajti “Antoni dhe Kleopatra” e përshkruan atë si një mrekulli e elokuencës joshëse, e aftë për të shkatërruar udhëheqës të mëdhenj romakë dhe perandori të mëdha. Ambicia e Shekspirit ishte të shkruante një dramë joshëse dhe jo një biografi të saktë historike, prandaj nuk është çudi që Kleopatra e tij është një përplasje, mes mitit dhe legjendës. Por autorët e lashtë që pretendojnë të dokumentojnë të vërtetën rreth Kleopatrës, shpesh duken po aq të çuditshëm sa Shekspiri. Rrëfimi më i mirë i lashtë për jetën e saj, vjen nga biografi grek Plutarku, “Jeta e Mark Antonit”, shkruar më shumë se një shekull pas vdekjes së Kleopatrës. Ajo vepër ishte burimi kryesor që Shekspiri konsultoi për tragjedinë e tij. Shumë aspekte të Kleopatrës “së vërtetë” janë të pamundur të përcaktohen, por imazhi popullor i Kleopatrës si një joshëse dinake është kryesisht një krijim shekspirian, i formuar prej copëzash të huazuara dhe zbukuruara, prej rrëfimit të Plutarkut.

Image

Pushtuesi dhe Mbretëresha

Pas vdekjes së Aleksandrit të Madh, Ptolemejtë themeluan një dinasti të re në Egjipt, në vitin 305 para Krishtit. Deri në kohën e lindjes së Kleopatrës, rreth vitit 69 para Krishtit, shumica e arritjeve më të mëdha të Ptolemeut kishin ndodhur shekuj më herët. Biblioteka e Aleksandrisë dhe Fari i Madh i Aleksandrisë datojnë në shekullin e tretë para Krishtit, ashtu si dhe zbulimet shkencore të dinastisë, siç është llogaritja e perimetrit të Tokës nga Eratostenët. Ashtu si vetë Ptolemeu, Kleopatra ishte trashëgimtare e një tradite të shquar kulturore dhe ajo mund të rendiste Aleksandrin e Madh, midis paraardhësve të saj.

Plutarku ndoshta e ekzagjeronte disi, kur pretendonte se Kleopatra mund të fliste nëntë gjuhë, por burime të tjera konfirmojnë se ajo ishte një poliglote e talentuar. Përveç greqishtes, gjuhn e lindjes, ajo gjithashtu fliste gjuhën egjiptiane, e cila e bëri atë shumë popullare mes popullsisë vendase egjiptiane. Ajo gjithashtu mund të ketë folur disa gjuhë të tjera, të Sirisë, Persisë dhe Lindjes së Afërt. Plutarku e krahasonte zërin e saj me “një instrument me shumë tela, me të cilat ajo mund të kalonte nga një gjuhë në tjetrën”.

Në vitin 48 para Krishtit, Kleopatra 21-vjeçare po luftonte me vëllain e saj 13-vjeçar për fronin. Të etur për të siguruar furnizimin me drithëra nga Egjipti pjellor për botën romake, Jul Cezari dhe njerëzit e tij u ankoruan në Aleksandri, tamam në kohë për të vepruar si arbitra në këtë grindje. Ndonëse Cezari mund të kishte kapur perandorinë e Romës, ose të vendoste Ptolemeun e ri në fron, ai vendosi që të mbështeste Kleopatrën.

Plutarku e përshkruante marifetin e saj të famshëm, për të hyrë në pallatin ku ndodhej Cezari: Kleopatra u fsheh në një qilim të mbështjellë dhe një shërbëtor e dorëzoi atë si dhuratë. Pasi u fut fshehtas, Çezari u bind dhe magjeps prej saj. Ai qëndroi në Egjipt me mbretëreshën e re, shumë kohë pasi mosmarrëveshja dinastike u zgjidh në favor të saj, duke shijuar një udhëtim kënaqësie nëpër Nil dhe duke patur edhe një djalë me të.

Faktet dhe sajimet

Në shfaqjen e Shekspirit, historia e Kleopatrës fillon disa vjet pas vrasjes së Jul Cezarit në 44 para Krishtit, një ngjarje tashmë e përshkruar në tragjedinë e vitit 1599, Jul Cezari. Kur hapet Antoni dhe Kleopatra, ajo dhe aleati i Cezarit, Mark Antoni, janë tashmë dy dashnorë të zjarrtë që jetojnë mes luksit të Aleksandrisë, ndërsa trazirat trondisin Mesdheun e më gjerë.

Por Shekspiri nuk mund t’i rezistojë një kthimi në kohë, tek takimi i tyre i parë, një skenë e spikatur  në veprën e Plutarkut. E thirrur për të takuar Antonin në Tarsus në vitin 41 para Krishtit (Antoni ishte gjithashtu i interesuar për sigurimin e grurit egjiptian për Romën), Kleopatra vjen e veshur si Venusi, ndërsa djem të bukur, të veshur si perëndi të dashurisë, e shoqërojnë. Muzika e mrekullueshme e flautit dhe temjanët e ëmbël përmbyllin skenën shastisëse.

Shekspiri përfshinte pothuajse çdo element të përshkrimit të Plutarkut – velat e purpurta, ajri i parfumuar dhe meloditë e flauteve. Kleopatra nuk paraqitet si një sunduese strategjike, por si një forcë seksuale që magjeps Antonin.

Ndërkohë që Kleopatra e Plutarkut është mendjemprehtë, ajo e Shekspirit është e korruptuar. Ajo është “e mprehtë përtej asaj që njeriu mund të imagjonojë”, një “gjarpër”, një “prostitutë” dhe “shpirti i gënjeshtërt i Egjiptit”, sa për të përmendur disa fyerje. Menjëherë pasi e takon atë, Antoni, që kurrë nuk jepej pas epsheve, transformohet “në budallanë që një prostitutë e tërheq për hunde”. Këshilltari më i ngushtë i Antonit, Enobarbusi e paralajmëron Kleopatrën se prania e saj do e shpërqëndrojë Antonin, dhe do e shpjerë drejt një humbjeje në Betejën e Aktiumit, në vitin 31 para Krishtit.

Pavarësisht se këmbëngul kokëfortësisht për një betejë detare në Aktium, kur trupat e tij janë superiore, Antoni fajëson Kleopatrën për humbjen në Aktium, përballë rivalit të tij Oktavianit: “Kurvë e trefishtë / je ti / që më shite tek ky i riu”, i thotë ai. Shumë kohë përpara kësaj humbjeje përfundimtare, ai e përshkruan tashmë Kleopatrën si një zakon të keq që duhet ta dëbojë. “Duhet të shkëputem nga kjo mbretëreshë magjepsëse”, deklaron ai. Personazhet meshkuj të Shekspirit e konsiderojnë Kleopatrën po aq vdekjeprurëse, sa edhe gjarpërin që ajo përdor për të vrarë veten në fund të tragjedisë.

Shumë shkrimtarë kanë vënë në dukje se vendimet e quajtura strategjike, kur bëhen nga burrat, shpesh janë quajtur manipuluese, kur ato bëhen nga gratë. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur burimet e një subjekti janë krejtësisht mashkullore, si në rastin e Kleopatrës. Çfarë mund të kujtohej si arritje të saj – faraonia e parë që futi monedha të ndryshme në Egjipt, Ptolemeja e parë që mësoi gjuhën e egjiptianëve vendas dhe një negociatore eksperte, që tregtoi territor dhe bitum me mbretër klientë – janë lënë shpesh në hije, nga manipulimet e supozuara seksuale të burrave të fuqishëm. Shekspiri vë në gojën e Kleopatrës një ankesë, që fare mirë përmbledh situatën e çdo sundimtareje të pushtetshme femër: “Ta dini se, më të mëdhenjtë keqkuptohen / prej gjërave që bëjnë të tjerët”./ Bota.al

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat