Adem Rama nacionalisti që detyrohet të strehohet në shtetin amë të Shqipërisë

Historia

Adem Rama nacionalisti që detyrohet të strehohet në shtetin amë të Shqipërisë

Nga: Adem Lushaj Më: 5 nëntor 2017 Në ora: 19:58
Adem Ramë Molliqaj (13.03.1918-14.04.2008)

Monografia “Lluka e Epërme nëpër shekuj” të autorit Arif Molliqi, pos një përshkrim gjeografik dhe historik, ka prezantuar edhe biografitë e disa nga figurat atdhetare të kohës. Lluka e Epërme në historinë tonë, nuk njihet vetëm për “Kuvendin e madh të pajtimit të gjaqeve”, apo të “Kuvendit besëlidhës”, por edhe për atdhetarët të cilat lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë. Shumëkujt iu kujtohen kohët kur dhuna rankoviçiani, detyronte shpërnguljen, siç kishin bërë edhe rapsodët Dervish Shaqa e Demush Neziri, së bashku me nacionalistin Adem Rama (Mulliqaj), që të tre nga Lluka e Deçanit. Në monografinë e tij, Arif Molliqi, ka shkruar gjerësisht për veprimtarinë patriotike të Adem Ramës, si dhe vuajtjet e mëdha të cilat vetëm një burrë i vendosur mund ti përballonte. Po ashtu, janë të freskëta kujtimet e bashkëvendësit e tij, të cilin e konsideronin njëri të fjalës dhe nacionalist të përbetuar.

“Ademi qysh i ri u përballua më varfëri, andaj punonte shumë. Ai shpesh shkonte edhe në qytet të punonte si punëtor krahu, andaj atje bie në kontakt me njerëz sado pak të shkolluar dhe që interesoheshin për çështjen shqiptare.

Shumë nga popullata e Kosovës, nuk i donte komunistet, andaj edhe kërkonin forma të ndryshme për t´i luftuar ata e, sidomos kur komunistet bashkëvepronin me serbet. Në anën tjetër ishte edhe Balli Kombëtar që kishte influencë nëpër popull mbasi në mesin e komunistëve sllave kishte shumë prej atyre që ishin kolonizator të tokave të shqiptarëve.                          

Meqenëse Demushi, kushëriri i Ademit veç kishte veprua kundër kolonistëve, Ademi i mbështeti shpresat tek NDSH-ja, e Ymer Berishës. Do përmendur se së bashkë më Ademin n´atë kohë vepronte fuqishëm edhe Tal Babani. Pas përfundimit të Luftës së Dytë, Ademi i kishte shpëtuar likuidimit që kishte ndërmarr pushteti përmes agjentëve të OZN-së, por likuidimit nuk i shpëton Tal Babani pasi bie ne´pritë nga daja i vet.

Vitet e pesëdhjeta Ademi i kalon duke punuar kohë mbas kohe në Pejë si argat krahu. Gjatë kësaj kohe bie në kontakt përsëri me lidhjet e vjetra të cilët ia ripërtërinë frymën dhe idenë e NDSH, çka edhe rikthehet si anëtar i saj. Mirë, kur hyri partia, apo erdhi pushteti sllavokomunist, filluan të organizoheshin procese gjyqësore, mbledhshin shënime dhe dëshmitarë për "krimet" e tyre ndaj popullatës sllave, e sidomos ndiqeshin anëtaret e nacionales shqiptare.

Ishte viti 1956, koha e Rankovicit ku ishte dhe fushata e mbledhjes se armeve. Regjimi i Rankovicit ishte një ndër regjimet me të egra te gjithë kohërave në Kosovë. Adem Rama ndiqej nga ai regjim si aktivist i madh i NDSH-se, dhe kërkohej e keqtrajtohet herë pas herë nga policia sekrete. Kështu në trysninë e UDB-së, Ademi me 3 mars 1956, se bashku me dy rapsodët e shquar Dervish Sqaqa e Demush Neziri marinë rrugën për tu strehuar në tokën e Shqipërisë, e bashkë me ta edhe Isa Botusha.

Gjatë një udhëtimi të vështirë nëpër borë, bjeshkëve, të rraskapitur arrijnë të dalin në Shqipëri. Të gëzuar që u shpëtuan rojeve kufitare, ata dorëzohen posten kufitare shqiptare pa e ditur kalvarin që do i ndiqte me pas.

Mbas shume ditësh hetuesie, Ademi në fillim ishte vendosur në Llakatund të Vlorës, por që shumë shpejt e transferojnë në Veri të Shqipërisë, në Tropojë. Që të mos e “indoktrinoj popullin”, më ide demokratike, Ademit ia ndërrojnë shpesh vendbanimin, më vendime administrative. Duke mos qenë të kënaqur më “dëgjueshmërinë” e tij, shpejt e arrestojnë (me një deklaratë të një dëshmitari që kurrë nuk e ka treguar kush ishte ai), dhe dënohet pesë vite punë detyruese. Pjesën e parë të dënimit e vuan në kampin famëkeq Seman të Fierit. Këtu kishte kryer shumë punë të rënda dhe nga sjellja e tij e “mirë”, si privilegje ia mundësojnë që dy vite të tjera të transferohet në Lushnjë, e më vonë e heqin nga internimi dhe e dërgojnë në Shenavlash të Durrësit.

Ademi në Shqipëri ishte vetëm gjysma, në Kosovë ai pati lënë pjesën tjetër të familjes. Gjate qëndrimit në Shqipëri, Dervishi dhe Demushi krijojnë familje të reja, pra martohen, ndërsa Ademi asnjëherë nuk pranoj të krijoj familje tjetër, duke e ditur qe e ka në Kosovë gruan dhe tre fëmijë. Mbas tetë vite qëndrimi i vetëm , gruaja e tij ndërmerr hapin tjetër sa të vështirë aq dhe të rrezikshëm për kohën. Ajo në mesin e acarit të marsit 1964, merr fëmijët dhe në mes të borës pa e dite se çfarë do ndodh me tej ikë në Shqipëri. Deri sa po kalonte kufirin, rrugës ka djegur edhe ato pak rroba që kishte me vete për të shpëtuar fëmijët nga ftohti, sepse bora e kalonte gjysme metri a me shumë. Por fati ishte në anën e tyre, mbas dy dite udhëtimi natën, ata arritën shendosh deri në posten e policisë në Bajram Curr. (Enigma se kush ua kishte mundësua kalimin e kufirit, mbeti edhe sot). Dy jave pyetje, presione deri sa me ne fund i lejojnë të bashkohen me Ademin. Në vitet 1986 Ademin e arrestojnë përsëri pa asnjë shkak. Në hetuesi 3 dite e 3 net, ku ketë radhe hetuesia zhvillohej në “15 katëshën” , dite dhe net, me mundime. Mbas viteve 1990, Ademi tha se ato mundime do ja tregoj vetëm natës se varrit.

Adem Rama ishte njeriu më i respektuar nga “emigrantet” kosovar në Shqipëri, mbase kurrë nuk veproi në dëm të tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat